
Zef Ujkaj/
Më 31 korrik 2025, në moshën 92-vjeçare, u nda nga jeta Drita Ivanaj (Ujkaj), një ndër bijat më të ndritura të një prej familjeve më të shquara të historisë shqiptare. Homazhet për të ndjerën u zhvilluan në ambientet e Fondacionit “Martin dhe Mirash Ivanaj” në Tiranë, institucioni që ajo krijoi e drejtoi me përkushtim, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit u bë në varrezat e Sharrës, pranë të atit, Martin, xhaxhait Mirash dhe kushëririt Nikollë. Me largimin e saj nga jeta, Shqipëria humbi një personalitet të rëndësishëm, që i kushtoi jetën trashëgimisë familjare, promovimit të vlerave kombëtare, ruajtjes së kujtesës historike dhe përhapjes së dijes ndër brezat e rinj.
Drita Ivanaj lindi në vitin 1933, në Tiranë. Ajo ishte e bija e juristit dhe gjyqtarit të lartë Martin Ivanaj dhe bashkëshortes së tij Giuseppina Pogliotti, italiane nga Napoli. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në vitin 1939, në moshën 6-vjeçare, Drita u largua nga Shqipëria bashkë me nënën e saj, fillimisht në Itali dhe më pas në SHBA, ku ajo ndërtoi një jetë të pavarur përmes edukimit, punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm. Në Itali, Drita kreu Liceun Shkencor dhe më vonë studimet e larta në Hunter College në Nju Jork për Ekonomi dhe Menaxhim Biznesi. Drita pati një karrierë të suksesshme në menaxhimin e biznesit ndërkombëtar, ku për 15 vite drejtoi zyrën përfaqësuese të kompanisë italiane FIAT në SHBA. Më pas, ajo u orientua drejt fushës së sistemeve kompjuterike dhe për më shumë se dy dekada shërbeu në Universitetin Columbia si eksperte e lartë dhe menaxhere projektesh për dixhitalizimin e sistemeve administrative.
Në vitet ’90, me rënien e komunizmit, Drita u rikthye për herë të parë në Shqipëri dhe rifilloi lidhjen e saj me vendin e origjinës, me qëllimin kryesor mbrojtjen e trashëgimisë së familjes Ivanaj dhe restaurimin e shtëpisë së Ivanajve – dikur e bastisur nga pushtuesit dhe e sekuestruar nga regjimi komunist – në një vend dijeje dhe kulture. Gjithashtu me përpjekje të mëdha arriti të riatdhesojë eshtrat e të atit nga Stambolli, për t’i prehur në Tiranë pranë vëllait të tij, Mirashit.
Në vitin 1995, ajo themeloi Fondacionin Ivanaj në Nju Jork dhe pas një viti Fondacionin “Martin dhe Mirash Ivanaj”, në shtëpinë e rindërtuar, në Tiranë, të cilën e mori në pronësi pas shumë peripecive. Fondacioni “Martin dhe Mirash Ivanaj” është një organizatë jofitimprurëse që promovon arsimin, kulturën dhe vlerat kombëtare. Në ambientet e këtij fondacioni përveç dokumenteve të shumta, artefakteve, librave, është i ekspozuar edhe një flamur, i cili u mor nga shtëpia e tyre në Tiranë, nga bashkëshortja e Martinit, Giuseppina, përpara se fashistët të futeshin në kryeqytet duke e marrë me vehte në Itali dhe pastaj në Amerikë.
Sot, ky fondacion përfaqëson një nga institucionet më serioze dhe të përkushtuara ndaj ruajtjes së trashëgimisë dhe edukimit qytetar në Shqipëri.
Historia e familjes Ivanaj është e lidhur ngushtë me ndërtimin e shtetit shqiptar modern. Prejardhja e tyre është nga Bëkajt e Trieshit, në Malësi, një fis i njohur për trimëri dhe atdhedashuri. Djemtë e Dodë Ivanit – Martini, Mirashi dhe Zefi – do të linin gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë. Shkollimin fillor e kryen në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beograd. Studimet universitare i përfunduan në Romë, ku Mirashi u diplomua në filozofi dhe jurisprudencë, ndërsa Martini në të drejtë zakonore, me fokus mbi traditat juridike të Trieshit, Hotit dhe Grudës. Tezat e tyre u vlerësuan maksimalisht dhe botimi i tyre u bë i mundur falë bijës së Martinit, Drita Ivanaj, dekada më pas.
Pas kthimit në Shqipëri, Martini kontribuoi si avokat, gjykatës, anëtar dhe kryetar i Gjykatës së Lartë (1932–1938), ku dha ndihmesë të jashtëzakonshme në hartimin e legjislacionit modern shqiptar. Vdiq në ekzil në Stamboll më 1940, duke lënë bashkëshorten Giuseppina dhe vajzën e tyre të vogël, Dritën.
Mirashi Ivanaj, një ndër personalitetet më të mëdha të arsimit shqiptar, la gjurmë si reformator i shkollës kombëtare. Ai hartoi dhe zbatoi reformën e madhe të arsimit shtetëror dhe laik, duke e bërë arsimin fillor të detyrueshëm dhe falas. Në postin e Ministrit të Arsimit (1933–1935), luftoi për të krijuar një shkollë shqiptare të pavarur nga ndikimet e huaja dhe fetare, të bazuar në parimet e dijes, qytetarisë dhe barazisë. Krahas tyre, kushëriri Nikollë Ivanaj dha kontribut të vyer si botues dhe publicist, pjesëmarrës në Kongresin e Triestes dhe përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Vepra e tij letrare dhe publicistike është dëshmi e përkushtimit të Ivanajve ndaj një Shqipërie të lirë, të arsimuar dhe të denjë.
Pas pushtimit fashist, vëllezërit Ivanaj refuzuan bashkëpunimin me pushtuesit dhe u larguan nga Shqipëria. Mirashi u rikthye pas luftës për të shërbyer si pedagog, por pas përndjekjes së ministrit Gjergj Kokoshi, ai vetë u arrestua në vitin 1947 dhe u dënua me burg për bindjet e tij demokratike. Vdiq më 1953 në spitalin e Tiranës, në vetmi, pa nderimet që i takonin.
Biblioteka dhe arkivi i familjes u shkatërruan nga fashistët dhe komunistët. Por vëllezërit Ivanaj lanë një trashëgimi të pavdekshme – ndërtuan institucione, mbollën dije, kultivuan vlera dhe jetuan me dinjitet.
Mirashi mban titujt “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut”, “Martir i Demokracisë”, “Mësues i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Ai dhe Martini janë dëshmi se Shqipëria është ndërtuar edhe mbi sakrificat e mendjes dhe shpirtit.
Me ndarjen nga jeta të Dritës, u shua pinjollja e fundit e një familjeje që i dha Shqipërisë gjykatësin dhe ligjvënësin, reformatorin e arsimit, botuesin dhe publicistin, luftëtarin për pavarësi dhe mbrojtësin e trashëgimisë. Ajo mbylli me dinjitet një histori të lavdishme, duke lënë pas gjurmë të thella në shoqërinë shqiptare. Në emrin tim dhe të vëllazërisë Ujkaj, Ju falënderojmë nga zemra të gjithëve për ngushëllimet dhe fjalët e ngrohta që na keni dhënë në këtë kohë të dhimbshme, pas ndarjes nga jeta të motrës dhe bijës sonë të dashur, Drita Ivanaj.
Drita pushoftë në paqe. Kujtimi i saj do mbetet përjetë i gjallë në zemrat tona, jo vetëm si pjesë e pandashme e familjes sonë, por si një grua që me përkushtim, vendosmëri dhe dashuri për atdheun, punoi pa u lodhur që vepra e vëllezërve Ivanaj – Mirashit dhe Martinit – të mos harrohej kurrë. Ajo u bë ura lidhëse mes së kaluarës dhe brezave të sotëm, duke themeluar një fondacion të posaçëm për të ruajtur, promovuar dhe bërë të njohur trashëgiminë intelektuale dhe atdhetare të familjes Ivanaj, në shërbim të arsimit, drejtësisë dhe shtetit shqiptar.
Sot, më shumë se kurrë, ne ndjejmë krenarinë dhe përgjegjësinë për të vazhduar këtë amanet. Drita nuk ishte thjesht një bijë e Ivanajve, por një dritë që vazhdoi rrugën e tyre me dinjitet, fisnikëri dhe vizion. Bëkajt e Trieshit, Malësia dhe mbarë Shqipëria do të të kujtojnë me krenari. Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj!