
Dr. Dorian Koçi/
Në historinë e një kombi, shpesh hasim figura të çmuara që, ndonëse vijnë nga vende të tjera, zgjedhin të bëhen pjesë e fateve tona në çaste vendimtare. Një nga këta është pa dyshim Kolonel Lodewijk Willem Johan Karel Thomson, ushtarak i lartë holandez që dha jetën e tij në Durrës, më 15 qershor 1914, në mbrojtje të shtetit të brishtë shqiptar të sapolindur. Ai ishte i pari ushtarak i huaj që ra në shërbim të paqes ndërkombëtare dhe që kujtohet me nderim nga shqiptarët si një hero i vërtetë.
Figura e Kolonel Thomson-it nuk është vetëm simbol i sakrificës dhe përkushtimit, por edhe një dëshmi e solidaritetit ndërkombëtar në mbrojtje të një populli që përpiqej të ndërtonte shtetin e vet në një periudhë të trazuar historike. Në një kohë kur Shqipëria kishte shpallur pavarësinë, por përballej me kërcënime të brendshme dhe të jashtme, Thomson dhe kontingjenti i tij holandez i dërguar nga fuqitë e mëdha në kuadër të misionit paqeruajtës të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (1913–1914), kishin për detyrë të ndihmonin në stabilizimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja.
Vrasja e Thomson-it, ndërsa përpiqej të ndalonte një përplasje të armatosur në Durrës, u bë një moment i dhimbshëm, por edhe i rëndësishëm për ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Ajo u përjetua si një akt i pastër heroizmi. Fan Noli, një nga figurat më të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, i kushtoi një nga poezitë e tij më të ndjera, “Thomsoni dhe Kulshedra”, ku e paraqet kolonelin si kalorësin fisnik që ra në betejë me forcat e errësirës që kërcënonin Shqipërinë.
Me këtë frymë e përkushtim u përmbyll para dy vjetësh edhe nisma e ndërmarrë së bashku me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, z. Reinout Vos, dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, znj. Emiriana Sako, për të rikthyer në Durrës bustin e Kolonel Thomson-it, një monument që më shumë se kujtim, është një premtim për të mos harruar. Falë bashkëpunimit institucional dhe dëshirës së qytetarëve të Durrësit, një dy vjet më parë u arrit të realizohej kjo ëndërr e hershme, duke i dhënë qytetit të lashtë të Durrësit një nga simbolet më domethënëse të tij.
Në ceremoninë përkujtimore të arij viti, krahas homazheve pranë bustit të tij, patëm mundësinë të zhvillonim një panel diskutimi në ambjentet e restauruara të Torres Veneciane, një tjetër simbol i mbijetesës së qytetit përballë kohëve. Ishte një nder i veçantë për mua të flisja para një audience të respektuar mbi rolin e misionit paqeruajtës holandez dhe të vetë Kolonel Thomson-it, si dëshmi e lidhjeve të hershme midis Shqipërisë dhe Holandës – lidhje që bazohen mbi vlera të përbashkëta si paqja, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e sovranitetit.
Sot, kur kujtojmë Kolonel Thomson-in, nuk bëjmë vetëm një kthim pas në histori, por ringjallim një ndërgjegje qytetare dhe kombëtare për të nderuar ata që kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit tonë. Prania e një busti nuk është thjesht një objekt bronzi, por një kujtesë se Shqipëria është ndërtuar edhe me ndihmën e atyre që besuan në të, edhe pse nuk ishin shqiptarë. Ky është një mesazh që i përket brezave dhe që duhet trashëguar me kujdes dhe dinjitet.
Le të mbetet përherë në kujtesën tonë fjalia e Fan Nolit: “Kolonel Thomsoni, kalorës i huaj që vdiqe për ne”