Nga Agim Xh. Dëshnica/Boston/ MA/
Pak fjalë për jetën e veprën./
Më 1944 intelektuali e patrioti demokrat Izedin Mehqemeja, humbi jetën në kampin nazist të shfarosjes Majdanek-Poloni, ndërsa në dhjetor 1945, diktatura komuniste pushkatoi në Berat të birin 22 vjeçar Namik Mehqemeja, poetin e lirisë e luftëtarin e ri të bashkimit kombëtar, i njohur me anonimin letrar Nako. Vrasja e një poeti është jo vetëm krim, por dhe një akt barbar. Nuk do të mjaftonin këto dy tragjedi, por në vazhdim do të vuanin në punë të rënda e në mjerim nëna dhe tri motrat më të vogla që u larguan nga jeta para kohe me dhimbje, pa mundur të dinin se ku dergjeshin njerëzit e tyre të dashur.
Nako, u lind më 1923 në Berat. Gjatë e pas mbarimit të mësimeve në shkollën tregtare të Vlorës ai krijoi e botoi poezi e prozë, në gazetat e revistat e kohës. Në krijimtarinë e tij plot frymëzim, vihej re ndikimi i letërsisë së viteve 30-të, sidomos i poezisë së Migjenit. Sipas atyre që e kanë njohur nga afër, ai qe një djalosh me sy të kaltër e flokët biond që ia merrte era, i pakët në fjalë, i thellë në mendime, shpesh ëndërronjës e me shpirt të ndijshëm.
Nako qysh në hapat e para të krijimtarisë kishte tiparet e një poeti të mirëfilltë i cili me talentin e tij do të shquhej midis poetëve të kohës e do të mbetej i paharruar deri në ditë e sotme. Poezitë e tij ishin fryt i një fantazie e gjuhe të pasur gjatë orëve të krijimit nën dritën e kandilit apo soditjes së natyrës së bukur shqiptare, veçanërisht të qytetit të lindjes, Beratit romantik. Burime frymëzimi për të ishin njeriu i dashur, nëna, babai, motrat, shokët atdheu, deti, mali, dëbora, vjeshta, muzgu, mbrëmja pranverore etj. Mundësinë e tij për një nivel më të lartë artistik i kishte zbuluar prej kohësh poeti e dijetari i shquar Vexhi Buharaja, por fati i mbrapsht i poetit ndërpreu gjithçka, jetën, rininë, shkollën e lartë për në Vienë dhe krijimtarinë e tij të bukur. Autorët e tij të preferuar ishin Sami e Naim Frashëri, Konica, Fishta, Noli. Dostojevski, Turgnievi, Petëfi, Tagora, Gorki, Niçe, Frojdi, Hegeli etj.
Poezitë që mundën të shpëtonin nga shfarosja në hetusi, apo në biblioteka, dorëshkrimet e fshehura dhe ato të botuara para vitit 1944, panë dritën e botimit pas vitiit 1990 në gazeta të ndryshme dhe në vëllimin “Shpirti është lot”.- 1994. Së fundi, u përmblodhën edhe shkrime të tjera në vëllimin “Dy jetë, një poezi”-Berat 2003 dhe në librin “Poetë berates në shekuj”-Berat-2011, përgatitur e botuar nga shkrimtari e publicisti i njohur Agim Mehqemeja. Nga këto krijime përmendim disa. Në poezi: “Kënga e pakënduar”, “Kënga e re,” “Deti”, “Shpirti është lot”, “Muzg vjeshte” “Jeta”, “Mbrëmje pranverake” (në burg),”Ja.Nata bie”, “Kalorësi i Ri”, “Vallja e hijeve”, “Dëshirë”, “Do të vijë një ditë”, “Poetit”, etj. Në prozë: “Atit tim”, “Motrës sime”. “Kënga e detit”, “Dëbora”. “Loti im”,” Një vajze”.” Ylli karvanit veton në të feksur”etj. Vijojnë: fragmente drame, përkthime, ndër to nga Tagora, shkrime e fjalime të ndryshme dhe letra nga burgu. Kanë humbur ose janë zhdukur poezitë “Trimi”, “I kujtoj të gjitha”, “Shqiponjat fluturojnë lart”; novelat “Mbas malit”; romanet “Çerdhja u prish”, “Hije e dritë”, “Ditari i burgut dhe eseja “Në vendin e zambakëve të bardhë”.Nga letrat e burgut veçojmë, kujtimin e fundit, shkruar pas një fotografie të burgut: “Nënës sime të dashur që i shkaktova kaq dhembje e dëshpërim.” dhe letrën :“Të dashura motra”: “E vetmja porosi që ju lë prej birucës është kjo: Ruani vetëm nderin. Ruani nderin, në qoftë se doni të jini të denja për kujtimin e vëllait tuaj.
Ruani nderin në qoftë se nuk doni të lëndoni eshtrat e mia.
Shoqëria që ju rrethon është e korruptuar.
Prandaj ju them edhe njëherë:
Ruani nderin!
Kjo është porosia ime e fundit. 15 nëntor 1945 “
Në mbarim të fjalës së fundit në sallën e gjyqit pas vendimit me vdekje për fajin se atdheun e donte të lire e të bashkuar me të gjitha trojet e veta, ai u shpreh: “Nuk kërkoj mëshirë, mëshira është arma e të dobëtit.”
Në mbyllje të këtij shkrimi të shkurtër japim strofën e parë nga poezia e tij “ Kënga e pakënduar”:
“Ndiej një këngë në zemrën time
Kam një këng’ të pakënduar
Kam një këngë thellë të harruar
Mu në fund të zemrës sime.”
Poezi kushtuar poetit martir,
nga përgatitësi i këtij shkrimi përkujtimor.,
POETIT TE KENGES SE PAKENDUAR
Me rrezet e fundme
gjerdan i ndritur e i artë,
u ndeh e u shtri,
mbi kreshtë në Shpirag.
Befas u fik.
Afër lumit nën ulli
mjegull, krisma, dhimbje e gjak.
A fle lumi?
A ndien lumi,a sheh lumi?
Hesht në shkëmb qyteti i bardhë
me dritare rradhë mbi rradhë ,
me përralla e legjenda
brenda mureve të rënda.
Afër lumit nën ulli
u vra poeti,
ra e u shtri,
u vra kënga e pakënduar
në zemër e harruar
për fllad e det
për lule e fletë,
vjeshtën e borën dimërore
për mbrëmjen pranverore,
në kohë zgjimi
e çast frymëzimi
nën flakën e kandilit
me trillet e bylbylit.
Hesht qyteti, ëndërron nën yje,
në orët e krimit fshehur nëpër hije.
Pakëkush di për krismat nën ulli,
Por ah! Bri rrape fërfërimash
me jehona suferimash
qajnë valët nën urë flijimesh
qajnë zanat me lot mallkimesh,
pa myezinë e pa kambanë,
qajnë poetin e lirisë
poetin e hijshëm të dashurisë.
Hëna sipër në Kala
shndrin dritare e baxha,
në gjumë trondit qytetin,
nën ulli e zgjoi poetin.
Nako! Nako! Emri i tij rinor
jehon tutje lumit në Tomor.
jeton me kumtin e besimit
për ditën e ngadhnimit.
E ndjek në çaste muzg vjeshte
shpirtin lot, tek ngrihet lart në heshtje
e shuhet tej malesh e pyjesh,
por befas ndrin si yll mes yjesh.