
Nereida Xhakolli/
Kohët e fundit qyteti i paqes, Rovereto përjetoi dy evenimente kulturore të bukura, ku protagonistë ishin kënga dhe vallja. Në evenimentin e parë artdashësit e Roveretos, veçanërisht ata të komunitetit shqiptar, pritën me interes të madh e ngrohtësi një mysafir special e jo të zakonshëm, Ansamblin e Këngëve e të Valleve të Tiranës “Muza shqiptare”, që jemi mësuar ta njohim me emrin Ansambli i Shtetit. Ishte iniciativa e bukur dhe e lavdërueshme e baletmaestrit Enkel Zhuti dhe e tri shoqatave të zonës, që bashkëpunuan me të, për ta sjellë këtë trupë exellente në qytetin tonë.
Natën e parë ansambli i ardhur nga Tirana, dha shfaqje për artdashësit në qytetin e Bolzanos. Kurse të nesërmen pati një pritje shumë më të gjerë e entuziazmuese në Rovereto, në auditorin e pranë muzeut Mart. Një sallë e mbushur plot me artdashës së të gjitha moshave. Rreth 400 spektatorë. Na kujtoheshin ata dokumentarët e dikurshëm kur Ansambli i Shtetit me yje të valles si Besim Zekthi, Lili Cingu, Rexhep Çeliku e të tjerë shkonin nëpër shtete të ndryshme ku bënin jehonë të jashtëzakonshme me bukurinë e këngëve, valleve e kostumeve të zonave të ndryshme të Shqipërisë.
Këtë traditë ansambli “Muza shqiptare” e ka ruajtur dhe po e ngre më lart. Në pjesëmarrjen e tij, si këngëtarët, ashtu edhe valltarët janë në moshë të re dhe kjo premton që ata do ta çojnë lart e më lart emrin e këtij ansambli. Repertori është ai i njohuri, këngë e valle nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Koreografët dhe drejtori artistik ishin përpjekur të sillnin majën e diamantit të artit popullor shqiptar. Me një interpretim të përsosur si të valltarëve, ashtu edhe të këngëtarëve dhe instrumentistëve. Spektatorët e ardhur jo vetëm nga Rovereto e tërë Trentino, por edhe nga Novara, Milano, Padova e Azzanë Decimo, duke iu përgjigjur atmosferës dhe entuziazmit që krijoi ansambli, pothuajse u shkrinë bashkë me trupën, duke kënduar e duke vallëzuar në sallë. Kishte mes tyre spektatorë të të të gjitha moshave, që nga fëmija 2-vjeçar e deri tek nëna 90 vjeçe. Një pjesë e mirë e spektatorëve ishin italianë, që prej vitesh ndjekin me simpati e me kënaqësi aktivitetet artistike të shqiptarëve.
Në paraditen e shfaqjes, si “zonjë shtëpie”, pata kënaqësinë që disa nga spektatorët mysafirë që kishin ardhur nga larg, si anëtari i këshillit komunal të Azzano Decimo, Ervin Ramalliu me familjen e tij e të tjerë, t’i shoqëroja në kodrën ku ndodhet Kambana e Paqes. Ata jo vetëm u njohën me historikun e kësaj kambane, por qëlluan edhe në momentin e duhur për të dëgjuar tingujt e saj në nderim të të rënëve në luftra. Si të rriturit, ashtu edhe fëmijët blenë dhurata që kanë lidhje me këtë simbol të paqes në Rovereto.
Evenimenti i dytë ishte Festfolk 2025, organizuar si çdo vit tjetër nga shoqata “Artisti” dhe drejtuesi i saj, muzikanti Alaksandër Kolshi. Ky aktivitet është bërë tashmë një traditë prej më shumë se 12 vite. Edhe këtu, në skenën e festivalit, ngjiten për dy netë me radhë grupe artistësh, këngëtarë, valltarë, instrumentisë të të gjitha etnive përfaqësuese në zonën e Trentinos. Secili grup vjen me kostumet, këngët, vallet e meloditë e vendit të vet. Aleksandri në gjithë këta vite, jo vetëm është shquar për organizimin e një aktiviteti, që tashmë ka një historik të pasur, por ka ditur të afrojë një numër të madh grupesh e pjesëmarrësish, që i japin gjallëri jetës kulturore-artistike në qytet. Këtë e dëshmoi më së mirë edhe festivali i sivjetëm, që solli një larmi të madhe pasurish kulturore e artistike të popujve të ndryshëm.