Albert Vataj/
Poezia “Në mundsh” e Rudyard Kipling është një margaritar i letërsisë botërore, një udhërrëfyes i mençurisë dhe stoicizmit që ka frymëzuar miliona zemra përmes mesazheve universale të saj. Të shumtë janë ata që e kanë komentuar fuqinë dhe thellësinë e kësaj poezie, duke u përpjekur të kuptojnë pse vargjet e saj kanë një rezonancë kaq e fuqishme në çdo epokë dhe kulturë.
Në mes të vargjeve të “Në mundsh” mëkimin e shpirtbardhësisë së një mësuesi të heshtur, një dorë e përkujdesit atëror që të mban kur furtunat të tronditin shpirtin. Aty ku sukseset nuk janë kurorë, por veç një çast sprove dhe kurajoje për të besuar, dhe dështimet nuk janë rrënim, por mësim për të nesërmen. Poezia përfaqëson me hijeshi ngulmimin e njerëzores, si një dritë e heshtur vezulluese, duke më mësuar artin e qëndrueshmërisë dhe mbushur me vetëbesim, duke më treguar se çdo pengesë është një betejë që të fton në ndeshje, për të fituar. Mund të mbash ëndrrat si shokë, por jo si mbretër, më thotë, dhe të përballesh me mashtrimin e kohës pa u përkulur.
Në poezinë “Në mundsh” Kipling flet jo me fjalë, por me një pëshpëritje, me zë të një zemre që ka njohur edhe gëzimet, edhe plagët. Në secilin varg, ndjej fjalë për mua, për ty, për ne, për atë që lufton me demonët brenda dhe jashtë vetes. Ai tregon se, ndoshta vetëm një poezi mund të të motivojë për të qenë vetja dhe për të ecur përpara, duke bërë ballë çdo stuhie dhe duke mbetur në këmbë mes dallgëve.
E kuptoj që poezia nuk është thjesht një vargëzim i një mëtimi shpirtëror, ajo është udha që na ndriçon përmes mjegullës së shpirtit. Nëse mund të buzëqesh në dhimbje, të eci kur këmbët të lëkunden, pikërisht atëherë ke gjetur fuqinë që kjo poezi e thur me kaq mjeshtëri, kë gjetur tek ajo dorën që të mban kur je duke rënë.
“Në mundsh” nuk është vetëm poezi – është pasqyrë, ku shohim fytyrat tona të vërteta, të forta, të brishta, dhe ndoshta, përmes këtij reflektimi, bëhemi më njerëzorë, më të përulur dhe më të plotë në udhëtimin tonë të jetës.
Për “Në mundsh” e Rudyard Kipling janë shprehur edhe personalitete me famë botërore:
Barack Obama, ish-president i SHBA-së, e ka përmendur poezinë si një shembull të qartësisë së vizionit për përballimin e sfidave. Në disa prej fjalimeve të tij, ai ka theksuar rëndësinë e rezistencës ndaj trysnive dhe ruajtjes së ekuilibrit shpirtëror, vlera këto të mishëruara në poezi.
Maya Angelou, poete dhe aktiviste, e ka vlerësuar poezinë për universalen që përçon. Ajo ka shprehur admirimin për mënyrën sesi Kipling flet për një dinjitet të heshtur, të thjeshtë dhe të pandalshëm, të cilin çdo individ mund ta zotërojë përmes vetëdijes dhe kurajës.
Nelson Mandela, në disa intervista, ka përmendur se ka gjetur frymëzim te poezitë që përçojnë qëndrueshmëri morale dhe shpirtërore, dhe “Në mundsh” është një prej tyre. Ai e ka parë si një udhërrëfyes për ruajtjen e qetësisë së brendshme në kohë të vështira.
Robin Sharma, autor i librave për vetëzhvillim si “Murgut që shiti Ferrarin e tij,” e ka cituar shpesh poezinë si një burim frymëzimi për ndjekësit e tij. Ai e ka përkufizuar si një manifest për udhëheqjen dhe jetën me integritet.
Në vargjet e saj, poezi si “Në mundsh” mbetet e pavdekshme sepse nuk i përket vetëm një njeriu apo një kohe; ajo u flet të gjithë atyre që kanë guximin të përballen me jetën pa frikë, me përulësi ndaj suksesit dhe dështimit, me vendosmërinë për të mbajtur të pandryshuar thelbin e tyre përballë furtunave të botës.
Nëse do të qëndrojmë stoikë siç sugjeron Kipling – të qetë mes kaosit, të fortë mes brishtësisë – atëherë do të kuptojmë se poezia e tij është një udhëtim drejt përvetësimit të vlerave që ndërtojnë jo vetëm njeriun, por edhe njerëzimin.
“Në mundsh” mbetet një nga veprat më të dashura dhe të cituara të letërsisë botërore. Ajo ka kaluar përtej kontekstit të saj historik, duke u bërë një simbol i qëndrueshmërisë njerëzore dhe një burim frymëzimi për individët që përballen me sfida. Për disa, ajo është një poezi motivuese; për të tjerë, një relike e një epoke të kaluar me pikëpyetje morale.