Eshref Ymeri/Santa Barbara, Kaliforni/
E humba një mik, një mik fort të mirë,/
Ndaj kam një boshllëk, ndihem si i mpirë./
Ishte mik mbi miq, quhej Luto Zyka,/
Ndaj kur e kujtoj, lëmsh më mblidhet gryka./
Eh, kjo vdekje e shkretë, vdekje e mallkuar,/
S’dihet kur të vjen, fare pa kuptuar./
Te rrug’ e Kavajës, kur merrja një kthesë,/
Drejt lokalit t’Lutos, kur ecja serbes,/
Fort më ngrohej shpirti, më ndizej përbrenda,/
Ta takoja Luton sa ma kishte ënda./
Në lokal të Lutos plot biftek’ e verë,/
Më priste te dera, i qeshur përherë./
Kish zemër të madhe, zemër plot humor,
Kur rrëfente shtruar dhe të ndizte horë.
Ish artist i lindur, mikpritës i parë,
Iku aq papritur, më la zemërvrarë.
Rrugës pranë lokalit më unë nuk shkoj dot,
Se kujtimet rendin dhe më dalin lot.
Më nuk i flas dot: dil, Luto, nga dera,
Ta kthejm’ nga një gotë, si herët e tjera.
Se tani e di që s’më përgjigjet kush,
Ndaj dhe zemërshkreta po më digjet prush.
Dhe mes pikëllimit pyetjen po nis:
Ku ësht’, moj ti Xhem, moj Mon’, moj Eris?
Përgjigjja që marr plagën ma cing’ris:
“Luton e ke lart, në gji të Hyjnisë”.
Këto vargje më buruan nga thellësia e shpirtit, në nderim të mikut tim të vjetër dhe shumë të respektuar Luto Zyka. Bashkë, në vite ’50, kemi qenë nxënës në Shkollën 7-vjeçare në fshatin Ramicë të Smokthinës. Ai ishte nga fshati Bashaj i Smokthinës. Shkollën e mesme e kreu në Vlorë, kurse arsimin e lartë e përfundoi në Institutin e Lartë të Arteve (më pas Akademia e Arteve dhe tani Universiteti i Arteve), në degën e dramaturgjisë. Ka punuar si aktor dhe si regjisor, duke filluar nga Teatri i Gjirokastrës deri regjisor në ish-Shkollën e Bashkuar të oficerëve në Tiranë. Me vendosjen e pluralizmit në vendin tonë, u tërhoq në jetën personale, duke u marrë fillimisht me biznes dhe më pas, në njërin nga mjediset e shtëpisë së tij që ndodhet në Rrugën “Naim Frashëri”, afër Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, çeli një rostiçeri, të cilën e mbajti të hapur për shumë vite me radhë. Dallohej për mikpritjen e tij proverbiale dhe për humorin e tij të papërsëritshëm.
Miqësia jonë u forcua edhe më shumë pas martesës së tij me ish-studenten time shumë të talentuar, zonjën Xhemile Lika (sot me titullin shkencor prof. as), nga Zagora e Shkodrës, të motrën e shkrimtarit Ramiz Lika, nga një familje me tradita atdhetarie. Pas përfundimit të studimeve, zonja Xhemile ka punuar pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe më pas në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe, gjatë disa vjetëve, kemi qenë kolegë në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, derisa unë dola në pension më 01 shtator të vitit 2003. Mona është bija e tyre, e cila, po ashtu, i ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega e greqishtes. Edhe vajza e Madhe, Erisa, studimet e larta i përfundoi po në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në degën e frëngjishes. Mandej ajo vazhdoi studimet pasuniversitare për gazetari në Bruksel dhe sot, si një gazetare e pjekur dhe e talentuar tashmë, po në Bruksel, punon si gazetare-korrespondente e kanalit të mirënjohur televiziv kombëtar “Klan”.
Mikut tim Luto Zyka, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që kaloi, i patën lindur probleme serioze me zemrën, prandaj iu desh t’i nënshtrohej një operacioni të vështirë, i cili u përballua me sukses në një klinikë të specializuar kardiokirurgjike në Sofje. Por me kalimin e viteve shëndeti erdhi duke iu rënduar edhe për shkak të mbipeshës së theksuar. Kjo qe edhe arsyeja që zemra nuk arriti ta përballojë dot këtë mbipeshë, derisa më 19 gusht të vitit që kaloi ajo pushoi së rrahuri në njërën nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku e pata takuar për herë të fundit, para se të largohej drejt jetës së amshuar.
Santa Barbara, Kaliforni/12 mars 2014