
Visar Zhiti
E njoh poetin e këtij qyteti,
jemi takuar 3 herë,
ndërkaq qyteti tani është bërë i poetit,
mund ta gjesh gjithandej…
Herën e parë e pashë, kur unë do të vdisja,
herën e dytë: po vdiste një kohë
e unë po dilja nga ferri,
herën e tretë: unë isha pakëz i gjallë
dhe ai pakëz i vdekur,
ishte libër më shumë, ishte dhe kujtim,
jo, në fakt ishte kujtesë dhe frymë,
na jepte frymë, dua të them.
E dua qytetin e poetit
që përkujton, ashtu si luftën dhe qëndresën,
dhe poezinë e tij,
që nëpër pemë shikon shtatin e jetës së poetit,
që nëpër rrugë ndjek ecjen e vegimeve të poetit,
që nëpër drita merr dritën e syve të poetit,
që nëpër fjalë risjell zërin e poetit,
se ikja e tij është ardhje,
se kthimi i tij është frymëzim,
se vepra e tij është liri,
se vdekja e tij është mosvdekje…
E dinte ai një fjalë prej guri,
po cila është? – pyesja unë.
Ai heshtte dhe buzëqeshte.
Shkoi në qiej dhe kur zbriti prapë në tokë,
i plasi zemra si një zog, që bie i goditur.
Befas e mësova dhe unë atë fjalë,
po e them shpejt e shpejt se do të iki,
është emri i tij tani.
Po Pejë ç’do të thotë? – mund të më pyesin,
kur të mbërrij.
Pe, eja… Pe-ej… Shikove? Të shikosh do të thotë
të nxësh. Të vish,
do të thotë se duhesh… Janë fjalë prej guri,
kanë lidhje me kohët që ikin e vijnë,
punë perëndish,
ose poetësh, desha të thosha…
Durrës-Pejë, 21. 05. 2011
_______________________________________
(nga libri me poezi “Si është Kosova” Visar Zhiti,
botimet “Buzuku”, Prishtinë 2014.