Elmi Berisha, President i Federatës Panshqiptare “Vatra”, nderohet me Medaljen “Mirënjohja e Përvjetorit të Artë”
Në prag të kremtimit të “Përvjetorit të Artë”, sot në sallën “Charles R. Crane”, të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, në Kodër-Kamëz, u organizua ceremonia e dhënies së Medaljes “Mirënjohja e Përvjetorit të Artë”, z. Elmi Berisha, President i Federatës Panshqiptare “Vatra”, në SHBA.
Medalja me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të Tij të çmuar dhe vlerat e treguara në drejtimin e Federatës Pan-Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “VATRA”. Personalitet i shquar, me vizione dhe rol të spikatur për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Për konsolidimin e lidhjeve institucionale ndërmjet VATRA-së dhe Kolegjit Universitar “Qiriazi”, si vazhdimësi historike me ikonat e arsimit tonë kombëtar, Sevasti & Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, që janë trashëgimia e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, por edhe pjesë e historisë së Federatës Pan-shqiptare “Vatra””, e akorduar nga Senati Akademik, iu dorëzua nga Presidenti i këtij Kolegji, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj.
Në ceremoninë e dekorimit të z. Berisha, merrnin pjesë studentë dhe pedagogë të këtij universiteti. Të pranishëm ishin edhe Dr. Naim Dedushaj, drejtor i Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Hazis Vardar, biznesmen, kryetar i Rrjetit të Bizneseve në Francë, të cilët shoqëronin kryetarin e “Vatrës” në turneun e Tij. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe Robert Dako, nipi i Sevasti e Kristo Dakos dhe themelues i “Shkollës së Lartë Universitare Jopublike “Sevasti e Parashqevi Qiriazi”; Irfan Hysenbelliu, President i “Hysenbelliu Group”; Maksim Meço, rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi”; Kadri Morina, president i INSIG, biznesmen e humanist dhe të tjerë.
Z. Berisha duke përshëndetur të pranishmit tha, se ndihet i nderuar që pikërisht nga Kolegji Universitar “Qiriazi”, merr një vlerësim të tillë. “Vatra” me “Qiriazin”, u shpreh ai, kanë të përbashkët kontribuesit: motrat Qiriazi dhe rilindasin Kristo Dako, i cili në një kohë ka qenë kryetar i kësaj Federate dhe redaktor i “Diellit”, organit legjendar të “Vatrës”. Miku nga Shtetet e Bashkuara, tha në vijim se, dy institucionet tona, “Vatra” dhe “Kolegji Universitar Qiriazi”, mund të bëjnë më shumë për vlerësimin e këtyre figurave emblematike të Rilindjes dhe të arsimit kombëtar shqiptar. Përpara se të hapnin Institutin Femëror “Qiriazi” në Kodër-Kamëz, në afërsi të Tiranës, të tre themeluesit dhanë një kontribut të çmuar në organizimin e mësimit të gjuhës dhe të shkrimit shqip, në mesin e diasporës në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Uldedaj e garantoi kryetarin Berisha, se institucioni Tij, do të jetë gjithmonë e më tepër në krah të Federatës Panshqiptare “Vatra”, për përmbushjen e misionit të saj edhe si kontributore në realizimin e projekteve të përbashkëta.