
-Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974/
PRISHTINË, 15 Gusht 2022- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës – Prishtinë sot u bë hapja solemne e punimeve të Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili do t’i zhvillojë punimet nga 15 deri 26 Gusht 2022.
Në këtë solemnitet ishin të pranishëm: Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Nicholas Abbott, Amabasador I Britanisë së Madhe në Kosovë; Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës; Bernard Dosti, Zv. Rektor i Universitetit të Tiranës; Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë; Shkumbin Munishi, Drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, akademikë, profesorë dhe seminaristë.
Në mungesë të Kryeministrit Albin Kurti, fjalimin e tij e lexoi Ministrja Arbërie Nagavci, ku mes tjerash u potencua: “Gjuha është forma e kombit që e marrim kudo me vete. Ndjenjën e lartën të përgjegjësisë duhet ta kemi të gjithë. Duhet ta bëjmë gjuhën të zotërueshme nga të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që janë”.
Ndërsa, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, theksoi se gjuha shqipe është e veçantë dhe një ndër gjuhët e rralla indoevropiane.
Në një fjalë rasti, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, vlerësoi rëndësinë historike të Seminarit, si dhe i përgëzoi organizatorët dhe bashkëpunëtorët për qëndrueshmërinë e treguar dhe për vazhdueshmërinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare.
Zv. Rektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti, tha se Seminari i Prishtinës ka një rëndësi sa të veçantë, aq edhe kuptimplotë. “Në Seminar bashkohen arbreshët, arvanitët dhe shqiptarë e albanologë nga e gjithë bota”, u shpreh ai.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, theksoi se vlera e seminarit është e madhe. “Ky seminar është i madh jo vetëm nga numri i studentëve që marrin pjesë, por edhe nga rëndësia dhe tematikat që do të shtjellohen. Misioni i seminarit është afirmimi i shqipes kudo në botë”, tha ajo.
Në fjalimin e saj, bashkëdrejtorja e Seminarit, Dhurata Shehri, ndër të tjera, theksoi se këtë seminar e mbajti gjallë sidomos këmbëngulja për të njohur veten dhe për t’ua zbuluar atë të tjerëve.
Së fundi, Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, tha se interesimi i madh është tregues se seminari nuk e ka humbur as cilësinë, as rëndësinë. Gjithashtu ai theksoi se pas pandemisë ky edicion po kthehet në normalitet duke qenë se numri i pjesëmarrësve ka kaluar mbi 100.
Në këtë edicion jubilar të 40-të të Seminarit u ndanë mirënjohje për të gjithë ish-drejtorët dhe bashkëdrejtorët e këtij seminari, të cilët më punën e tyre e bënë të mundur që Seminari të jetë kaq jetëgjatë.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Seminarit në vitin 1991 i është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në Qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.