PRIZREN, 3 Gusht 2024-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Behlul Jashari
Nisi në Prizren në atmosferë feste Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest, në edicionin e 23-të, i shpallur i hapur për t’u mbajtur nga 2 deri në 10 Gusht 2024 me shfaqjen e 103 filmave në garë dhe mbi 200 filma në përgjithësi.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.
Ndërsa para 25 viteve, në 15 Korrik 1999, në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, Prizren, ishte aktiviteti i parë i përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri i pas luftës – një koncert i artistëve shqiptarë për festimin e arritjes së lirisë së Kosovës.