Copëza fundgushti, pikturuar në sytë e Verës/
-Rrugëtim në fund të stinës-/
Shkruan: DRITA LUSHI/
Edhe kur datat me “kryeneçësi” na kujtojnë se fundi i stinës së kaltër është duke përfunduar, ditët e ngrohta të ftojnë përsëri buzë detit, për të mbledhur ndjesi të bukura, si start për tu hedhur në vjeshtën e artë. Të shkelësh më këmbë bukurinë e Rivierës e plazhet, është si të marrësh pak bukuri dhe vetë, të ndihesh det, dallgë, të ndihesh e kaltër dhe e ngrohtë.
E më mirë se në fundgusht nuk mund t’i ndiesh këto.Ditet kanë ulur tempin e zhegut, e nata të ofron ëndërra e romantizëm, e nën zhurmën e dallgëve, të duket se dëgjon fjalët e të dashuruarve, që deti në shekuj ruan thellësive të tij, dashuritë pasionate, puthjet e bukura verore, përqafimet e freskëta,vështrimet e horizonteve, që të mbledhura ndër shekuj, krijojnë sinfoni, arie e opereta Jete,që janë të pa arkivuara, të papromovuara, por aq të lira e të virgjëra në gjithësinë tonë.
Shpesh pushimet i çlodhin, por dhe i lodhin njerëzit.
Që nga mendimi se ku do pushojnë, bagazhet, veshjet dhe sendet e domosdoshme janë një stres parapushimor.
Gjithmonë harroet diçka, sadoqë përpiqesh ti marrësh të gjitha. Kur arrin në vendpushim e kupton këtë.”Ngulja” në një vend, në det apo mal, të krijon monotoni, dhe madje aty nga fundi i pushimeve,njerëzit numurojnë ditët se kur do mbarojnë e ti rikthehen shtëpisë.
Andaj, duke kaluar këtë përvojë njerëzore vendosa diçka ndryshe, të nisesha e të mos qëndroja në një vend,por të ecja e të vizitoja sa më shume vende, duke zgjedhur pikërisht Rivierën Shqiptare.
Një kafe në një bar afër Sheshit të Flamurit në Vlorë,nje vizitë në Shtëpinë ku u ngrit Flamuri,një foto pranë Isa Boletinit ishte fillimi i udhëtimit tonë.
Ndalesa e parë në Plazhin e Rradhimës, ishte si fillim e bisedim me detin, për vazhdimin e rrugëtimit.
Pamje të bukura, ujë i kristaltë,vend i qetë,mëngjese e darka të lehta, perëndime që të nguleshin jo vetëm në mendje,por doje ti merrje dhe në celuloid, “biseda” me mëngjeset e paqta ,detin e qetë, ose të zemëruar, “pakte” me diellin, përqafimi me hënën e yjet.
Plazh vërtet i mrekullueshëm,dhe mjaft i pastër.
I mirëmbajtur dhe i rregullt, me investime serioze nga banorët e zonës, bën të ndihesh e të pushosh mirë.
Të nesërmen lëmë në krah Orikumin e fillojmë ngjitjen për LLogara,duke përshëndetur Tragjasin e nën vështrimin e Dukatit të heshtur, marrim të përpjetat për të prekur majën më të lartë.
Restorante turistike shtriheshin në të dy anët e rrugës gjarpëruese,por ne ndalojmë pikërisht në parkun e Llogarasë.
Majë asaj qafe, të shtrihet parasysh një bukuri shumëdimensionale.
Një park ku gjelbërimi, pemët,trungjet e prerë që krijojnë forma artistike të bukura,drerët miqësorë me pulla e brirë të gjatë na lejonin ti përkëdhelnim e tu afroheshim.
Të zgjeroheshin mushkëritë. Nuk ngopeshe me atë vend.
Fëmijët ndihen të lumtur se i gëzohen çdo gjëje.Mjaft të veprojmë dhe ne, lirshëm dhe natyrshëm si të vegjëlit, të shijojmë e ta shohim bukur çdo gjë, dhe natyrisht nuk ka si të mos shkojnë mbarë dhe pushimet.
Vilat e drunjta që shtriheshin në dy anët e parkut, turistët e huaj dhe ata shqiptarë i jepnin gjallëri asaj qafe mali, e të dukej si një oaz i blertë, zbuluar papritur në atë vend.
Hoteli dhe pishina brenda tij, të ftonin pa mëdyshje të haje mëngjesin e të pije kafenë aty.
Kënde dhe improvizime të ndryshme brenda parkut e shtonin argëtimim e turistëve ditorë, të kalimtarëve apo të pushuesve që kishin zgjedhur pikërisht këtë vend për të lënë disa ditë vere, e për të marrë imazhe qetësie e butësie në vazhdmësinë e ditëve.
Vazhdojmë ngjitjen.
Afër Qafës së Llogarasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve, dhe erërave që fryjnë në atë qafë.
Një mjegull e papritur e disa pika shiu, një erë e ftohtë që fillon të fryjë na “ndrydh” pak, por gjithsesi s’mund të rrija pa zbritur pa pare nga afër “Pishën Flamur” e pa i bërë disa foto.
E kthyer e gjitha në një anë sipas erërave që fryjnë, ajo të jepte përshtypjen e një flamuri që valevitej, por me gjyrë të blertë.
Te dukej se mjegulla herë të “prekte” mbi supe, herë si pelerinë e hirte u mbulonte maleve kreshpat, e here, herë sikur ua zbukuronte si vello ato.
Mjegulla vazhdon të na shoqërojë e hirtë e heshtur, e kur ndalojmë në atë që quhet” Ballkon i Llogarasë” s’mundëm të dallonim detin që binte “thikë” nën shkëmb.
Gjithsesi u mundova ta “imagjinoj”sepse aparati s’mund të fotografonte të padukëshmen.
Megjithatë pikerisht në atë vend, munda të fotografoj një pllakatë gjys’ të prishur me mbishkrimin 1920, çka tregon se pikërisht aty mund te ishte zhvilluar ndonjë ngjarje historike.
Rruga bie thike, një lartësi që të shkakton një ndjenjë boshllëku.Shumicën e fotove i bëj nga dritarja e makinës, të cilën e drejton bashkëshorti dhe bashkëudhëtari im në këtë rrugëtim të bukur.
Mjegulla davaritet dhe mund te duket deti më qartë, bregu, gjiret e pastra e të virgjëra.
Rruga kalon në një terren malor, shkëmbor dhe gjarpëron në kthesa të forta e të rrezikëshme.Natyrisht me rrip sigurimi mundohem të fotografoj, e më vonë ndalem në një vend, ku deti duket qartë nga nje lartësi mbi 1000 m, ku blej dy tufa çaj të freskët mali dhe sherebelë nga një fshatar që si epej asaj lartësie. Ndjesi të bukura, teksa prek me vështrim nga ato lartësi, detin Jon.
Ai terren malor e aq i ashpër e bri tij deti blu,më bën tu jap te drejtë vlonjatëve për natyrën e tyre burrërore mjaft të shprehur.Njerëzit kudo, janë mjaft të sjellshëm .
Pasi përshendesim Dhërmiun,dua të takoj patjetër Jalën e bukur, e ndonëse vapë dhe mesditë, zbresim e pijmë një pije freskuese.
Zbarkimin e dytë e bëjme në Himarë.
Një shtëpi e thjeshtë me oborr, ku rritej që nga rrushi e domatja e freskët, do ishte shtrati ynë dy ditor.
E zonja e shtëpise ishte me sy blu.
Mendova përnjëhere:” Epo të lindësh buzë detit…”- e vura buzën në gaz.
Të marrësh çantat e të nisesh pa prenotuar, është një eksperiencë e bukur, pa parashikuar asgjë, e aq më shumë bujtja larg salltanete e hoteleve luksoze por në shtëpi të thjeshta, ku mund të dalësh në kopsht, të bisedosh lirshëm me të zotin e shtëpisë, të marrësh një kokërr domate në kopsht, janë këto eksperinca që të kalisin, të rrisin kuriozitetin, të mësojnë të reja, dhe të mbajnë larg mërzisë e monotonisë.
Në Himare atë natë këndonin, Endri dhe Stefi, dy vëllezërit korçarë dhe kalimi i mbrëmjes nën shoqërine e zërit të tyre ishte kënaqësia tjetër e ditës.
Mëngjesi pak i vrenjtur, bëri që ta marrim shtruar ditën, pas kafesë dhe mëngjesit tradicional shqiptar,një byrek me një gotë dhallë, menduam të marrim rrugën drejt Borshit për të parë e prekur qerpikun tjetër të Jonit.
Gjire të bukura, aq sa s’mund të rrija pa ndalur makinën e të bëja foto.Formëzoheshin aq bukur, e futeshin si gjymtyrë në det, sa s’më besohej që i shihja.
Aty pashë dhe “të përfolurin” Gjirin e Kakomesë.
Ngjisim rrugën e shohim së pari Qeparoin, e ndalesën e bëjmë në Borsh.
Plazhi me gurë të vegjël të bardhë, ishte karakteristika e tij.
Koha vrenjëtej e vetëtimat na shoqëronin herë pas here, megjithatë ne e prekëm detin, e pa kaluar as nje orë filloi një shi i papërmbajtshëm me erë, që na bëri të nxitonim në makinë.
Shiu binte edhe në Himarë ku fjetëm dhe natën e dytë.
Dukej sikur moti, lozte me ne,herë shi e herë diell.Por kjo s’na mërziti aspak.
Ndoshta dielli,e pa që s’mund të na merrte qetësinë dhe vendosi të çeli blunë dhe në qiell,pas grisë me shi të papërmbajtshëm.
Pasdite koha u qetësua.Një shëtitje buzë detit në mbrëmjen himarjote do të mbyllte dhe siparin e asaj dite rrugëtim- pushimi.
Të nesëmen destinacioni ishte Saranda.Udha ishte e mrekullueshme, mes kodrinave të mbushura me ullinj, e kthesave gjarpëruese mbusheshe me frymë.Në Lukovë qëndruam për një kafe, dëshira për të parë dhe biseduar me çdokënd që takoja nga ato vende, bënte të ndalonim shpesh.
Në orën 11 mbërrijmë në Sarandë.
Fotot e para i bëra nga pika më e larte brenda qytetit. Pedonalja shtruar butë e hijshëm të ftonte t’i hidhje hapat e sigurtë e me besim,se aty do kaloje bukur.
Nje kafe, një akullore dhe pas hotelit,ende pa “marrë frymë”, tek plazhi “PASQYRAT”.
Pas një rruge (jo shumë e gjatë)të keqe ,që të prishte vertet humorin, ai plazh , ishte mrekullia vetë.Nuk kisha parë atë lojë dallgësh, ngjyrash, zhurme të fortë si oshëtimë, e ato guva të mrekullushme që ishin krijuar nga përplasja e ujit në shkëmbinj.
Çudi si, ai plazh i vogël, ishte plot me turistë.
Ngjyra mes blusë e jeshiles, ndërfuteshin tek njëra tjetra për të arritur bregun duke shkumëzuare dallgezuar. Ishte një lojë e bukur, ngjyra të thella e të bukura, breg i shkumëzuar, e njerëz të mrekulluar me aparate fotografike për të fiksuar këtë lojë të çuditëshme, që ndoshta luhej veç aty.
Me fjalë është vështirë të arrihet përshkrimi,e celuloidi gjithashtu s’mund të zbulojë gjer në detaje atë mrekulli natyrore.
Dallgët ngadalë pushtuan bregun dhe plazhistët nisën te zhvendoseshin më sipër.
Ndërsa ne, u zvendosëm për në Ksamil e andej në Butrint, ku lodhja harrohej para asaj mrekullie që na u shfaq para sysh.
E zbuluar nga gërmimet arkeologjike ajo të mahnit me lashtësinë e saj, por nga mbishkrimet, pikturat e gdhendura me gurë, statujat e çdo gjë tjetër të bën të besosh në një qytetërim të vërtetë.
Muret rrethuese, daljet sekrete, amfiteatri e arena, tregon se banorët kanë qenë mjaft aktivë, dhe ndeshjet apo shfaqjet kanë qenë të pranishme dhe të zhvilluara.
Liqeni blu që e rrethon i japin asaj një pamje hyjnore e misterioze, e papritur duke lexuar pllakatat, futesh në meditime të largëta, që shkojnë deri në vitet para Krishtit.
Ndjen, që historia të merr në vorbull e harrohesh duke parë çdo imtësi.
Ke dëshirë të jesh spektatore, herë në arenë e herë thjesht ”vëzhguese” imagjinare e atyre paraardhësve të stërlargët ,që kanë frymuar, jetuar e luftuar , brënda këtyre mureve.
Ngadalë bie mbrëmja dhe ne duam ta shijojmë në bulevardin mbushur plot me njerëz.
Muzika live mbush shëtitoren, paçka se fundsezoni.
Nje valle aty, pse jo.
Përshihemi bashke me të tjerët në kërcim,në barin me muzikë, duke mbyllur një ditë të lodhëshme por të bukur.
Të nesërmen vendosëm të qetësohemi e të bëjme plazh në qytet.
Pasdite, desinacioni ynë ishte Kalaja e Lëkursit.
Një pamje që s’e arrijnë dot fjalët.
Një e përpjetë ku shoferi duhet të ishte i kujdesshëm, por ne arritëm në majë.
Ndonjëherë gjërat që i kemi afër, s’i shohim, s’i kuptojmë dhe s’i ndiejmë.
Saranda nga Kalaja e Lëkursit ishte një Perlë.
Perëndimi na zuri për kafenë e mbrëmjes në këtë lartësi ku të dukej se prekje me gishta Sarandën.
Të dukej vetja si një princeshë e kohëve të lashta.
Turistët e huaj nuk mungonin as aty.
Se imagjinoj dot, të vish deri në Sarandë dhe të mos futesh në lashtësinë e Butrintit, apo të mos shkelësh Kalanë e Lëkursit.
Mrekullitë s’janë ato që njohim, por ato, të cilat s’kemi parë akoma, s’i kemi prekur dhe s’i kemi shkelur.
E mbushur me ndjesi të zjarrta e të arta të atij perëndimi të datës 30 gusht 2013, marrim rrugën e kthimit për në Sarandë.
Të nesërmen do përshkonim qindra kilometra deri në kthimin në shtëpi.
Duhej të pushonim pak.
Nisemi nga ora 8 e mëngjesit, duke lënë pas dhe Sarandën, por duke marre në memorje imazhe e mbresa të bukura verore.
Gjatë kthimit,qëndrojmë tek “Syri i Kaltër”.
Një kombinim ngjyrash që edhe një piktor do ta kish “zili” natyrën si kish’ arritur të krijonte atë perfeksion. Ngjyra jeshile, pemë të ndërthurura si kurorë mbi kokë,ku, tek –tuk ndihej vjeshta me një të verdhë të lehtë e mes kësaj,një Sy uji blu, si një bekim për atë vend dhe për ne vizitorët,që kemi nevojë për pamje e pushime të tilla, pranë natyrës, detit e njerëzve, per tu ndierë në frymëmarrjen tonë në sinkron me jetën.Marrim rrugën e kthimit, nga “Qafë Muzina” drejt Gjirokastrës, Tepelenës e duke udhëtuar e njëkohësisht të “humbur” në mendime pozitive e verore, për atë rrugëtim.
@ Drita Lushi
shtator 2013