Emin Azemi/
Shkrimtari dhe studiuesi Anton Nikë Berisha ka sjellur për lexuesit veprën “Ernest Koliqi poet e prozator e dramaturg”, një studim i kompletuar mbi opusin letrar të Koliqit. Si botues i këtij libri, jam tejet i nderuar për faktin se autori kishte zgjedhur pikërisht shtëpinë tonë botuese AGORAPRINT në Shkup për ta botuar këtë libër, që vjen si vazhdimësi e një pune të gjatë studimore mbi veprimtarinë krijuese të Ernest Koliqit.
Koliqi si shkrimtar filloi të njihet më tepër tek pas botimit të veprës së tij në Prishtinë. Botimi i librit me tregime dhe novela “Tregtar flamujsh” (1991) dhe “Hija e maleve” (1992) nga shtëpia botuese “Buzuku”, pastaj Vepra I dhe Vepra II, të Redaksisë së Rilindjes (1996) si dhe Vepra 1 – 6 (gjashtë vëllimet) të botuara më 2003 nga “Faik Konica” e Prishtinës (botime të përgatitura me shumë përkushtim), bënë të mundur njohjen në një përmasë të madhe të veprimtarisë së këtij krijuesi për shumëçka të rëndësishëm e të veçantë të botës sonë letrare, po që kishte mbetur i “harruar” për shkaqe ideologjike (!)
Në dhjetor të vitit 1994 Anton N. Berisha e e kishe mbaruar studimin “Ernest Koliqi poet e prozator”, të cilin e kishte botuar më 1995 në Kozencë. Pason botimi i dytë i vitit 1997 në Tiranë.
Botimi i parë i studimit “Ernest Koliqi poet e prozator (Kozencë 1995) dhe botimi i dytë (Tiranë 1997) kanë pak ndryshime. Në këtë botim – të tretin, në Shkup, po që mund të merret si botim i ri – janë bërë disa ndryshime. Autori ka rishikuar gjithë tekstin e studimit, ka saktësuar disa fjali, ka ndërruar ndonjë pjesë, shprehje, nocione ose fusnota dhe ka shtuar gjithë pjesën “Poezija asht nji kryengritje e rrezes hyjnore” dhe gjithë pjesën e tretë “Koliqi dramaturg”. Në fund autori sjell dy shtojca, që pandërmjetësisht hedhin dritë edhe më tej rreth shumëdimensionalitetit të figurës së Koliqit dhe të konceptit të tij krijues.