( Mështjerrë zeza me të zeza/ me një mëzat rri në shtrat/
Herë pi bozë herë limonadë/ e ditët ikin krejt pa datë!…)
fragmente nga libri i Nebih Bunjakut, „Një samit për simit“/
Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund, Gjermani/
Letërsisë së humorit dhe të satirës në Kosovë, iu shtua edhe një libër me vlera të mirëfillta artistike, “Një samit për simit”, shkruar nga poeti, Nebih Bunjaku. Ky libër i munguar i humorit, satirës, dhe sarkazmës është një dhuratë e shkëlqyer për adhuruesit e saj. Mirëpo, për ata që qeshin pak e rrjedhshëm, libri “Një samit për simit” është një mik shumë i nderuar. Personazhet në këtë libër , nuk janë njërëz, por figura, ndjenja që duken, dhimbje që fshihen. Në këtë libër poetik, kinema e „kafshëve të papërgjegjshme“, janë gënjeshtrat, mashtrimet, dhe anarkia e përvetësimeve të gjërave. Gjuha e figurshme në „Samit“ është e pasur, e qartë, e saktë dhe fshikulluese. Liria nën dehjen e „kafshëve“ kurrë s´ është e mirëfilltë, sepse, degjëneron shumë nga të qënit e dëshiruar. Shoqëritë me disa pushtete, jo rrall formatojnë anarki nga më shpërbërëset. Populli di të mësojë si të jetë i përgjegjshëm, por, nuk di si të mësohet injoranti, thashethemxhiu, zgarraveqi. Prandaj, shkruan autori, nuk është vështirë të bëhesh gomar, as ndihmës i fallexhiut në një pazar hamallësh, se gjuha e gomarit është gomerishtja. Sa herë dëgjoj gjuhën derrërrisht, edhe derrat edhe gomerët, ankohen, se s´u bënë synet, se stina u iku krejt në internet, etj, e tjerë.
Libri, „Një samit për një simit“, është një vepër e ardh artistikisht. Për kafshët e pyllit, është normale shkruan Nebih Bunjaku, të jenë kafshërore, ku shumë prej tyre në këtë botë llapin me pangopësinë më të madhe, kafshatën e tjetrit. Mbushet sheshi deputetë/ në kryesi zgjedhen vetë/ lakmon derri dhe ariu/ lakmon macja edhe miu!.. Këto dhe vargje të tjera dëshmojnë për një libër të mirëfilltë dhe me spec të kohës .
Poezia e Nebi Bunjakut, në librin „Një samit për simit“, fshikullon guximshëm instinktin banal dhe anarkinë. Janë plot gabimet dhe replikat kundërthënëse që flasin gomerët. Kafshët e poemës në librin “Një samit për simit” bëjnë luftën e barkut dhe mishërave të ndezur. Në këtë poemë me kafshë e zhgabonja të pranishëm në koalicion janë: derri, ariu, ujku, macja, dhelpra, gomari dhe minoritetet e tjera të kandrrave. Mirëpo, hiç më pak të angazhuar nuk mbesin as parlamenti dhe as deputetët e pyllit, moderatorët e mashtrimit, arixheshat me defa dhe qeniet e ftohta si gjarpëri dhe miu i gjirizeve.
Libri “Një samit për simit” është një libër artistikisht dhe estetikisht i realizuar bukur. Sepse në këtë libër fshikullues për veset e shoqerisë sonë, jo rrallë, gomari reciton gomarin, qeni lexon qenin, ndërsa ariu përqesh ariun… Frymëzimi i pulsit poetik: hëna, dielli, deti, mbrëmja, gratë janë figura anësore që rrezatojnë fuqishëm brënda poemës. Në këtë botë me plot trazira janë shumëzuar , zgërlaqët, keqbërësit e padukshëm, intrigantët , të fajshmit e pushtetit. Nuk kam prova se gomari ka hequr dorë mga gomarllëku, thotë autori, sepse gomarët në kohën tonë janë shtuar shumë. Andaj, „kujdes i dashuri gomar“! I tërë ky ahur është shtëpia e kafshëve, shtëpia ku zhgrryhet i dehuri.
Në librin “Një samit për simit” ka shumë për të lexuar për veset e shoqërisë sonë. Me të rrëxuar e me të shtrirë nuk bëhemi të qytetëruar. Me këmbët poshtë e lart, dhe më të poshtëruar të çasteve, nuk jetohet mirë. Baltërat e bodrumeve mbysin edhe cilësinë e kafshëve. Këto dhe peizazhe të tjera të poemës janë mesazhe që autori ia parashtron realitetit tonë. Do bëjmë teatër, ama teatër!.. që edhe ëndrrat të zihen me ëndrrën. Mbrëmë kam fjetur mirë, se në ëndërr gjeta para dhe një femër të bukur.
Të qeshurat në „Samit“ jo rrallë pikojnë dhimbje. Në fragmentin ; /Buçet himni nis kuvendi/ s´ka rëndësi cili është rendi/ kryesore të zihet vendi/ jo vendimet që nxjerr samiti/ po fitimet që lakmon fyti…Janë shpërthime cilësore të poetit, për ata që korruptojnë të vetët dhe popullin e tyre. Nëse kjo vepër lexohet ashtu si duhet, libri, “Një samit për simit” është vepra më e realizuar artistikisht e kësaj gjinie në letërsinë tonë të bukur. Libri „Një samit për simit“, ka një gjetje të shkëlqyer poetike, ku brenda personazheve, derri, miu dhe gomari, bëjnë teatrin e të pandehurve. Në libër, shihen qytete të tëra të mbushura me arixhesha, dhe me gjithëfarë thashethemxhinjë, të kafeneve të kafshëve të pyllit.
Etja për pushtet nuk ka të shuar, nga kafshët e poemës; / një gërdallë sikur në përrallë / për një pelë djeg një mëhallë…/ këto dhe vargje të tjera tregojnë satirën e mprehtë të shkrimtarit, Nebih Bunjaku, Nebih Bunjaku është nga Poliçka e Dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë, të mesmen në Gjilan, kurse studimet në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike. Fillimisht punoi në shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, Komuna e Mrdvegjës, pastaj në gjimnazin e Dardanës, në shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore të Banullës – Gllogofcit, në gjimnazin e Lypjanit, në shkollën teknike të Kastriotit. Ndërsa, prej vitit 1993 punoi në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor i këtij gjimnazi. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Pegasit” të Gjirokastrës për Prishtinë, si dhe Sekretar i përgjithshëm i Unionit të Shkrimtarëve dhe të Kritikëve Shqiptarë të Kosovës. Nebih Bunjaku është autor i 6 librave me poezi; 1.Dalje nga balada (1994) 2. Gramatikë zemre (2004) 3. Terapia e dashurisë (2005) 4. Një samit për një simit (2007) 5. Prushimë buzësh (2008) 6. Zemra nuk ka dimër (2009). Sukses autorit dhe shëndet!.