
Aleksandër Çipa/
“Kuaj të murrëtyer të apokalipsit”, sikundër do të shprehej Stefan Cvajku, duket se na mbartin dhe s’dimë se për ku dhe se sa gjatë, tej kësaj kohe, po na çojnë…Ideologjitë e mëdha kanë vdekur, por askush nuk bën meshën për to! Ideologji të reja po shtatzanojnë në mendjet e shoqërisë së trazuar të kësaj bote. Nuk kemi shikim për largësi kohore edhe pse kemi aq shumë samite, ecejake krerësh të shteteve të fuqishme e imponuese.
Jemi në përplasje mes unipolares dhe multipolares globale… Makinat e luftës po rëndohen nga pesha dhe po sofistikohen për vrasje. Tunelet bërthamore jane riaktivizuar si kurrë ndonjëherë…Kontinetet janë në asimetri të frikshme ndikimesh dhe vendimesh. Dhe çështë më e keqja, fati i terstë po triumfon mbi ndjeshmërinë humane të shteteve, popujve dhe sidomos njerëzisë në tërësi… Sa të ngjan se po jetojmë apoteozën e ndjeshmërisë edhe tek providenca (!)
Aktualisht kemi shumë mendje të rrepta, por shumë pak fuqi dëshmojnë mendjet e mprehta.
Kemi shumë mendime brutale dhe Botës i mungon truri i ftohtë dhe largpamës. Po parazitohet truri njerëzor dhe po shumohet frikshem, po triumfon, Truri Artificial… Në sytë e së sotmes po bëhet pasqyrë, frika….!!!! Njerëzia është njëherësh: lindës edhe varrmihëse e vetvetes…