Nga Ramiz LUSHAJ/
Dje, në të dyzetën ditë, isha tek e cilësuara nga politika e në masmedia si “Çadra e Lirisë” e Opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Une, në simbolikë, me të gjitha shqisat e mia po laboratoroja nëse ky institucion tempullor i Demokracisë së sotme Shqiptare do të ketë të “Dyzeta”. Nëse une do të vij këtu pas 40 ditësh, për të “40-tat” e saj. Aty pashë se “Çadra e Lirisë” ende nuk kishte vdekur. Ajo ende jetonte aty. Po, po. Ajo ende jetonte tek ne, mes nesh. Për një jetë, për një kohë ma ndryshe, për një “Republikë të Re”.
Aty shqisoja dhe një tjetër rrezik, të vjetër e të ri: “Çadrën e Lirisë” mund ta vdisnin. Po, po. Mund “ta vdisnin”…! E kush? Të dy palët: të Tjerët (Rreziku), por edhe të Vetët (të Rrezikshmit). Ata, të parët (Rreziku) në dy godinat përballë në të majtë e në të djathtë – në të djathtë e në të majtë, në godinën e “Komitetit Qendror të vjetër” të Enverit dhe në godinën e “Komitetit Qendror të ri” të Edit. Ata, të dytët (të Rrezikshmit) të djathtët e majtë dhe të majtët e djathtë, ata miqtë-armiq e armiqtë-miq, që kur PD duan të hapet duan t’ia mbyllin Çadrën dhe kur Opozita bashkohët kështu, kësisoj, duan t’ia “thyejnë” ndonjë tel të Çadrës apo ta grisin Çadrën sa vrima e një plumbi “më fal”(!) apo sa vrima e një grushti “të fala”(!).
Bash tek Çadra e Lirisë” dyzet ditëshe, m’u kujtue diçka nga vitet e rinisë time të hershme. Njeriu që e shpiki për herë të parë çadrën e sodit, ai që doli për herë të parë në rrugët e një qyteti të madh europian me këtë çadër në dorë, e qëlluan me gurë. Me shumë gurë. E banë me plagë. Me shumë plagë. E keq quajtën “djallë”. Po, po. Thanë se ai ishte vet “djalli”…(!)
E, atë ditë e sot, i thinjun nga flokët e kohërat, unë – mbajtësi i Çadrës vetjake e publike, mendoj në pafundësi: Pse e trajtuan kështu, kësisoj, njeriun e shpikësit e mbajtësit të çadrës së parë në shek. XVIII, para 4 shekujsh?! Qysh, ai “djalli” i dikurshëm me çadër në dorë para 4 shekujsh është sot, tashti, edhe për mue, “ëngjëll” i çadrës time që e mbaj në dorë në shek. XXI?! Përndryshe: qysh kemi me i quajt, sot në të 40-tën ditë, në 40 ditët e ardhshme, në 40 vjetor, në 400 vjetor, këta “djajtë” tanë majtas e djathtas – në të djathtë e në të majtë, që e gjuajnë me gurë “Çadrën e Lirisë”…?! E, une, prej sodit e deri në fund të jetës time, kam me mendue e folnue: “Qysh, djajtë e vjetër e të rinj, e gjuajnë me kaq shumë gurë nga afër e larg “Çadrën e Lirisë” të Dhjetorit ’90 e të 18 shkurtit 2017?! E, une, sot, në të 40-tën ditë të “Çadrës së Lirisë” po i lutem Zotit e Demokracisë, Opozitës Politike e Shpirtit Opozitar Shqiptar që të mos shkoj(më) aty “për të Dyzetat e Saj”, pasi shkrehja e Saj është shkrehje e Ëndrrave e Shpresave, pasi “vdekja e Saj” është vdekje e qelizave për Liri e Demokraci, për Ardhmëri, pasi ajo është kthye në një “Kauzë”, në një “Universitet”, një një “Univers” për një “Republikë të Re’, për një Shqipëri Ndryshe.
Çadra e Lirisë, Tiranë, 29 mars 2017