Presidenti Nishani përuron bustin e Papa Françeskut: Të përsosim veten e të tjerët rreth nesh për të rigjetur dhe fituar paqen me njëri-tjetrin, në mënyrë që Shqipëria të bëhet vërtet një zonjë e hirshme./
15 mars 2016- Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë sot paradite në ceremoninë e përurimit të bustit të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në Tiranë, me autor skulptorin Qazim Arifi, ku ishin të pranishëm gjithashtu anëtarë të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të Trupit Diplomatik, Kryebashkiaku Erion Veliaj, drejtues të pushtetit vendor dhe të bashkësive fetare në vend, etj.
Në fillim të ceremonisë, Kreu i Shtetit shqiptar, së bashku me Nuncin Apostolik dhe Kryebashkiakun e Tiranës përuruan bustin e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut me rastin e trevjetorit të tij Papnor.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit vuri në dukje se pikërisht në këtë bulevard, të cilin Papa Françesku e përshkroi personalisht duke e bekuar vetë këtë popull të shumëvuajtur martirësh, ndihej i emocionuar sepse “në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi, mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes dhe aq më tepër, përpara ish-muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq jo vetëm të shembte kisha e xhamia, të burgoste e të vriste klerikë e besimtarë të pafajshëm, por madje të na shpallte të gjithëve pa përjashtim, ateistë.”
Duke theksuar se megjithëse Shqipëria përjetoi gjatë shekullit të kaluar një periudhë të errët të historisë së tij në diktaturë, kur përveç të tjerash, ajo u karakterizua edhe nga ndalimi i fesë duke u vetëshpallur në mënyrë absurde si vendi i vetëm ateist në botë, Presidenti Nishani u shpreh: “Besimi në Zot dhe në vlerat e vërteta njerëzore as mund të ndalohet, as mund të zhduket, as mund të tjetërsohet kurrsesi sado shtypëse dhe gjakatare të jenë forcat tiranike që u rrekën më kot ta bënin atë. Bashkësitë fetare në vendin tonë, klerikët dhe besimtarët e devotshëm në përgjithësi, Kisha Katolike në veçanti me martirët e saj frymëzues ia doli mbanë ta ruajë të paprekur atë besim e të ringjallet sërish në fundin e vitit të largët 1990.”
Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se: “Me parimet dhe me besimin e patjetërsueshëm të kësaj Kishe, u rrit, veproi, bëri bamirësi, ushqeu me dashuri e shpresë duke u lartësuar në sy të gjithë njerëzimit shtatvogla, por vepërmadhja Nënë Terezë. Dekreti i shpalljes shenjtore të Nënë Terezës pritet të firmoset nga Ati i Shenjtë, duke e shndërruar atë ditë në njërën prej më të rëndësishmet në historinë e kombit shqiptar e duke na bërë krenarë jo vetëm ne, bashkatdhetarët e saj, por botën mbarë dhe të gjithë ata që kanë pasur fatin ta ndiejnë e ta përjetojnë mirësinë, butësinë dhe dashurinë e saj pa kushte, deri në mrekulli. Përfitoj nga rasti sot t’i shpreh edhe njëherë Atit të Shenjtë, Papa Françeskut falënderimet më të ndjera si dhe mirënjohjen e thellë në emër të të gjithë shqiptarëve për këtë shenjtërim më se të merituar!”
Presidenti Nishani vuri në dukje: “Bashkëjetesa dhe harmonia fetare mes komuniteteve fetare dhe besimtarëve shqiptarë na ka bërë të veçantë jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë rruzullin. Modeli i lartësimit drejt qiellit të pastër shqiptar të minareve të xhamive, krah përkrah kambanoreve të katedraleve dhe kishave ortodokse dhe katolike dhe teqeve bektashiane, shërben vërtet si diamanti i kurorës fisnike që mban në kokë prej shekujsh populli ynë, por këtë vlerë të rrallë duhet ta ndajmë e ta përhapim edhe me popujt e tjerë në këto kohë kaq të turbullta kur besimi fetar po keqpërdorohet e po shfrytëzohet për të nxitur urrejtje dhe gjakderdhje barbare të paimagjinueshme në shekullin e njëzet e një.”
“Shqipëria dhe besimtarët shqiptarë, jo vetëm ata katolikë, e pritën Papa Françeskun më 21 shtator 2014 duke i hapur dyert e zemrave e të shpirtrave, sepse Ai, veç të tjerash, erdhi në këtë tokë heronjsh dhe martirësh, edhe për të na dhënë një këshillë, duke na përgëzuar njëkohësisht për të: Që ta ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Duke vështruar bustin e të këtij prelati të shenjtë, të këtij njeriu të përunjur, por jashtëzakonisht mbresëlënës, të cilin kam pasur fatin ta takoj, më vijnë ndër mend fjalët aq aktuale të Papa Françeskut në mesazhin e tij më të fundit me rastin e Ditës Botërore të Paqes, që m’u dorëzua në Institucionin e Presidentit në Ditën e Krishtlindjeve nga Nunci Apostolik: ‘Mposhtni indiferencën dhe arrini paqen!’ Le të na shërbejë ky mesazh i thjeshtë, por mjaft kuptimplotë e frymëzues për të përsosur veten dhe të tjerët rreth nesh dhe për të rigjetur dhe fituar paqen me njëri-tjetrin në mënyrë që Shqipëria të bëhet vërtet një zonjë e hirshme, ashtu siç edhe e meriton!” – u shpreh Presidenti Nishani gjatë fjalës së Tij me këtë rast.