Mendime rreth antologjisë poetike me përkthime të Ligor Priftit: “Në tryezë me poetët”/
Nga KRISTAQ TURTULLI/
Sa herë i rikthehesh një vepre të përkthyer me dinjitet dhe përkushtim, prej kolosëve të mëdhenj të letërsisë botërore. Si të ulesh në gjunjë pranë një burimi me ujë të kulluar, dhe të pish me etje pa ndërprerë freskinë, pastërtinë dhe mrekullinë. Përsëri dhe përsëri zbulon në to një minierë të re me xhevahire dhe diamante. Dhe përsëri, qëndron i hutuar, si një fëmijë adoleshent dhe magjepsesh prej tyre. Kjo gjë më ndodhi me librin e përkthyer nga talentuari Ligor Prifti: ‘NË TRYEZË ME POETËT.’ E mora përsëri në duar, fillova ta lexoja, ta përpija. Libër ky ku autori me çiltërsi dhe përgjithësi ka ftuar ti vijnë në tavolinë figurat më të shquara, të artit poetik, të ulen bashkë me të dhe të fillojnë një bisedë të gjatë, të hapur, si rrallë herë. Kjo ndodh për shkak se përkthyesi ynë Ligor Prifti ka derdhur pa kursim polemin e mrekullueshëm të tij. Pasi ai, në brendësi, është vetë poet i lindur.
Çdo krijues në fillimet e veta gjithnjë ka qenë i tunduar kur ka qëndruar i hutuar përpara shkallinave të mermerta ku ngrihej dera dy kanatesh me tokëza ari por e mbyllur hermetikisht e tempullit të letërsisë së madhe botërore. Është zgjatur, kacavarur, përpjekur të hapë derën dhe të hyjë brenda tempullit, shpesh herë ka shkarë dhe është rrëzuar, nuk ka mundur mësojë, të fisnikërohet, të mrekullohet për vlerat dhe madhështinë, sepse i ka munguar çelësi i domosdoshëm për të hapur atë derë dhe hyrë në tempull: ‘Gjuha’.
Rilindësit tanë të mëdhenj, Naim Frashëri, Asdreni, Çajupi , dhe më pas të tjerët, të cilët e ngritën në një stad më të lartë me vlera të pazëvendësueshme si: Fan Noli, Lasgush Poradeci , Mitrush Kuteli, Jusuf Vrioni, Vedad Kokana, Petro Zheji, Pertaq Kolevica më të rinjtë Aurel Plasari, Adrian Klosi, Vangjush Ziko etj e dinin mirë rëndësinë e thembrës së Akilit. Për të bërë një popull që të shtyhet të dojë artin dhe kulturën duhet ti japësh një ‘Peshqesh’ të kushtueshëm për ta joshur dhe shijuar dhe ata i u futën përkthimit të veprave më të shquara të letërsisë botërore. Personalitet e artit dhe kulturës me përkushtim me obligim të pa imagjinueshëm në kushtet në të cilat jetuan dhe punuan, bënë letërsi të rëndësishme dhe njëherësh hapën dritare të mrekullueshme për të njohur botën dhe dashuruar atë.
Ne kemi lexuar, përpirë vepra të përkthyera nga letërsia botërore dhe jemi ngazëllyer. Të marrësh përsipër të shqipërosh një letërsi të madhe nuk është e lehtë, është sakrificë, është punë e paçmuar dhe e papaguar dhe para së gjitha duhet njohje e thellë, pra është një rikrijim. Mbasi dihet historikisht në eksperiencën dhjetëra vjeçare të fatit të artistit dhe poetit, ata gjithnjë kanë dhënë nga vetja dhe nuk kanë marrë kurrgjë, shpesh herë pas tyre është mbjellë harrimi por fatmirësisht ka ngelur i pazëvendësueshëm vepra e sjellë e dhuruar, përkthimi.
Në këtë kuadër, në këtë vazhdimësi është edhe njeriu serioz dhe inteligjent, përkthyesi i talentuar Ligor Prifti i cili para do kohe botoi antologjinë poetike: ‘Në tryezë me poetët’. Përkthime nga poetë të shquar të letërsisë botërore, në shtypshkronjën e mirënjohur edhe shumë vite më parë në qytetin e Korçës: ‘Kotti’. Ligori duket sikur hyn me ndrojtje, disi me pasiguri, por në realitet përkthyesi ynë hyri me dinjitet në kurorën e përkthimeve me vlerë të letërsisë së huaj
Qysh në titull të librit ‘NË tryezë me poetët’:ndjehesh i joshur, i afruar me bujari të ulesh në tavolinë, të pish një gotë prej mushtit më të përzgjedhur të autorit nga poetët e mëdhenj. Ligori me bujari, sinqeritet dhe thjeshtësi, të jep të lagësh buzët dhe të shijosh bukurinë e paçmuar të mrekullisë poetike të mjeshtrave të mëdhenj. Përnjëherësh ndjehesh i çliruar prej trusnisë, je ulur dhe bashkëbisedon me gjenitë, të cilët kanë lënë gjurmë në zemrën e njerëzimit dhe në botën e madhe të artit e të kulturës. Ata janë fare pranë teje.
Pastaj autori me përkushtim, inteligjencë, dashuri dhe guxim na merr për dore dhe bashkërisht futemi në tempullin e shenjtë dhe përnjëherësh përpara syve tanë hapet një kopsht i mrekullueshëm ku të në harlisen lulet më të bukura dhe plot aromë të letërsisë botërore. Ligor Prifti çiltërsisht e thjeshtësisht dhe me përzgjedhje profesionale, na afron diamante të letërsisë botërore. Vizioni i tij në këtë libër ka një shtrirje gjeografike të gjerë në pjesën më të madhe të globit, nga Evropa e gjer në Amerikë, nga Izraeli e gjer në Japoninë e lindjes së largët. Vargu i ëmbël e lakonik i këtij përkthimi të tërheq fuqishëm. Ne ecim të hutuar prej magjisë së artit por ai na shkund dhe na fton të shijojmë sonetet e më të madhit e më të mëdhenjve, gjeniu i letrave Uilliam Shekspirin, më pas shijojmë Bajronin, Lermontovin, Edgar Allan Poe-n. Të mençurin Omar Khajanin me rubairat e tij të papërsëritshme, Emili Dickinson, Pjetër Pavlloviç Ershov. Bashkëkohësin e Shekspirit, i lindur vetëm dy muaj përpara tij, Kristofer Marlou. Odat e mrekullueshme japoneze etj. Janë shumë autorë që ka përzgjedhur përkthyesi i talentuar Ligor Prifti, i cili ecën me kujdes në një fushë të madhe me lule shumëngjyrëshe, na jep një panoramë të mrekullueshme. Ky libër që në dukje është shumë modest ka vlera të veçanta.
Qysh në bankat e shkollës kemi lexuar pjesë nga tragjeditë e Shekspirit, Hamletit, Makbethit dhe më pas libra të plotë të përkthyer me mjeshtëri prej Nolit të madh. Ligori matet me guxim dhe na sjell me mjeshtëri dhe profesionalizëm disa nga sonetet e mrekullueshme të Kolosit Shekspir si: ‘ Venera dhe Adonis’. ‘Ankohet një vajzë e dashuruar’. Sa bukur jepet në harmoni dhe mjeshtëri bota shpirtërore të dy të rinjve:
Ajo si prush në faqe flakëruar,
Ai në turp, në epsh i akulluar…
Ky hir u lodh e më tepër po mundohet
Të japë prova shumë, pa mbarim.
Kjo dashuri, që de e s’dashurohet
Një tjetër çmim e meriton shpërblim. ( Venera dhe Adonis)
Baluken kafe krelë përmbi vetull;
Puhis’ e lehtë kur vinte nga lumi
Në ato buz’ parcelën kishte gjetur,
Më e ëmbël ç’ ish e bënte më së shumti.
Kush sy e shihte zvjedheshe nga gjumi.
Në atë fytyr’ kur binte mbetej mbytur,
Aty parajs’ e tërë rrinte zhytur…( Ankohet një vajzë e dashuruar)
Ligor Prifti përpiqet japë vlera të mirëfillta duke e respektuar metrikën, ritmin dhe rimën, si një princip besnikërie ndaj origjinalit. Në rastin e poezisë angleze një handikap ku nuk mund të mposhtë densitetin 11- rrokësh. Në sajë të numrit të madh të fjalëve një- rrokëshe, veçanërisht në këtë poemë ku mund të përmbajë deri në gjashtë elemente kategori gramatikore emër, mbiemër, folje etj. Ligor Prifti na ka dhenë me sukses të plotë ndjelljen e magjishme të Shekspirit.
‘Krahasuar me tekstet e përfituara në gjuhët gjermanike- anglosaksone, forma e vargëzimit në këtë poemë shfaqet menjëherë si një formë që nuk nxë më shumë njësi të tilla gjatë përkthimit në shqip. Përkthyesi e kupton qartësisht se duke u nisur prej një kriteri poezia kthehet në një problem të fizikës së fjalëve, të shfrytëzimit sasior të hapësirës metrike të vargut. Ekzistojnë elemente karakteristike shekspiriane të cilët nuk mund të lihen pa u vëne re në asnjë mënyrë, i të thuash pa u tradhtuar e madje edhe struktura thellësisht, betimet patetike të poezisë trilli imagjinar, antitezat e forta, vargjet përmbyllëse proverbiale që japin kolorit dramatik, mesazh filozofik, timbër sugjestionues dhe nj imponim për tu ngulitur në kujtesë’, thotë autori në parathënien e librit.
Përkthyesi Ligor Prifti përkthen me art dhe bukuri poemën: ‘I burgosuri i Shilonit’ vepër prej ikonës së poezisë angleze dhe botërore Xhon Gordon Bajron. Shumë nga ne jemi njohur me poemën madhore: ‘Shtegtimet e Çajld Haroldit’. Kjo poemë është e ndjerë, e trishtueshme dhe e fuqishme. Shkruar me art dhe temp të madh.
Një dritë më llapsi brenda trurit-
Më bujti zogu perandor;
Këngën e pyllit ktu ma pruri
Tek hyn e del në kraharor.
Kalimi nga poezia klasike anglofone, e cila e ndërton poezinë mbi të tjera struktura mbi hapin lambik, mbi një tjetër temp të krahasuar me shqipen është kryer në mënyrën me të disiplinuar.
Ne i kemi lexuar dikur në fletë fletoreje të kaluara dorë më dorë ‘Rubairat’ e Omar Khajanit, të përkthyera me mjeshtëri të lartë nga i madh Fan Noli. Sipas specialistëve të kohës këto përkthime ishin të dorë së parë. Mund të jetë modeli i përkthimit të tyre në të gjitha gjuhët e botës, të reja e të vjetra, të gjalla dhe të vdekura. ‘O Zot, Ti e di, që unë të kam njohur Ty sipas kutit të mendësive të mia. Më fal, njohja që kam bërë është njohja drejt teje.’ Sipas një legjende besohet që këto janë fjalët e fundit të Omar Khajanit para vdekjes.
Tani na i sjell Rubairat e të madhit Omar Khajanit përkthyesi Ligor Prifti, me të njëjtën temp, intensitet, forcë dhe freski:
Ësht’ fushë shahu, bota, ja se si;
Një dit’,një natë, ushtarë un’ e ti.
Na lëvizin, rrethojnë e na vrasin,
Të prehemi, na venë në kuti.
Apo:
U shfletua libri i jetës. Sa keq!
Haretë, pranverat shkuan për dreq.
Rinia si zog s’ e kuptova si erdhi,
E si m’u zhduk, si nga dora një qelq?
Ligori Prifti na sjell me mjeshtëri Petrarkën, poetin e madh të rilindjes italiane me sonetin XLVII me një varg të shkathët dhe lakonit që i këndon me aq zjarr dhe dashuri ndjenjës së lartë:
Kur, i burgosur në syt’ e tu, një rreze më ndriti…
Ligori Prifti në antologjinë e tij : ‘Në tryezë me poetët’, na magjepsën nga faqja në faqe, për rrjedhshmërinë dhe origjinalitetin edhe pse janë krijues të ndryshëm, me karakteristika të veçanta dhe shumë të mëdhenj. Përkthyesi na befason dhe ngjan si kërkuesit e arit të cilët kërkojnë, punojnë pa u ndalur për të gjetur ar të pastër. Ai është i përkushtuar për të na dhenë me realizëm të gjithë vlerat dhe mrekullinë e artit botëror. Ai nuk ndalet por përpiqet dhe operon me kolosët e mëdhenj për të përftuar tek lexuesi emocion të fuqishme me një muzikalit habitës.
Ne e kemi njohur të madhin Edgar Allan Poe dhe poemën e tij të famshme: ‘Korbi’ të sjellë me aq art dhe mjeshtëri nga Noli ynë i madh. Jeta e Poes është më melodramatikja nga të gjithë shkrimtarët e gjeneratës së tij. Përkthyesi Ligor Prifti e qëmton figurën, fjalën e bukur, muzikalitetin, dhe na sjell me dinjitet një tjetër perlë të përkthyer me art prej tij poezinë: ‘Anabela Li’:
Dhe yje në qiell në mos pastë
Mjaftojnë syt’ e saj të zes.
Do shtrihem e do shoh nga deti
Mos del gjëkundi e do ta pres.
Hëna kallaj përsipër meje
Më ngjan me Anabela Li,
Por kjo e fundit poshtë dheut
Të bëhet nuse pret e ri…
A ka më të fuqishme dhe me figuracion të gjetur se kjo poezi kushtuar vajzës që dashuron. Sytë të së dashurës i krahason me yjet e qiellit por me një figuracion mahnitës. Apo hëna kallaj përsipër meje ri, më ngjan me Anabela Li, e cila në një mënyrë apo tjetër pret të bëhet nuse…!
Lexuesi kalon, lexon me kërshëri nga faqja në faqe të antologjisë poetike, nga një krijim në tjetrin. Përnjëherësh bindesh se përkthyesi di të përzgjedhë, të krijojë një larmi të këndshme, di të fokusojë dhe të krijojë emocione të fuqishme, në krijimet më të mira e më të rëndësishme të krijimtarisë të poetëve. Duke bashkëbiseduar me ta gjithnjë dhe përcjellë tek lexuesi emocione të mëdha.
Nuk mund të lihet mënjanë dhe pa përmendur poezia izraelite të Shaull Cernikocski me titull: ’Ninull’
Është një ninullë e veçantë gati epoke, i këndon me shpirt nëna birit të saj, i cili është shumë i vogël dhe që pret të ritet. Të rrëmben dhe të mallëngjen nga patosi, forca dhe dashuria e nënës për fëmijën, familjen, mëmëdheun, të cilat për të janë të gjitha të lidhura nyje në mënyrë të pazgjidhshme. Sa bukur e jep në përkthim Ligor Prifti:
Zogjtë heshtën, fli dhe ti,
Hijet kudo ranë.
Mos ki frik’ nga terr’ i zi,
Fli, se më ke pranë.
Je hebrej. Përmban kjo fjalë
Jet’ e hidhërim.
O filiz nga lashtësia,
Rritu bëhu trim..!
Përkthyesi Ligor Prifti përcjell tek lexuesi poezi nga lindja e largët, të panjohura deri më parë, ode të fuqishme japoneze, të cilat janë peizazhe për jetën dhe dashurinë. Këto ode janë shumë të njohura e të pranishme në çdo familje japoneze. Ato përbëjnë perlat antike të mençurisë dhe të shprehjes personale të jetës dhe dashurisë.
Ah! Dashuri, tu binda unë i tëri.
Livadheve jam bërë arrakat.
Këtë pranver, për ty jehoi zëri,
Në fushë lule mblodha e në shpat.
Mbi mëngët e mia, a se sheh?
Bora bie, gjurmët e saj le.
Duke parë dhe ndjekur një krijim nga një tjetër, një autor nga një tjetër, nga një anë e globit në tjetrin cep. Në tematikën e larmishme të kësaj antologjie poetike me vlerë dhe nuk mund të mos vihet re se tema që parapëlqen më shumë përthyesi ynë Ligor Prifti është tema e madhe dhe universale e dashurisë, sepse vetëm këtu shpërthen forca e artit dhe jep poezi brilante të pa arritshme në artin botëror. Në secilin autor tema e dashurisë zë një vend të merituar dhe të pazëvendësueshme. Përkthyesi e di mirë këtë ndaj e parapëlqen dhe na jep përkthime të bukura me musht poetik.
Një vend të rëndësishëm në këtë antologji poetike zë dhe krijimtaria e poetit të madh rus, Mihail Jurjeviç Lermontov. Ikonë e poezisë ruse e botërore. Prozator i ndritur. Shumë i njohur për lexuesin shqiptar me romanin:’Një hero i kohës sonë’, me ‘Lirikat’, përkthyer nga Lasgushi ynë i madh. Gjithashtu dhe poemën:’Demoni’ përkthyer me mjeshtërisht nga Petraq Kolevica. Lermotovi ka qenë dishepull i Pushkinit dhe vazhdues i veprës së tij. Lermontovi i ka kënduar dashurisë dhe të zgjedhurave të tij si asnjë tjetër.
Unë pres i përmalluar,
Veç me sy marr ushqim;
Kurse ti , e dëshëruar,
Më bën shenjë për afrim…( Çast i lumtur)
Apo një tjetër:
O shpirt! Që sot do jesh jetime!
S’do gjesh të afërm, as strehim,
As te një tjetër përqafim!
Të qeshur kurrë s’do ti kesh sytë,
Kush gjeti lumturi të dytë:! ( Engjëlli i vdekjes)
Në disa poezi të tjera shpirti i poetit të madh shpërthen dhe Përkthyesi na i jep me art në poezitë: ‘Kupa e jetës’,’Mërzi e trishtim’, ‘I burgosuri’ etj
Rusi e pistë, lamtumirë,
Vend skllevërish e me sundimtarë,
Ju uniforma blu me ngjyrë,
O popull, që të vënë samarë.
Po ta vëresh me kujdes përkthyesi i jep me intensitet dhe emocion, përcjell me mjeshtëri shqetësimin, brengën, revoltën e poetit të madh. Bukuria qëndron kudo , intonacionet e zërit shtjellohen në izofoni vertikale. Goditja nuk stonon gjatë gjithë idesë e cila është thellësisht e rrjedhshme. Përkthyesi ynë Ligor Prifti me elementet e shkathëta artistike që ka përdorur nuk e tejkalojnë dhe as e lënë pas origjinalin. Për këtë ia vlen ta respektosh dhe ta shijosh deri në fund kupën e mbushur buzë për buzë të artit të krijuesit të shquar dhe kjo shije e pazëvendësueshme është një meritë dhe rezultat i një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse.
Ndërkohë nëpër faqet e internetit në shohim dhe lexojmë përkthime të reja prej përkthyesit të talentuar Ligor Prifti nga poetë të mëdhenj. Ai është gjithnjë, natë dhe ditë në tempull, mes sofrës së pasur të poetëve të mëdhenj. Edhe pse shëndeti shpesh herë nuk e ndihmon. I lexon të mëdhenjtë e ftuar në sofrën e pasur të tij, bisedon me ta, pastaj vendos se çfarë do të dhurojë lexuesit shqiptar.
Përkthyesi ynë i talentuar Ligor Prifti shpesh herë punon me lente, mbasi nuk e favorizon dhe aq drita e syve, por ai nuk e ndërpret studimin dhe përkthimin. Përpara se veprat, poemat dhe poezitë të marrin rrugën e shqipërimit, ai i lexon dhe i rilexon veprat e mjeshtret të mëdhenjtë. Më pas i përkthen me durim, i limon, u jep ëmbëlsi me shumë kujdes dhe dashuri. Na i dhuron neve me zemërgjerësi, ne i lexojmë i shijojmë dhe e përshëndesim..