Nga Keze Kozeta Zylo/
Në një mjedis pune intensive dhe njëkohësisht festive në mjediset e shkollës publike Ps 9 në Staten Island u zhvillua ceremonia e dorëzimit të çertifikatave dhjetëra nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” që operon në dy qytete kryesore të Nju Jorkut në Brooklinin historik dhe në ishullin e Staten Island. Ndonëse të dyja këto qytete amerikane i lidh ura e Verrazanos urë e vetme në botë e ndërtuar në bazë të forcës së tërheqjes, unë kam ndjesinë sikur ne shqiptarët midis këtyre dy qyteteve na lidhin shkronjat shqipe, gjuha jonë hyjnore.
Por le të spjegohem pak: Kemi kohë që po merremi me përgatitjen e festivalit të nxënësve të shkollave shqipe, festivali i parë që organizohet në historinë e Diasporës dhe çdo të shtunë nxënësit e Brooklinit vinë në Staten Island për të bërë së bashku provat për festival. Ata plus që bëjnë mësimin e rregullt çdo të premte në Brooklyn të nesërmen vinë në Staten Island çka të emocionon dhe të mahnit se si këta fëmijë shqiptarë të lindur dhe të rritur në Amerikë vinë me kaq deshirë për të mësuar gjuhën shqipe. Vlen të përmendet këtu dhe puna e bukur e dy prindërve që i sjellin shumë prej fëmijëve nga Brooklini në Staten Island së bashku në makinat e tyre si Mentor Gjona dhe Agron Jashari.
Ata janë ëngjëjt shqiptarë që ecin në udhën e ndritur të shkronjave shqipe. Por nga ana tjetër mendja më shkon dhe tek komunitete të ndryshme në Amerikë që e ruajnë gjuhën, traditën dhe zakonet e tyre, shumë prej tyre kanë ecur shumë më tepër se ne, pasi ata kanë shkollat dhe institucionet e tyre, sidomos shembull janë hebrenjtë, grekët etj, çka i bënë që të arrijnë të jenë deri në majat më të larta të politikës dhe në fusha të tjera të artit, kulturës, shkences.
Sidoqoftë bashkëpunimi me prindërit, mësuesit dhe nxënësit sjellë medoemos rezultate të kënaqshme, por dhe më shumë frymëzim për të punuar më shumë për të ruajtur traditat dhe gjuhën shqipe çka të kujton filozofin e shquar indian Jiddu Krishnamurti i cili thotë se: “Tradita bëhet siguria jonë, dhe kur “mendja” është e sigurtë se është në shkatërrim”.
Nxënësit të gëzuar dhe të lumtur që takoheshin me njeri tjetrin dukeshin sikur ishin më seriozë se çdo ditë tjetër pasi ata ndjenin së brendshmi se mbanin mbi supe përgatitjen e festivalit çka i ndante vetëm një ditë. Këngët e bukura shqiptare, mesazhet që ato përcjellin tek nxënësit duken qartë në sytë e ndritshëm të fëmijëve gjatë intepretimit të tyre. Vallet dhe këngët janë përgatitur seriozisht nga mësuesit Stefanllari, Kacubaj, Melo dhe Kostrista nën drejtimin e dy artistëve të mirënjohur Mezini Lole dhe Melo.
Pas përfundimit të provave Themeluesi i shkollës shqipe dhe Presidenti i TV Alba Life Qemal Zylo iu ndau të gjithë nxënësve çertifikatat për vëmendjen dhe dashurinë që kanë treguar ndaj mësimit të gjuhës shqipe gjatë vitit shkollor 2013-2014 në programin shkollor “Alba Life” në New York. Prindërit dhe gjyshërit që ndodheshin pranë fëmijëve me lot në sy shprehnin kënaqësinë dhe respektin për shkollën shqipe për mësuesit, dhe nxënësit dhe me shpirt bekonin që këto shkolla të ngelen hapur përgjithmonë, pasi në Diasporë fëmijët kanë shumë nevojë që gjuhën e tyre të nënës që mos ta harrojnë kurrë. Ndërkohë shkollat shqipe jua mësojnë fëmijëve alfabetin shqip si dhe të folurit dhe të shkruarit mbi bazën letrare që siç thotë intelektuali erudit Faik Konica se: “Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë që të bjerë në vesh çdo tok gërmash si një copë muzike”. [1898]
Në fund të ceremonisë z.Qemal Zylo pasi i ka falënderuar të gjithë në emër të bordit të “Alba Life” iu dha nga një buqetë të freskët me lule mësuesëve dhe dy artistëve për punën me përkushtim që kanë kryer gjatë vitit shkollor 2013-2014.
Pas ceremonisë nxënësit prindërit, mësuesit drekuan së bashku të sponsorizuar nga z.Dritan Gashi njëherazi anëtar i Bordit.
Nxënësit u larguan të gëzuar nëpër shtëpiat e tyre pas nje të shtune me punë intensive, por dhe festive për rezultatet e tyre të kënaqshme gjatë vitit shkollor 2013-2014, me siguri se ata do të vazhdojnë të ecin në udhën e ndritur të shkronjave shqipe.(Foto-Arkiv)
14 qershor, 2014
Staten Island, New York