Poezia e Ritës është filtër persiatjesh historike- (Agim Gjakova1)/
Shkruan: Dr. Yllka FILIPI/
Në katedralen e Shën Gjergjit në Boston, një ditë të ftohtë dhjetori vitin që lamë pas, (me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit), takoj midis të ftuarish nderi, poeten dhe humanisten Rita Saliu, e cila me modestinë dhe fisnikërinë që e karakterizon, më dhuron vëllimin “Ndjenjë Perëndie”. Nga fleta në fletë, nga vargu në varg, në çdo fjalë, në çdo shkronjë, rritej në sytë e mi, skalitur e gdhendur deri në detaje, nga pena e mprehtë e poetes, imazhi i gjysmës së atdheut tim Kosovës, Zonjës së Rëndë Dardane, mbretëria autoktone e së cilës u krijua që në shekullin IV, para Krishtit, gjë për të cilën shkrimtarët antikë tregojnë se trimat e saj në çdo rast rreziku kishin si veçori faktin se hidheshin të gjithë së bashku në sulm, e po ashtu, njësoj tërhiqeshin me radhë të shtrënguara, duke mos lënë në shesh të luftës asnjë nga të plagosurit e tyre. Kjo zonjë hijerëndë, pjesë e pandarë nga trungu mëmë i Shqipërisë, gjithnjë në kërkim të lirisë dhe vetëvendosjes e ka larë historinë me gjakun e bijve të saj, prehur një pjesë në varreza masive, (gra e fëmijë midis), djegur e bërë hi shtëpi e bagëti, dhunuar e surgjynosur njerëz të pafajshëm, popull liridashës, popull të thjeshtë jetëdashës, dhe nisjen e një karvani të gjatë të mijëra familjeve në një rrugë pa kthim, natës së zezë të historisë së vetëdijes së saj. Në brendësi kujtimet/ e një romani të kohës zezonë/ damarë mbyllur/ E shtrenjta Toka ime/ Ti je dashuria e vetme dërguar nga Zoti/ Emrin ta njoha nga koha/ e vjetër mijëravjeçare… m’u dridh shpirti nga lëngata… (Ndjenjë perëndie, po aty, fq.3)
Studiuesi Reginald Hibbert shprehet: Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të Evropës, por vendi i tyre është një nga shtetet më të reja të Evropës. Të jesh kaq i vjetër dhe njëkohësisht kaq i ri, është një farë fati i keq.*
Ç’është kjo histori? Përse ky tragjizëm në kërthizë të Ballkanit? Shtegtares shqiptarodashëse Edit Durham, “Mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë”2, i ka tërhequr vëmendjen madhështia dhe tragjizmi i këtij populli të lashtë, i ndodhur përballë lakmive të pafre pushtuese të Malit të Zi, Sërbisë e Greqisë. Duke depërtuar në thellësi të shpirtit dhe karakterit të popullit shqiptar ajo filloi ta ketë për zemër, e të bëhet jo vetëm një vrojtuese e mprehtë dhe përshkruese e hollë e jetës së tij shpirtërore, begatia e traditave dhe zakoneve të bukura, ngjarjet dramatike e tragjike të jetës së tij, lindjet, dasmat, vdekjet, por ajo e ndjeu për detyrë të bëhej zëdhënëse e të drejtave të tij të nëpërkëmbura, duke zhveshur në sy të Evropës së qytetëruar masakrat mbi këtë popull, edhe pse shumë dyer nuk ju hapën kurrë.
Shtegtarja shqiptare e përtej oqeanit Rita Saliu, me shpirt e zemër në Dardaninë e të Parëve e të Tashmëve të saj, verbuar nga nata e terri që zemrën ja mbushën me lot, lëshon klithma të bardha lutjesh:
Lërmë të shkoj në Dardani/ Që ma përflakën/ Që ma plakën/ Që ma përgjakën lakmitarët/…/ Se vetëm atje për mua hëna ndrit/…/ Toka ime ka nevojë për varrin tim / Unë për prehjen që më fal …/…/ se akrepat e orës gëlltisin jetën/ lërmë të shkoj…(Lërmë të shkoj në Dardani, fq.51
Simbolika e Hënës, mbush me dritë imazhin e atdhut, si dheu i të parëve: varri i tyre-varri im dhe anatemon me leksemat foljore të përshkallëzuara: Përflakën/ plakën/ përgjakën/ si dhe me kryeleksemën anatemuese lakmitarë- (akrepat e orës që gëlltisin jetën). Përforcohet më tej:
Re të ngatërruara me borën e parë/ Lufta e kuajve vrapuar pas kocit/ shqetësuar më kanë/ Ku uji zjarrit i jep shpirt…/ Pastaj rreth syve mavi / prej lotëve të orëve të natës/…/ ta zbraz zemrën/ të mos e le të vuajë /…/ Çel o luleborë/ ago dhe ti, o dritë/ Se nata e terri verbuar më kanë…(Sot bora më ngrin, fq.6)
Por prapë nuk dorëzohet, mbahet fort, vazhdon të mbetet zë kumbues i Dardanisë, i Kosovës së dashur. Edhe pse frymëmarrja e lodhur skamnorësh/ Më bën të zverdhem/ Dufin ma akumulon, gjakun ma ngrin/ Por përtokë nuk bie./…/ Vazhdoj të mbetem zë kumbues… (Kuptimi i mëmëdheut, fq.8)
Përshkallëzimi i dhimbjes vjen gradualisht, kap shpesh shpërthime të parakohshme, bie në qetësi, si qielli pas furturës, mbushet sërish me re e bubullon nga dhimbja, me shpresën tek Zoti: Herë në formën e vetërrëfimit, hërë si dialog i brendshmëm, (ku zëri i heshtur i atdheut i bëhet palë), herë si lutje, herë si revoltë dhe herë si përulja e një një mëkatari të vdekshëm që kërkon thjesht një bekim për të vazhduar të ecurit e zakonshëm të popullit të saj: Pranë meje një tufë lulesh të venitura/ Ankohen apo/ Kërkojnë frymëmarrjen e vendlindjes/…/ Çdo ditë i lutem Zotit/ Në gjuhën që e njeh bota/ Në gjuhën e Perëndive / Kam nevojë për ty/ ta shëroj më lehtë thellësinë e dhembjes. (Lutja, fq.10)
Evokohet e kaluara, dhimbja, të rënët, nderim për luftëtarët e lirisë:
…/ Duke ndërtuar ura bashkojnë brigje/ Dhe bëhën flamuj të të gjitha kohërave/
(Luftëtarët e lirisë, fq.11)
As diktatorët më të egër të historisë gjatë kohërave të rënda historike nuk e kanë mohuar dot të drejtën për liri të popullit shqiptar të Kosovës, shkëputur pabesisht e padrejtësisht nga trungu mëmë, plagë që ende dhemb: Nga kjo luftë heroike që do të bëjë populli i Kosovës, kundër Fashizmit, kundër Merlikëve, kundër Mihajlloviçëve, do të lindë liria e vërtetë e Kosovës, liri që askush nuk do ta prekë… Këtej rrjedh bindja e patundur se s’do të ketë njeri që të guxojë të prekë lirinë e popujve dhe vetëvendosjen mbi fatin e tyre. (E.Hoxha)3
Përdorimi i njëjësimit në funksion të shumësit, tkurr portretin e përvuajtur të të gjithë kombit brenda një imazhi të vetëm, atij të Të Mjerit. Vërejmë analogjinë: Populli shqiptar-(i mjeri); Aurora (Agu i diellit, lindja e lirisë)- në Prishtinë (Kryeqyteti i Dardanisë së zërit poetik); Ai-Unë, në lidhje simbiozë, (ai ma lexon dhimbjen), unë- kuptoj më mirë se kushdo përgjakjen e tij nga kamxhiku i lirisë: Frika mposhtjet nga heshtja; heshtja në vetvete është sfidë prej un-it tim, sfidë prej meje e dhimbjeve të tij- të të mjerit – në rrafsh universal të popullit tim shqiptar në trojet e veta.
_________________________________________________________________________
Përtej dritareve të “Aurorës ” në Prishtinë/, ai lexon dhembjen time / Ngrihet në këmbë/ Dal jashtë e lagem në shiun e dëshpërimit/ Pse askush nuk do ta kuptojë kur tregon/ Sa i rëndë ishte kamxhiku i robërisë./ Hedh frikën prapa si shaminë bartur/ marrë heshtjen e tij qëndisë me zë/ Dhembshurie/ Barkut të uritur ja mundi dhembjet… (I mjeri, fq.12)
Poetja kalon në retorikë tronditësë më pas. I lëkundet shpresa: Por… nuk di si do ta ketë fundin i mjeri? (I mjeri, fq.12)
Kërkon ndihmë tek Zoti, pas një intimiteti-trup-shpirt me dritën hyjnore, larg atdheut, larg njerëzve të dashur, në përpjekje të largojë vetminë.
Në shtëpinë e trupit tim/ fola me vetveten e dritën hyjnore/ Sa për ta mbytur vetminë (Mëngjes në mërgim, fq.13)
Merr forcë, rikthehet si romantikët e dikurshëm duke gjetur prehje larg brengave, mallit, dëshpërimit, në gjirin të natyrës, pranë një gurre në Marash. (Vini re përdorimin e dendur të toponimeve, duke materializuar mungesën fizike të Atdheut!) Paralajmëron ngadhnjim, lavdinë shndërron në këngë, shpresa triumfon. Nënteksti: E ardhmja do të mbushet me diell.
Te gurra në Marash një zog këndonte/ Gurgullimës së ujit Kristal/ paralajmëronte ngadhjimin/ Lavdinë duke shndërruar në këngë. (Peizazh, fq.14)
Çastet poetike, ashtu si vegimet e ëndrrës nuk zgjasin shumë. Evokohet historia e mbushur me gjak. Poetja klith në kupë të qiellit të vetvetes. E dyzuar Rita- njeri (humanizmi përthyer në lutje të vazhdueshme për vuajtjet e kombit). Rita – poete (ndjeshmëria e lartë, zbërthimi i skutave më të thella të shpirtit dhe konvertimi i lotëve të zemrës në verb):
Në kupë të qiellit thirra me vete/, Trupa të pajetë preka me shikime/ Dhe ndjeva mungesë oksigjeni/ …/ (Dashuria nuk planifikohet, fq.15)
Simbolika e Shqiponjës konoton Kosovën, Zonjën hijerëndë, me krahë të prerë vazhdimisht. Kulla e lirisë mbulohet nga bora e dëshpërimit ndër kreshta, qielli merr flakë nga rrufetë, poetja mban frymën, truri të mos i pëlcasë.
Kudo në tokën time të lashtë priten krahët e shqiponjës/ të kësaj zonjë të rëndë/ dhe të kapitur thyer krahësh…/ nesër do të ikin njerëzit/ me krah të thyer duke u ngutur/…/ e jeta rrëshqet tinëzare/ Nga lugjet e maleve bien rrufetë/ prapa kullës së lirisë/ borë dëshpërimi zbardh kreshtat/…/ Mbi ty Zonjë…/ Përçues të tensionit të lartë/ qiellin shndërrojnë në arenë flakësh…/ Unë mbaj frymën/ truri mos më pëlcas…(Në tokën time të lashtë, fq.20)
Shpirtit poetik i mungon vatra, oxhaku, ai lutet, qan, nën ngricën e oxhakut pa zjarr dhe askush nuk mund ta dëgjojë në vetminë e largësisë ku ndodhet, djeg vetveten, rilind si Nositi në formën e lutjes, ankthit, ofshamës: vini re metamorfozën kontekstuale të dyfishtë:
- Nga zjarr (supozohet që oxhaku të kërcasë nga zjarri bubulak) – në ngricë shpirtërore, përmallim, këngë të përlotur: Oxhaku nën hije u bë ngricë…
- Metamorfoza e un-it poetik nga qenie humane në lutje, ankth, ofshamë: E unë jam shndërruar në lutje/ ankth e ofshamë jam bërë…
Oxhaku nën hije u bë ngricë/ larg ikëm, larg/ se vetëm shpirtin e shpresën i lamë pëng në vatër/ duke djegur vetveten/…/ As qiell, as diell/ s’na dëgjuan/ vajin, as këngën e përlotur…/ E unë jam shndërruar në lutje/ ankth e ofshamë jam bërë…(Pa titull, fq.22)
Intuita poetike sintetizohet me ndjeshmërinë e lartë të shpirtit humanist prej nga burojnë metaforat tronditëse: ditë të zverdhura, brenda zemre shtrydhur, në mure të padukshme. Forcohet panorama e errët nga similituda në vijim:
Mbi supe heshtat e luftës/ duken si ditë e zezë/…/nuk di si ta filloj vajin/ Ditët e mia të zverdhura/ Brenda zemre shtrydhur/ në mure të padukshme/… (Mbi supe, fq.24)
Në të gjithë strukturën poetike kryetërthor vëllimit vemë re konstatime rrënqethëse që kalojnë nën filtrin historik, dëshmi e gjallë e tragjizmit të jetës së kombit: Njohuritë historike mbuloi harresa; sikur të mos ishin monstrat shkatërruese/ për të na udhëhequr drejt humnerës. Kur poetja thotë marr frymë thellë, për të zënë shtratin, togu para agut, rrëzohet nëntekstualisht dhe ngrihet kokëfortë leksema shtrat. Krijohet kështu paradigma: harrësë-shkatërrim- humnerë- shtrat.
Qytete më shumë të hutuara, sesa të trembura/ nuk është vetëm ky lajm i keq/ Njohuritë historike mbuloi harresa/ Sikur të mos ishin monstrat shkatërruese/ për të na udhëhequr drejt humnerës/ Marrë frymë thellë për të zënë shtratin para agut. (Ata, fq.26-27)
Zbërthejmë leksemat kyç në vargjet në vijim: skelete- të vdekurit- varre- shkretëtirë- të sëmurë- ura të Djallit dhe e përmbyll klithma: Klithje- A vritet miku i shtëpisë? Të kujtohet skena e përgjakur makbethiane, klithjet ”Vrasje, vrasje!”. Retorika në pyetjen a vritet miku, pasi botërisht miku është i shenjtë për shqiptarët, është një klithmë ekuivalente a vritet vetvetja, por edhe më keq se kaq, a vritet e përçudnohet shpirti? E adhmja e kombit?
Skelete të murosur/ ku i kanë varë të vdekurit të ngritur prej varresh nga dëshpërimi/ Mund të vdesim zgjuar / të vdesim në shkretëtirë/ të sëmurë nga ëndrrat/ duke kaluar urave të Djallit/ duke këlthitur/ …A vritet miku i shtëpisë? (Merreni me mend, fq.36)
Ky është mallkim! Vijojmë me leksemat përforcuese: Të mallkuar-thërrime-lot-mund-gjak. Është një itinerar pa pikëmbërritje, si një udhëtim në hapësirë drejt zhbërjes së vazhdueshme. Ajo çka mezi arrihet me mund, thërrmohet me gjak e lot.
Të mallkuar / poshtë e lart/ zemra më bën thërrime/…/ me mall e lot/ me mund e gjak (Metropoleve të botës, fq.36)
Evokohet e shkuara heroike në vijim: Jo më kot Bajroni do të mbetej gojëhapur nga trimëria e shqiptarëve: Të rreptë bijtë e shqipes, armiku ua pa kurrizin ndonjëherë? Pa ia kthyer kujt shpinën-portretizon Rita Saliu: Zhvendosim leksemat kyç: Trimat-ballëpërgjakur-zemrat e plagosura- krushqve. Leksema përmbyllëse krushqit, është kurorëzimi i misionit final, lufta dhe vdekja, e shkuara tronditëse sfidohen nga shpresa e rilindjes së një jete të re, e ardhmja që prin!
… trimat ktheheshin nga betejat/pa ja kthyer kujt shpinën/ me gjokse e ballë të përgjakur/ Në duar mbanin zemrat e plagosura/ Derisa u prinin krushqve (Dikur, fq.38-39)
Autoren e shkrin malli për Tokën mëmë, për natyrën e virgjër: Përvëlohet e niset rrugës për në kullë, me shpresën të arrijë…Rrugës i duhet të mbrohet nga rrebeshet e kohës së egër. Konstatimi therës malli shkrin gurin i jep nota të forta tronditëse gjithë poezisë e cila e kapërcen tematikën e mallit, si mall i un-it lirik duke u kthyer në mall universal të çdo shpirti të ndjeshëm ndaj fateve kombëtare të atdheut të vet, në luftë e paqe, ndaj merr rrugën drejt kullës, me kurorën e lavdisë së kombit në krye (simbolika e shamisë së lidhur kurorë). Edhe pse e përplasin rrebeshet e kohës së rëndë, përdorimi i sintagmës foljore dua të arrij, tregon se un-i lirik është shumë këmbëngulës, i vendosur të arrijë ne destinacion.
…Fuqia e shpirtit/ përvëluar në zemër/…/natyrë e virgjër toka jonë/ largësi malli/ Kohë hapësirë/ Malli shkrin gurin/ Mbrohem nga rrebeshet / E kohës së egër/ Udhëhiqem përtej shtegut/ me shami lidhur kurorë/ Rrugës për në kullë/ Dua të arrij. (Rrugës për në kullë, fq.42)
Planet e ardhmërisë e kanë pikëprerjen tek simbolika e dasmës. Në bazën e trekëndëshit barabrinjës rri hijerëndë Jeta, në kraharorin e copëtuar të së cilës pikasim brinjën AC-Luftën dhe brinjën BC-Paqen, AC- i takon të shkuarës së errët (sa t’i shporrim të huajt) dhe CB- të ardhmes dhe shpresës ( do të bëjmë dasëm të madhe). Brinja ac- (majtas kulmit) është kryengritja, brinja bc (djathtas kulmit) është liria, porta e luleve. Në bazë rrjedh i qetë lumi Valbona, rrjedha e pandalshme e jetës. a∆b Formula e mosbarazimit a+b>c; a+c>b; b+c>a. Shuma e këndeve të brendshëm është gjithmonë 180 gradë, përqark një rrethi të brendashkruar vicioz ku shtillen, përplasën, kacafyten e bien në ujdi, në marrëveshje të heshtur e shpesh të rreme, vdekja, jeta dhe shpresa. (∠A+∠B+∠C=180), nga ku Perimetri, analogjikisht graviteti i ardhmërisë është i barabartë me shumën e tre brinjëve, pra: P = a+b+c, pra luftë + paqe + lumë që rrjedh… Në këtë formulë absurde është pagëzuar vdekja, jeta dhe shpresa e kombit shqiptar.
Sa t’i shporrim të huajt/ Do të bëjmë dasëm të madhe/ Kur kryengritja të përfundojë/ do të shihemi te porta e luleve/ Më prit se do të vij/Kur koha s’i mbyll plagët/ takohemi te lumi Valbona. Shihemi te porta e luleve (N.Kelmendit, fq.43))
Lëvizjet dhe luftërat e shqiptarëve nuk janë kryengritje “njerëzish të egjër”, kundër qytetërimit, siç e paraqesin disa, dhe as pjellë e gishtit dhe e qëllimeve të agjentëve të huaj, sikundër i prezantojnë të tjerët 4,- do të shprehej Dimitrije Tucoviqi.
Me zërin e zemrës, aty ku fryn ky fllad i ngrohtë që pjek qershitë në muajin e tyre në qershor, shpirti poetik kapërcen male e dete, fluturon drejt qiellit të vatrës, si Marathonomaku antik i cili jep lajmin dhe vdes! Kjo është nga ato vdekjet e lumtura të mezipritura, si në shtratin e ngrohtë të nënës; Vemë re kujdesin artistic me të cilin autorja mbështjell numrat. E ka nisur numërimin kah një kohe të gjatë dhe gjithnjë i del një varr më pak, në mëmëdhe: Të mos jetë një varr më pak! Çfarë pikëllimi të thellë ka ky konstatim! Kuluaret e botës nuk kanë asgjë mëmëdheu, përpos ëndrrave: ndaj Ibri rrjedh vajtueshëm, ata që e deshën atdheun kanë hyrë në përrallë! Lind pyetja? Po tani? Është kjo akuzë? Pamjaftueshmëri, dilemë? Qershitë piqen dhe në zemrën time, Fluturoj mbi male e dete/ për të mbërri në shtëpi/ para se malli të më bëjë shkrumb/ Ky fluturim është zë i zemrës sime/ Që nuk më lë të vdes në dhe të huaj/ Nën qiellin e vatrës sime/ Të mos ketë një varr më pak/…/ Shpirt dhe këngë nuk më lënë/ të tretem kuluareve të botës/ ku pos ëndrrave gjithçka është e huaj. (Kur vjen qershori, fq.44)
Ishte kohë e rëndë/kur njeriu vritej si një mizë/ E vetmja gjë që mund të hanim/ ishte shpresa dhe një supë pa ujë/ Nga dritaret e errëta të shtëpive të djegura/ Nga urrejtja e atij që nuk e donim/ Numëronim arkivolet e drunjta/ që bartnin për në vorreza një pjesë tonën. (Njësoj, fq.47)
Ibri rrjedh vajtueshëm/shënon ndarjen…/ujit lulen e mallit/ Dita i ngjet natës/ Nata i ngjet korbit/gjaku i derdhur ruan kujtesën/…/Ata që mund t’i bashkonin brigjet/ kanë vdekur duke e dashur atdheun/ kanë hyrë në përrallë. (Te ura e Ibrit, fq.49)
Kuintesenca e gjithë vëllimit, në përimtimin e kujdesshëm të çdo lekseme të zgjedhur me shumë kujdes në verbin poetik, përmblidhet brenda këtyre vargjeve: ”Shikoni zemrat dhe shpirtrat, a ka vend të vendosi apo të varë/ pak Shqipëri?/ Që të mund ta ndiejmë të gjithë?/ Zemra më çon përditë atje/”
Në vargjet e vëllimit “Ndjenjë Perëndie”skalitet me daltë të artë historia tragjike e kombit shqiptar. Filtri historik me të cilin poetja përimton gjendjet e trazuara shpirtërore janë dëshmi të gjalla të kohëve të rënda nëpër të cilat shqiptari ka vuajtur ndër shekuj, duke bërë fli bijtë e tij më të mirë, heronjtë, imazhin e të të cilëve e kërkon sërish duke i thirrur nga largësitë për rikthim:
Ka njëqind njëmijë vjet/ Që presim kthimin e tij/…/ Gjarpëri ende na e përthekon trupin…/ …/Plagës sonë të rëndë/ I duhet dritë e diellit tuaj/ Eja para se vdekja të na sjellë tek ti … (Dedë Gjo Lulit, fq.53)
George Fred Uilliams, më 1914 do të shkruante: është tragjedi e madhe tej çdo përfytyrimi që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandal i qytetërimit evropian. Nuk është për t`u çuditur që pushtuesi otoman ndalonte çfarëdo lloj gërmimesh në tokën shqiptare që mund t’i kujtonin popullit lavdinë e tij të dikurshme.5
Zbathur e mbathur eci për ta kapërcyer veten/ majat e dëshpërimit për t’i mundur/…/Gjersa bijtë e shqipes përplasen/ Logjeve të përgatitura pas shpinë/ Mua me dridhet buza e shpirtit/ fushën e të cilit e qëllojnë rrufetë /…/ ndërsa koha ecën si brenda dhe jashtë/ me opinga në këmbë dhe këpucë në kokë/ Rrugët e atdheut mëton t’i bashkojë (Zbathur apo mbathur, fq.55-56)
Mbinjeriu për të cilin u orvat Niçja, apo trajtat e të cilit ravijëzoi Migjeni, rikthehen në poezinë e Rita Saliut në formën e lutjes hyjnore për ardhjen e një Mesie, shpëtimtarit të botës:
Enigmat na mbulojnë si retë shterpe/ të ditëve të errëta/ sëmundja është e rëndë/ Lutem të lindet një shpëtimtar (Thonë, fq.58)
Heronjtë e të shkuarës që autorja thërret në jerm, luftëtarët e trimat ndër shekuj, do të kthehen në vargjet e Ritës në një trup e shpirt të vetëm, tek një shpëtimtar: Lindja është rikthim, lidhorja e foljes të lindet ekuivalenton me lidhoren e foljes të kthehet.
…dhe thanë: “ Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jesus që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell” (Veprat e apostujve, 1:11)
Rita Saliu evokon të kaluarën e lavdishme përmes vargjeve, heronjtë, lutet përmes lotëve të shpirtit për të tashmen dhe kërkon rikthimin e heronjve si Mesia, për të shëruar të ardhmen. Lutem të lindet një shpëtimtar– nënkupton-të rikthehet shpëtimtari/ shpëtimtarët, heronjtë!____________________________________________________________
5 Williams-George-Fred, https://history.state.gov/…,/ PREJARDHJA E SHQIPTARËVE, 1914
… dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha. Ata i thanë:” O grua pse po qan” Ajo u përgjigj atyre: “ Sepse e kanë hequr Zotin Tim dhe nuk e di ku e kanë vënë ” (Gjoni 20:12,13)
Që në titull e kryetërthor gjithë vëllimit poetit, vihet re lidhja e ngushtë me fuqinë supreme, lutja e vazhdueshme Zotit:
E shtrenjta Toka ime/ Ti je dashuria e vetme/ e dërguar nga Zoti /…/ Ti je e vetmja dhuratë/ dërguar nga Zoti/…/ Të qofsha falë, O Zot! (Ndjenjë Perëndie, fq.3)
Çdo ditë i lutem Zotit/ në gjuhën që njeh bota/ Në gjuhën e perëndive (Lutja, fq.10)
Ju luta Zotit të më dhuronte/ Një mëngjes të tillë edhe në Dardani (Mëngjes në mërgim, fq.13)
Sëmundja është e rëndë/ lutem të lindet një shpëtimtar: (Thonë, fq.58)
Shi dashurie ka rënë për ne/ vetëm 5 minuta/ sa për të njomur kujtimin për Zotin (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75)
Autorja nuk bie aspak në pesimizëm kur thotë: Shpresën e sëmurë na e prenë me shpatë/ (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75) apo: Numëronim arkivolet e drunjta/ që bartnin për në varreza/ një pjesë tonën. (Njësoj, fq.47)
Portreti shpirtëror i kombit në vargjet e Rita Saliut, gjithnjë paraqitet me nje pjesë të gjallë dhe një pjesë të vdekur. Është si një lloj drite që mbulohet pjesërisht nga errësira dhe një lloj errësirë që përflaket hera-herës nga drita. Ky dualizim i cili e ka shoqëruar kombin shqiptar pashmangshmërisht ndër shekuj, paraqitet më një realizëm therës absurd në thjeshtësinë gjeometrike të vargut, kur poetja, ngre gishtin tregues drejt vdekjes, nis numërimin dhe vetërrëfehet: Numëronim arkivolet e drunjta/ që bartnin për në varreza/ një pjesë tonën…
Po t’i referohemi periudhës bashkëhore të ekzistencializmit mbi çështjen e besimit në vetvete, do të shohim se Marrëdhënia midis Zotit dhe individit është një përvojë unike e subjektive.(…)Vetëm një akt besimi mund ta sigurojë individin ekzistues për lidhjen e tij vetjake me Zotin. Që ai duhet të gjejë vetërealizimin e tij tek Zoti, kjo gjë bëhet e qartë për njeriun kur ai zbulon pamjaftueshmërinë e ekzistencës së tij.(…)
Sipas Kirkegard e vetmja mënyrë për të kapërcyer hapësirën midis njeriut dhe Zotit, atë dallim të pafund cilësor midis kohës dhe përjetësisë, është nëpërmjet besimit. 6
gjumin tim/… ma vodhi trishtimi / Pasi pashë kullën/ Ma kishin rrethuar ujqit…/…/ Ankthi për të ndihmuar tokën mëmë e risjell Prishtinën afër shpirtit të poetes: ky nuk është një lloj ankthi apatik që të çon në mosveprim, përkundrazi: Këtu në ferrin tonë/ nuk di si të ndihmoj/ Lisat janë tharë e braktisur/ midis tyre do të mbijë fara/ sikur të rilindin të pavdekshmit (Këtu, fq.34)
Po sipas Kirkegard, pavdekshmëria mbetet interesi më i flaktë i subjektivitetit, ku për hir të objektivitetit, njeriu e injoron interesin rregullisht. Pra, sipas kësaj teorie pavdekshmëria është zhvillimi më i lartë i subjektivitetit.
________________________________________________________________________________________________
Si në këngë mëshire pyesin/- a gjetët sot punë?/ Ç’ka bëtë sot për nënën e largët?/…/… Dhe më bëhet se jam në Prishtinë (Mallëngjim, fq. 67-68)
Ç’ka bëtë sot për nënën e largët? /…/… kjo pyetje, ky ankth, e ka munduar ndër vite çdo shqiptar të vërtetë, aq sa shpesh janë habitur e befasuar edhe të huajt me solidaritetin, shpirtdhembushurinë ndaj vëllezërve të të njëjtit gjak: Shfletojmë historinë:
Në trupin diplomatic të shtetit shqiptar në Argjentinë, në vitin’81, janë dhënë disa mendime nga ambasadorët e Austrisë, Greqisë, Algjërisë, Turqisë, Belgjikës, Meksikës etj. Disa prej tyre do të shtronin pyetjen: Ku e gjen forcën Shqipëria që i përgjigjet flak më flak’ dhe me forcë Jugosllavisë, tani që nuk ka mbështetjen e asnjë fuqie të madhe?8 Diplomatë të ndryshëm në vazhdim kishin vënë në dukje se mbështetja që Shqipëria i bën kërkesës së parashtruar nga populli i Kosovës është e drejtë.
Dhe kështu më shumë kundër se pro, më shumë lakmitare se dashamirës, e kanë përgjakur, shtrydhur, zvetënuar, historinë e të parëve të këtij populli liridashës në trojet e veta të kahhershme. Por, këto krime… që i vulos lufta më barbare e më e përgjakur që i ngjason luftërave të mesjetës, “këto nuk janë vetëm përroskat e gjakut në një anë, por edhe trupat e shprishur të të vrarëve, fëmijëve të pafajshëm, grave dhe të pafuqishmëve të popullit të Serbisë së vjetër (Kosovës, Maqedonisë, Sanxhakut e deri në Nish, f.xh.), faji i vetëm i tyre që është se i luten një Zoti tjetër, e flasin një gjuhë tjetër e mbajnë një emër tjetër dhe jetojnë në vatrat e veta shekullore… Këto krime të pafalshme nuk janë vepra të individëve nga urrejtja e tyre vetjake, por pjesë përbërëse e politikës nacionale të Serbisë, me një bindje kriminale që nëse e zhbëjmë këtë botë të pafajshme (shqiptarët pra, f.xh.) do ta heqim qafe armikun me të cilin në të ardhmen do të kemi problem” do të shprehej Tucoviq, (1881-1914) humanisti serb që kundërshtoi mizoritë ndaj popullit shqiptar dhe luftës për mbrojtjen e të drejtave universale njerëzore.9
Rita Saliu kujton me nderim figurat që dhanë dritë për kombin me punën e tyre: largimin e netëve të zeza, mjegullave, ardhjen e lirisë:
…/ Me bardhësi shkruante historinë/ Për të mundur natën kob të zezë/ Mjegullën për ta përzënë horizonteve/…/ Dhe shpirt i shqipes ishte në secilën stinë…/ S’e përkulën stuhitë/ as furtuna e kuqe s’e plandosi dot/ me një kryq të thyer në gjoksin e djegur/…/… erdhi deri te kjo kohë lirie. (Kalorës i bardhësive, Prof. Mark Krasniqit, fq.69)
Poetja ndien dhembje dhe krenari, për ikjen e hershme të poetit Ali Podrimja, Kudo në tokën që e rriti/ ka rënë dhimbja si nata e zezë/…/ për të dalë nga pylli i zi i mërzisë/ ……Vetëm ai nuk rrëzohej kurrë/…/edhe kur bënte mot i lig/ edhe kur binin rrufetë (fq.71-72)
Në filtrin e persiatjeve historike, poetja përmes dëshpërimit të thellë kujton Gogotën, gjakun që u derdh: Deri në asht zhveshim dëshpërimin/…/ shpresën e sëmurë na e prënë me shpatë/ Në Golgotën që ndërtuam për kohën e sëmurë/…/derisa koha e paturpshme pret shiun e gjakut tonë të bie/…./
Pohimi dhe pranim i heshtur i dhimbjes në tokë të huaj: Duket se shi dashurie ka rënë për ne / vetëm 5-minuta/ sa për të njomur kujtimin për Zotin/…/… në një fushë të huaj (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75)
_________________________________________________
Shpirti poetik ngërthehet fort pas trupit, duke e detyruar ta shkundë dhimbjen personale, te veshë zhgunën e rëndë të dhimbjes së kombit, ta mbartë atë zvarrë mbi supe, duke u përpjekur ta degdisë në humnerat e thella të së shkuarës, për të hedhur dritë në tunenet ku e ardhmja, se s’bën do të agojë: Rozhaja…/ është ende e njomë/ se frymon e rritet me frymën e vet… (Degë e këputur, fq.78)
Poetja portretizon flamurin mbarëkombëtar të Shqipërisë Etnike. Ky nyjëtim gjeografik brenda krejt hapësirës eteriko- subkonshienciale përfshin në kohë e në hapësirë, vetëdijen, universin simbolik të lirisë së shqiptarëve në shekuj:
Të ëmbël të gjej në Prishtinë/ më të bukur të takoj në Vlorë/…/ashtin e kujtimeve duke ma veshë me buzëqeshje/si me fustan të ri/…/ se pa ty më vret vetmia/ siç vret rrufeja një rrap të vetëm në fushë…(një e djeshme e afërt, flamurit, fq.80-81)
Risjellim në kujtesë fakte historike: Në marrëveshjen afatshkurtër të Mukjes (…) në formulimin që përmend kufijtë e vitit 1913, u zëvendësua me shprehjen “Për Shqipërine Etnike”. Në dokumentin përfundimtar nuk u përmend fjala Kosovë, por Shqipëri Etnike, dhe veç kësaj kjo të parashtrohej me dy-tre rreshta, tue e mbështetë në hartën e Atlantikut. 10
Është në subkoshiencën e çdo shqiptari të vërtetë ëndrra e brishtë e njësimit të trojeve të të parëve, trojeve Ilire, pjesët dërrmuese të të cilave kanë rënë pre e sulmeve të lakmive të të huajve.
“O, i njoh mirë unë shqiptarët”-u hodh e tha një zonjë, “janë ca njerëz të çuditshëm me sy të kuq e flokë të bardhë”11
(në anglisht përdoret fjala “albino*, që do të thotë abrash dhe prandaj trajtën angleze “albanians” për shqiptarët ajo grua e ngatërron me “albino”)
Mirëpo, Edith Durham, bashkëqytetare e zonjës në fjalë, do të shprehej për shqiptarët e veriut: Jeta e njeriut është e lirë, shumë e lirë. I thatë e i thantë, gjithë muskuj të fortë dhe i shkathët si panterë, shqiptari ecën me hap të gjatë e të lehtë, pa bërë zhurmë, sepse në këmbë ka opinga lëkure të lehtë, të cilat u puthiten shkëmbit, kur ai ngjitet lart… 12 Në imazhin e saj shqiptari ishte një krijesë që i donte majat, lartësitë, që ngjitej gjithnjë lart! Aty ku fle liria!
Emri Albanian që përdorin anglezët për shqiptarët vjen nga emri i një fisi ilir, Albanët, me të cilin lidhet edhe trajta “Arbërit”. Ndërsa emri “shqiptarë nuk lidhet me shqiponjën, por me ndajfoljen “shqip”, që gjatë mesjetës së vonë nisi të shënontë gjuhën shqipe e më pas edhe popullsinë që e flet këtë gjuhë. Nga kjo rrënjë vjen si emërtimi i shqiptarëve, ashtu edhe i vendit të tyre, Shqipërisë.
Vijojmë me konstatime filozofike në dialogjet dhe ngërçet me vetveten, mbi mallin, dhimbjen, këngën e nënës andej nga parajsa, si për të mbuluar me një garniturë të hollë drite, tragjizmin e brengës së popullit më të lashtë të Ballkanit: Çdo mëngjes në drekë, në darkë/ më lag shiu i dëshpërimit/ pse s’arritëm të jemi gjithmonë në atdhe/ të peshonim sa guri në vend të vet (Sonte me lag shiu i kujtimeve, fq.82) Më tej: Dëshirat, ëndrrat, ankthi/ na pështillen rreth qafe/ si gjarpri…/…/mërgimi na merr pas vetes e na nxjerr në breg mbuluar me dhembje… (Sot e gjithmone, fq.86) Si edhe: Të ikë gjumi nga ngërçet e natës/ këtu do rri dhe pak/ për të qenë gjallë/ të dëgjoj këngën e nënës /andej nga parajsa…(Ëndërr dritëruese, fq.89)
63- poezitë e vëllimit “Ndjenjë Perëndie” të poetes dhe humanistes Rita Saliu janë 63-pika gjaku të derdhura nga shpirti për atdheun e të parëve, duke përflakur kujtimin e të rënëve, mallin dhe dhimbjen, dashurinë hyjnore për Dardaninë ilirike. Në çdo varg skalitet më daltën e artë të dritës portreti i Kosovës, Zonjës së rëndë Dardane dhe i bijve të saj të cilët, as rrufetë dhe as plumbat e hasmit nuk i mposhtën dot. Filtri historik i kohëve të rënda brenda absurdit të fateve tragjike të kombit, përndrit për më se një shekull luftën, të rënët, shpërnguljet, mallin, ashtin, lirinë dhe antihumanizmin famëkeq të dyndjeve barbare të kohërave moderne mbi popullin liridashës shqiptar, si edhe vuajtjet e vazhdueshme të heroit lirik, (amaneti i patretur i të parëve të mërguar), për të sendërtuar ëndrrën mbi Të.
Besoj se edhe këtu në mërgim / Do ta sendërtoj ëndrrën për të. ( Ç’është kjo?, fq.50)
Vargjet e poetes kanë zë të lartë dhe pyesin se cila është e ardhmja e këtij Dheu 13.
13 Musa Jupulli, Paris, Rita Saliu, NDJENJË PERËNDIE, po aty, fq.94
II- Rita Saliu, poetja që shëron trëndafilët e dhimbjes së atdheut/
Duke i lexuar poezitë e Rita Saliut bindesh, se në hapësirën tonë shpesh jeta ishte e qëndisur me pikla gjaku.-
(Ali Podrimja 14)/
Simbolika e Trëndafilëvë të Kuq në vargjet e Rita Saliut merr konotacione gjithëpërfshirëse brenda filtrit poetik të vëllimit “Ndjenjë Perëndie”.
Trëndafilat me shekuj kanë qenë pjesë e dhuratave dhe kanë simbolizuar apo shprehur ndjenja të ndryshme në komunitetet e mbarë botës, simbolika e tyre ka qenë në kombinimin e numrave edhe të ngjyrave.Trëndafilat e kuq janë simbol tradicional i dashurisë dhe një mënyrë e denjë për të të thënë “të dua”, dikujt të shtrenjtë për ty. Simbolika zgjerohet më tej me zbehjen e ngjyrave, si simbol i mirësisë dhe elegancës, pafajësinë dhe pastërtinë, i nderit, nderimit, kujtimit. Shpesh me energjinë e tyre flakëruese, janë mishërim i dëshirës, entuziazmit, pasionit, emocionit e romancës së zjarrtë.
Semantika e simboleve kryesore: Lulja, kulla, vatra vërehet si një trinom, konceptim polivalent i simbolit bazë – trëndafilit. Polisemantika e niveleve të kodit poetik të çon realisht në një sinkretizëm konceptimesh : Trëndafilët në thelb janë kopshti i virtyteve, i lumturisë, i ngadhnjimit. Nisur nga kjo, simbolika disashkallëshe e trëndafilit në vargjet e Ritës, nuk lidhet thjesht me përsosmërinë, mirësinë, bukurinë, ndriçimin e ndjenjës, arsyes, dëlirësinë, por me dhimbjen, pikëllimin, mallin, vuajtjen (e të vuajturit), brengën, pasi brenda këtij vëllimi, trëndafilët rriten në tokën e ftohtë dhe janë ende të paçelur.
Trëndafili evokohet shpeshherë drejtpërdrejt si simbol i shpirtit poetik : trëndafili është shpirti i trazuar poetik. Përgjithësisht në opozicionin midis jetës dhe vdekjes, ai dekodifikohet si shenjues i lirisë, por në krahun tjetër të përjetimit, ngërthen nëntekstin poetik të dhimbjes. Pra kjo kundërvënie kontekstuale jetë-vdekje; liri-dhimbje; midis tyre do të forconte marrëdhënien midis dashurisë për atdheun e të parëve dhe mallit për vatrën, kullën, duke bartur konceptet humaniste të idealit poetik, të përmbysjes, kundërvënies, e në kahun tjetër, të shpresës për ardhmërinë e ndritur të kombit: Polisemantika e trëndafilit të Rita Saliut, përftohet mbi bazën e sinkretizmit filozofiko – estetik; bart kumte të shpresës, ëndrrës, jetës së lirë të popullit shqiptar në trojet e të parëve të vet. Trëndafili nuk shfaqet si shenjues i së bukurës, i ditëve të lumtura, i haresë, gëzimit, dritës. Trëndafili paraqitet në raporte opozicionale, si marrëdhënie midis luftës dhe paqes: Në këto kontekste polidimensionale, trëndafili merr vlerë të fortë simbolike unikale, ndaj strukturat poetike ku mbruhen idetë poetike, paraqiten të ngarkuara emocionalisht. Nyjëtuar sipas këtij pikëvështrimi trëndafili nuk shfaqet thjesht si simbol i mirësisë njerëzore që është e mundur të të shpjerë te shkalla e përsosmërisë në trajtën e lumturisë, por: si detyrë, obligim kombëtar, patriotik, e vetëflijues, ku shkrihet e shkuara, historia e kombit, e tashmja dhe ardhmëria në një trup e shpirt të vetëm, ashtu si kërcelli më rrënjën:
____________________________________________________________________
Dua t’i shoh trëndafilat/ me rrënjët thellë në token e vet… (Sa dua të jem atje,fq.16) – klith poetja!
Rrënja (thellë në tokë), e shkuara (e padukshmja vizualisht) – shpirti. T’i shoh trëndafilat (e dukshmja, trupi, dëshira për ta parë kombin të lumtur).
Trëndafili në simbolikën e Rita Saliut, e kapërcen nocionin e simbolit estetik dekorativ duke qenë i ngërthyer në konceptime filozofike që janë të lidhura me vertikalitetin e kodit poetik bashkëkohor, me thellësinë e mistikës së filozofisë së tij.
Poetja di të konvertojë konvencialitetin, figuracionin dhe fjalorin e poezisë folklorike, (rrafsh domethëniesh i kapërcyer në nivel bërthamash konotative), në një ligjërim të përsosur simbolik të vargut modern. Trëndafili së bashku me kullën shkrihen në organizimet lirike duke u bërë bosht në krijimin e simbolikës filozofike. Ai përfshihet në konceptimet e jetës, vdekjes dhe të kohës të cilat janë jo thjesht si ndikim i misticizmit të traditës gojore dhe të burimeve filozofike të saj, por dhe si tipar unikal i poezisë. Trëndafili si simbol artistik rimodelohet në poezinë e Ritës në përqasjet midis jetës dhe vdekjes në funksion të “triumfit, ngadhnjimit mbi të djeshmen e rëndë të jetës së kombit”. Trëndafili rimodelohet në një tjetër trajtë;
- në trajtën e qershive të mallit për atdheun: Qershitë piqen edhe në zemrën time/…/ para se malli të më bëjë shkrumb (Kur vjen qershori, fq.44)
- Shkaku për pasojen: trëndafil- analogjikisht pranverë: Atje ku pranvera u kthye në këngë (Lërmë të shkoj në Dardani, fq.52)
- Zjarr malli, rrëzim e ngritje, rrënjë e degë dy mijë vjeçare, amanet për t’i ruajtur e rritur: Tash e një shekull/ tash e dymijë vjet/ rrënjët për t’i ruajtur, degët për t’i rritur (“Dielli” dhe “Vatra”, fq.64)
- në trajtën e pemës së lashtë të lavdisë, ku degët rëndohen nga lotët e nënës: Kur te pema e lashtë takoja lavdinë/ dhe pastroja sytë me lotët e nënës (Pejzazh, fq.14)
Në përsiatjet filozofike trëndafili nuk shfaqet thjesht si simboli në kërkim të lumturisë shpirtërore individuale. Trëndafili simbolizon përsosmërinë, ndërsa rrënja tek ai është pragu i fundit tokësor në shkallën qiellore (kërcelli, trungu), për të arritur tek përsosmëria, gjuha e Perëndisë, Zoti. Po të thellohemi në mistikën e trëndafilit, trëndafil i paçelur (stinë e ftohtë-Toka) dhe analogjikisht trëndafil i çelur (Kopshti i parajsës, Qielli, Zoti) si simbol metafizik, bartës të së fshehtës së tharmit ngjizës: Zot-Njeri. Analogjikisht na vjen ndër mend panteizmi naimjan i cili e sheh zotin të shkrirë kudo dhe i shërben konceptit të shkrirjes në gjithësi me sublimen, madhështinë e krijuesit, modelin simbolik të parajsës- trëndafilishtë të poetit e cila, estetikisht shëmbëllen shkrirjen e parajsës hyjnore me atë tokësore. Ndërsa, po t’i referohemi Kantikut të Kantikëve hyjmë fare lehtë në parajsën e luleve, trëndafilit, zambakut, arave me grurë dhe të vreshtave e kopshteve me shegë e mollë, gazelave e kaprojve, të bukurisë fizike dhe shpirtërore të dy të dashuruarve në malet e aromave.
Kënaqësia ime është përmua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit. (1:14)
Unë jam trëndafili i sharonit, zambaku i luginave (2:1)
Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave (2:2)
I dashuri im është imi, edhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve (2:16)
Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjakë të gazelave, që kullosin midis zambakëve. (4:5)
Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte… bimë…kanellë, temjan… aloe. Ti je një burim lulishtesh, pus ujërash të freskëta (4:13, 14,15)
Shokë hani, pini, po dehuni, o të dashur (5:1)
Buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët (5:13)
Barku yt është tog gruri, i rrethuar nga zambakë (7:2)
Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës…qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve (7:7,8)
… se vreshti ka lëshuar lastarë…, nëse kanë çelur lulet e tij dhe nëse shegët kanë lulëzuar…(7:12)
Të kam zgjuar nën mollën ku nëna jote të ka lindur, të ka nxjerrë në dritë. (8:5)
Hyra në kopshtin tim… o nusja ime, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim.
Në vargjet e Rita Saliut, trëndafili i sharonit biblik, vera e mjalti, zambaku i luginave, pusi i ujërave, gazelat, mjalti, vera, qumështi, janë shëmbëlltyrë e përthyer kontrastuese e trëndafilëve të kuq të paçelur, gonxhes që pret të çelë, kopshteve të venitura, mungesë e dukshme lulesh, luleborash, zambakësh, lulesh janari, zogjsh, buzë lumbardhit, Valbonës, Ibrit, qershish, humnerash e lugje malesh, tokë e blertë e përflakur, qiell e arenë flakësh, pasione engjëjsh, kurorë ullinjsh, fije bari, shegë në vjeshtë, gotë vere e papirë, lisa të tharë, rrape të moçëm të vrarë nga rrufetë:
Çel o luleborë/ago dhe ti o dritë (Sot bora më ngrin, fq.6)
…një lule në verandë…/ lule që frymojnë shqip (Kuptim I mëmëdheut, fq.8)
… një tufë lule të venitura ankohen…(Lutja, fq.10)
Ata duhet t’i lini të lirë si zogjtë (Luftëtarët e lirisë, fq.11)
Gonxhe që pret të çelë/ fushave të blerta të lirisë (Mallëngjim, fq.67)
Vetëm në një fushë të huaj/ ku gurë nuk ka, po s’ka as lule. (Vegim, fq.750
Me zjarr të kuq e flakë të zeza/binin mbi tokën time të blertë (Kalorës i bardhësive, fq.69)
Buzë lumbardhit zgjohet qyteti/ te gurra në marash një zog këndonte (Peisazh, fq.14)
Ajo (dashuria) Mbin livadheve të shpirtit (Dashuria… fq.15)
Dua t’i shoh trëndafilët/ e lulëzuar… (Sa dua të jem atje, fq.16)
Pranverën të na e përtërij, bukurinë me lule Janari/…/ As dashuria, as kujtimi që ruan dhembjen/ s’i bën të çelin trëndafilët e kuq (J.G, fq.19)
Shpirti im është krijuar/ për të dashuruar /me pasionin e engjëjve (Gjithmonë, fq.28)
Kurorën e ullinjve kërkova/ lulet e freskëta/…/ t’i mbledhim shegët në vjeshtë /…/ përkedhela çdo mur e gur/ çdo fije bari/…/Tok këndova bashku me ju/me një gotë verë të papirë…(Ballëdjersiturit, fq.30)
Lisat janë tharë e braktisur (Këtu, fq.34)
Pa ty më vret vetmia/ siç vret rrufeja një rrap të vetëm në fushë (Një e djeshme…, fq.81)
Lulet e kuqe të flamurit/zambak i bardhë i dashurisë
Do të bëjmë dasëm të madhe…/…/ do të shihemi te porta e luleve…/takohemi te lumi Valbona (Shihemi…, fq.43)
Qershitë piqen dhe në zemrën time/…/ para se malli të më bëjë shkrumb (Kur vjen qershori, fq.44)
Ibri rrjedh vaitueshëm/…/ujitë lulet e mallit (Te ura e Ibrit, fq.48)
Ngjyra e kuqe e trëndafilëve biblikë është zjarr, pasion, dashuri, lumturi, ngjyra e kuqe e trëndafilëve të Ritës është Odiseja e kombit shqiptar, e stërpikur me gjak. Kërkoj liri shpirtërore/ Odise Kombëtar/ me mund e gjak, (Metropleve të botës, fq.37) – konstaton poetja.
Dhëndurët e nuseve në vargjet e Rita Saliut, shtatderdhur e të bukur si në Këngët e Solomonit biblik, kthehen nga beteja me gjoks e ballë të përgjakur, në dorë mbajnë zemrën e plagosur tek i prijnë krushqve…
Gratë e fshatit habiteshin/ duke shikuar nëpër bira të gardhit/sytë e tyrë të shqiponjës/ shtatin e tyre të derdhur/ harronin kurorat, harronin fëmijët në djep/…kuleçët e nuseve i merrnin fëmijët/ si rrotat i rrokullisnin nëpër pluhur/…/ trimat ktheheshin nga betetjat/ pa ja kthyer kujt shpinën/ me gjokse e ballë të përgjakur/ në duar mbanin zemrat e plagosura… (Dikur, fq.38-39)
Shpirtin e të dashuruarve biblikë e godet zjarri i dashurisë, shpirtin e poetes e godasin rrufetë:
… derisa mbështetem te rrapi i moçëm i shpresës/ Mua më dridhet buza e shpirtit/ fushën e të cilit e qëllojnë rrufetë (Zbathur…, fq.55)
Mbërritja në nivelin e përsosmërisë si qëllim i ndriçimit filozofik. Shkak bëhet vuajtja, vetësakrifikimi: Dashuri e përsosur /është ajo që nuk na le/ të jemi të lumtur (Dashuri e përsosur, fq.61)
Në kantikun biblik, parajsa është qiellore, hyjnore tek imazhi i lumturisë së nuses dhe dhëndrrit, ndërsa në vargjet e Ritës parajsa tokësore përflaket veç në ëndërr me imazhin e nënës:
… të dëgjoj këngën e nënës/ andej nga parajsa/ më puthi në ëndërr…(Ëndërr, fq.89)
Ngjashmëria është misioni atdhetar, patriotik: Ajo: Unë ju lutem shumë o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë t’i thoni? I thoni që jam sëmurë nga dashuria. Çfarë ka më tepër i dashuri yt, se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, që përgjërohesh kështu? (5:8,9) Pikëllimi i ndarjes së dhëndrrit nga nusja: (Ai): Unë zbrita në kopshtin e arrave për të parë bimët e blerta të luginës, për të parë nëse hardhitë ishin në lulëzim dhe shegët kishin bulëzuar. Nuk e di se si, por dëshira ime më vuri mbi qerret e popullit tim fisnik (6:12, 13)
E unë jam shndërruar në lutje/ankth e ofshamë jam bërë/ drejt diellit e qiellit. (Pa titull, fq.22)
Shkak poetik i krijimit të modeleve në të cilat poetja bart këtë përpjekje për të synuar të pakapshmen, të paarritshmen, është Zoti :
Të qofsha falë o Zot, (Ndjenjë Perëndie)fq.4
Çdo ditë i lutem Zotit (Lutja, fq.4)
Ju luta Zotit/ të më dhuronte/ një mëngjes të tillë edhe në Dardani, ( Mëngjes në mërgim, fq.13)
Sytë e shpirtit dhe duart e zemrës/ kam drejtuar nga qielli, nga Zoti.(Pak diell lirie, fq.17)
Ankth e ofshamë jam bërë/ drejt qiellit e diellit (Pa titull, fq.23)
Këtu vemë re se Zoti është i pranishëm edhe në mungesë! Sa herë na vjen ndër mend Zoti ravijëzohet në mendje drita hyjnore, drita e përjetësisë e nyjëtuar në dritë shpirti, diell lirie, ajër në fluturim:
Sa dua të jetë sot ditë me diell (Kujtim takimi, fq.5)
T’u bëhet dritë, t’u shërojë plagët (Dashuri e përsosur, fq7)
Pak diell lirie… trimave (Sa dua të jem atje, fq.16)
Se vetëm atje për mua hëna bën dritë/ se për mua dielli vetëm atje lind…(Lermë të shkoj në Dardani, fq.51)
Duke pritur diellin dritëdhënës /…/ plagës sonë të rëndë/ I duhet dritë e diellit tuaj (Dedë Gjo Lulit , fq.53)
Derisa shekujve zgjat vajtimi/shpirti i bëhet dritë të mirës (Mendja, fq.57)
… të bëhem dritë t’u shëroj plagën, (Dashuri e përsosur, fq.61)
Kullë prej drite “dielli” (“Dielli” dhe “Vatra”, fq.63)
Me dritën e mendjes ta mundte errësirën e huaj (Kalorës i bardhësive, fq.69)
Diell bëhet, dritë u dhuron horizonteve (Degë e këputur, fq.79)
Dua të bëhem ajër/ të fluturoj bashkë me ty. (Një e djeshme e afërt, fq.80)
Ndjenja dhe sakrifica merr atributet e përjetësisë: Fuqitë magjike janë atribute që e veçojnë shpirtin si ritual, drejt komunikimit me Zotin, që siguron edhe pastrimin e individit, mbërritjen në nivelin sakral, të pastër. Në stukturën poetike përveçohet estetikisht “ekstrakti” purifikues, shpirti i sakrificës sublime: Trinomi Trëndafil- Zot- Parajsë:
Largohem në agim…/…/Një ndjenjë e furishmë më merr në tokë për në parajse/ shpirti im është krijuar për të dashuruar me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve (Gjithmonë, fq.28)
Apo: Do të ndërtoja një shtrat parajse (Në shtëpinë e pleqve, fq.60)
Shumëfishohen kështu dimensionet filozofike të kuptimeve të tyre. Trëndafili si kryesimbol, përçues i mendimit e i frymëzimit mistik, thërrmon mikroorganizmat poetike të cilat mbartin të fshehtën e së përjetshmes (rrënja), të komunikimit të botës së djeshme (varrit, vdekjes) me botën e sotme (të gjallët, shpresa).
Hijet dhe përthyerjet e dritës në brigjet konotative të simbolikës së trëndafilëve parë në vetvete: Nga poezia : Sa dua të jem atje
Dua t’i shoh trëndafilat/…/ me rrënjë thellë në tokën e vet/ duke sfiduar terrin e mërzisë/ këtë jetë të stërmunduar/ ta kthejnë në buzëqeshje/… Sa dua të jem atje/ ku me sy të blertë më përpin toka ime/…/ Sfidohem nga skena tmerri/…/ të moteve të këqija/ që nuk mbaruan as këtë shekull/…/ Midis njerëzve të mi/ Atdheut për t’ia hequr terrin/ Muzgjet për t’ia varrosur../ …/ Për hir të nënave zemërbardha/ mbuluar me pelerinën e zezë të robërisë/ Sytë e shpirtit dhe duart e zemrës kam drejtuar nga qielli, nga Zoti/ Për të gjallët lutem/ për të rënët nderim/ …/ Natë e ditë kacafytem/ me vdekjen e parakohshme/…/ Pak diell lirie duke na dhuruar/ Trimave që as tradhtia/ as vdekja s’i qëllon. ( fq.,17)
Trëndafili (me rrënjë thellë në tokë) – lashtësia, autoktonësia, autenticiteti i vlerave kombëtare: Rrënja-guri i themelit, pavdekësia; Trëndafili-përpjekje për të mposhtur terrin, stërmundimin e jetës, skenat tragjike, motet e rëndë;
Dua t’i shoh trëndafilat/…/ me rrënjë thellë në tokën e vet/ duke sfiduar terrin e mërzisë
- trëndafili -buzëqeshja, hapja e gonxhes që përpiqet t’ i buzëqeshë qiellit, jetës në vazhdim;
këtë jetë të stërmunduar/ ta kthejnë në buzëqeshje/… Sa dua të jem atje/ ku me sy të blertë më përpin toka ime/…/
- trëndafili- dëshira për heqjen e territ të atdheut, varrosjen e muzgjeve;
Sfidohem nga skena tmerri/…/ të moteve të këqija/ që nuk mbaruan as këtë shekull/…/ Midis njerëzve të mi/ Atdheut për t’ia hequr terrin/ Muzgjet për t’ia varrosur../ …/
- trëndafili, zemra e bardhë e nënave- anatemues i pelerinës së zezë të robërisë; …/ Për hir të nënave zemërbardha/ mbuluar me pelerinën e zezë të robërisë
- trëndafili – shkalla qiellore që bën lidhjen Njeri-Zot, petal i lutjes; Sytë e shpirtit dhe duart e zemrës kam drejtuar nga qielli, nga Zoti/ Për të gjallët lutem/ për të rënët nderim/ …/
- trëndafili – sakrifica për mohimin e natës, vdekjes së parakohshme; …/ Natë e ditë kacafytem/ me vdekjen e parakohshme/…/
- trëndafili – shpresa, malli i lirisë; /…/ pak diell lirie duke na dhuruar/
- trëndafili – përjetësia e lavdisë së heronjve që ranë për lirinë e atdheut. Trimave që as tradhtia/ as vdekja s’i qëllon
Siç e pamë edhe më lart, Simbolika e trëndafilit zgjerohet e përshkallëzohet me simbolikën e kullës, vatrës dhe me simbolikën e shamisë së bardhë të nënave:
Nënat nuk i lenë të qeta/s’u lënë shami të bardha në kokë/…/ njërk të vetvetes/ kemi mbetur/, larg kullës, larg vatrës/ që na pret brigjeve të dhembjes/…/ Si të ta jap fjalën/ as e gjallë, as e vdekur/ ende bën stinë e ftohtë/ s’i bën të çelin trëndafilët e kuq. (Jusuf Hërvallës, fq.18)
Trëndafil i paçelur– rreze shprese bllokuar nga retë në horizont. Shamia e bardhë (në mungesë) – dhimbja shpirtërore e nënave për bijtë e humbur;
Nënat nuk i lenë të qeta/s’u lënë shami të bardha në kokë
Kulla (largësia, malli), vatra, (largësia, malli)- breg i dhimbjes në stinë të ftohtë;
njërk të vetvetes/ kemi mbetur/, larg kullës, larg vatrës/ që na pret brigjeve të dhembjes/
Në pritje të çelin trëndafilët e kuq– në pritje të realizimit të ëndrrës, shpresës, (Bac’ u kry!) Si të ta jap fjalën/ as e gjallë, as e vdekur/ ende bën stinë e ftohtë/ s’i bën të çelin trëndafilët e kuq.
Përsiatjet filozofike rreth nomit të shndërrimit:
Këto janë lirika ku zhvillohen “përsiatjet rreth nomit të shndërrimit” (J.Bulo).15
Sipas këtij këndvështrimi analog, le të hedhim dritë mbi trajtat e shndërrimit të simbolit-bazë. Trëndafili shfaqet në një tjetër formë, si dru i moçëm, rrapi historik ku mbështetet shpresa, apo ku bien rrufetë, në ishullin e banuar me njerëz, nga ku: Liritë janë hyjnore-thotë poetja (Mendja, fq.57)
Eci për të kapërcyer vetveten/…/derisa mbështetem te rrapi i moçëm i shpresës (Zbathur apo mbathur, fq.55)
Vijojmë: se pa ty më vret vetmia/ siç vret rrufeja një rrap të vetëm në fushë (Një e djeshme e afërt, fq.81)
Simbolika e trëndafilit përcjell domethënien e shkrirjes së trupit me shpirtin, trëndafili bëhet përçues i tokësores dhe hyjnores, vdekjes dhe ringjalljes; përmes ngritjes, shkrirjes, mallit, baltës, dhe rilindjes sërish. Tashmë nga trëndafil në njeri, në forcë e zë njerëzor, human:
Jam çelur/ nga aty, shoh botën time (Kuptimi i mëmëdheut, fq.8)
_______________________________________________________________
15 Jorgo Bulo, TIPOLOGJIA E LIRIKËS SË NAIM FRASHËRIT, Akademia e Shkencave,Tiranë 1999
Nga trëndafil (i zverdhur) analogjikisht në: ditë të zverdhura, ikje në pakthim: Nuk di s’i ta filloj vajin/ për ditët e mia të zverdhura (Mbi supe, fq.24)
Zbritja në nivel tokësor të semantikës së trëndafilit si prirja e përgjithshme e strukturave poetike me vargje të lira, të thyera, konotative e filozofike, bën që tashmë të përgjithësohet lulja si simbol. Ajo shenjon bukurinë e paqes në përgjithësi, pranverën e jetës ( “lule në verandë”), por dhe të dhimbjes, dufit, gjakut, rrëzimit, vjeshtës ( “më bën të zverdhem”), e ringritjes përsëri më tjetër forcë(“por, përtokë nuk bie”), në mjaft raste duke krijuar marrëdhënie semantike kontrastuese, në pranëvënie të tilla si:
Forcë më jep një lule në verandë/lëvizja e petaleve imiton jetën/ edhe pse frymëmarrje e lodhur skamnorësh/ më bën të zverdhem/ dufin na akumulon, gjakun ma ngrit/ por përtokë nuk bie. (Kuptimi i mëmëdheut, fq.8)
Nuk ndosh si në trashëgiminë e lirikës popullore, poetja e risjell trëndafilin si desakralizim, një lloj çshenjtërimi e transformimi në simbol të dhimbjes, mallit, shpresës së munguar, që në fazën njomëzake shfaqet në trajtën e gonxhes, që pret… të çelë:
Gonxhe që pret të çelë/ fushave të blerta të lirisë/…/ derisa ujin ja përtërij me lot (Mallëngjim, fq. 67-68)
Me zjarr të kuq e flakë të zeza/binin mbi Tokën time të blertë (Kalorës i bardhësive, fq.69)
… Simbolika e këtyre luleve risjell të freskët trëndafilishtën biblike, e cila e ngritur në rrafshe kontrastuese gjithëpërfshirëse filozofike shpërfaqet si:
a-) Ruajtja e gjuhës amtare përtej oqeanit, gjuha e nënës, gjaku i të parëve: Lulja shndërrohet në gjuhë amtare: “me lule që frymëtojnë shqip”, fq.9
b-) përjetimi, ndjeshmëria e thellë e shpirtit poetic e cila kapërcen vetveten dhe tenton të shërojë dhimbjen kombëtare, mallin dhe betimin për një pllakë varri dhuruar: lulja shndërrohet në përjetim, qenie e gjallë: ”me lule përjetimi”, fq.9
c- ) historia, tragjizmi i popullit tonë ndër shekuj: lulja shndërrohet në gur ”me lule histori guri”(Kuptimi i mëmëdheut, fq.9)
d-) Në rrafsh kontekstual kontrastues trëndafili tashmë merr konotacione më të fuqishme, në mungesë. Pasi vendoset në kontrast me sfondin e errët:
lule e kuqe në kontrast me zambak i bardhë, brenda të njëjtit funksion poetik:
Lule e kuqe e flamurit/ zambak i bardhë i dashurisë… (Florës, fq.40)
Apo: Që këtë tymnajë, errësirë, kob, dëshpërim në kontrast me shpresë:
Që këtë tymnajë, errësirë, kob e shpresë/ që ka përmasat e dëshpërimit tim (Tollovi në metronë nervore, fq.66);
Vijon kundërvënia gur-lule: Vetëm në një fushë të huaj/ ku gurë nuk ka, po s’ka as lule (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75)
Më tej: Lule –kurorë lavdije e zezonës historike:
Me kurora lavdije të stolisura / me lule nga djersa e njeriut…(Zezonë e lavdishme, fq76)
e-) Pjesa për të tërën; degë e këputur, ende e njomë që rritet me frymën e vet: Rozhaja, krahina shqiptare e rrëmbyer nga malazezët gati një shekull më parë.
Rozhaja është degë imja e këputur/ e qëlluar nga sëpatë e lakmisë/ e ndarë nga trungu më i moçëm në këtë dhe/…/është ende e njomë/ se frymëton e rritet me frymën e vet (Degë e këputur, fq.78)
f-) Në strukturën e vargjeve poetike trëndafili përbën fillesën dhe lulja destinacionin final të familjes së madhe të llojit në vertikalen diakronike kuptimore; shpërthimet lirike marrin intimitet artistik, aty ku shpirti human, poeti- ndan çdo të fshehtë me shpirtin tjetër po kaq njerëzor, lulen; qajnë hallet bashkë, ankohen. Por zgjerimi i simbolit dhe më tej kthimi në simbol universal e individualizon formën e dialogut konfidencial, si karakteristikë e strukturës poetike të Ritës, duke i veshur kështu, funksione të tjera estetike e didaktike ku lulja simbolizon qetësimin prej vuajtjes, fashitjen e brengës, shërimin e plagës, nëntekst që rrjedh pas ankesës:
Pranë meje/ një tufë lule të venitura/ ankohen… (Lutja, fq.10)
g-) Përforcimi me simbolikë plotësuese kontekstuale. Shmangia enkas nga simbolika ktonike e gjarprit, gjallesë joktonike pa atributet e dikurshme totemike primitive, përforcimi me figurën e krokodilit. Gjarpri në këtë kontekst shenjon armikun, vdekjen, kërcënimin:
… trurin zemrën na kafshon/ e derdh lotë si krokodili/…/ Dëshirat, ëndrrat, ankthi/ na pështillen rreth qafe/ si gjarpri, mbret i frikës/ me gjakftohtësi dhembjen na dhuron (Sot e gjithmonë, fq.86)
Përmbysje e ritit dhe besimit popullor shqiptar: Ndër shqiptarët, gjarpri është i lidhur fort me shtëpinë dhe familjen. Ndaj, në rite e besime popullore shqiptare, gjarpri paraqitet si hyjni mbrojtëse e jetës, e mirëqenies dhe mbarësisë në familje.16
Ktonizmi i simbolit të diellit, si një stilizim abstrakt gjeometrikisht përjashtues, shumë original, (gjarpër e diell bashkë, njëri i nëmur, tjetri i shenjtë!): Gjarpri ende na e përthekon trupin/ gjersa kalojmë pranë hijes tënde/ duke pritur diellin dritëdhënës /(Dedë Gjo Lulit, fq.53)
Simbolika ktonike e diellit vazhdon të mbetet po njësoj e shenjtë, magjike, jetëdhënëse:
Se për mua Dielli vetëm atje lind (fq.51)…ofshamë drejt diellit, (fq.23), pak diell lirie, (fq.17), sot dielli lindi… (fq.13), Diell bëhet, dritë u dhuron horizonteve, (fq.78) kullë prej drite “Dielli, (fq.63”) ____________________________________________________________________________________
Sipas studiuesit Gj. Mano-Zisi,17 në shekujt e fundit të epokës para Krishtit, dhe në fillim të epokës sonë, tek ilirët, përveç ekzistimit të njësimit kulturor, mënyrës së jetesës, djegies në tumule apo varrimit, kemi edhe bashkimin e kultit ktonik dhe diellor. Bashkimi i këtyre dy kulteve mund të shpjegohet edhe me faktin se, sipas A. Stipçeviqit,18 gjarpri nuk ishte vetëm simbol ktonik, porse edhe simbol i plleshmërisë bimëtore dhe ishte i lidhur edhe me burimet e tjera të jetës siç ishte Dielli. Në Egjipt dhe në Greqi, gjarpri ndonjëherë paraqitet edhe si personifikim i Diellit. Për rrjedhojë, këto dy kulte të paraqitura së bashku, qoftë në formë të stilizimit abstrakt gjeometrik, apo në formë figurale – realiste,i hasim edhe te ballina e djepit të Rrafshit të Dukagjinit, pastaj tek nëntrari dhe shtylla qendrore e ballinës së hajatit.
Nëse trëndafili, ky simbol i përdorur që në mitologjinë greke: (Agimi gishtatrëndafili), në zanafillën biblike: Unë jam trëndafili i Sharonit, në poezinë popullore: Gushën që kam të vënë,/ trëndafil more me erë,/ e kam gjerdan të vënë,/ trëndafil me erë, e më pas në poezinë e kultivuar gjerësisht nga një mori autorësh. Vlen të përmendim Naim Frashërin, në analogji me poezinë popullore: (Trëndafil i kuq me erë/E di vallë sa të dua?) Ruajtja e këtij simboli edhe tek arbëreshët e Greqisë (në këngët e mbledhura nga C.H.Reinhold më 1855 (Trantafile fletëgjorë/ eja të të puth njëherë ); në këngët e mbledhura nga G.Hahn më 1854, në “Studime Shqiptare”: (As këndon, more birbil / Ndë një degë trëndafil / Thëllëzë krahëjeshil / Del ndë penxhere si yll). Semiotikani bashkëkohor Umberto Eko, në romanin Emri i Trëndafilit, më 1980 dhe një varg poetësh e shkrimtarësh modernë nga e gjithë bota që e kanë nyjëtuar seriozisht këtë simbol.
Puritanizmi gjuhësor e ndihmon poeten Rita Saliu për t’i dhënë krahë shpërthimeve lirike dhe prurjeve të reja duke përthyer e përmbysur imazhet poetike të mëparshme, nëpërmjet ngarkesës specifike të kodeve moderne, simbolikës së rifunksionalizuar në trajta dhe forma të papërsëritshme me tjetër ngarkesë, në funksion të cilësisë së purifikimit, humanizmit, të lidhjes së tij me shpirtin, parajsën, Zotin si edhe sinkretizmin e filozofisë së ndriçimit, të thellësisë së mistikës së komunikimit shpirtëror, nga ku, ky simbol kapërcen konceptet estetiko-didaktike dhe integrohet në ashtin filozofik e universal të vargjeve në vëllimin “ Ndjenjë Perëndie”.
Ne kemi ide, përpos tre lloj substancave: 1) Zotit, 2) Inteligjencave të fundme, 3) Trupave. ( Orig. We have the ideas but of three sorts of substances:1) God 2) Finite intelligences 3) Bodies )19______________________________________________________________________________
1 Rita Saliu, NDJENJË PERËNDIE, Saga, Prishtinë, 2014, fq.93 (gjithë citimet në vijim për efekt studimi janë marrë aty!)
2 Edith Durham, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT, 8-Nëntori, Tiranë 1991; Introdukte 1ss.
*Reginald Hibbert, FITORJA E HIDHUR, LUFTA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE, përktheu Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve 1991, London, N.Y, përktheu Xhevat Lloshi, fq.11
3 Historia e Luftës Antifashistë Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar 1939-1944, vëll.2, Janar1943, shtator 1943, Instituti i Studimeve Marksiste-leniniste pranë KQPPSH, Tiranë, 8- Nëntori 1986, fq. 118-119
4 Zekeria Cana, LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË KOSOVË 1908-1912, Rilindja, Prishtinë 1979
6 Samuel Enoch Stumpf, FILOZOFIA, HISTORIA DHE PROBLEMET, Periudha bashkëkohore, Ekzistencializmi, Toena, Tr., 449-450
7 Samuel Enoch Stumpf, FILOZOFIA, HISTORIA DHE PROBLEMET, Feja, Mbi jetën pas vdekjes, fq.230-231, Toena, Tr., 449-450
8 AMPJ, Viti 1981, dos.1140/1, fq. 100-102, Informacion nga Ambasadori Shqiptar në Buenos Aires, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tiranë, Qershor 1981
9 Dimitrije Tucoviq, Krvna osveta soldateske, Iz arbanskih pisama, KOHA DHE VEPRA, Rilindja, Prishtinë 1983, 334 pp
10 Faik Quku, QËNDRESA SHQIPTARE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE, fq. 253, 1,2 Ilar, Tiranë 2006
11 Edith Durham, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA, 8-Nëntrori, Tr.1991, fq,39
12 Po aty, fq.543
14 Rita Saliu, NDJENJË PERËNDIE, po aty, fq. 98
16 Mark Tirta, MITOLOGJIA NDËR SHQIPTARËT, Mitologjia ndër shqiptarët, Tiranë 2004, f. 145
17 Djordje Mano-Zisi, ANTIKA, Beograd/Zagreb/Mostar 1982, f.21.
18 Aleksandër Stipçeviq, SIMBOLET E KULTIT TE ILIRËT, Prishtinë 1983, f.60.
19 Rasiel Abelson, Marie Louise Friquegnon, Michael Lockëood, THE PHILOSOPHICAL IMAGIANTION, Soul and Self, John Locke , p.211
LITERATURË E KONSULTUAR:
Aleksandër Stipçeviq, SIMBOLET E KULTIT TE ILIRËT, Prishtinë 1983, f.60.
Butler, J., OF PERSONAL IDENTITY, In works, EDITED BY W.Gladstone, Oxford, Oxford University Press, 1986. A critique of the bundle theory and an argument for the soul of substance.
Bulo, Jorgo, TIPOLOGJIA E LIRIKËS SË NAIM FRASHËRIT, Akademia e Shkencave,Tiranë 1999
Descartes, R., MEDITATIONS, Translated by L.J.La fleur, Meditation II, New York, Liberal Art Press, 1960, Classic statement of dualism
Djordje Mano-Zisi, ANTIKA, Beograd/Zagreb/Mostar 1982.
Durham, Edith, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT, 8-Nëntori, Tiranë 1991
Edith Durham, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA, 8-Nëntrori, Tr.1991
Mark Tirta, MITOLOGJIA NDËR SHQIPTARËT, Mitologjia ndër Shqiptarët, Tiranë 2004
Penelhum, T., SURVIVAL AND DISEMBODIED EXISTENCE, New York, Humanities Press, 1969. A detailed criticism of dualism and survival after death.
Hibbert, Reginald, FITORJA E HIDHUR, LUFTA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE, përktheu Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve 1991, London, N.Y, përktheu Xhevat Lloshi
Quku, Faik, QËNDRESA SHQIPTARE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE, 1,2 Ilar, Tiranë 2006
Rasiel Abelson, Marie Louise Friquegnon, Michael Lockwood, THE PHILOSOPHICAL IMAGIANTION, Soul and Self, John Locke
Saliu, R., NDJENJË PERËNDIE, Saga, Prishtinë, 2014
Samuel Enoch Stumpf, FILOZOFIA, HISTORIA DHE PROBLEMET, Periudha bashkëkohore, Ekzistencializmi, Tr., Toena
Sartre, J.P., EXISTENCIALISM IS A HUMANISM, Translated by P.Mairet, London: Methuen, 1949. Deduces morality from the concept of self.
Tucoviq, Dimitrije, Krvna osveta soldateske, Iz arbanskih pisama, KOHA DHE VEPRA, Rilindja, Prishtinë 1983,
Zekeria Cana, LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË KOSOVË 1908-1912, Rilindja, Prishtinë 1979
Dr. Yllka FILIPI
16 Prill 2016, Monroe College, Bronx, New York, U.S.A