-Veprimtari përkujtimore në kishën shqiptare “Shën Trinia” në Boston, në nderim të jetës dhe veprës së Dritëro Agollit/
Nga Fuat Memelli/
Miqtë dhe dashamirësit e krijimtarisë së Dritëro Agollit, janë të shumtë: në Shqipëri, në trevat shqiptare si dhe në emigracion. Ato ditë të ndarjes së tij nga jeta si dhe ceremonisë së varrimit , ata që u ndodhën pranë, bënë ngushëllime në familje e në homazhet që u zhvilluan në nder të tij, hodhën një grusht dhe’ e vendosën një buqtë me lule te varri i tij. Ne, një grup miqsh e dashamirës të veprës së tij që jetojmë në Boston, na mbeti peng që nuk vendosëm dot një buqetë më lule .Në vend të buqetës , në nderim të jetës dhe veprës së tij, ne organizuam një veprimtari përkujtimore, në kishën shqiptare “Shën Trinia” në Boston.
-Le ta nderojmë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, figurën e shkrimtarit e patriotit të shquar, Dritëro Agolli, edhe ne shqiptarët e Amerikës. Vepra e tij na nxit për të punuar e për ta dashur më shumë Shqipërinë ,për ta dashur e mbajtur gjallë gjuhën e bukur shqipe, për ta dashur më shumë njëri-tjetrin. Ai ishte nga Menkulasi i Devollit por i përkiste gjithë Shqipërisë. Dritëroi ka mendime të thella e të bukura për jetën e për punën. Shpirti i tij prehet i qetë aty ku është , pasi e ka arritur qëllimin e jetës së vet: ka mijra e mijra njerëz që e duan dhe e lexojnë veprën e tij. Edhe ne jemi nxënës të Dritëroit. Këto ishin disa nga fjalët e Hirësisë së tij, Peshkop Ilia Ketrit, me origjinë nga Sinica e Devollit, por lindur, ritur e shkolluar në Amerikë e që e flet aq bukur gjuhën shqipe. Ilia Ketri, ishte edhe nismëtari e organizatori kryesor i kësaj veprimtarie.
Për jetën dhe veprën e Dritëro Agollit, foli ish pedagogu i letërsisë , Niko Dako.-Për gati gjysmë shekulli, jam” takuar” me Dritëro Agollin, gjatë viteve që jepja mësim gjuhën dhe letërsinë shqipe. Nuk jam takuar fizikisht, por jam “takuar” në orën e mësimit, kur u flisja nxënësve për veprën e tij. Ja që u “takova” përsëri edhe këtu në Boston, për t’i bërë një homazh jetës dhe veprës Agolliane. Këto ishin disa nga fjalët që tha në fillim të ligjëratës së tij, Niko Dakua. Më pas ai u ndal në disa momente kryesore të jetës dhe veprës së Agollit, duke theksuar se ai ka patur një krijimtari të begatë e të bukur në shumë fusha si në poezi, në tregime e romane, në drama,në përkëthime, etj. Ai theksoi edhe frymën e re që sollën në letërsinë shqipe, Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dhori Qirjazi, Naum Prifti, etj. Ndër të tjera analizoi edhe ”Poemë për babanë dhe për vete” të Dritëroit dhe solli disa vargje të saj:”Po ati im mbi plisa ecte/me shpirt të madhërishëm/dhe tokës shpirt i jepte/nga shpirti i çuditshëm/ nuk kishte syze dijetari/dhe rafte me defterë/po udhë i hapte shkencëtari/me nam edhe me vlerë…
Guri Stefani, recitoi plot pasion poezinë e bukur të Dritëroit ”Më prit se po vij shpejt” shkruar në vitin 1983, ku ndër të tjera, poeti thotë: nëse sëmundja vjen tek unë/ju mos më shpini në spital/më merni fshehur e pa zhurmë/më ngjitni lart diku në mal/ atje dyshek e shtrat nuk dua/dhe as çarçaf e as jorgan/por te një çezmë e te një krua/ më shtroni dushk e jargavan…
Dardhari Sotir Pani, solli disa kujtime të tij me Dritëroin.- E kam njohur prej vitesh Dritëroin dhe e kisha mik. Më njohu me të regjisori dardhar, Endri Keko, pasi ishin shokë e vinin së bashku edhe në Dardhë. Në bisedat që bënim, nuk flisnim për politikë por për letërsinë, për këngët, vallet e humorin e Devollit e sidomos atë të fshatit Baban, i cili shquhet për humor. Kur u bë tufëzimi i bagëtive, Dritëroi më tha mua si specialist blegtorie që isha: -Është gabim ky tufëzimi. Do t’i lerë fshatarët pa një lugë bulmet.-Mos folë me njeri tjetër kështu, i thashë unë, se do përfundosh pas hekurave. Dritëroi shquhej edhe për guximin e madh që kishte, vazhdoi Sotiri, që ariti kulmin në fjalën e tij në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës, ku i quajti anëtarët e partisë së vet ” të pandreqshëm e që u ka mbetur ora në vitin 1948”.
Autori i këtij shkrimi, u ndal në disa cilësi të veçanta të figurës së Dritëroit. Ai foli për thjeshtësinë e tij, i cili ishte ”njeri i rogozit” siç thotë populli, rinte me fshatarë e punëtorë e intelektualë, ndizte me ata një cigare, pinte raki e këndonte tok me ta. Më pas foli për humorin e Dritëroit, që spikaste në krijimtarinë e tij si dhe në jetën e përditëshme. Foli edhe për ndihmën që ai u ka dhënë shumë krijuesve që kishin “njolla” në biografi. Lexoi disa aforizma të Dritëroit , të cilat mendua t’i paraqesim veçan. E mbylli fjalën me epitafin e poetit:- Këtu prehet Dritëroi në gjumë/ Nën dhe’ si mëkatar dhe si poet/ Mëkate ndofta nuk do bëntë shumë/Sikur të mos kishtë qënë deputet.
Tepelenasi Sami Hajdini, i cili thur vjersha të bukura me motiv popullor, aty për aty shkroi disa vargje: Dritëroin s’e kam takuar kurrë/kam lexuar veprat e tij/ai ishte burrë mbi burrë/ ndaj s’do ta harrojmë kurrë/ai vend është flori/ që e mban atë në gji.
Në mbyllje të veprimtarisë, e cila u moderua nga Gjergji Nini, kryetar i bordit të kishës Shën Trinia, u çfaq një pjesë nga filmi dokumentar “Devolli-djepi që përkundi devollinjtë”, ku u dha intervista e plotë e Dritëroit. Në këtë intervistë, ai bën apel për ta dashur më shumë Devollin e devollinjtë, për të qënë të thjeshtë e për të ndihmuar fshatarët, për ta dashur më shumë Shqipërinë, atdheun tonë të shtrenjtë.
DISA AFORIZMA TË DRITËROIT
Oxhaku djeg drutë, goja djeg fjalët.
Rrënjët e gjuhës, zgjaten në zemër.
Arroganti e shqyen fjalën si ujku delen.
Ka gazeta tek ne që nuk janë të mbushura me shkronja, por me miza të ngordhura nga helmi i letrës së vetë gazetës.
Shpesh shtypi shpie ujë të ndotur në pemën e demokracisë. Atëherë demokracia është një lopë ku partitë grinden duke e mjelë.
Pluralizmi shqiptar-turmë bajraktarësh në grindje për marjen e kalasë.
Çdo vend ka dy letërsi: njëra që mer kredi nga populli dhe ia kthen me këste dhe tjetra që nuk i shlyen asnjë këst.
Idetë janë si femrat me barrë. Të kujdesemi mos dështojnë.