Shkruan prof.dr. Skender Asani/
Titulli i kësaj ekspozite E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR, është një lajtmotiv që ngërthen në vetvete udhëtimin nëpër kohë të gjithë filozofisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Tereze. Duke iu faleminderuar Don Lush Gjergjit i cili ishte një njohës dhe ndjekës i spikatur i veprimtarisë së shumanshme të Nënë Tereze, ne sot kemi edhe këtë fond fotografish të cilat ai i shoqëroi me intervista, reportazhe e shkrime të ndryshme autoriale që i botoi në librat e tij. Nëse zbërthejmë thënien e njohur NJË FOTOGRAFI VLEN SA NJË MIJË FJALË, mund të themi lirisht se edhe këto fotografi që sot i kemi para nesh, shprehin në vetvete linjat karakterologjike të një peronaliteti kompleks, siç ishte Nëna Tereze, me gjithë botën e saj të pasur shpirtërore që manifestohej me vepra konkrete dedikuar të sëmurve dhe të braktisurve.
Pasi ta kemi shikuar këtë ekspozitë dhe pasi t’i kemi mbyllur sytë për një çast, në shiritin e imagjinatës do të na duket sikur lëviz një tren i gjatë, fundi i të cilit nuk duket agjëkundi. Udhëtimi i pambarim i këtij treni vazhdon edhe sot, kurse në të ndodhet një udhëtare e cila pret e përcjell njerëz nga stacionet ndryshme të jetës. Ajo është Nëna Tereze, e cila udhëtimin e saj maratonik e filloi nga kalldërmet e Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe e vazhdoi në shtigjet e gjata të globit.
Ne që nderojmë kujtimin për të në qytetin e saj të lindjes, dhe në të gjitha qytetet ku emri dhe vepra e saj lartësohen, mundohemi të ruajmë disa nga thesaret e çmuara të trashëgimisë së saj jetësore, duke nxjerrë mësime dhe udhëzime që Nëna Tereze na i la si një testament i shtrenjtë.
Ajo çka mbetet për t’u shndërruar në doktrinë të njerëzimit sot, është urtësia dhe maturia me të cilën Nënë Tereza i qasej problemeve e mosmarrëveshjeve që shfaqeshin në vende të ndryshme të globit. Edhe një pjesë e fotografive të kësaj ekspozite dëshmojnë se Nënë Tereza nuk u mbyll në vetminë e saj, por përkundrazi udhëtoi gijithkund ku prositë dhe sugjerimet e saj merreshin shumë seriozisht nga liderë të ndryshëm botërorë, të cilët sa herë që ndodheshin në situata të ndërlikuara e konfliktuoze, kishin si udhërrëfim pikërisht urtësinë e N. Tereze.
Ajo për çka angazhohemi edhe ne si Institut, me gjithë veprimtarinë hulumtuese e shkencore të Departamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, ndëridhet pikërisht me filozofinë e kësaj doktrine paqësore të Nënës Tereze, e cila mund të aplikohet edhe sot, pasi që shumë shtete e popuj aktualisht nuk po mund të gjejnë forcë shpirtërore për të tejkaluar konfliktet dhe mosmarrëveshjet. Mjafton një rishikim i porosive largpamëse të Nënës Tereze, për të ardhur në përfundim se çmimi i paqës gjithmonë matet në peshoren e urtësisë, kurse Nëna Tereze mund të merret si një gurë peshoreje që vendos balance në mes të keqes dhe të mirës, në mes të dashurisë dhe urrejtjes, në mes të kaluarës së errët dhe të ardhmes së ndritshme.
Njerëzimi sot vuan edhe për mungesë të ushqimit dhe resurseve të ndryshme natyrore, por një sëmundje më e madhe nga e cila nuk po mundet të shërohet planeti ynë, është mungesa e dashurisë dhe ngrohtësisë njerëzore. Sa më tepër po lidhemi në rrjetin global të komunikmeve , aq më tepër po e shtojmë distancën familjare e miqësore nga njeri tjetri, sepse dimensioni material i njeriut modern ia ka zënë frymën dimensionit shpirtëror e human dhe për pasojë ne sot kemi shtim të depresionit dhe vetmisë tek njerëzit.
Por, megjithatë ka një shpresë që njerëzimi të shërohet nga ky kolaps shpirtëror, nëse në kurikulat shkollore fillon të zbatohet doktrina paqësore e Nënës Tereze.
Ne si Departament për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze shumë shpejt do të dalim me një nismë drejtuar Minitrisë së Arsimit dhe Shkencës, përmes së cilës do të donim të ofrojmë një pako edukative-pedagogjike me mësime, këshilla e përvoja jetësore të Nënë Tereze. Duke qenë pjesë fakultative e kurikulave arsimore, kjo pako edukative-pedagogjike do të mund të ndihmojë shumë në ventilimin shpirtëror të hapësirave tona të mbyllura mendore, pasi që Nëna Tereze me pashterrshmërinë e thesarit të saj njerëzor, human e paqësor duhet të na shërbejë si spirancë ku do të mund të lidheshin të gjitha varkat në ujërat e shqetësimeve tona.
Ju faleminderit për vëmendjen!
Shkup, 05 shtator 2022