Dr. Iris Halili/
“Funksioni i lidershipit është të prodhojë më shumë liderë, jo më shumë ndjekës.” Ralf Nader
Autorja e këtyre radhëve ka pasur fatin të jetë më 19 tetor të vitit 2004 në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, së bashku me delegacionin e shtetit shqiptar që merrte pjesë në Ceremoninë madhështore të organizuar nga Papa Gjon Pali II, për fillimin e lumturimit të Nënë Terezës. Për të qenë e sinqertë, asnjë moment i asaj ngjarjeje nuk më ka lënë më shumë mbresa sesa njohuritë që mora disa vite më vonë, e që e rreshtonin Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit, përkrah Gandit, Martin Luter Kingut dhe Mandelës, duke e konsideruar atë gjithashtu edhe gruan lider më të respektuar të të gjitha kohërave. Fakti që modeli i saj i drejtimit, frymëzimit dhe realizimit të misionit është kthyer në një model tipik në shkollat amerikane të lidershipit, më lumturoi shumë më tepër se procesi i përcaktimit të saj si Shenjt. Kjo pasi, për studiuesit amerikanë, roli fetar i Nënë Terezës bëhet shumë i papërfillshëm përballë misionit human dhe modelit shpirtëror që na përcjell ajo. Shumë njerëz mendojnë gabimisht se ajo ishte thjesht një murgeshë që kishte si mision të ndihmonte të varfrit dhe për këtë në vitin 1990 ndërtoi një organizatë me 4 000 misionare që operonin në qindra vende të botës, pikërisht Misionaret e Karitasit. Kjo organizatë filloi në Kalkuta dhe më pas u përhap në 450 qendra të botës. E vërteta është se përtej qëllimit kryesor praktik që ajo kishte për të ndihmuar më të varfrit, duke ju ofruar atyre shërbim total, misioni i saj kishte një qëllim akoma më vizionar dhe universal, edukimin e njerëzve me dashurinë për njëri-tjetrin, si e vetmja arsye që e bën jetën më të bukur.
Nënë Tereza është shënuar në literaturën e lidershipit perëndimor si lideri që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror të gjysmës së dytë të shekullit të 20, duke e cilësuar dashurinë njerëzore si të vetmen armë që sjell paqe dhe prosperitet. I gjithë misioni i saj ishte dhe mbeti i suksesshëm pasi ajo zgjodhi të drejtojë mes shembullit personal dhe u kthye në një shërbëtore të devotshme të më të varfërve. Modeli i saj i drejtimit më shumë se fetar mbeti human, më shumë se katolik mbeti universal, dhe më shumë se doktrinor mbeti ai i lirisë, ndihmës dhe dashurisë që falet sinqerisht pikërisht atje ku nuk pret asgjë si shpërblim. Në përcaktimin e Nënë Terezës si lider, të gjitha shkollat e lidershipit bien dakord se ideologjia që ka ndikuar më shumë në formimin dhe praktikën e saj ka qenë ajo e Jezu Krishtit. Nënë Tereza ishte një ndër dy bilion njerëzit që e identifikojnë veten si kristianë dhe e konsiderojnë Jezusin si liderin më të madh mes tyre. Jezusi mbahet jo vetëm si një model i liderit frymëzues, por edhe si lideri i parë i njerëzimit që tha dhe veproi sipas parimit: “Në fillim shërbe e pastaj lider”. Shkollarët e lidershipit mendojnë se modeli i liderit shërbëtor ka qenë kurora më e madhe dhe e merituar që i është vendosur Nënë Terezës.
Pavarësisht se lidershipi në shërbim, si teori, fillimisht u zhvillua në SHBA rreth viteve ’70 nga Greenleaf, të gjithë studiuesit bien dakord që i pari që ka folur për modelin e liderit shërbëtor ka qenë Jezu Krishti. Në librin e Mathew, Testamenti i Ri, Jezusi bën në fakt për herë të parë edhe përcaktimin e liderit: “kushdo që dëshiron të bëhet një lider duhet pikë së pari të bëhet një shërbëtor”. Në Bibël gjejmë gjithashtu shprehjen “kush dëshiron të bëhet më i shquari mes jush, së pari duhet të jetë një shërbëtor” (NIV Bibël, Mark 10:43). Nën këtë shembull, Jezusi përdor termin ‘shërbëtor’ si një sinonim të të qenit i shkëlqyer. Vetë Jezusi për të demonstruar fjalët e tij lau këmbët e dishepujve, në një ritual të vështirë për kohën, po të kihet parasysh ndotja e rrugëve dhe që njerëzit ecnin përgjithësisht zbathur. Duke aplikuar këtë shërbim, Jezusi pati shtuar: “Unë jam njeri mes jush që po shërbej’ (NIV Bible, Ungjilli sipas Lukës 22:27). Kur flasim për lider në shërbim apo shërbëtor, do të thotë pikë së pari për liderë që kanë qenë apo janë në gjendje të ndërtojnë apo drejtojnë institucione në shërbim, ku shpirti human, raportet njerëzore, dhe pozicionimi në shërbim të ndjekësve vihen në plan të parë. Greenleaf që në fillim të teorive të tij theksonte se tipari kryesor i liderit shërbëtor është morali i tij. Ai shprehet se autoriteti moral është një ndër tiparet kryesore që përcakton liderin shërbëtor, pasi ky autoritet prezanton edhe raportin reciprok mes liderit dhe ndjekësit. Në bërthamë të liderit shërbëtor, të dyja palët, si liderët dhe ndjekësit janë ndjekës, pasi ato së bashku ndjekin të vërtetën, ndjekin vlerat dhe vullnetarisht i besojnë njëri- tjetrit.
Në rastin e Nënë Terezës kjo është njëlloj sikur e kemi parë te Gandi, Martin Luter Kingu apo Mandela. Ata të katërt drejtuan dhe u imponuan mes autoritetit moral, pasi ata, në fakt, nuk patën kurrë pushtet. Sipas Pollard (1997), lideri i vërtetë nuk është ai që ka postin më të lartë, shpërblimet monetare më të larta apo ka qëndruar më gjatë në pushtet, por ai që ka shërbyer gjithmonë si model, ai që ka qenë gjithmonë gati të sakrifikojë apo të shërbejë, dhe që të gjithë aktivitetin e tij nuk e ka ushtruar që të promovojë veten, por të tjerët. Sot imazhi i Nënë Terezës është për të gjithë imazhi i një gruaje të përkulur mbi lebrosin, si dhe ai i një shenjtoreje që ka lënë kaq e kaq urtësi të shkruara. Ky imazh nuk përbën çudi për shkollat e lidershipit perëndimor që njohin afrinë e lidershipit shërbëtor me lidershipin moral, ndonëse sipas tyre, lideri shërbëtor është diçka më tej, pasi ai jo vetëm që shpreh moral të lartë, por gjithashtu imponon me shembullin personal. Sipas Greenleaf, baza e suksesit të liderit shërbëtor është aftësia për të demonstruar afërsi për këdo përreth. Liderin shërbëtor nuk e refuzon askush, por gjithkush e pranon dhe e ndjek. Nënë Tereza ka pasur dhe ka edhe sot një ndikim empatik shumë të rrënjosur. Njerëz të të gjitha besimeve e citojnë apo e sjellin atë si një model të përkryer, ndërsa skeptikët kanë mbetur historikisht pakicë dhe pa forcë argumenti. Ajo ka arritur të vendosë një portret krejt të sajin dhe të padiskutueshëm në vlera. Sa herë flitet për bamirësi, përkushtim apo dedikim ndaj nevojtarëve, portreti i saj është i pari që të vjen ndër mend dhe kjo falë aftësisë që ajo mbartte për të përcjellë mesazhin filozofik që dëshironte të shpërndante dhe që kishte të bënte me edukimin e vlerave të larta humane në çdo qenie njerëzore.
Si çdo lider shërbëtor, ajo besonte se e keqja më e madhe nuk ishte te sistemi, pasi për të çdo sistem ndërtohet nga qeniet njerëzore, por e keqja qëndron te mungesa e edukimit të njerëzve me ndjenjat humane. Sipas Greenleaf dhe gjithë studiuesve të tjerë të lidershipit shërbëtor, i gjithë suksesi i këtij tipi lidershipi mbështetet te kënaqësia e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Nënë Tereza ishte e lumtur kur dhuronte ndihmë. Më shumë se çdo profet apo udhëheqës në kohët moderne ajo rrëfeu thjeshtësisht çdo të thotë dashuri për të tjerët. Pikërisht, i gjithë pushteti i djeshëm dhe i sotëm i Nënë Terezës ishte mbështetur te fuqia që ajo u dha fjalëve dhembshuri, dashuri dhe përkushtim pa kushte. Ajo që të bën përshtypje edhe sot është fakti që Nënë Tereza vazhdon të përcjellë mesazhe që mbeten jo vetëm frymëzuese, por edhe universale. Kjo ka të bëjë me aftësinë e saj të shkëlqyer komunikuese. Ajo dinte të shprehte mendimet e saj, të bindte ndjekësit e saj apo dhe më tej. Ajo jetonte në Indi, punonte në gjithë botën, posedonte një pasaportë indiane, një amerikane, por edhe një shqiptare dhe ndërkohë ishte në gjendje t’u drejtohej të gjithë kulturave dhe të kuptohej e kuptohet nga të gjitha kulturat, pavarësisht bindjeve fetare apo politike. James Humes shprehej se arti i komunikimit është gjuha e vërtetë e drejtimit, Nënë Tereza nga ana e saj artin e komunikimit e mbështeste te një thjeshtësi spikatëse dhe një mesazh ngulitës, te vullneti për të dashur pa kushte. E në fakt, nëse sot ajo citohet, kujtohet apo është model, kjo nuk vjen vetëm se ajo ka kryer veprime apo sjellje të shenjta, të fiksuara në regjistrat kishtarë, por më shumë, se ka kryer akte njerëzore, tokësore, të thjeshta por me një dashuri të madhe, kaq të rralla për njeriun e botës postmoderne. Ndoshta për këtë ajo shpesh të duket sikur është më e shenjtë se njerëzore, kur në fakt ajo që edhe mbetet më tokësore se çdo krijesë tjetër e shekullit kur jetoi, apo dhe më tej.
Sot kur flitet për Nënë Terezën gjithkush e di që të jesh ndjekës i saj apo të përkrahësh modelin e saj do të thotë para së gjithash të duash apo të ndihmosh gjithkënd e pa pritur shpërblim. Ky transformim që ajo i bëri mendimit materialist dhe egoist të kohës, është padyshim një shembull i shkëlqyer i modelit të liderit transformues, që ka misionin të ndryshojë një realitet, të përballet me sfidat e këtij ndryshimi dhe të arrijë të organizojë e frymëzojë ndjekësit përmes forcës së argumentit dhe modelit personal. Nënë Tereza, së bashku me tre liderët e tjerë, Gandi, Luter King dhe Mandela, që krijojnë edhe katërshen e famshme të liderëve më të shquar të epokës moderne, janë padyshim lider të transformimit, në thelb të së cilit është shpirti human dhe respekti maksimal për të. Nënë Tereza ka qenë gjithashtu edhe një lider shumë afër asaj që quhet shkolla shpirtërore e lidershipit, konceptuar si lidershipi shpirtëror. Shumë e keqkuptojnë këtë dhe mendojnë se kjo shkollë ka të bëjë me pjesën religjioze apo indoktrinuese në formimin e liderit. Në fakt, kjo ka të bëjë totalisht me pjesën njerëzore të liderit, sa ai apo ajo kujdeset për njerëzit që udhëheq; sa është në gjendje të depërtojë në zemrat dhe mendjet e tyre, emocionet e tyre apo të veprojë sipas interesave të tyre. Një ndër cilësitë thelbësore që bashkon Nënë Terezën, Gandin, Luter Kingun apo Mandelën ka qenë pikërisht inteligjenca e tyre shpirtërore. Kjo inteligjencë ka aftësinë të ndërtojë lider vizionar, me një jetë më të pasur dhe më krijuese, si dhe t’u dhurojë atyre aftësinë e pakrahasueshme për të frymëzuar ndjekësit, duke përdorur logjikën e fortë dhe bindëse se përse ja vlen të përpiqen apo sakrifikojnë. Momenti më vlerësues dhe impresionues kur studion figurën e Nënë Terezës është cilësimi i saj si modeli klasik i liderit që duhet imituar. Përveç gjithë vlerave të saj unikale, të qenit lider autentik e bëjnë imazhin e saj edhe më tërheqës. Edhe veshja e saj apo paraqitja në përgjithësi, ishin përcjellës më se të qartë të autenticitetit të saj. Jo shumë liderë, kanë pasur kurajën apo aftësinë të formësojnë modelin e tyre të lidershipit duke eksperimentuar edhe në veshje. Për shembull, pak afrikano- amerikanë qenë veshur në formë aq elegante deri atëherë kur i tillë ju shfaq shoqërisë amerikane Dr. Martin Luter Kingu. Veshja e Gandit qe përsëri autentike dhe ishte përcjellëse e vete mesazhit të tij sa modest aq edhe autokton. Veshja e Nënë Terezës dhe e të gjithë misionareve të saj, ishte një sari, veshje tipike e femrës hindu.
Nënë Tereza kishte vendosur qendrën e misionit të saj në Kalkutë, ndaj veshja duhet t’i përshtatej me atë të femrës indiane. Shumë vite më parë ajo kishte kuptuar thelbin e lidershipit global. Që të operoje me sukses në një kulturë tjetër, pikë së pari duhet të përshtateshe me këtë kulturë, duke e pranuar, dashur dhe bërë atë krejt tënden. Përtej kësaj, veshja e Nënë Terezës dhe të gjitha misionareve të Karitasit ishte tërësisht modeste, gjë që i përshtatej tërësisht qëllimit të punës së tyre. Të gjitha misionaret e Karitasit duhet të kishin vetëm tri sari, një për t’u veshur, një për t’u larë dhe një rezervë. Saria duhet të ishte pambuk i bardhë ku tri vijat blu simbolizonin Virgjëreshën Mari. Motrat e Karitasit, ashtu si dhe vetë Nënë Tereza kishin vetëm një palë sandale, një çantë bezeje, një libër lutjeje, një pjatë e një lugë. Në vendet e ftohta atyre iu lejohet të veshin një triko. E gjithë kjo thjeshtësi, përtej së imagjinueshmes, shërben për të drejtuar nëpërmjet shembullit. Të duash dhe ndihmosh të varfrit duhet pikë së pari të kuptosh ndjenjat e tyre dhe gjendjen e tyre dhe duhet t’u tregosh atyre që ti je në gjendje ta bësh këtë. Studiuesit mendojnë gjithashtu se në përgjithësi liderët autentikë kanë disa cilësi kryesore që i bashkojnë. Kështu sipas George (2004), liderët autentikë kanë aftësinë që të kuptojnë thellësisht qëllimin e misionit të tyre; kanë aftësinë të praktikojnë vlera të konsoliduara për moralin shoqëror; ata drejtojnë gjithmonë me zemër, por pa harruar të demonstrojnë vetëdisiplinë si dhe të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme. Autenticiteti i Nënë Terezës qëndronte mbi të gjitha te qëndrimi kritik që ajo mbajti jo vetëm ndaj varfërisë ekonomike, por më së shumti ndaj varfërisë shpirtërore me të cilën ajo kuptonte para së gjithash mungesën e dëshirës për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Ajo mbeti një kritike e vendosur e shpirtrave të pandjeshëm, të pangopur dhe egoistë. Në këtë mision e ka ndihmuar edhe shumë fakti që ajo kishte profilin e një lideri altruist. Altruizmi, si një shfaqje shumë e lartë e parimeve morale, është vullneti për të ushtruar sakrificën për njerëzit në nevojë. Jo më kot, Avolio, një ndër studiuesit dhe teoricienët më të shquar të lidershipit, e ka sjellë gjithmonë Nënë Terezën si një shembull ideal të liderit altruist. Sipas Avolios, kur ndjekësit shohin që lideri i tyre është altruist dhe ka një shpirt human që kujdeset deri për gjërat më të vogla, ata ndihen shumë më tepër të frymëzuar prej tij. Sipas ndjekësve, një lider i tillë mund të sakrifikojë edhe vetveten për të ndihmuar të tjerët dhe ky lider vetvetiu shndërrohet në një hero. Për të konkretizuar këtë te figura e Nënë Terezës mjafton të kujtojmë sa herë e kemi parë atë mbi kokën e një të droguari, të përkulur mbi trupin e një të dobësuari skeletik, apo të infektuari nga sida. Fjalët nga goja e saj kanë pasur gjithmonë peshën e veprimeve të saj dhe falë këtyre akteve, mesazhi që ajo ka përcjellë është pritur si më se i vërtetë. Nënë Tereza është njohur gjithashtu si një lider tribal. Sipas studiuesve të teorisë tribale të lidershipit, asnjë lider nuk mund të jetë i suksesshëm nëse ai vepron i vetëm (Hall, 2009). Miqësia e Nënë Terezës me njerëzit më të fuqishëm të botës demonstroi qartazi aftësinë e saj për të krijuar partnership dhe për ta vendosur këtë partnership në funksion të misionit të saj. Në fund duhet thënë se Nënë Tereza, ndryshe nga çka shënojnë skeptikët, nuk e përdori religjionin apo katolicizmin që të bashkojë njerëzit rreth misionit të saj, por nëpërmjet modelit të jetës së saj ia doli të bindë njerëzit se dashuria për Zotin shfaqet kur ne shfaqim dashuri për njëri-tjetrin. Dhe ajo arriti ta bëjë këtë duke u kthyer në një lider universal, që i deshi të gjitha kulturat, që u shërbeu të gjitha vendeve dhe ndaj meritoi emrin qytetare e botës. Cilësimi i Nënë Terezës si një ndër liderët më të mëdhenj të të gjitha kohëve sa herë flitet e kërkohet për shfaqjet më të suksesshme të lidershipit, është një vlerësim që i kalon kufijtë e një kulture, populli, feje, vendi apo gjuhe, është vlerësim universal sikundër ishte dhe vetë modeli që ajo përcolli dhe na la gjallë dhe për të cilin ne duhet të jemi krenarë.