
Prof. dr. Skender ASANI/
Jemi mbledhur për të kujtuar dhe për të nderuar një nga figurat më të ndritura të njerëzimit dhe një nga krenaritë më të mëdha të kombit shqiptar Nënën Terezë, Gonxhe Bojaxhiun e Shkupit. E lindur në rrugicat e thjeshta të këtij qyteti, ajo u ngrit në lartësitë e shenjtërisë duke dëshmuar se dashuria, përulësia dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë forcat që e ndryshojnë botën.
Nënë Tereza nuk e zgjodhi rrugën e famës, por misionin e shenjtë. Ajo u bë Nënë për jetimët e Kalkutës, për të sëmurët, për të braktisurit, për të gjithë ata që bota i kishte harruar. Humanizmi i saj nuk ishte thjesht një filozofi, por një mënyrë jetese. Themelimi i Misionareve të Bamirësisë u shndërrua në një rrjet botëror shprese, ku çdo njeri pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit gjente dashuri dhe kujdes.
Por madhështia e saj nuk matet vetëm me veprat, por me dashurinë që ajo i vendosi në to. Ajo na mësoi se lumturia e vërtetë nuk qëndron tek ajo që marrim, por tek ajo që japim. Në çdo hap të saj, në çdo fjalë të butë e në çdo buzëqeshje të qetë, fshihej një mesazh i përjetshëm: “Duajeni njëri tjetrin ashtu siç unë ju desha ju.”
Tërmeti i vitit 1963 kishte rrënuar shtëpinë ku kishte lindur dhe ishte rritur Gonxhja. Por gjatë vizitës së saj në Shkup, në vitin 1980, kur u shpall qytetare nderi e kryeqytetit, me një akt simbolik dhe domethënës ajo mbolli një bredh për të shënjuar vendin e lindjes. Ky gjest nuk ishte vetëm rikthim i kujtesës historike për shtëpinë e saj, por edhe një përkujtesë për lagjen e katolikëve shqiptarë në sheshin e Shkupit. Më pas, autoritetet vendosën pranë bredhit një pllakë përkujtimore, duke e shënuar atë vend si pikën e nisjes së jetës së Gonxhe Bojaxhiut.
Në vitet ’90, me rënien e sistemit njëpartiak dhe hapjen e një epoke të re politike, ky vend mori një kuptim të dyfishtë: nga njëra anë u shndërrua në simbol të kujtesës së qëndrueshme për jetën e Nënë Terezës, ndërsa nga ana tjetër u bë edhe fushë beteje e narrativave që tentonin të deformonin identitetin e saj kombëtar. Pikërisht në këtë periudhë u intensifikuan përpjekjet për të fshirë gjurmët shqiptare të figurës së saj, por njëkohësisht u forcuan edhe iniciativat qytetare dhe institucionale për ta mbrojtur atë kujtesë.
Megjithatë, me lindjen e projekteve djallëzore që synonin të fshinin këtë kujtesë, ky vend hyri në shënjestër të mohimit. Falë rezistencës së shoqërisë së vetëdijshme për rëndësinë e tij, tashmë prej tri dekadash aty përkujtohet ditëlindja e saj me homazhe dhe manifestime të ndryshme kulturore ndër të cilat edhe ky promovim i tri librave që sot i kushtohen figurës së saj.
Tri botime të fundit kushtuar figurës së saj e sjellin këtë dritë nga kënde të ndryshme, por të ndërthurura në një të vetme. Libri im “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” përpiqet të shpalosë figurën e Nënës si një simbol frymëzimi për identitetin tonë kombëtar, duke treguar se Shkupi, me rrënjë të lashta ilire dhe dardane, ka dhënë bijë që ndriçuan botën. Ndërkaq, libri “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri” është një mozaik i rrëfimeve të gjalla, i dëshmive të Dom Lush Gjergjit, motrës Ivana dhe Nasta Mihillit, që na e sjellin Nënën jo si një figurë të mitizuar, por si një shenjtëreshë që qëndroi gjithmonë pranë më të varfërve.
Në këtë vijimësi përkujtimore vjen edhe libri i ri i Dom Lush Gjergjit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, i cili përmbledh urtësinë e saj shpirtërore dhe mesazhet e përjetshme që ajo la pas. Ky libër nuk është vetëm një fjalorth i thjeshtë porosish, por një udhërrëfyes i jetës së përditshme, ku dashuria, falja dhe përulësia shfaqen si themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri më njerëzore. Në këto faqe gjejmë fjalët e saj të thjeshta, por të ngarkuara me peshë morale, që na kujtojnë se shenjtëria nuk është e largët, por mund të bëhet realitet në çdo zemër që guxon të dojë pa kufij. Ky botim është një thirrje e qartë që trashëgimia e Nënës të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të kthehet në përvojë të gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Këto tri botime nuk janë vetëm libra; ato janë gurë themeli të kujtesës sonë kombëtare dhe shpirtërore. Njëri na tregon se si Gonxhja e Shkupit u bë kurorë e njerëzimit, tjetri na kujton se ajo nuk ishte vetëm, por e rrethuar nga bashkudhëtarë që ndanë me të sakrificën, dhimbjen dhe shpresën, ndërsa i treti na e sjell zërin e saj të gjallë përmes porosive të përjetshme që mbeten udhërrëfyes në jetën tonë të përditshme.
Në këtë ditë të shenjtë, ditëlindjen e saj, ne nuk përkujtojmë thjesht lindjen e një njeriu, por lindjen e një misioni. Një mision që e bëri dritë në errësirë, balsam për plagët e të harruarve, shpresë për një botë më të drejtë. Dhe ky mision vazhdon në çdo dorë që shërben, në çdo zemër që fal, në çdo shpirt që zgjedh dashurinë mbi urrejtjen.
E për ne shqiptarët, Nënë Tereza është një bekim dhe një përgjegjësi. Ajo e mbajti gjithmonë gjallë identitetin e saj shqiptar, duke e quajtur veten “bijë e popullit shqiptar”. Në këtë dhuratë hyjnore që Zoti i bëri kombit tonë fshihet një detyrë e madhe: të jemi bartës të dritës së saj, dëshmitarë të dashurisë që ajo shpërndau pa kufij.
Prandaj sot, duke nderuar Nënën Terezë, ne shpallim se drita e saj nuk ka perënduar. Ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga kombi ynë te mbarë njerëzimi. Ajo mbetet një fanar udhëzues për të sotmen dhe për të ardhmen, një thesar shpirtëror që nuk shuhet kurrë.