


-Për ngjarjen e madhe për shqiptarët e botën të 17 Tetorit 1979 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante: U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA-LAUREATE/
-“Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare…” Fjalët e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë, të shënuara në Rilindja, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 17 Tetor 2023/ Ngjarja e madhe për shqiptarët e botën ndodhi para 44 vitesh – në 17 Tetor 1979. “U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja në 18 Tetor 1979, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.
Në 10 Dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”
Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në Rilindja, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.
Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditën e jubileut -12 Shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.
Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).
***
Fjalimi i Nënë Terezës në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe – (teksti i plotë shqip dhe video)