


Sokol Paja/
New York, 29 Shtator 2022 – Z. Besnik Tahiri, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe nënkryetar i kësaj partie zhvilloi një vizitë vëllazërore në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha vlerësoi kontributin e z.Tahiri në jetën politike dhe publike në Kosovë, çmoi rolin e tij konstruktiv si parlamentar i shtetit të Kosovës, ekspertizën e eksperiencën e tij në Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Z. Berisha kërkoi një marrëveshje mes Parlamentit të Kosovës dhe Vatrës për kordinim dhe bashkëveprim të veprimtarisë kombëtare me shtetin e Kosovës dhe më pas me Shqipërinë. Duhet të forcohet bashkëveprimi mes Tiranës zyrtare, Prishtinës Zyrtare e Vatrës, një trekëndësh që do forconte rolin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e interesit të shtetit e kombit tonë, tha ndër të tjera z.Berisha. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK Prof. Besnik Tahiri ekspozoi para Vatranëve takimin e një delegacioni nga Kosova në Kongresin Amerikan, Departamentet të Shtetit e institucione të tjera amerikane. Vlerësoi kontributin e z.Berisha për çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara në fushën e Diplomacisë dhe rolin historik të Vatrës për Shqipërinë e Kosovën e shqiptarët kudo. Z.Tahiri ekspozoi faktorin politik shqiptar në shtetet e Ballkanit dhe pozitat e forcuara të shqiptarëve gjithnjë e në rritje. Prof Tahiri kërkoi nga Vatra forcimin e rolit të diasporës në USA dhe lobimin pranë vendimmarrësve për arritjen e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. “Vijat strategjike të shtetit e kombit tonë nuk duhet të lëvizin. Është jetike ndërhyrja dhe angazhimi i Shteteteve të Bashkuara në proceset në të cilat ndodhet Kosova. Vijat kombëtare dhe Vijat strategjike të partneritetit me SHBA duhet të forcohen çdo ditë. Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe përpjekjet e Vatrës për çdo shqiptar. Do kërkoj që kjo marrëveshje mes Vatrës dhe Parlamentit të Kosovës të iniciohet sa më shpejt që Vatra të na japë një mbështetje të proceseve kombëtare në SHBA” tha ndër të tjera prof. Besnik Tahiri. Shefi i Kabinetit të kryetarit të Vatrës Dr. Pashko Camaj tha se Dielli për shqiptarët lind në perëndim. Është jetike nevoja për shqiptarët ta mbajnë lidhjen organike me Institucionet e Perëndimit dhe Amerikën. Asllan Bushati kërkoi që të organizohet një Simpozium Ndërkombëtar për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm dhe kujdesin e rrezikut rus si çështje serioze e sigurisë kombëtare. Z.Marjan Cubi në fjalën e tij tha se çështja shqiptare do të konsiderohet edhe më shumë pas luftës në Ukrainë. Prof.Tahiri i dhuroi Vatrës një libër kushtuar Kosovës me mbishkrimin: “Zanafilla e komunitetit dhe kauzës kombëtare buron nga zjarri patriotik dhe intelektual i Vatrës. Vatra është një fatbardhësi. Edhe një shekull më vonë ky zjarr ende e ngroh zemrën dhe shpirtin shqiptar. Jam i nderuar që sot jam në ballë të Vatrës, me vëllezërit e motrat e mia” shkruhet në dedikimin e librit. Takimi u përmbyll vëllazërisht me premtimin dhe angazhimin konkret për marrëveshje në shërbim të çështjes kombëtare. Për nder të Prof. Tahiri, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shtroi një drekë vëllazërore.