
Fatmir Konja/
Në institucionet dhe administratën publike në Shqipëri gjenden pa asnjë dyshim një mijë, a shumë më shumë nëpunës, që mund të cilësohen patriotë publikë, kur shfrytëzimi i dijeve dhe përkushtimi i tyre i tejkalon objektivat e punës rutinore administrative.
Fatmirësisht, ata, pra nëpunësit-patriotë publikë nuk i kanë munguar kurrë administratës dhe institucioneve publike, gjithmonë të gatshëm për të dhënë më të mirën e tyre, sa herë që thirren “nën armë”.
Ky duhet të jetë edhe rasti, i të gjithë atyre që kryeministri i Shqipërisë, në mbrëmjen e fundit të vitit 2025, i cilësoi patriotë publikë, ndërsa janë duke punuar mbi kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Çështja është se jo për të vlerësuar meritorët, por në hall për të gjetur një strehë, a shteg shpëtimi për veten dhe qeverinë e tij, kryeministri po tenton t’u servirë shqiptarëve një fabul të re.
Në këtë fabul ai po udhëheq njëmijë patriotë publikë në përpjekjen për t’ia bashkuar Shqipërinë Bashkimit Evropian, përpjekje të cilën “kush të dojë” ta përngjasojë me “ekspeditën e të njëmijëve” të Garibaldit për t’ia bashkuar Sicilinë, mbretërisë italiane.
Me imazhin e stisur të udhëheqësit të patriotëve publikë, ky kryeministër po bën përpjekjen e fundme për të fshehur fytyrën e vërtetë të tij, atë të tradhtarit publik.
Ai ka tradhtuar së pari, pikërisht ata që krejt për qëllime të pushtetit të tij politik, po i quan patriotë publikë.
I ka tradhtuar duke u vënë mbi krye titullarë të korruptuar, të cilët i përzgjedh me dorën e tij, e i mbron deri kur nuk janë më të zotë të fshehin çfarë kanë vjedhur.
I ka tradhtuar duke i lënë nën kërcënimin e çdo banditi që gëzon mbështetjen e tij dhe të qeverisë së tij.
I ka tradhtuar duke i justifikuar me “interesa strategjike” vjedhjet e fondeve publike për projektet e investimeve në infrastrukturë, e madje edhe vjedhjet në atë çfarë ka mbetur pas vjedhjes “strategjike’.
I ka tradhtuar duke ua kriminalizuar punën administrative, në të cilën dyshi bëhet me kollajllëk katër korruptive.
I ka tradhtuar duke i përdorur si patronazhistë partiakë, kur në ndërkohë dija, puna dhe këmbëngulja e tyre, natyrshëm synon drejt shndërrimit në patriotë publikë.
Nëpunësit e institucioneve dhe administratës publike e dinë megjithatë se ky kryeministër ka tradhtuar të gjithë shqiptarët, e jo thjesht sepse nuk i ka mbajtur premtimet qeverisëse, por sepse me ortakërinë e qeverisjes së tij me krimin, ka goditur drejtpërdrejt paqen sociale, mirëqenien dhe konceptin e kërkimit të lumturisë së qytetarëve shqiptarë në vendin e vet.
E për këtë mjafton të përmendet fakti se pothuaj një ndër tre shqiptarë që ky kryeministër gjeti në 2013-ën, tani nuk jeton më në Shqipëri.
Është shumë e gjatë radha e shqiptarëve që gjatë dymbëdhjetë viteve kanë parë te fytyra e këtij kryeministri, fytyrën e tradhtarit publik.
Është një radhë aq e gjatë, sa në mbrëmjen e fundit të vitit 2025, arrinte në “25 mijë rrotullime rreth Tokës”.