Violeta Mirakaj
Qershor 2022
New York
Dokumentari-“Fluturat” nga Bujar Alimani
Është fund Maji. Rruga për në qendrën kulturore të komunitetit “Iliria”, te spitali “Jakoby” në Bronx, New York, të fton të kalosh mespërmes parkut të madh plot gjelbërim, ” Pelham Parkway”. Qielli blu ndërpritej nga fare pak re të vogla pulpore, dielli ishte i ngrohtë dhe era e lehtë të përkëdhelte, të bënte të ndjeje kënaqësi, në këto ditë fund pranvere. Natyra i ka pikturuar pemët dhe gjithandej ka hedhur me tepricë ngjyrën jeshile me të gjitha reflekset e saja të lehta dhe të errëta, dhe bëjnë të spikasin më shumë ngjyrat luleshuma të cilat në mënyrë instiktive të bëjnë pjesë të këtij peisazhi. Qetësia në sallën e qendrës “Iliria” në kontrast me natyrën jashtë të fton të ulesh në një nga vendet bosh të sallës, plot e përplot me spektatorë, në pritje të shfaqjes së dokumentarit “Fluturat” me skenarist dhe regjisorin e mirënjohur Bujar Alimani. Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga shembja e Komunizmit, njerëzit janë duke treguar historitë e tyre për këtë periudhë më shumë se kurrë. Madje, disa prej historive po tregohen nga gjeneratat e reja, të cilat kanë ruajtur me fanatizëm historitë e të parëve të tyre. Përmes Artit dhe Historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën. Kjo nuk është dhimbje vetëm për viktimat dhe familjarët, po për të gjithë Kombin Shqiptar. Në ekranin e madh shohim filmimet që janë bërë në vitet e herëshme të vendosjes së shtetit të ri shqiptar, pas Luftës së Dytë Botërore. Jehona e atyre viteve vjen nëpërmjet parakalimeve dhe jehonës së fjalimeve të pushtetarëve; midis triumfit dhe ngjarjeve makabre të eleminimit të dhjetëra deri në qindra intelektualë të arsimuar dhe kulturuar në universitetet e Europës, me ëndrra dhe dëshira për një Shqipëri, një vend të përparuar demokratik si gjithë Perëndimi. Kjo gjetje regjizoriale prej B. Alimanit shërben si një prolog paraprirës së dramës shqiptare 45- vjecare e cila vjen nëpërmjet zërit të 19 Fluturave, personazhe live të këtij dokumentari. Një gjetje artistike reale kuptimplote nga skenaristi B. Alimani, është dhe titulli i këtij dokumentari, “Fluturat”. Eshtë poezia e gjatë e shkruar në qelitë e burgut nga Elena Luli, nuse në familjen e shquar patriotike Dedë Gjonl Lulit (Gjelosh Luli), arsimuar në Institutin “Nëna Mbretëreshë”, arsimtare me dy vajza të vogla përfundon rrugëve të Internimit, dhe burgut. Ëndrrat e saj i shpreh bukur në vargjet e poezisë “Fluturat”. Në qendër kemi intervistat, kujtimet, përjetimet e këtyre 19 Fluturave, të lindura dhe të rritura në kampet e internimit, po që përcjellin te memorja jonë dramën e qindra mijëra grave të reja dhe të moshuara, fëmijëve, djemve dhe burrave, vëllezërve dhe gjakut të brezave të cilët ishin të destinuar të vuanin kalvarin e një jete makabre, me fajin e vetëm se ishin gjaku dhe pasardhësi i atyre që donin një Shqipëri ndryshe. Duke ndjekur dokumentarin e ulur midis atit dhe bijës, Lekë Mirakaj dhe Matildës, ndjej peshën e kujtimeve të tyre, ndjej emocionin e tyre që përçohet nga ekrani. Është ëmbëlsia e zërit të Matildës, me inteligjencën e kulturën trashëguar që të bën për vete. Pjesëza nga jeta në internim, jeta plotë privime të moshës fëminore, dhimbja për mungesën e babait të saj për rreth 10- vite burgu. U munguan fëmijët prindërve, u munguan prindët fëmijëve- kjo është drama më e madhe. Ashtu si shprehet L. Mirakaj:- “Gjithcka mund të fal, torturat vitet në burgje, mungesa e mjeteve më elementare, por kurrë nuk mund të fal që nuk u isha pranë fëmijëve të mi, të gëzoja me ta vitet e rritjes dhe të maturimit. U mungova atyre, më munguan ata. Kjo është e pafalshme se vitet nuk çbëhen.” Skenë pas skenash dalin në dokumentar si Edi Pervizi, Mira Bajo, Lindita Ndreu ,Besa Muçka Kafile Sina, Vilma Hodo, Lindita Dema, Markela Sina, Mira Bajo, Eva Pervizi etj…dhe japin copëza të jetës në barakat shtëpi, me mungesat dhe dertet që sillte jeta. Një ndër pikat e forta të këtij dokumentari përbëjnë dhe përditësimi i të dhënave të hershme për ngjarje të ndryshme në jetën në internim, jeta individuale por dhe kolektive e këtij grupimi shoqëror, të cilëve ju mohuan edhe gjërat më jetësore të një shoqërie të civilizuar. Shprehësitë gjuhësore të pasur me ndjeshmëri dhe ngjyra reale në intervistat të emocionojnë, sjellin deri te spektatori tablo të jetës dramatike deri dhe pasojat tragjike në jetën e tyre fëminore. Ka disa momente në jetë që lënë gjurmë të thella , si për shembull diskretitimi qe i bëhet fëmijës apo dhe të rriturit. Ndjen të ndahesh në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat zbehin besimin se një ditë do të arrijë t’i mbledhësh e t’i ngjisësh sërish. Semafori i jetës së tyre, është ndryshe nga të tjerët. Në atë rregjim çnjerëzor vazhdon të rrëfejë njëra nga Fluturat- kishe ndroje dhe të qaje… lotët mund të konsideroheshin si pakënaqësi dhe sfidë për sistemin… Lotët e pafajshme të një krenarie të vrarë ishin. Një dramë po luhet në brendësi. Skenat që paraqiten para syve të spektatorit është ngjethëse. Një stuhi frike dhe keqardhjeje. Perspektiva e persekucionit ishte një motivim i fortë, lëkura dridhej nga pritja… Po vjen gazi -69 i sigurimit. Njera nga vajzat lëshoi një psherëtimë të fshehtë, një nga ato psherëtima të cilat regëtijnë përbrenda qenies si të ishin jehona të largëta të një përroi që rrokulliset poshtë shpateve malore. Rrëfimet e tyre, janë një kujtesë vazhdimësie të larmishëm i kujtimeve që kanë lënë të mbijetuarit e kampit famëkeq të Tepelenës, si volumet e serisë “Zëri i Kujtesës.” Rrëfenja të shumë të mbijetuarve të këtij kombi, filmimet e shumta me pleq dhe plaka që u kanë vdekur në atë kamp rreth 300 fëmijë të vegjël. Aktivitete për sensibilizimin si “Unë i mbijetova Tepelenës”; apo albumi i famshëm i piktorit 87-vjeçar Lekë Pervizi, piktura gravurë me thëngjill në copa kartoni, të cilat janë ndër të pakta dëshmi të përshkrimit të këtij kampi famëkeq, si shtretër dy- tre katëshe, ku mbijetuan familje të tëra me nga 6-7 anëtarë. Kemi motive nga puna e rëndë e grave dhe burrave dhe policët me kërbaç mbi krye. Kampi i Tepelenës ishte një Aushvic shqiptar, me ndryshimin që nazistët u jepnin hebrenjve veshjet me vija i dërgonin në gaz e krematorium, ndërsa komunistët pa rroba bashkëkombësit e tyre, ata parapëlqenin t’i vdisnin. Kjo tablo si te romani i Remarkos, për të provokuar rëndë plagën më të ndjeshme kombëtare të asaj pjese të plagosur më rëndë, e cila përpos fateve të hidhura personale e familjare, rroku me brengën e të pushkatuarve të tyre, të zhdukur pa varr. Ky dokumentar është një vazhdimësi e rrugës së nisur me këtë tematikë, si “Azizi vendos të rrëfejë”të L.Progri dhe regjisorit G. Kurti. Dëshmi e njerit prej të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Pasuar Nga “Golgotha e Tepelenës” e Vasil Kokali; apo “Kujtime nga Ferri” nga Fatbardha Biçaku- Çelepe. Ajo shprehet- “Të dhemb zemra kur mendon vuajtjet në kampet e internimit, si në Tepelenë, Savër, Gradisht etj. Që ishin të reja, u plakën e disa prej tyre vdiqën aty. Si Rukije Dine, Kune Mirakaj, Meleqe Dine, Vasfie Dema, Mudi Dema, Mrika Gjon Markaj, Marta Gjon Markaj, Hajrie Cami, Cuba Mirakaj, Caje Merlikaj, Lice Kaloshi, Bije Kaloshi, Lije Ndreu, Ana Pervizi, Roza Marashi, Hajrie Mulleti etj. Në momentin e vdekjes – vdiq një Nanë me zemër plagë, për djalin që e pati në burg, për djalin e arratisur që nuk ia dëgjoi zërin per 20 vite, apo që djali i vetëm i mbeti pa të ardhme. Kjo është tragjedia shqiptare që u luajt në amfiteatrin jetë. Vazhdimësia e rrëfimeve të një jete skëterrë, torturat, inskenimet e akuzave politike, kalvarin e udhëtimeve nga një kamp internimi në tjetrin, nga burgu në burg, tashmë përbëjnë dosjen e gjallë të rregjistruara me kamera dhe diktofona. Jeta e 42mijë emra të përsekuatuar politikë të ndarë në kategori:- Të pushkatuar, të vdekur në burgje, që kanë humbur aftësitë mendore, të burgosur, të internuar e të dëbuar, kërkon libra të tërë për të shkruar detajet nga më të llahtarshmet nëpër hetuesi dhe burgje- asgje nga memoria e tyre nuk janë fshirë, janë kujtime nga e kaluara, diçka që na lidh me të, diçka që të tërheq vemendjen, kohë e cila ka kaluar….Spinoza thotë:- “Nëse doni që e tashmja të jetë ndryshe nga e kaluara, studioni të kaluarën” Përjetimi këtij varg persekucioni – Jeto se s’vdes dot! Kur s’vdes dot, atëhere do të jetosh si të mundesh. Gjersa ka jetë, ka dhe shpresë, le të shpresojmë. Shpresa dhe jeta janë bashkë. Është kalvari i trishtë i njerëzve të persekutuar në mënyrë absurde… Jetë njerëzish të thjeshtë, që sjellin dëshmi tronditëse të një kohe. Ky dokumentar nuk është thjesht pjesëza nga jeta e e 19 Fluturave po është vazhdimësi që hap rrugën për rrëfime të tjera.