• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Nëse doni që e tashmja të jetë ndryshe nga e kaluara, studioni të kaluarën”    

June 10, 2022 by s p

Violeta Mirakaj

Qershor 2022

New York

 Dokumentari-“Fluturat” nga Bujar Alimani

Është fund Maji. Rruga për në qendrën kulturore të komunitetit “Iliria”, te spitali “Jakoby” në Bronx, New York, të fton të kalosh mespërmes parkut  të madh plot gjelbërim, ” Pelham Parkway”. Qielli blu ndërpritej nga fare pak re të vogla pulpore, dielli ishte i ngrohtë dhe era e lehtë të përkëdhelte, të bënte të ndjeje kënaqësi, në këto ditë fund pranvere. Natyra i ka pikturuar pemët dhe gjithandej ka hedhur me tepricë ngjyrën jeshile me të gjitha reflekset e saja të lehta dhe të errëta, dhe bëjnë të spikasin më shumë ngjyrat luleshuma të cilat në mënyrë instiktive të bëjnë pjesë të këtij peisazhi.                                                                                            Qetësia në sallën e qendrës “Iliria” në kontrast me natyrën jashtë të fton të ulesh në një nga vendet bosh të sallës, plot e përplot me spektatorë, në pritje të shfaqjes së dokumentarit “Fluturat” me skenarist dhe regjisorin e mirënjohur Bujar Alimani.                                                              Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga shembja e Komunizmit, njerëzit janë duke treguar historitë e tyre për këtë periudhë më shumë se kurrë. Madje, disa prej historive po tregohen nga gjeneratat e reja, të cilat kanë ruajtur me fanatizëm historitë e të parëve të tyre. Përmes Artit dhe Historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën. Kjo nuk është dhimbje vetëm për viktimat dhe familjarët, po për të gjithë Kombin Shqiptar.                                                                                       Në ekranin e madh shohim filmimet që janë bërë në vitet e herëshme të vendosjes së shtetit të ri shqiptar, pas Luftës së Dytë Botërore. Jehona e atyre viteve vjen nëpërmjet parakalimeve dhe jehonës së fjalimeve të pushtetarëve; midis triumfit dhe ngjarjeve makabre të eleminimit të dhjetëra deri në qindra intelektualë të arsimuar dhe kulturuar në universitetet e Europës, me ëndrra dhe dëshira për një Shqipëri, një vend të përparuar demokratik si gjithë Perëndimi. Kjo gjetje regjizoriale prej B. Alimanit shërben si një prolog paraprirës së dramës shqiptare 45- vjecare e cila vjen nëpërmjet zërit të 19 Fluturave, personazhe live të këtij dokumentari. Një gjetje artistike reale kuptimplote nga skenaristi B. Alimani, është dhe titulli i këtij dokumentari, “Fluturat”. Eshtë  poezia e gjatë e shkruar në qelitë e burgut nga Elena Luli, nuse në familjen e shquar patriotike Dedë Gjonl Lulit (Gjelosh Luli), arsimuar në Institutin “Nëna Mbretëreshë”, arsimtare me dy vajza të vogla përfundon rrugëve të Internimit, dhe burgut. Ëndrrat e saj i shpreh bukur në vargjet e poezisë “Fluturat”.                                                                                                  Në qendër kemi intervistat, kujtimet, përjetimet e këtyre 19 Fluturave, të lindura dhe të rritura në kampet e internimit, po që përcjellin te memorja jonë dramën e qindra mijëra grave të reja dhe të moshuara, fëmijëve, djemve dhe burrave, vëllezërve dhe gjakut të brezave të cilët ishin të destinuar të vuanin kalvarin e një jete makabre, me fajin e vetëm se ishin gjaku dhe pasardhësi i atyre që donin një Shqipëri ndryshe.                                                                                     Duke ndjekur dokumentarin e ulur midis atit dhe bijës, Lekë Mirakaj dhe Matildës, ndjej peshën e kujtimeve të tyre, ndjej emocionin e tyre që përçohet nga ekrani. Është ëmbëlsia e zërit të Matildës, me inteligjencën e kulturën trashëguar që të bën për vete. Pjesëza nga jeta në internim, jeta plotë privime të moshës fëminore, dhimbja për mungesën e babait të saj për rreth 10- vite burgu. U munguan fëmijët prindërve, u munguan prindët fëmijëve- kjo është drama më e madhe. Ashtu si shprehet L. Mirakaj:- “Gjithcka mund të fal, torturat vitet në burgje, mungesa e mjeteve më elementare, por kurrë nuk mund të fal që nuk u isha pranë fëmijëve të mi, të gëzoja me ta vitet e rritjes dhe të maturimit. U mungova atyre, më munguan ata. Kjo është e pafalshme se vitet nuk çbëhen.”                                                                             Skenë pas skenash dalin në dokumentar si Edi Pervizi, Mira Bajo, Lindita Ndreu ,Besa Muçka Kafile Sina, Vilma Hodo, Lindita Dema, Markela Sina, Mira Bajo, Eva Pervizi etj…dhe japin copëza të jetës në barakat shtëpi, me mungesat dhe dertet që sillte jeta. Një ndër pikat e forta të këtij dokumentari përbëjnë dhe përditësimi i të dhënave të hershme për ngjarje të ndryshme në jetën në internim, jeta individuale por dhe kolektive e këtij grupimi shoqëror, të cilëve ju mohuan edhe gjërat më jetësore të një shoqërie të civilizuar. Shprehësitë gjuhësore të pasur me ndjeshmëri dhe ngjyra reale në intervistat të emocionojnë, sjellin deri te spektatori tablo të jetës dramatike deri dhe pasojat tragjike në jetën e tyre fëminore. Ka disa momente në jetë që lënë gjurmë të thella , si për shembull diskretitimi qe i bëhet fëmijës apo dhe të rriturit. Ndjen të ndahesh në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat  zbehin besimin se një ditë do të arrijë t’i mbledhësh e t’i ngjisësh sërish. Semafori i jetës së tyre,  është ndryshe nga të tjerët. Në atë rregjim çnjerëzor vazhdon të rrëfejë njëra nga Fluturat- kishe ndroje dhe të qaje… lotët mund të konsideroheshin si pakënaqësi dhe sfidë për sistemin… Lotët e pafajshme të një krenarie të vrarë ishin. Një dramë po luhet në brendësi. Skenat që paraqiten para syve të spektatorit është ngjethëse. Një stuhi frike dhe keqardhjeje. Perspektiva e persekucionit ishte një motivim i fortë, lëkura dridhej nga pritja… Po vjen gazi -69 i sigurimit. Njera nga vajzat lëshoi një psherëtimë të fshehtë, një nga ato psherëtima të cilat regëtijnë përbrenda qenies si të ishin jehona të largëta të një përroi që rrokulliset poshtë shpateve malore.  Rrëfimet e tyre,  janë një kujtesë vazhdimësie të larmishëm i kujtimeve që kanë lënë të mbijetuarit e kampit famëkeq të Tepelenës, si volumet e serisë “Zëri i Kujtesës.” Rrëfenja të shumë të mbijetuarve të këtij kombi, filmimet e shumta me pleq dhe plaka që u kanë vdekur në atë kamp rreth 300 fëmijë të vegjël. Aktivitete për sensibilizimin si “Unë i mbijetova Tepelenës”; apo albumi i famshëm i piktorit 87-vjeçar Lekë Pervizi, piktura gravurë me thëngjill në copa kartoni, të cilat janë ndër të pakta dëshmi të përshkrimit të këtij kampi famëkeq, si shtretër dy- tre katëshe, ku mbijetuan familje të tëra me nga 6-7 anëtarë. Kemi motive nga puna e rëndë e grave dhe burrave dhe policët me kërbaç mbi krye. Kampi i Tepelenës ishte një Aushvic shqiptar, me ndryshimin që nazistët u jepnin hebrenjve veshjet me vija i dërgonin në gaz e krematorium, ndërsa komunistët pa rroba bashkëkombësit e tyre, ata parapëlqenin t’i vdisnin. Kjo tablo si te romani i Remarkos, për të provokuar rëndë plagën më të ndjeshme kombëtare të asaj pjese të plagosur më rëndë, e cila përpos fateve të hidhura personale e familjare, rroku me brengën e të pushkatuarve të tyre, të zhdukur pa varr.                                     Ky dokumentar është një vazhdimësi e rrugës së nisur me këtë tematikë, si “Azizi vendos të rrëfejë”të L.Progri dhe regjisorit G. Kurti. Dëshmi e njerit prej të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Pasuar Nga “Golgotha e Tepelenës” e Vasil Kokali; apo “Kujtime nga Ferri” nga Fatbardha Biçaku- Çelepe. Ajo shprehet- “Të dhemb zemra kur mendon vuajtjet në kampet e internimit, si në Tepelenë, Savër, Gradisht etj. Që ishin të reja, u plakën e disa prej tyre vdiqën aty. Si Rukije Dine, Kune Mirakaj, Meleqe Dine, Vasfie Dema, Mudi Dema, Mrika Gjon Markaj, Marta Gjon Markaj, Hajrie Cami, Cuba Mirakaj, Caje Merlikaj, Lice Kaloshi, Bije Kaloshi, Lije Ndreu, Ana Pervizi, Roza Marashi, Hajrie Mulleti etj.                                                     Në momentin e vdekjes – vdiq një Nanë me zemër plagë, për djalin që e pati në burg, për djalin e arratisur që nuk ia dëgjoi zërin per 20 vite, apo që djali i vetëm i mbeti pa të ardhme. Kjo është tragjedia shqiptare që u luajt në amfiteatrin jetë.  Vazhdimësia e rrëfimeve të një jete skëterrë, torturat, inskenimet e akuzave politike, kalvarin e udhëtimeve nga një kamp internimi në tjetrin, nga burgu në burg, tashmë përbëjnë dosjen e gjallë të rregjistruara me kamera dhe diktofona. Jeta e 42mijë emra të përsekuatuar politikë të ndarë në kategori:- Të pushkatuar, të vdekur në burgje, që kanë humbur aftësitë mendore, të burgosur, të internuar e të dëbuar,  kërkon libra të tërë për të shkruar detajet nga më të llahtarshmet nëpër hetuesi dhe burgje- asgje nga memoria e tyre nuk janë fshirë, janë kujtime nga e kaluara, diçka që na lidh me të, diçka që të tërheq vemendjen, kohë e cila ka kaluar….Spinoza thotë:- “Nëse doni që e tashmja të jetë ndryshe nga e kaluara, studioni të kaluarën”                                         Përjetimi këtij varg persekucioni – Jeto se s’vdes dot! Kur s’vdes dot, atëhere do të jetosh si të mundesh. Gjersa ka jetë, ka dhe shpresë, le të shpresojmë. Shpresa dhe jeta janë bashkë. Është kalvari i trishtë i njerëzve të persekutuar në mënyrë absurde… Jetë njerëzish të thjeshtë, që sjellin dëshmi tronditëse të një kohe. Ky dokumentar nuk është thjesht pjesëza nga jeta e e 19 Fluturave po  është vazhdimësi që hap rrugën për rrëfime të tjera.

Filed Under: Kulture Tagged With: Violeta Mirakaj

Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën

May 6, 2021 by dgreca

Tabloja e botës duhet parë nga pikëpamja e vlerave reale dhe jo nga pikëpamja e objektivitetit. /                                                                                       -Rreth librin “Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën” të Hajdar Muneka/ Nga Violeta MIRAKAJ/

Në fillim të këtij viti, në Janar 2021 m’u dhurua nga autori dhe familja e tij libri “Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën”, një libër me histori, kujtime, analiza dhe refleksione të një ambasadori. Ashtu si bën vlerësimin M.Bello- Ish ministër i Integrimit Europian, ky libër nuk është thjesht një libër që bazohet  në kujtimet e diplomatit dhe gazetarit Muneka, as dhe një kronikë e ngjarjeve dramatike që përfshijnë marrëdhëniet midis dy vendeve dikur miq të ngushtë. Është shumë më tepër se kaq, është përpjekja serioze  e studiusit dhe sinologut Hajdar Muneka për të zbërthyer dhe shpjeguar shkaqet dhe arësyet përse u zbehën  dhe thuajse u shuan lidhjet e forta dhe miqësia e konsoliduar midis dy shteteve dhe udhëheqjeve të tyre, në dëm të interesave të vetë popujve që dikur e konsideronin njeri – tjetrin miq të ngushtë e madje vëllezër. Në të gjithë materialin e servirur nga Muneka gjejmë një analizë – sintezë të marrëdhënieve shqiptaro- kineze që nga lindja e tyre, ndërthurur me eksperiencën 45 vjeçare të autorit, si student e diplomat në atë vend. Autori është njohës i çështjeve të Azisë, në përgjithësi, dhe i atyre të Kinës, në veçanti. Gjatë karierës së tij diplomatike ka qenë edhe anëtar i grupit të ambasadorëve kinezfolës. Aktualisht është pjesë e grupit think- tank të nismës kineze “Brezi dhe Rruga”dhe asaj “17+ 1”. Në kuadrin e këtyre nismave, ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare, të organizuara në Kinë e jashtë saj.                                                                                                                                                                                        Vetë  parathënia, është një enciklopedi më vete për historikun e Kinës. Kina e kulturës dhe civilizimit 5-mijë vjeçar, por edhe vendi që falë rritjes së shpejtë ekonomike dhe stabilitetit politik ka ridimensionuar influencën dhe fuqinë ushtarake në planet, përbën një sfidë të vërtet për cilindo. Struktura e librit e konceptuar nga autori në tri pjesë duke gërshetuar histori, kujtime dhe refleksionet për situatat, të bën ta lexosh me ëndje njëkohësisht të bën të ndalesh. Ky libër të mëson në shumë dimensione për popullin kinez, njerëzit që e kanë drejtuar, por më shumë se aq të mëson diçka për qeverinë individuale shqiptare. Ja si shprehet – Në rastin e “marrëdhënieve” të Shqipërisë e Kinës nuk kanë një precedent tjetër në historinë e botës. Për 30 vjet Shqipëria i ka siguruar Kinës një pikë hyrjeje në Europë, një pikë referimi për lidhjet me vendet e tjera në rajon me liderët në kontinent. Nisur nga perspektiva e Pekinit, pasuria kryesore e Shqipërisë ishte vendodhja e saj strategjike në Evropën Juglindore.. Të dy palët i dhanë njeri- tjetrit çfarë kishin më të mirë dhe morën çfarë u duhej më shumë. Frika dhe dyzimi i njeriut në këto dy shtete tregon qartë se kemi të bëjmë me shtete mjeranë. Në këto shtete totalitare ka dhunë dhe ajo shkatarron njeriun e thjeshtë. Si Shqipëria dhe Kina në ato vite dallonin në shumë  gjëra, por kishin diçka të përbashkët: Të dyja këmbëngulnin të ruanin me fanatizëm pushtetin e Partisë Komuniste. Pavarësisht kësaj shprehet autori, ashtu siç thotë ambasadori Ye Hao, ndarja ishte e pashmangshme. Ku secili u pozicionua në llogoren e filozofisë së vet, kinezët në atë të heshtjes e shqiptarët në atë të sulmit. Duke pranuar e mos gjykuar apologjinë që të jep heshtja, konkludon Z. Muneka- mendoj se ka qenë pikërisht kokëfortësia ajo që i bën shqiptarët të merrnin mbi supe diçka që nuk meritonin, barrën e mosmirënjohjes.                                                                                                                                                          Në pjesën e parë në mënyrë metaforike autori përshkruan ngjarjet dhe personazhet nëpërmjet katër stinëve; Pranvera, Vera, Vjeshta dhe Dimri. Filmi i arkivës së kujtesës, shpaloset jo vetëm thjesht ngjarjet si Shqipëria është ndër vendet e para që e ka njohur formalisht qeverinë e RP të Kinës. Ndihma shqiptare për Kinën qe përqendruar në tri fusha kryesore: bashkimi i forcave në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, përkrahja për Revolucionin Kulturor dhe ndihma për kthimin e Kinës në OKB. Ka bërë shumë përshtypje si- Miqësia e një vendi aq të vogël sa është Shqipëria, me një ndarje oqeanesh dhe kontinentesh, me kultura shumë të ndryshme në momente të veçanta historike, rrjedhshëm vijnë episodet sa në fushën e politikës të bashkëpunimit   dhe të vëllazërimit të dy popujve…. “Lejoheshin të shfaqeshin të gjitha filmat shqiptarë, pa asnjë përjashtim, për to nuk kishte asnjë lloj censure, pasi ata që merreshin me atë punë e dinin se i kishin kaluar të gjitha filtrat ideologjike shqiptare me kërkesa shpesh herë edhe më të larta se ato kineze…. ngjarja më e madhe ishte kur, pas mbledhjes së edukimit, shfaqej edhe ndonjë film”. Elementet biografikë si jeta studentore e tij, tablo reale, ku mbartin në vetvete një tis humori dhe qendrim kritik të rrëfyesit, e sjellë me detaje ndihmon në veçanti lexuesin e ri, brezat e rinj të pas ’90-tës. Marrëdhënia me Kinën solli me dhjetëra e qindra objekte të mesme e të mëdha industriale si dhe ndihma të tjera materiale. Por mbi të gjitha, garantoi sigurinë dhe qetësinë e dy brezave shqiptarësh. Pas më shumë se dy dhjetë vjeçarësh, Shqipëria kishte industrinë e saj të lehtë dhe të rëndë, kishte gjithashtu dhe një plejadë të tërë inxhinjierësh e specialistesh si dhe shkolla, institute e laboratorë të nivelit bashkëkohorë.  Hajdar Muneka , shpalosi si ambasador, si intelektual, si eseist me ndjesi të forta  dhe reagon për fenomenin, ngjarjet dhe procesin e zhvillimit. Ja si shprehet – “Dallimi midis dy bashkudhëtarëve është thelbësor. Vëllai i madh (Kina) vendosi që historinë e marrëdhënieve të ngushta ta fuste në arkivin e kujtesës, si një vegim që duhet të ndodhte dhe aq. Vëllai i vogël (Shqipëria) shtoi dhe një armik të ri në listën e kundërshtarëve të tij politikë, të cilët nuk ishin dosido, por tre më të fuqishmit e botës.” Dihet qe miqësia shqiptaro- kineze, lidhjet e ndërsjellta në të gjitha aspektet, si pa u kuptuar në vitet që pasuan u zbeh duke arritur në harrim, e cila ashtu si shprehet Z. Muneka- “Në sajë të politikës së qeverisë shqiptare, Shqipëria ishte lënë të rrëshqiste në rënie të lirë, në rrugën që ajo vetë kishte zgjedhur” Ky libër nuk është thjesht dëshmi, por dhe refleksion e sqarime me saktësime për kontekste, që kanë lindur një vepër që sjell informacion që mund të kthehet në fakt për studjuesit, u vjen në ndihmë lexuesve të grupmoshave të ndryshme, për të kuptuar më mirë periudhën e marrëdhënieve shqiptaro- kineze, si një histori plot dritëhije. Rruga e zhvillimit ka provuar se marksizmi dhe maocedunideja ishin filozofi që dallonin nga njera tjetra, as marksizmi nuk mund ta drejtonte Kinën në ambiciet e saj për të hyrë në shek XXI si një konkurrente e denjë me fuqitë më të zhvilluara botërore. Njëlloj si Konfuci nuk merr dot  shtetësi europiane dhe as filozofia e tij nuk mund të zbatohet në Europë. Ndërsa Shqipëria e E. Hoxhës, në vend që ta pranonte Kinën ashtu siç ishte , ngulte këmbë në unifikim  idesh, mendimesh e veprimesh deri në përsosmëri…..konkludon autori. Ndryshe nga qeveria Hoxha, kinezët nuk i vunë kazmën tempujve e veprave të kultit. Ata festonin gjithë festat fetare, frekuentonin objektet e kultit, sepse besimi fetar në atë vend ishte thellë ishte i thellë, i shenjtë……shumica besonin jo vetëm te një zot por tek shumë zotër, siç e predikonte feja e tyre. Autori vazhdon – Këtë shqiptarët e thjeshtë nuk e dinin… Duke lexuar këtë libër  mëson se gjatë studimit të historisë, kulturës e traditave kineze – “Kina ashtu siç ka emrin, Perandoria e Mesit, ose mesi i Botës, është një botë krejt ndryshe. Një botë me pluset dhe minuset e saj. Por të gjithë ata që jetojnë jashtë asaj bote, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë fshihen brenda saj, për më tepër të kuptojnë si duhet se çfarë ka ndodhur aty 5 mijë vjetet e fundit si dikur, kur edhe vetë kinezët që jetonin jashtë Qytetit të Ndaluar; nuk e dinin se çfarë ndodhte brenda tij. Kinezët e respektojnë dhe krenohen , madje janë shumë të lidhur me të kaluarën e tyre. Ata besojnë se pavarësisht sistemit ekonomik, politik e shoqëror jeta ndërtohet e zhvillohet me parime filozofike pak a shumë të njejta. Mburren me Konfucin ( filozof i madh kinez i epokës së antikitetit) ku sipas tij “Themeli moral i rendit shoqëror duhet mbi bazën e virtyteve njerëzore”  Ashtu si u shpreha dhe më lart vetë përmbajtja e librit , gërshetimi i historisë me kujtimet dhe analizat e në veçanti refleksionet e një ambasadori mbart në vetvete mesazhe, dhe filozofinë e një jete që gjithkujt do të kishte dëshirë ta njihte. Kinezët të presin sipas titullit e të përcjellin sipas vlerës...Autori e mbyll me krenarin e ligjshme- “Nuk harron të na kujtojë në çdo përvjetor, të na ftojë në çdo festë a veprimtari e të na nderojë me të njejtin protokoll, si dikur. Pasi për të ne jemi po ata  e po ata do të mbetemi përgjithmonë.”

Violeta Mirakaj

New York , Maj 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Drtitehijet, Hajdar Muneka, miqesia, Violeta Mirakaj

Nderim dhe respekt për punën e bërë nga shoqata “Duart e hapura”….

September 19, 2020 by dgreca

Aleksander Nilaj, President i Shoqates”Duart e Hapura” ne New York-

-Filozofia e vërtetë shihet te sjelljet e jo te fjalët (Mone)-

Shkruan: Violeta Mirakaj-New York-

Violeta Mirakaj.

Vjeshta sapo ka nisur të përkëdhelë ajrin dhe të prarojë degët e pemëve. Ditët, javët, muajtë zvarriten në trysninë që është krijuar për shkak të rrezikut të virusit. Dhe se janë prish ekuilibret  standarte të jetës së mëparshme spikat qartë thënia e Alber Kamy :- “ E dua këtë jetë duke u përhumbur i tëri brenda saj dhe dua të flas me zemër të hapur për të:- Ajo më jep krenarinë e fatit tim njerëzor. Lumturia është e thjeshtë dhe se Njeriu është përherë në marrëveshje me natyrën” .                                                                                                                                                                       Të shkosh te monumenti i Njeriut është një rrugë e gjatë, një rrugë përçapjeje se është fjala për një monument ndryshe. Nuk bëhet fjalë për  monumentin e një politikani, i një luftëtari, por i njeriut të thjeshtë në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës. Në pamje të parë nuk ta krijon idenë si mund të krijohet ku mund ta gjejmë. Sigurisht të mençurit e të gjithë kohërave kanë përsëritur gjithmonë të njejtën gjë.  Gjatë gjithë historisë njerëzore në situate të ndryshme në kohë dhe vende të ndryshme, ka qenë të pranishëm ndihma, solidariteti për t’u dhënë ndihmë njeri- tjetrit.  Sidomos në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, edhe në këtë fillim  të këtij shekulli, grupimet dhe organizatat jo fitimprurëse joqeveritare janë të shumta, me qëllime dhe realizime të ndryshme, regjistruar në përputhje me dispozitat e legjislacionit të shteteve përkatëse. Duke e parë nga ky këndvështrim mund të renditen aktet e shumta bamirësie, ndihmën ndaj njerëzve në nevojë në situata dhe kohë të ndryshme si  në rangun nacional dhe internacional. Gjithësecila ka specifikën dhe biografinë e saj, të aktiviteteve dhe ndihmës në dobi të mirëqenies së njeriut. Gjithëseciili është dëshmitar  për këtë fakt, dhe aq më tepër  në këtë kohë pandemie, Covid-19. Në dritën dramatike të historisë së Covid- 19 , njerëzit zhvishen nga misteri i tyre shqetësues. Gjithçka në pamje të parë ishte e qetë në normalitet, tani e gjithë bota ndjehet  pezull dhe në këtë pritje universale. Shoqata “ Duar të hapura” me president Aleksander Nilaj me miqtë e tij si Kastriot Murataj etj. dhe me më shumë se 30 vullnetarë  punojnë në ditë të javës, si në ditë pushimi dhe fund jave. E kanë intesifikuar punën e tyre më shumë gjatë këtij viti, ku virusi merimangë ka futur në rrjetën e saj gati gjithë globin tokësor; ka bërë që gjithë aktiviteti njerëzor të futet në një qerthull vrastar, në një situate diabolike, në një hamulli që të merr frymën.  Pra në këto muaj të parehatshëm në një nga lagjet e Bronksit në Pelham Parkway, ku numri i banorëve shqiptar është i madh, një komunitet i cili dallohet në shumëllojshmërinë e aktiviteteve, për gjallërinë e saj, për mbështetjen  në kushtet e emigracionit të njeri -tjetrit, të bie në sy veprimtaria e shoqatës “Me duar të hapura” me president Aleksandër Nilaj …..                                                                                                           

Po bëhen 8 vjet ecurie, ku duart e kësaj shoqate janë të hapura për njerëzit në nevojë, jo vetëm për komunitetin shqiptar po për gjithë komunitetet, për te gjithë besimet dhe ngjyrat. Aktiviteti i kësaj shoqate  ka mbështetjen jo vetëm nga komuniteti, ku vullnetarë të shumtë japin ndihmesë  të ndryshme si pas kohës dhe mundësive, por ndjehet dhe përkrahja nga politika si dhe nga organizmat qeveritare me perfaqësuesit dhe mekanizmat e saj. Dhe bukurisht gjen vend proverbi arab :- “Bota është në anën e atij që reagon”. 

Z. Aleksandër duke ofruar pranë kësaj shoqate miq dhe njerëz të devotshëm si Kastriot Murataj, me modestinë karakteristikë të karakerit të tij; duket sikur thotë se, bota ku jeton gjithësecili, varet në rradhë të parë nga mënyra vetjake e të kuptuarit të saj, e cila përputhet me karakteristikat subjektive të çdokujt, sipas të cilave, ajo mund të duket e varfër dhe e shkretë ose e pasur, e denjë dhe e këndshme. Pra, nga gjërat e vogla në pamje të parë përgatitja dhe sistemimi, shpërndarja e pakove me ushqime në dyert e shtëpive të  të moshuarëve,  të të semurëve dhe të të paaftëve etj. arrihen gjëra të mëdha, jeta e njeriut është e sigurtë. Nëse kërkoni gjëra pozitive, ato do t’i merrni. Ky është ligj themelor i natyrës. Këtë gjë duket se e materializon një shqiptaro- amerikan nga Selca e Kelmendit, Z.A.Nilaj.                                                                                                   

Rrethi i Kelmendit, më saktë i Selcës prej nga ka origjinën e pajisi me dashurinë për njeriun në nevojë. Është historia e këtij vendi me banorët e saj të mrekullueshëm që kanë bërë histori; si në Luftën për Pavarësin Kombëtare, ku burrat e vendit u mblodhën  dhe me mençuri hartuan Memorandumin drejtuar Portës së Lartë për njohjen  e kombësisë shqiptare me administratë dhe shkollë shqipe. Janë betejat antiturke u zhvilluan tek Qafa e Kestecit dhe Suka e Mkushit; apo aty në Zall të Bruzit, trimëresha e këtyre anëve, Nora e Kelmendit vrau pashain turk. Këtu është vendlindja e Dedë Gjerit, Nikë Lekës, komandatë të pamposhtur në luftrat për liri.                                                                                                                                               Një nga idhujt frymëzimi për Aleksandër Nilaj ashtu si e thotë vetë është Nënë Tereza. “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe. Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Gjej kohë të bësh mirësi. Dhe A.Nilaj me shoqatën e tij “Duartë e hapura”me grupin e vullnetarëve, si dhe bashkëpunimin edhe me organizimet dhe shoqatat e tjera me qeverinë vendore bëjnë të mundur shpërdarje me sukses në destinacionin e duhur të ushqimeve dhe gjithçka. Emrat janë të shumtë për punën e bërë si Sandra Pabon e cila ndan rreth 300 kuti me ushqime, apo Marko, Milena Marios dhe Anthoni.Përfaqësuesja e 80-th district e ansamblesë Nathalia Fernandez  gjen kohë të dalë në terren , duke organizuar me përgjegjësi kohën dhe vendin ku do të shpërndahen ushqimet. Shoqata amerkane – shqiptare “Duartë e Hapura” shpërndan ushqime të freskëta çdo ditë për popullsinë e komunitetit.  Mbi 10000 kutia me ushqime dhe 3500 paund produkte ushqimore, maska mbrojtëse, deyifiktues duarsh e të tjera për situatën duke patur kooperim si dhe me”Bake back America”- me devizën-“T’u bësh mirë të tjerëve është më e mira e të gjithëve. Të punosh do të thotë të mbushësh jetën me gëzim. Në një rast emergjence është marrëzi të kryqëzosh duart, është më mirë të përcaktosh rrugët dhe të mbash veten të zënë. Bamirësi nga Kelmendi mahniti Amerikanët- Ndihmon  të varfërit pa kërkuar asgjë, u çon para dhe ushqime… Ai i ndihmon të tjerët pa asnjë interes dhe pa ndonjë  financim nga qyteti i New Yorkut. Aktiviteti për këtë periudhë kaq problematike si në gjithë botën është intesive, por njëkohësisht është në vazhdimësi të ditëve festive si Hallueen, shpërndan kunguj, çokollata etc. në Williamsbridge dhe në vende të tjera. Pavarësisht shiut të rëndë , u dorëzojnë rreth 400 kunguj (pumkins) familjeve dhe antarëve të komunitetit, si dhe jashtë në lagje të tjera, bëhen operime për mbledhje fondesh bamirësie si dhe dhurata ushqimore. Në një intervistë Z. Nilaj thotë –“Ushqimet të gjitha i kemi donacion. Një pjesë e marrim nga “Food Bank”, rezervë ushqimore, që është e shtetit; ndërsa ushqimet e tjera i japin organizata të ndryshme , biznese të ndryshme. Vazhdon të tregojë kemi dhe bisnese shqiptare që na kanë përkrahur shumë.”  I shkon për së mbari thënies ë O. Uajlld- “Për njeriun gjëja më e rëndësishme është të ketë, ndërsa ai nuk e di se gjëja më e rëndesishme është të jetë”. Shpirti i bardhë dhe  i madh i Z.Nilaj spikat në përpjekjet që ka bërë të mundur të krijoj një bashkëpunim të suksesshëm me dy Shoqata Para dhe Tetraplegjikëve Shkodër dhe në Malësinë e Madhe. Humanisti, veprimtari nga Kelmendi vazhdon me sfidimet, jep sërisht sinjale pozitive, tregon se ka ende njerëz edhe pse janë larg atdheut, dhe pse jeta e përditshme për veten dhe mbajtjen e familjes kërkon shumë mund dhe djersë, gjen kohë dhe mundësi të ndihmojë të gëzojë shpirtërat e njerëzve në nevojë në vendlindjen e tij. Dy shoqatave të para dhe tetraplegjikëve t’u dhurohen karroca për të lëvizur.  

Ç’gëzim të pamatë për këta njerëz të kenë mjete përkatëse për të lëvizur…shpirti mbushet plot . Pra, njerëzit e mirë njihen lehtësisht nga përparësitë e shumta të fjalës e të veprimit dhe nga virtytet e tyre. Ky është monumenti që doja të ngrihesh  për njeriun e mirë. Njeriu atje ku rron, atje mund të bëhet edhe i lumtur. Gjej kohë të bësh mirësi. Humanizmi është një histori që përsëritet. Nëse kërkoni gjëra pozitive, ato do të merrni. Ky është  ligj themelor i natyres. Mos u trego indiferent ndaj vuajtjeve të të tjerëve se përndryshe nuk e meriton emrin Njeri. Kthehu në qenie e ndjeshme dhe vlerëso kushtet njerëzore. Të jesh njeri është një gjë shumë e bukur.

New York

Shtator 2020

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Aleksander Nilaj, duart e hapura, Violeta Mirakaj

Fryma e ajrit në pemë

March 12, 2020 by dgreca

Nga Violeta Mirakaj/

“Tingujt e Artë”,Përmbledhje me partitura muzikore  nga Izet Kallaba. Artistët janë gjithmonë të rinj kur i pyesin:-” Sa vjeç  je? Ata përgjigjen – jam tridhjetë e pesë vjeç…edhe kur janë 80 vjeç. Mosha e parë janë shumë të rinj, mosha e dytë janë të rinj, mosha  e tretë janë gjysmë të rinj dhe mosha e katërt janë të përjetshëm të rinj.  Për artistët nuk ka pleqëri. Ditëlindjet e tyre janë ditë për të respektuar dhe vlerësuar  krijimtarinë tyre. Në këto ditë Marsi biseda me miken time regjisore Arta Kallaba, ishte disi e veçatë.  Familja e Izet Kallabës, gruaja Safetja, vajzat Mrika, Albulena, Arta, Hana dhe djali Korabi do t’i festojnë 70 –vjetorin babait të tyre me suprizën duke i botuar  vëllimin e parë me përmbledhje me një pjesë të krijimtarisë së tij, partitura muzikore. Dhe ja pra, dihet se njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japin eksperiencë, të gabuarit të japi mësim, të dashurit të japin kujtime të paharrueshme…. Pra familja e Izet Kallabës, ashtu si shprehet dhe vetë Arta, “Duam të urojmë 70- vjetorin e lindjes dhe ta falenderojmë për çdo gjë që ka bërë për familjen”;  mirënjohje dhe falenderim për përkushtimin e tij maksimal ndaj familjes së tij. Mirënjohja i kalon caqet  e familjes, është një mirëjohje që i bëjnë brezat artistë që kanë startuar nga studioja dhe leksionet e tij, të nxënësve të shumtë të shkollës së Muzikës në Gjilan, i cili është dhe një ndër themeluesit e kësaj shkolle, së bashku me kolegët e tij Xhevat Ismajli, Zeke Jusufi, Isa Jakupi etj. Është falenderim dhe urim nga sa e sa këngëtarë  të këngëvë të kompozuar prej tij, nga kolegët dhe artdashësit, për emocionet e forta estetike artistike  që ka transmetuar nëpërmjet krijimeve të tija muzikore.                                                                                                    Izet Kallaba u lind në Roganë të Dardanës më 12 Mars 1950. Rruga e edukimit dhe e dashurisë për artin për këngën në veçanti  e ka zanafillën, e nis rrugëtimin nga famijla e tij. U lind në një familje ku muzika adhurohej shumë. Xhemail  Kallaba, babai i tij ishte një këngëtar i mirëfilltë me një diapazon zëri të bukur dhe të lartë prej tenori të lindur, ishte një nga frymëzuesit dhe mësuesit e tij të parë. Dhe si shprehet në kujtimet e tij Izeti, për mënyrën si këndonte dhe interpretonte babai i tij  “Fryma që hynte nëpër gjethe  më dukej e dukshme . Notat e erës së harlisur nëpër pemë nuk i përcaktoja, por, diçka e pathënë më shpinte tek kjo erë, tek ajo frymë e ajrit në pemë”.  Në bashkëbisedim me miqtë e tij ai shprehet se- trualli ynë i lashtë ia dha gjuhën dhe emrin këtij vendi. Flamurin që mban në shtëpi është i njejtë me atë të Shqipërisë. Të mirat e lirisë dhe të pavarësisë kudo sot ndihen. Izeti shprehet:-“Motivet e mia në punë, dhe krijimtari, kanë adresë këtë truall dhe këtë qiell të gjuhës. Arti muzikor dhe estetika e edukimit në nota dhe tinguj kanë ndikim të fuqishëm në formimin e individit dhe në shijet e tij. Nëpërmjet edukimit dhe formimit artistik kulturohet shpirti dhe hija jonë. Kopshtet, fushat e gjelbëra, deti i dallgëzuar, përqafimi i së dashurës, sytë e vashave, janë momente frymëzimi për poetë dhe artistë të muzikës”.                                                                                                     Motoja e tij ështe të prekë të panjohurën e tingujve dhe të notave dhe si shprehet vetë – të mësohet të lexoj artin drejt muzikës pa gabime, dhe këtë ja mundësoi dhe ja edukoi  edhe në vitet e studimeve në Universitetin e Sarajevës, në drejtim Pedagogji Artistike. Pagjumësia e tingujve të pianos dhe veglave të tjera muzikore, me tingëllimën e bukur dhe solemnitetin magjespës të zërave muzikore, koncertet shumë profesionalë transmetojnë te artdashësit sidomos te Kallaba një dëshirë dhe pasion të madh për mos t’u shkëputur nga rruga e bukur e artit të muzikës, t’i përkushtohet me dashuri gjatë gjithë jetës në vazhdim. Puna si mësues në shkollën e mesme të Muzikës në Gjilan, veprimtaria e tij artistike me grupe nxënësish dhe solist, shënon sukses të admirueshëm dhe të vlerësueshëm. Në kohën e vlimeve të mëdha të ngjarjeve historike për Kosovën, Izet Kallaba me nxënësit e tij në formacionet korale dhe orkestrale të tij, nderohet me çmimin e “Talenteve të Kosovës” . Albumi i krijimtarisë së tij, në “Akordet e Kosovës” të vitit 1984, kompozimi “Vallja e luleve” merr çmimin e vendit të pare; në festivalin “Gjakova 83” i akordohet vendi i dytë, me këngën “Vajzat heqin valle”. Vargu i shpërblimeve për Izetin dhe nxënësit e tij vazhdon dhe me dhjetëra shpërblime, mirënjohje e diploma suksesi. Një biografi e pasur në fushën e edukimit arsimor dhe muzikor, si dhe të një prodhimtarie të pasur në fushën e kompozimit po dhe të krijimit poetik. Arti dhe kultura është për të në funksion të shoqërisë dhe të identitetit kombëtar. Një nga këngët e tij “Himni i Çamërisë” me tekst A. Geci Çamëri tokë pellazgjike/ Pallë Epiri në lashtësi/ Je stërgjyshe e shqiptarëve/Në Dodonë e Iliri/ Gjokset tua të përgjakura/ drejt fitores, në lavdi” është kënduar në shqip, gjermanisht dhe anglisht. Artistët e rrisin albumin e tyre nga vit në vit, kjo gjë vërehet dhe te puna shumëvjeçare e I. Kallabës, te puna e palodhur plot pasion dhe kulturë e vlerësuar nëpër Festivale. Kompozimet e tij janë plot shpërblime; në Kosovë e më gjerë.”Vajzat heqin valle”, popullore, teksti -Ali Asllani, ”Vallja e luleve” teksti -Lazgush Poradeci,”Andje Verore” tekst- Asdreni ”Ninula aktuale” këngë për fëmijë tekst- T.Bardhi. “A e dije” baladë për Josuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën me tekst H.Hyseni. “Zambaku i Prizrenit” tekst i Z. Serembe ,”Dëshmorët” popullore tekst-Bedri Hysaj etj. etj… Shumë tekste të poetëve të Letërsisë së Rilindjes dhe të Pavarësisë sonë, janë muzikuar nga I.Kallaba, tregon lidhjen dhe shpirtin e bukur të artistit i cili frymëzimin dhe forcën e gjen dhe tek pena e poetëve të shquar shqiptarë që kanë hedhur themelet e poezisë sonë. Përmbajtja emocionale, vërtetësia dhe qartësia e figures muzikore e bëjnë I.Kallaba një zë që dihmoi dhe ndihmon shumë në zhvillimet kulturore në Kosovë e më gjerë. Si krijues i muzikës popullore dhe të lehtë, të këngëve korale dhe orkestrale, përmes manifestimit fhe formës mishëron realitetin që jetojmë. Këngët e kompozuara nga Izet Kallaba shumë herë provokojnë, ngjallin emocione të forta estetike. “Arti në vetvete thotë Kallaba, ka kuptimin e së bukurës. Asnjë frymëzim për mua nuk më shpëton pa u shënuar” Në tërë këtë krijimtari bashkëshortja, Safetja dhe fëmijët, janë të mrekullueshmit e mi, vazhdon të shprehet gjithmonë. Si pensionist  së bashku me familjen jeton këtu në New York, por sa mundet vazhdon të japë mësim muzike në shkollën shqipe të komunitetit, me dëshirën të ndezë zjarrin e shpirtit të njerëzve; ku muzika është shprehja më e lartë se çdo dije dhe filozofije, është pasqyrimi dhe reflektimi i botës shpirtërore. Urime për Ditëlindjen  kompozitorit Izet Kallaba .

New York, 12 Mars,2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Tingujt e Arte, Violeta Mirakaj

“Nderim dhe homazh- Mit’hat Frashëri kolos i historisë së Kombit tonë”

November 11, 2018 by dgreca

1 Mirakaj Viol

Nga Violeta Mirakaj/

Është një virtyt i madh të duam të jemi , ashtu si duam, të dukemi  ose të rrëfehemi  ashtu si jemi (Mit’hat Frashëri)…Vjeshta është ulur këmbëkryq në këto ditë nëntori këtu në New York, dhe ka krijuar një kurorë të stërmadhe shumëngjyrëshe e cila të duket dhe e plotëson më së miri nderimin dhe  homazhin për shqiptarin e madh, Mit’hat Frashëri. Do të përcillet nga varrezat e Ferneliff në Harstdale, të N.Y. në kodrat e Liqenit në Tiranë, pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës.  Kemi  ardhur për t’i bërë nderimin e duhur, kanë ardhur nga Washingtoni, Bostoni, Florida, New Jersy, Philadelphia Connecticut,  për  përcjelljen më së fundi në vendin e tij. Përcjellja bëhet dhe kuadrin e 110 – vjetorit të Kongresit të Manastirit, e cila ka lidhje me emrin e tij; dhe duket se na i kujton përsëri mos harroni – “Përpjekja e të gjithë delegatëve të Kongresit të Manastirit është për t’u ngritur mbi pikëpamjet e ngushta vetjake në të mirë të kërkimit të një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë.” Kjo është motoja që duhet të udhëheqë, të paraprijë jetën politike dhe shoqërore të vendit tonë. Ceremonia e zhvilluar në sallën “Nënë Tereza” qendër kulturore të kishës “Zonja e Shkodrës” është shumë emocionuese….Himnet kombëtare të dy shteteve, Amerikës “The star spangled banner” dhe i Shqipërisë, ”Hymni kombëtar” kënduar nga tenori i talentuar Riad Ymeri…. pasuar me nderimin dhe respektimin e merituar, arkivoli i Babait të Kombit mbartet me ceremoni nga skuadrilja e policisë së New York. Një organizim me detaje nga ambasada shqiptare në Washington dhe konsullata e saj këtu në New York, përfaqësuar nga Znj.Najada Sojli, e cila shprehet – është përgjegjësia e të zotit të shtëpisë të bëj të mundur ashtu si e meritonte figura e madhe poliedrike e Mit’hat Frashërit, ne jemi shtëpia përcjellëse. Bëhet nderimi dhe homazhi nga të pranishmit, si dhe i paraprirë nga nderimi prej të katër besimeve fetare në Shqipëri, komuniteti mysliman, kisha orthodokse, kisha katolike, si dhe nga komuniteti bektashian. Në filmin dokumentar u dhanë  momente nga jeta politike patriotike e Gjeniut të Kombit, Mit’hat Frashëri; realizuar nga Saimir Kumbaro dhe Uran Butka. Zëri origjinal i inçizuar nga radio Londra i Mit’hatit kumbon – “Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm……” Homazhi dhe nderimi i babait të kombit, është paraprirë në vite me rradhë, edhe ditë më parë nga shqiptarë të mirë atdhetarë dhe intelektual, si përfaqësues të “Vatrës” etj. Pëllumb Lamaj, intelektuali poeti dhe shkrimtari i lirisë si çdo vit  nuk mungoi pa e nderuar dhe këtë vit, me një kurorë të bukur në vendin ku politikani, atdhetari, intelektuali u preh për 69-të vite…. ai vetë thotë:— unë nderoj Korifeun atdhetar Mit’hat Frashëri, njëkohësisht nderoj fisin tim, fisin shqiptar, të gjithë ata që menduan dhe sakrifikuan për vendin tim…nderimi për të është nderimi i gjithë martirëve….”

Mit’hat Frashëri u lind më 25 Mars 1879, në Janinë. Ishte biri i rilindasit

patriotit të madh Abdyl Frashëri, nipi i enciklopedistit Sami Frashëri dhe poetit të mallit për vendlindjen, Naim Frashëri. Vdiq në New York më 3 Tetor 1949, jetoi 69 vjet. Jetoi në tre epoka, në periudha të ndryshme për fatet e kombit tonë, me problematika dhe zgjidhje nga më kontradiktore, të cilat ndryshojnë rrënjësisht njëra nga tjetra, për nga ngjarjet, për nga proçeset, për nga karakteret e tyre. Prandaj me të drejtë është cilësuar si një nga figurat më komplekse të këtij vendi, që, me kohën që ka ardhur pa paragjykime kërkon vemendje e rivlerësim, që me të drejtë është në rrugë të mbarë… Mit’hat Frashëri është figura që i ka munguar historisë, kulturës dhe letërsisë, politikës dhe diplomacisë i ka munguar brezave me radhë, i ka munguar enciklopedisë sonë. Në çdo faze të jetës politike, historike, letrare dhe shoqërore të vendit tonë, në periudhat më të qenësishme është Mit’hat Frashëri…Në rininë e herëshme punoi në administratën turke, aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit të XIX u bë një nga figurat më të spikatura në periudhën e Pavarësisë. Si një militant rilindës i orës së parë ai u shqua në luftën për të zbatuar programin kulturor të Rilindjes, ndoshta më tepër se çdo bashkëkohor i tij, si shkrimtar i flaktë i temave patriotike, si kryetar energjik i Kongresit të Manastirit dhe si veprimtar i palodhur i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Një aktivitet i gjithanshëm me patriotët shqiptarë të kryesuar nga Çerçiz Topulli dhe Adem Emini, që punonin për për përgatitjen e një kongresi dhe të një reviste të përjavshme. Mendimet e moderuara politike dominonin në rrjedhën e ngjarjeve që rrokulliseshin në shpinë të popullit, që ishte rrezik për të ardhmen e qenësisë si komb…Krijimtaria e tij letrare ishte bashkëudhëtare që në fillimet e saj, prej vitit 1897, me “Kalendarin Kombiar” në vijim vitesh deri më 1928.  Shkrimin e parë biografik , më 1901 ja kushtoi Naim Frashërit…. Vetë koha ka kontradiktat e veta, me mendime, opinione  të ndryshme, si çdo komb, si çdo histori të popujve të ndryshëm me korifenjtë e vet. i tillë ishte Mit’hati me energjinë, dashurinë, inteligjencën, kulturën enciklopediste dhe aftësitë praktike, bëhet dishepulli dhe mbështetësi kryesor. Nuk mund të ishte larg ngjarjeve të mëdha. Në kongresin e Alfabetit, në Kongresin e Manastirit, 14 nëntor- 22 nëntor 1908 , zgjidhet kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit të hartimit të alfabetit ( kryetar, At Gjergj Fishta). Në shpalljen e pavarësisë është një nga firmëtarët e saj, si dhe zgjidhet në qeverinë e Ismail Qemalit. Është shumë aktiv në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në vitet ’20. Ai ka qenë i papajtueshëm me Esad Toptanin dhe veprimtarisë së tij antishqiptare. Jeta e tij është dinamike, gërshetuar jeta politike, diplomatike dhe letrare. Në periudhën 1912 – 1939, Mit’hat Frashëri i shërbeu me sukses atdheut të vet si një militant i luftës diplomatike që zhvilloi shteti shqiptar për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare si shtet i pavarur. Si përkrahës i regjimit republikan që ishte, ai pati kujdes që të mos e përfshinte emrin e vet në jetën e brendshme politike të regjimit monarkik të Ahmet Zogut (1928- 1939). Me mbarimin e Luftës së Pare Botërore, 1918 ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo- Kroate- Sllovene. Deklaron se: “ Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”… vizioni dhe mendimi analitik i tij ka  vlerë dhe sot.. Më 1919 si kryetar i delegacionit shqiptar në Paris “ në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë”. Ku i është bërë thirrje nga nga kryesia e “Vatrës” të punojë “për bashkimin e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri independence pa asnjë protektorat”. Kur qe aty, me mision, shkroi: “ Indipendenca morale” si dhe punimin “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”…Aktiviteti diplomatik sa në Washington, më pas Athinë… Personaliteti i tij ishte i padiskutueshëm. Ai zhgënjehet nga zhvillimet politike në Shqipëri, jep dorëheqjen dhe deklaron largimin nga aktiviteti politik, i cili rikthehet përseri gjatë Luftës së Dytë botërore, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Por veprimtaria letrare studimore është në vazhdimësinë e saj. Boton revistën “Dituria”, dhe dimë se në këtë periudhë merr një zhvillim publicistika shqiptare.  Ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste. Mit’hat Frashëri është autori i “Dekalogut”, vlerësuar nga përkrahësit e tij si “kontribut i madh teoriko- politik” shkruar 1942, në Tiranë. Ai është mbajtur si nacionalist në politikënn shqiptare, duke pasur një korrespondencë të pasur, premorie, takime në konferenca apo takime me personalitete të politikës ndërkombëtare. Duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, u përpoq në fushën diplomatike, brenda dhe jashtë shqipërisë, për bashkimin në Shqipërinë etnike të ish – katër vilajeteve shqiptare, Janinës, Shkupit, Manastirit dhe Shkodrës…Mbas çlirimit të Shqipërisë iu sekuestrua pasuria e Mit’hat Bej Frashërit. Midis të tjerave ishte dhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Mit’hat Frashëri, nga pasardhësit e tij politik ka vlerësimin: mendimtari illuminist i neoshqiptarizmës, të viteve ’30.

Në një shkrim, ese, Mit’hat frashëri, ka shpalosur idetë e tij përparimtare dhe nivelin e lartë intelektual, si shtetar,- se çfarë begatie ka trualli shqiptar, që ia shtojnë pozita gjeografike si vend mesdhetar dhe i bekuar nga perëndia, i ndodhur buzë detit e me plot fusha e male, me klimë të mrekullueshme, me njerëz të shquar, në udhëkryqin ku lidhen kombet.

Mit’hat Frashëri akumuloi një kapital të madh patriotik gjatë veprimtarisë së tij gati gjysmë shekullore para Luftës së Dytë Botërore; jetoi dhe veproi në tri periudha të historisë së shqipërisë, të cilat ndyshojnë rrënjësisht njera nga tjetra për nga ngjarjet, për nga proceset, për nga karakteret e tyre. Në emigracion, me ndihmën e aleatëve anglo- amerikanë, shpalli Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, më 26 gusht 1949, në Paris, Francë duke qenë kryetar i tij me anëtarë si Abaz Kupi, Zef Palin, Nuçi Koten, e Seit Kryeziun.  Ai ka vënë që në atë kohë në dukje se: – “Shqipëria është pjesë e vendeve të mëdha evropiane dhe zhvillimi i saj do të vijë pikërisht nga bashkëpunimi me vende evropiane dhe SHBA– -në; dhe këtu duket gjenialiteti i personalitetit të tij, që me te drejtë quhet Babai i Kombit Shqiptar….

New York/ 10 Nëntor 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: homazhe, Kolosit, Midhat Frasheri, Violeta Mirakaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier
  • Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë, kujtimi për masakrën e Deliajve në Abri
  • KLARA  KODRA,  STUDIUESE  E  LETËRSISË  ARBËRESHE
  • Pyetje
  • Shqipëria po shitet, shqiptarët  rrijnë e vështrojnë
  • SERBIA – PROBLEM I BALLKANIT DHE JO ZGJIDHJE E TIJ
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1912) / FALË MARK KAKARRIQIT ARRITËM TË INTERVISTONIM NË QYTETIN TONË ISMAIL BEJ QEMALIN, PARA SE KY I FUNDIT TË NISEJ PËR TË SHPALLUR PAVARËSINË E SHQIPËRISË
  • Afrim Bunjaku, in memoriam…
  • Shkollat Shqipe Alba Life në NY e hapën vitin e ri akademik 2023-2024 me fidanishten e parë të saj në Staten Island
  • “Zërat e dygjuhësisë”
  • Qeveria federale po shkon drejt mbylljes. Çfarë do të thotë kjo dhe kush dëmtohet?
  • PSE ËSHTË E PËRFSHIRË DREJTËPËRDREJTË SERBIA NË SULMIN TERRORIST NË VERIUN E KOSOVËS?
  • Kryeministri Kurti: Lavdi Rreshter Afrim Bunjakut, Heroit të Republikës së Kosovës dhe dëshmorit më të ri të tokës së saj
  • “Mother Teresa’s Revolution of Tenderness”
  • Nder dhe Privilegj në këtë Mision të Shenjtë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT