• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën

May 6, 2021 by dgreca

Tabloja e botës duhet parë nga pikëpamja e vlerave reale dhe jo nga pikëpamja e objektivitetit. /                                                                                       -Rreth librin “Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën” të Hajdar Muneka/ Nga Violeta MIRAKAJ/

Në fillim të këtij viti, në Janar 2021 m’u dhurua nga autori dhe familja e tij libri “Dritëhijet e një miqësie që çuditi Botën”, një libër me histori, kujtime, analiza dhe refleksione të një ambasadori. Ashtu si bën vlerësimin M.Bello- Ish ministër i Integrimit Europian, ky libër nuk është thjesht një libër që bazohet  në kujtimet e diplomatit dhe gazetarit Muneka, as dhe një kronikë e ngjarjeve dramatike që përfshijnë marrëdhëniet midis dy vendeve dikur miq të ngushtë. Është shumë më tepër se kaq, është përpjekja serioze  e studiusit dhe sinologut Hajdar Muneka për të zbërthyer dhe shpjeguar shkaqet dhe arësyet përse u zbehën  dhe thuajse u shuan lidhjet e forta dhe miqësia e konsoliduar midis dy shteteve dhe udhëheqjeve të tyre, në dëm të interesave të vetë popujve që dikur e konsideronin njeri – tjetrin miq të ngushtë e madje vëllezër. Në të gjithë materialin e servirur nga Muneka gjejmë një analizë – sintezë të marrëdhënieve shqiptaro- kineze që nga lindja e tyre, ndërthurur me eksperiencën 45 vjeçare të autorit, si student e diplomat në atë vend. Autori është njohës i çështjeve të Azisë, në përgjithësi, dhe i atyre të Kinës, në veçanti. Gjatë karierës së tij diplomatike ka qenë edhe anëtar i grupit të ambasadorëve kinezfolës. Aktualisht është pjesë e grupit think- tank të nismës kineze “Brezi dhe Rruga”dhe asaj “17+ 1”. Në kuadrin e këtyre nismave, ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare, të organizuara në Kinë e jashtë saj.                                                                                                                                                                                        Vetë  parathënia, është një enciklopedi më vete për historikun e Kinës. Kina e kulturës dhe civilizimit 5-mijë vjeçar, por edhe vendi që falë rritjes së shpejtë ekonomike dhe stabilitetit politik ka ridimensionuar influencën dhe fuqinë ushtarake në planet, përbën një sfidë të vërtet për cilindo. Struktura e librit e konceptuar nga autori në tri pjesë duke gërshetuar histori, kujtime dhe refleksionet për situatat, të bën ta lexosh me ëndje njëkohësisht të bën të ndalesh. Ky libër të mëson në shumë dimensione për popullin kinez, njerëzit që e kanë drejtuar, por më shumë se aq të mëson diçka për qeverinë individuale shqiptare. Ja si shprehet – Në rastin e “marrëdhënieve” të Shqipërisë e Kinës nuk kanë një precedent tjetër në historinë e botës. Për 30 vjet Shqipëria i ka siguruar Kinës një pikë hyrjeje në Europë, një pikë referimi për lidhjet me vendet e tjera në rajon me liderët në kontinent. Nisur nga perspektiva e Pekinit, pasuria kryesore e Shqipërisë ishte vendodhja e saj strategjike në Evropën Juglindore.. Të dy palët i dhanë njeri- tjetrit çfarë kishin më të mirë dhe morën çfarë u duhej më shumë. Frika dhe dyzimi i njeriut në këto dy shtete tregon qartë se kemi të bëjmë me shtete mjeranë. Në këto shtete totalitare ka dhunë dhe ajo shkatarron njeriun e thjeshtë. Si Shqipëria dhe Kina në ato vite dallonin në shumë  gjëra, por kishin diçka të përbashkët: Të dyja këmbëngulnin të ruanin me fanatizëm pushtetin e Partisë Komuniste. Pavarësisht kësaj shprehet autori, ashtu siç thotë ambasadori Ye Hao, ndarja ishte e pashmangshme. Ku secili u pozicionua në llogoren e filozofisë së vet, kinezët në atë të heshtjes e shqiptarët në atë të sulmit. Duke pranuar e mos gjykuar apologjinë që të jep heshtja, konkludon Z. Muneka- mendoj se ka qenë pikërisht kokëfortësia ajo që i bën shqiptarët të merrnin mbi supe diçka që nuk meritonin, barrën e mosmirënjohjes.                                                                                                                                                          Në pjesën e parë në mënyrë metaforike autori përshkruan ngjarjet dhe personazhet nëpërmjet katër stinëve; Pranvera, Vera, Vjeshta dhe Dimri. Filmi i arkivës së kujtesës, shpaloset jo vetëm thjesht ngjarjet si Shqipëria është ndër vendet e para që e ka njohur formalisht qeverinë e RP të Kinës. Ndihma shqiptare për Kinën qe përqendruar në tri fusha kryesore: bashkimi i forcave në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, përkrahja për Revolucionin Kulturor dhe ndihma për kthimin e Kinës në OKB. Ka bërë shumë përshtypje si- Miqësia e një vendi aq të vogël sa është Shqipëria, me një ndarje oqeanesh dhe kontinentesh, me kultura shumë të ndryshme në momente të veçanta historike, rrjedhshëm vijnë episodet sa në fushën e politikës të bashkëpunimit   dhe të vëllazërimit të dy popujve…. “Lejoheshin të shfaqeshin të gjitha filmat shqiptarë, pa asnjë përjashtim, për to nuk kishte asnjë lloj censure, pasi ata që merreshin me atë punë e dinin se i kishin kaluar të gjitha filtrat ideologjike shqiptare me kërkesa shpesh herë edhe më të larta se ato kineze…. ngjarja më e madhe ishte kur, pas mbledhjes së edukimit, shfaqej edhe ndonjë film”. Elementet biografikë si jeta studentore e tij, tablo reale, ku mbartin në vetvete një tis humori dhe qendrim kritik të rrëfyesit, e sjellë me detaje ndihmon në veçanti lexuesin e ri, brezat e rinj të pas ’90-tës. Marrëdhënia me Kinën solli me dhjetëra e qindra objekte të mesme e të mëdha industriale si dhe ndihma të tjera materiale. Por mbi të gjitha, garantoi sigurinë dhe qetësinë e dy brezave shqiptarësh. Pas më shumë se dy dhjetë vjeçarësh, Shqipëria kishte industrinë e saj të lehtë dhe të rëndë, kishte gjithashtu dhe një plejadë të tërë inxhinjierësh e specialistesh si dhe shkolla, institute e laboratorë të nivelit bashkëkohorë.  Hajdar Muneka , shpalosi si ambasador, si intelektual, si eseist me ndjesi të forta  dhe reagon për fenomenin, ngjarjet dhe procesin e zhvillimit. Ja si shprehet – “Dallimi midis dy bashkudhëtarëve është thelbësor. Vëllai i madh (Kina) vendosi që historinë e marrëdhënieve të ngushta ta fuste në arkivin e kujtesës, si një vegim që duhet të ndodhte dhe aq. Vëllai i vogël (Shqipëria) shtoi dhe një armik të ri në listën e kundërshtarëve të tij politikë, të cilët nuk ishin dosido, por tre më të fuqishmit e botës.” Dihet qe miqësia shqiptaro- kineze, lidhjet e ndërsjellta në të gjitha aspektet, si pa u kuptuar në vitet që pasuan u zbeh duke arritur në harrim, e cila ashtu si shprehet Z. Muneka- “Në sajë të politikës së qeverisë shqiptare, Shqipëria ishte lënë të rrëshqiste në rënie të lirë, në rrugën që ajo vetë kishte zgjedhur” Ky libër nuk është thjesht dëshmi, por dhe refleksion e sqarime me saktësime për kontekste, që kanë lindur një vepër që sjell informacion që mund të kthehet në fakt për studjuesit, u vjen në ndihmë lexuesve të grupmoshave të ndryshme, për të kuptuar më mirë periudhën e marrëdhënieve shqiptaro- kineze, si një histori plot dritëhije. Rruga e zhvillimit ka provuar se marksizmi dhe maocedunideja ishin filozofi që dallonin nga njera tjetra, as marksizmi nuk mund ta drejtonte Kinën në ambiciet e saj për të hyrë në shek XXI si një konkurrente e denjë me fuqitë më të zhvilluara botërore. Njëlloj si Konfuci nuk merr dot  shtetësi europiane dhe as filozofia e tij nuk mund të zbatohet në Europë. Ndërsa Shqipëria e E. Hoxhës, në vend që ta pranonte Kinën ashtu siç ishte , ngulte këmbë në unifikim  idesh, mendimesh e veprimesh deri në përsosmëri…..konkludon autori. Ndryshe nga qeveria Hoxha, kinezët nuk i vunë kazmën tempujve e veprave të kultit. Ata festonin gjithë festat fetare, frekuentonin objektet e kultit, sepse besimi fetar në atë vend ishte thellë ishte i thellë, i shenjtë……shumica besonin jo vetëm te një zot por tek shumë zotër, siç e predikonte feja e tyre. Autori vazhdon – Këtë shqiptarët e thjeshtë nuk e dinin… Duke lexuar këtë libër  mëson se gjatë studimit të historisë, kulturës e traditave kineze – “Kina ashtu siç ka emrin, Perandoria e Mesit, ose mesi i Botës, është një botë krejt ndryshe. Një botë me pluset dhe minuset e saj. Por të gjithë ata që jetojnë jashtë asaj bote, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë fshihen brenda saj, për më tepër të kuptojnë si duhet se çfarë ka ndodhur aty 5 mijë vjetet e fundit si dikur, kur edhe vetë kinezët që jetonin jashtë Qytetit të Ndaluar; nuk e dinin se çfarë ndodhte brenda tij. Kinezët e respektojnë dhe krenohen , madje janë shumë të lidhur me të kaluarën e tyre. Ata besojnë se pavarësisht sistemit ekonomik, politik e shoqëror jeta ndërtohet e zhvillohet me parime filozofike pak a shumë të njejta. Mburren me Konfucin ( filozof i madh kinez i epokës së antikitetit) ku sipas tij “Themeli moral i rendit shoqëror duhet mbi bazën e virtyteve njerëzore”  Ashtu si u shpreha dhe më lart vetë përmbajtja e librit , gërshetimi i historisë me kujtimet dhe analizat e në veçanti refleksionet e një ambasadori mbart në vetvete mesazhe, dhe filozofinë e një jete që gjithkujt do të kishte dëshirë ta njihte. Kinezët të presin sipas titullit e të përcjellin sipas vlerës...Autori e mbyll me krenarin e ligjshme- “Nuk harron të na kujtojë në çdo përvjetor, të na ftojë në çdo festë a veprimtari e të na nderojë me të njejtin protokoll, si dikur. Pasi për të ne jemi po ata  e po ata do të mbetemi përgjithmonë.”

Violeta Mirakaj

New York , Maj 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Drtitehijet, Hajdar Muneka, miqesia, Violeta Mirakaj

Shtetet e Bashkuara do të mbeten miku i Kosovës pavarësisht nga Presidenti Donald Trump

March 20, 2020 by dgreca

nga Shirley Cloyes DioGuardi/

Më 14 shkurt të vitit të kaluar, unë si Këshilltare për Çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kam botuar tekstin “Kosova duhet të qëndrojë në kurs” në portalet nëpër botë. Aty kam deklaruar se besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë kapërcyer kufijtë duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën e saj të importit 100 për qind ndaj Serbisë. Për më tepër, kam deklaruar se kjo është një kontradiktë për Shtetet e Bashkuara që të pretendojnë se e respektojnë sovranitetin e Kosovës, ndërsa insistojnë që Kosova të pezullojë taksën.

Unë gjithashtu kam identifikuar thirrjen e Serbisë për shkëmbim të territorit si një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe për të rihapur diskutimin mbi statusin e Kosovës si një komb sovran – një status për të cilin Serbia ka punuar që ta minojë qysh nga koha kur pavarësia e Kosovës u njoh nga Presidenti George W Bush në vitin 2008 dhe qysh prej fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 2011.

Perspektiva ime, së bashku me shumicën e miqve dhe mbështetësve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nuk ka ndryshuar. Unë besoj që Kosova duhet të vazhdojë të mbajë kursin e vet derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse paqja, stabiliteti dhe rritja e Evropës Juglindore do të bëhen realitet, atëherë të dy vendet duhet të vijnë në tryezën e bisedimeve me kushte të barabarta

Në kundërshtim me deklaratat e disa liderëve politikë në PDK dhe LDK, marrja e këtij qëndrimi nuk e kërcënon partneritetin historik midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara. Dashuria e popullit shqiptar për Shtetet e Bashkuara është e betonuar përgjithmonë në veprimet e Presidentit Woodrow Wilson, i cili në fund të Luftës së Parë Botërore këmbënguli që të ashtuquajturat Fuqitë e Mëdha: Britania, Franca, Italia, Gjermania, Austro-Hungaria, dhe Rusia — të njohin Shqipërinë, sepse ajo ishte me një nga popujt më të vjetër të Evropës.

Bota gjithashtu e di se kur Sllobodan Millosheviqi filloi fushatën e tij gjenocidale kundër shqiptarëve kosovarë (pasi që vrau një gjysmë milioni boshnjakë), qeveria e SHBA – dhe në një masë të madhe për shkak të viteve të punës sime, Joe DioGuardit, dhe të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane – e solli Millosheviqin deri te ndalja dhe përfundimisht te gjykimi në Tribunalin e Krimeve të Luftës në Hagë. Në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara dhe shumë qeveri tjera nga gjithë bota e njohën pavarësinë e Kosovës.

Por tani jemi në një kohë tjetër të historisë së SHBA. Është vërtetuar mirë nga mediat kryesore të SHBA se Presidenti Donald Trump po përkulet ndaj makinacioneve të Rusisë dhe Serbisë dhe po vë në rrezik sigurinë e Evropës. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, nuk mund të lejojë që të përkulet ndaj insistimit të administratës së Trumpit që të kthehet në negociata me një udhëheqje serbe që refuzon ta njohë Kosovën si një shtet sovran dhe që po punon shumë për të sjellë nën kontrollin e vet veriun e Kosovës dhe komunat me serbë të Kosovës në jug të Kosovës.

Jemi me fat që Shaun Byrnes, një diplomat amerikan i pensionuar që shërbeu si Shef i Misionit Vëzhgues Diplomatik të ShBA në Kosovë prej vitit 1998-1999 ka botuar një artikull shumë të rëndësishëm në www.peacefare.net, me titull “Një marrëveshje e keqe”. Në te, Byrnes ekspozon presionin intensiv që Presidenti Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, i Dërguari Special i SHBA për Serbinë dhe Kosovën Richard Grenell dhe dhëndri i Trumpit Jared Kushner, në bashkëpunim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, po i bëjnë kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat për Serbinë. Byrnes shpjegon pse Kosova nuk duhet të pranojë këtë.

Unë besoj se konkluzionet e Byrnes në artikullin e tij të 13 Marsit 2020 janë të rëndësishme për të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e popullit shqiptar ku lexon se:

“Trumpi po kërkon një marrëveshje të shpejtë për të rritur perspektivat e tij të rizgjedhjes që po duken më të errëta për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e shoqëruar me rënien e çmimit të naftës dhe gjasat që ish Zëvendës Presidenti Biden do të jetë kandidati Demokratik.

“Nga ana e tij Thaçi … kishte dashur që të rrëzojë qeverinë Kurti për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja e Kurtit për të zhdukur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit është që pastaj të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përbërë nga LDK, partneri aktual i koalicionit të Kurtit dhe nga PDK, partia që e themeloi Thaçi.

“Ndërhyrja e Trumpit për të marrë përsipër dialogun i ka dhënë mundësinë Thaçit ta bëjë këtë. Ai po shfrytëzon kërcënimet për veprimin ndëshkues të SHBA si një goditje kundër Kurtit dhe po përpiqet të grumbullojë LDK dhe opozitën parlamentare për të kërkuar që tarifat të hiqen menjëherë. Në deklaratat publike këtë javë, Thaçi akuzoi se veprimet e Kurtit kërcënuan marrëdhëniet me SHBA dhe “të ardhmen e shtetit tonë”, një akuzë e papërgjegjshme.

“Përderisa lideri i LDK-së e mbështet Thaçin, tani për tani Kuvendi nuk po e mbështet Thaçin dhe situata është e bllokuar”. Vlen të përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës se asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do t’i japë fund armiqësisë së Serbisë me krahinën e saj të mëparshme. Derisa Serbia nuk e pranon se çka ka bërë në Kosovë nën sundimin e Millosheviqit marrëdhëniet e tyre nuk do të jenë as normale dhe as miqësore.

“Më shumë me rëndësi është se ne duhet t’i përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës që SHBA është dhe do të mbetet një mik i fortë dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht se çfarë mund të kërcënojnë Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo dhe Kushner. Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me pasoja me një Serbi armiqësore që politikanët e saj dhe publiku i saj nuk e kanë parë për shkak të motiveve vetë-shërbyese të një politikani. “

Në një deklaratë publike në mars të vitit 2012, me titull “Ruaje Republikën e Kosovës, “Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane vërejti se: ” Ka një nënshtrim pothuajse total i klasës politike dhe publikut ndaj vullnetit të Departamentit të Shtetit të SHBA dhe të përfaqësuesve tjerë perëndimorë në Prishtinë. Gjithashtu, besimi se Shtetet e Bashkuara do të kujdesen për Kosovën, shpesh përdoret si justifikim nga ana e politikanëve dhe profesionistëve shqiptarë që të mos punojnë për të zgjidhur problemet e Kosovës, dhe kjo duhet të ndalet. “

Besimi i rrejshëm nga disa politikanë dhe profesionistë shqiptarë se administrata Trump do të kujdeset për Kosovën është ndalur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani që të mos përkulen ndaj kërkesave të presidencës së parë autoritare në historinë e SHBA, por të qëndrojnë në kursin e vet në emër të Kosovës.

Më në fund, të mos harrojmë mesazhin që një mik i fuqishëm i Kosovës dhe tani kandidat për President të SHBA, ZP Joe Biden, deklaroi tetëmbëdhjetë vjet më parë — në vitin 2002 në 12 vjetorin e punës së Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Hotelin Sheraton në Qytetin New York. Në fjalën e tij kryesore, Biden, në atë kohë udhëheqës i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se:

“Vetë-interesi i pastër i Shteteve të Bashkuara qëndron në shekullin XXI duke filluar me një Evropë të tërë, të pandarë dhe të unifikuar”, sepse çdo herë që Evropa zhytet në kaos, “djemtë dhe vajzat tona vdesin, ekonomia jonë dobësohet, dhe ne e paguajmë çmimin. Nga kultura, historia dhe prirja, ne nuk jemi në gjendje të ndahemi nga ajo që ndodhë në Evropë. Fati i shtatë milion njerëzve shqiptarë në Ballkan … është gjithashtu thelbësor për interesin tonë të pastër. Nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk njihet dhe mbrohet, të gjitha pjesët në rajon do të rrëzohen, dhe nëse nuk e stabilizojmë Ballkanin, ne do të paguajmë shtrenjtë. “

Përkthyer nga; Mire-Marku Rugova/

Filed Under: Politike Tagged With: Donald Trump, Kosove, miqesia, SHBA, Shirley Cloyes DioGuardi

MIQËSIA SHQIPTARO-KROATE

July 18, 2018 by dgreca

1 FrankNga Frank Shkreli/ Presidentja e Republikës së Kroacisë Znj. Kolinda Grabar-Kitarović gjëndet këtë javë për një vizitë shtetërore në Tiranë, e ftuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta.  Media shqiptare njofton se Presidentja e Kroacisë do të pritet me ceremonitë më të larta shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, ndërkohë që do të takohen delegacionet e dy vendeve ndërsa udhëheqsit e lartë do të mbajnë së bashku një konferencë për gazetarët vendas dhe ata kroatë, të cilët shoqërojnë Presidenten Kitaroviq.  Përveç pritjes dhe takimeve me homologun e saj shqiptar, Udhëheqësja kroate do të zhvillojë gjithashtu bisedime edhe me udhëheqëa të tjerë shqiptarë, përfshir Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi dhe Kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Z. Lulzim Basha.  Një ndër pikat kulminante të vizitës së Presidentes kroate në Tiranë do të jetë fjalimi që ka në plan të mbajë në Kuvendin e Shqipërisë ditën e enjtë.

Në rendin e ditës të vizitës së Kryetares së Kroacisë në Shqipëri, sipas medies së Tiranës, është edhe takimi me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj dhe vizitat që pritet të bëjë Presidentja Kitaroviq, jashtë Tiranës.  Është në plan që ajo të vizitojë Durrësin për të paraqitur projekt-planin kroato-shqiptar për mbrojtjen e mjedisit në Detin Adriatik, që pasqyron një shqetësim të konsiderueshëm ky për autoritetet kroate, pasi njoftohet se mbeturinat nga bregdeti shqiptar janë përhapur edhe në brigjet e bregdetit kroat, në veri të Adriatikut.  Pritet që Presidentët Meta dhe Kitaroviq të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale për mbrojtjen e detit nga ndotjet.  Ndërkohë, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Presidentja e Kroacisë do të ndalet edhe në Berat dhe në Kalanë historike të Krujës, sipas njoftimeve të medies.

Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Zagrebit, ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kroacisë nga Federata ish-jugosllave, kanë vazhduar të jenë të shkëlqyeshme.  Vizita e Presidentes Kolinda Grabar-Kitarović këtë javë në Shqipëri është një pasqyrim i natyrshëm i këtyre marrëdhënieve miqësore midis dy kombeve, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Presidentja kroate pritet që gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë shqiptarë në Tiranë, të premtojë mbështetjen dhe ndihmën e saj dhe të vendit të saj ndaj përpjekjeve të Shqipërisë, për antarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithse, siç dihet për arsye të politikës pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ekzistonin marrëdhënie ndër-shtetërore, marrëdhëniet miqësore midis kombit Shqiptar dhe Kombit Kroat janë të vjetëra.  Ato shkojnë mbrapa në histori, e cila shënon se lidhjet midis dy kombeve të hershme – sidomos ndërmjet Arbërisë dhe Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm) kanë filluar qyshë në kohën e Kastriotëve, kur ata gëzonin liri të pa kufizuar tregëtie me njëri tjetrin dhe marrëdhënie të tjera.  Përveç lidhjeve tregtare midis Kastriotëve me Republikën Raguzës, lidhjet midis Arbërisë dhe Raguzës si dhe qëndrave të tjera në territorin e dikurshëm të Kroacisë së sotëme, kanë qenë të forta edhe në fushën e diplomacisë dhe të arsimit.  Thuhet se diplomati, kleriku, oratori i njohur dhe njeriu besnik i Gjergj Kastriotit, Palë Gazulli, ka shërbyer si ambasador i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Republikën e Raguzës.  Thuhet se Pal Gazulli ka qenë gjithashtu edhe rektor i shkollave të Raguzës.  Këto lidhje në fushën e arsimit, sidomos për studentët nga të gjitha trojet shqiptare vazhdojnë edhe sot, siç kanë kanë vazhduar, historikisht.  Madje edhe gjatë periudhës komuniste – të rinjtë shqiptarë nga trojet shqiptare në ish-Jugosllavi — preferonin të shkonin në shkollat kroate dhe sidomos ata të fesë katolike regjistroheshin në seminaret katolike anë e mbanë Kroacisë, përfshirë edhe qytetin e Rjekës, vendlindja e Presidentes kroate, Kolinda Grabar-Kitarović – ku edhe unë kam kaluar vitet më të bukura në shkollën e mesme klasike të urdhërit salezian në atë qytet.Këto marrëdhënie të ngushta e të hershme midis dy popujve tanë, janë përforcuar edhe më vonë në fillim të shekullit të kaluar nga puna e palodhë-shme e shumë kroatëve, përfshir historianin dhe albanologun e njohur kroat, Milan Shufflaj, i cili nepërmjet hulumtimeve dhe disa veprave të tija, ka dokumentuar historinë e shqiptarëve në Mesjetë — veprimtari të cilën ai, fatkeqsisht, e pagoi me jetën e tij, duke rënë martir i albanalogjisë. Ai u vra nga dora e zezë serbe në Shkurt të vitit 1931, një ditë pasi ishte këthyer në Zabgreb nga një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që po përgatiste një botim tjetër mbi historinë e Shqiptarëve.  Kontributi i tij konsiderohet nga historianë dhe akademikë të njohur, si unik dhe i pazëvëndsueshëm.

Por, megjithë ndihmën dhe kontributet kroate ndaj historisë dhe kulturës shqiptare, por edhe në fusha të tjera, nuk duhet të mungojmë së përmenduri se pjesë e këtyre marrëdhënieve të ngushta nuk është vetëm kontributi i kroatëve gjatë historisë së shqiptarëve.  Kroatët kurrë nuk do të harrojnë ndihmën dhe kontributin e shqiptarëve, sidomos shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, gjatë luftës më 1990-at dhe në themelimin e shtetit të pavarur kroat në fund të shekullit të kaluar.  Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç   NË një konferencë të përbashkët me homologun e saj Ilir Meta ka cilësuar shqiptarët si një ndër të paktët popuj miq për Kroacinë. Kitaroviç ka shprehur mirënjohjen e thellë për shqiptarët që ndihmuan në lirinë e vendit, njofton gazeta Telegraf e Tiranës.  “Sot diskutuam për bashkëpunimin mes Kroacisë e Shqipërisë dhe Shqipëria ishte miku jonë kur miqtë ishin të paktë. Na mbështetën gjatë luftës në Kroaci. Ne e vlerësojmë këtë mbështetje. Nga komuniteti shqiptar në Kroaci, që janë rreth 10.000 shqiptarë, 2.500 ishin vullnetarë në luftën e Kroacisë, 87 humbën jetën 37 janë të zhdukur. Kjo është një çështje shumë e madhe për ne dhe i jemi mirënjohës shqiptarëve që luftuan për lirinë e vendit tonë”, tha Kitaroviç, në një konferencë të përbashkët me kreun e shtetit Meta, nga Presidenca.

Këtë fakt e kanë theksuar edhe personalitetet të tjera, të njohura kroate, përfshir edhe ish-presidentin Stipe Meshiq, një mik i madh i shqiptarëve, i cili si njohës i mirë i çështjeve ballkanike dhe i realitetit nën të cilin kanë jetuar shqiptarët ndër shekuj, por njëherazi edhe si një person që kontribon çdo ditë në afrimin midis dy popujve, ka shprehur vazhdimisht dhimbjet e tija dhe të kroatëve në përgjithësi, për fatin e keq dhe për vuajtjet e shqiptarëve në trojet e veta.   Në një intervistë, ish-Presidenti kroat, Meshiq është shprehur: “Unë jam një njeri, i cili gjithmonë ka njohur realitetin dhe është e njohur për këdo se bota ndaj shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zemërgjerë, veçanërisht ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.   Shqiptarët në ish-Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene nuk kanë pasur asnjë të drejtë. Ata nuk kishin të drejtë për kombësi, gjuhë, kulturë, nuk kishin asgjë”, ka thënë ai.

Është pra në këtë këndveshtrim të lidhjeve historike midis dy kombeve tona që Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovićzhvillon këto ditë vizitën e saj shtetërore në Shqipëri, ashtuqë me një kuptim të historisë – le të ndërtohet baza madje edhe më e fuqishme së ç’është tani, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, sidomos në bashkpunimin dhe rolin që duhet të luajnë Kroacia dhe Shqipëria së bashku — por gjithmonë në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të dy vendve — për një të ardhme më të mirë për të dy kombet dhe për paqën dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kroatët kanë përshëndetjen e tyre, “Bog i Hrvati” që do të thotë, “Zoti dhe Kroatët”.  Është një shprehje që është përdorur nga politikani dhe shkrimtari kroat Ante Starçeviq, në fjalimin që ka mbajtur para parlamentit kroat në vitin 1861 e në të cilin ka thënë në kontekstin e kohës, se e ardhmja e Kroacisë nuk duhej të vendosej nga Austria, por nga Zoti dhe Kroatët.  I lutemi Zotit pra, që vizita e Presidentes së Kroacisë këto ditë në Shqipëri, të shërbejë si një hap tjetër drejt përforcimit të mëtejshëm të miqësisë historike dhe të marrëdhënieve të shkëlqyeshme midis dy vendeve dhe dy kombeve tona, si kontribues të paqës dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të Shqiptarëve dhe Kroatëve dhe që Zoti të jetë gjithmonë me ta që të vendosin vet të ardhmen e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, miqesia, SHQIPTARO-KROATE

Miku është i shejtë….

July 4, 2018 by dgreca

Miku është i shejtë për shqiptarët dhe Amerika do të jetë përgjithmonë e tillë/ 
Nga Jahja LLUKA/
Sa herë flasim për Amerikën, ne shqiptarët kemi emocion të veçantë i cili me kalimin e kohës sa vjen e forcohet. Ndoshta nga fakti që ne si komb jemi s’provuar shumë duke qenë në armiqësi të përhershme me fqinjët tanë në Ballkan, dikur ka qenë e pamundur të mendohet se do arrinim aleance dhe miqësi me një komb të madh si ai amerikan. Por në çaste kritike për kombin tonë, politika amerikane ka qenë shpëtim për ne. Ndërkaq me 1999′ veç politikës dhe populli amerikan tregoi gatishmëri në raport me shqiptarët të cilët nga vuajtja dhunshëm kishin marrë rrugën e pakthim. Sot në 242 vjetorin e Pavarësisë, dua të shprehë falenderimin tim,ndaj SHBA-ve, sepse po të mos kishim përkrahjen e tyre do ishte i pamundur shtet-formimi i Kosovës, vuajten tonë dhe saktificën të cilen e dhamë për liri, Amerika e çmoi, duke na hapur derën në çastin më kritik në historinë tonë më të re. Andaj tani e jona është që të ndjekim rrugën tonë duke marrë shembull demokracinë amerikane dhe shtet-ndërtimin. Miku ka qenë dhe është i shejtë për shqiptarët dhe Amerika do të jetë përhere e tillë. Uroj që në rrugëtimin tonë si kombe dhe shtete të lira, do arrijmë ti përmbushim objektivat tona. 4 Korriku është festë dhe e kombit shqiptarë.

Filed Under: Komente Tagged With: amerika, Jahja Llula, miqesia, shqiptaret

Miqësia jonë do të jetojë si guri që kam sjellë nga Rugova

February 26, 2018 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

1 NikciGjyshi im dikur thoshte se: “miqësia është si një lule, sa më shumë e ujit dhe kujdesesh për të, aq më e bukur do të jetë”  V.Nikçi/1 Edhe kezjaE mirëpritëm ftesën për një mbrëmje krejtësisht të veçantë, të bukur, elgante, por mbi të gjitha tejet miqësore që kaluam të shtunën në darkë në restorantin “Portofino” në qytetin ishull në Bronx, New York.

1 frederikNjë vesë e paqtë lagte çatitë e shtëpive, nga ajri i ngrohtë në degët e pemëve kacavireshin ketrushat dhe tek tuk ndonjë zog cicërinte si për të lajmëruar mbledhjen e miqësisë në mjediset e restorantit “Portofino”.  Në hyrje të mirëprisnin çifti simpatik dhe plot mirësjellje të veshur me elegancë Vjosa dhe Valon Nikçi që ishte në një harmoni perfekte me tingujt magjik që dilnin nga gryka e tij që duket sikur është e ndërtuar prej Hyut vetëm me nota muzikore e artistit të shquar Frederik Ndocit.1 IsmetiMiqësia grupe-grupe e çiftit Nikçi, bisedonin të qeshur dhe të gëzuar për mbrëmjen e bukur që do të kalonim.  Gëzuar miqësinë tonë i thashë Markut, Betit, Dritës, Verës, Aferditës, Emmit, Vjosës, Richardit e shumë të tjerëve që ishin bashkë me ne në këtë natë feste miqësie.1 RichardMë pëlqyen shumë disa detaje të vogla, por që peshonin shumë për themelet e një miqësie. Ja na thotë çifti Nikçi afrohuni tek tavolina dhe do të merrni dhuratën që kemi përgatitur.  Brenda pakos do te keni një kartoline të vogël që është emri i qytetit dhe një gurë të bardhë nga Rugova, sipas qytetit do të uleni nëpër tavolina.  Dora ime kapi kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën.  S’tu nda Tirana më tha Vjosa!…  Sa shumë emocione përjetova, m’u duk sikur gjithë Tirana m’u shfaq në oborrin e madh te restorantit, apartamenti im ku rrita dy vajzat e mia dhe së bashku kaluam një pjesë të bukur të jetës sonë, gjithë zogjtë nëpër pemë dhe në fluturim m’u kthyen në nxënës të gjimnazeve tiranase, pemët më dukeshin si mimoza marsi Tirane…

U drejtuam drejt tavolinës kryeqytetase, tiranase dhe u ulëm së bashku me Mark Gjonaj, “Nderi i Kombit”, Këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut, Vjosa dhe Richard Lukaj, “Nderi i Kombit” bankieri dhe humanisti i mirënjohur, Avni Mustafaj ish drejtori ekzekutiv i organizatës jo qeveritare, Këshillit Nacional Shqiptaro Amerikan në Washington.  Biseda midis nesh rridhte e ngrohtë, e dashur dhe plot mirësi ashtu siç dinë të dhurojnë njerëzit e vërtetë…

Në këtë mbrëmje merrte pjesë dhe Ambasadorja Teuta Sahatqija, Konsulle e Përgjitshme e Kosovës shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe disa anëtarë të staffit.

Pasi njerëzit ishin ulur nëpër tavolina sipas zakonit tradicional fjalën e mori z.Valon Nikçi në krah të të cilit ishte bashkëshortja e tij Vjosa, me emrin e lumit tim më të bukur, më kujtimplotë, që kalon herë rrëmbyeshëm e herë paqësor në Luadhin e Mezhgoranit tim në Tepelenë.

Fjala e Valonit ishte tejet mbresëlënëse plot mesazhe dhe do të me ngelet gjatë në kujtesë, por veçanërisht për frazën si: “Ne jemi nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare, por ne jemi një.”

Fjala e mirëseardhjes së miqësisë nga Valon Nikçi/

Ndërsa shikoj përreth kësaj dhome të mrekullueshme, vërej se është plot me njerëz të mrekullueshëm dhe të mirë. Shumica prej nesh vijnë nga qoshe të ndryshme, male, lugina, fshatra, port-qytete dhe qytete. Ne jemi nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare, por ne jemi ende një. Për sa kohë që ne e quajmë ujin “ujë” dhe bukën “bukë” ne jemi një dhe duhet të punojmë së bashku për ta bërë Atdheun tonë dhe gjeneratat e ardhshme krenare. Ashtu si vëllai im Mark Gjonaj thotë: “kur të bashkojmë kokat do t’i bashkojë tokat”, e di që kërkon shumë punë dhe sonte nuk duam të përqendrohemi në atë.

Sonte ne duam të përqendrohemi tek njëri-tjetri dhe miqësitë tona.

Ne festojmë përvjetorë të ndryshëm, përvjetorë martese, datat e rëndësishme, festojmë ditëlindjet, angazhimet, ditën e Shën Valentinit, ditën e nënës, ditën e babait, ditën e fqinjëve, ditën e bashkëpunëtorit, ditën e gruas – e cila është e përditshme – shpesh harrojnë të festojnë miqësinë. Sonte ne jemi këtu së bashku për të festuar miqësinë, dashurinë dhe jetën.

 

Jetojmë në një botë kaq dinamike ku vështirë se mund të gjejmë kohë për të shijuar dhe vlerësuar shëndetin dhe marrëdhëniet tona.  Miqësia është një pjesë e rëndësishme e ruajtjes së shëndetit të mirë mendor dhe prandaj është e rëndësishme për të festuar njëri-tjetrin. Gjyshi im dikur thoshte se miqësia është si një lule, sa më shumë e ujit dhe kujdesesh për të, aq më e bukur do të jetë.

 

Për ata që nuk e dinë, unë jam një refugjat i luftës ku ishja I deturuar se bashku me familjen time të largoheshim gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

 

Familja dhe unë erdhëm këtu me asgjë dhe nuk njihnim askënd dhe nuk flitnim anglisht, por erdhëm me një zemër të madhe. Unë mund të them me krenari se sot kemi gjithçka, kam Vjosen, djali ynë 10-mujor, Rron, i cili nuk mund të jetë sonte, sepse është në kohën e tij të gjumit, kemi një familje të shëndetshme dhe miq të shkëlqyeshëm si ju. Ju jeni të gjithë shumë të rëndësishme për ne. Unë mund të kem gjithçka në jetë, por pa miq si ju, unë do të ndihesha i varfër, pasi një pjesë e madhe e imja mungon. Ju jeni të gjithë familje për Vjosën dhe mua.  Secili prej jush ka luajtur një rol në vendin ku jemi sot dhe ne të gjithë do të ndihmojmë njëri-tjetrin të arrijmë shumë më tepër qëllime në të ardhmen.  Gjëja më e madhe që disa prej nesh bëjnë gabim është se ne duhet te shprehim vlerësimin dhe dashurinë tonë për njëri-tjetrin, për ata që kanë shumë miresi për ne.

 

Pse festojmë miqësinë?  Ideja më erdhi disa kohë më parë. Qëllimi i saj është që të takohen më shumë njerëz të mrekullueshëm të këtij komuniteti, sepse ka shumë. Ne duam të qëndrojmë së bashku, të bëjmë gjëra të mëdha që të ndodhin në komunitetin tonë, ta lëmë këtë botë më mirë se sa ta kemi gjetur dhe t’i lëmë fëmijët tanë të vazhdojnë miqësinë tonë për gjeneratat që do të vijnë.

 

Ky aktivitet sonte i takon të gjithëve. Ne shpresojmë të vazhdojmë dhe të bashkohemi dy herë në vit.

Ka miq të tjerë që nuk mund të vinin sonte këtu për shkak të detyrimeve, por ne do të kemi shumë mundësi të tjera për t’u bashkuar në të ardhmen.

Gurët që moret sonte në dhuratë, do të thotë shumë për familjen time dhe mua. Ata nuk janë nga Lumi i Bronksit, por nga Rugova.

 

Siç mund ta dini shumë prej jush, Vjosa dhe unë vijmë nga Rugova. Disa javë më parë isha në Rugovë dhe kam zgjedhur këto një nga një nga lumenjtë.  Guri është një dhuratë për ju dhe familjen tuaj nga familja ime dhe unë. Shkëmbinjtë janë të vjetër dhe formojnë historinë e pasur të Rugovës. Këta gurë janë të fortë, këta gurë do të jetojnë përgjithmonë.  Le të jetë miqësia jonë aq e fortë sa  guri, dhe shkëmbi që do të jetojnë në këtë tokë.

 

Miqtë e Valonit dhe të Vjosës kaluan një natë tëkëndshme dhe u argëtuan nga dy komedianë amerikanë dhe vallëzuan e kërcyen nën tingujt e muzikës dhe të këngëve të interpretuara nga Frederik Ndoci, Vedat Ademi dhe Gezim Nika.

Ishte një mbremje frymëzuese e ideuar nga dy te rinj plot botë, plot mirësi, nga dy të rinj që erdhën si refugjatë nga luftrat e egra, por ditën të integrohen me dinjitet në tokën e premtuar amerikane ndërsa rrënjët e tyre në Rugovë nuk i harrojnë kurrë.

Ishte një mbrëmje miqësore që do të vazhdojë përgjithmonë dhe do të jetojë si gurët që solli Valoni nga Rugova…

 

City Island, Bronx,

24 shkurt, 2018

Filed Under: Emigracion Tagged With: Keze Zylo, miqesia, Rugova, V Nikci

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj
  • Liria e popujve kërkon sakrificë dhe vetëmohim
  • Poezi nga Lulëzime Malaj
  • Poezi nga Emine S.HOTI
  • LEGJENDA E DUKATIT DERVISH ALI AJANI 1794-1851

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT