
Nga PAOLO FALLAI – “Corriere della Sera”, 21 janar 2022 – Përktheu: Eugjen Merlika
Këta dy vite pandemie, me numërin e llahtarshëm të vdekjeve që po i afrohet 6 milionëve, i kanë përplasur në fytyrë vdekjen një bote që donte t’a harronte. Megjithatë jemi bij të qytetërimeve tepër të lashtë, që kanë ditur të ndërtojnë rite, kulte, tradita mbi përfundimin. Për mijëvjeçarë jemi ngushulluar me jetën e përtejme, vetëm në dhjetëvjeçarët e fundit e këtejshmja fitoi, duke fshirë nga përfytyresat tona jo vetëm vdekjen, por edhe pleqërinë, rënien e pashmangëshme.
Ja, e pashmangëshme është një mbiemër që Jeff Bezos nuk mund t’a durojë. Miliarderi amerikan që me Amazonin ka përdredhur të gjithë zakonet tona të blerjes (duke i vërtetuar postave të gjithë botës që po, pakot mund edhe t’arrijnë), nuk është mjaftuar me Tokën tonë të shkretë. E dini që projekte të rëndësishme private të hapësirës mbajnë emrin e tij. Nuk është mjaftuar të fitonte shumë më tepër se një Shtet, 81 miliardë vetëm gjatë kësaj pandemie, sa do të mjaftonin për tre doza vaksinash për të gjithë banorët e tokës. Jo, tashmë ka vendosur të investojë 3 miliardë në një sipërmarrje të re që merret me “luftën kundër pleqërisë” dhe “ripërtëritjen qelizore”. Don të zgjasë jetën së paku për 50 vite, sa për të filluar.
Për të mos zhgënjyer ngazëllimin e tij do t’ishte mirë që këshilltarët e tij të mos i thonin që pavdekësia është një mit i ndjekur nga Shumerët e mbrapa, duke kaluar përmes Platonit, duke mënjanuar Frankenshtainin dhe duke u ulur mbi Portretin e Dorian Gray. Madje do t’ishte interesante të dihej se çfarë do të dëshironte të bënte me përfundimet e hamendësuara të një kërkimi kaq të pasur. Një e milionta e atij fondi do të mjaftonte për të filluar kërkimet mbi sëmundjet e rralla që pak i mbështesin. Besojmë që Bezos recetën e hamendësuar kundër pleqërimit do t’a verë në dispozicion të njerëzimit kokëfortë që kundërshton pleqërimin. Jemi të gjithë me të, njeriun e mundësive të pafundme, sepse edhe ne mendojmë se vdekja është një bezdi e padurueshme.
“Corriere della Sera”, 21 janar 2022 Përktheu Eugjen Merlika