Kurba e goditjes të COVID-19 në shtetin e New York-ut duket se po bie, por 779 persona vdiqën brenda një dite. Guvernatori Cuomo e përcolli me dhimbje shifrën rekord gjatë komunikimit të së Mërkurës, 8 Prill.
Edhe pse Shteti i New York-ut në 48 orët e fundit ka shënuar një numër rekord vdekjesh, Guvernatori Cuomo, pas shifrave, tha se sheh përparim dhe u tregua optimist për daljen së shpejti nga errësira në dritë. Ai përsëriti atë çfarë tha të Martën, se New Yorku, qendra e Pandemisë për SHBA, po sheh përparim në luftën kundër koronavirusit pasi kurba e shtrimeve në spital po shkon drejt nivelimit.
Guvernatori balancoi lajmin e mirë të uljes së numrit të shtrimeve me të Mërkurën e keqe, ditë ku u shënuan 48 vdekje më shumë se të Martën, që gjithësesi deri dje ishte shifër rekord.Guvernatori këmbënguli sërish tek shtërngimi i masave parandaluse, duke i dhënë përparsi, qëndrimit në shtëpi dhe distanicimit social.Vetëm kështu tha ai do ta ndalojmë përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse të COVID-19.
“Nuk është koha për t’u ankuar,” theksoi Cuomo, duke përmendur një ulje tre-ditore të shtrimeve të reja në spitalet në mbarë shtetin e New York-ut.
Ne duhet të mbetemi të disiplinuar, vetëm kështu do të ecim përpara, përsëriti Cuomo.
Por, ai paralajmëroi, se ende nuk kemi dalë nga nga erërsira. Beteja vazhdon.
Guvernatori theksoi se megjithë numrin e madh të viktimave, ka shenja se shteti po lëviz në drejtimin e duhur. Gjithësesi 779 pacientë vdiqën brenda natës. Ishte dita e dytë me radhë kur shteti përjetoi më shumë se 700 vdekje nga Koronavirusi(731 vdekje u regjistruan të Martën dhe 779 të Mërkurën).
Rekordi i së Mërkurës e çon numrin e përgjithshëm të personave të vdekur nga virusi në shtetin e New York-ut në në 6.268, përafërsisht, diçka më pak se sa trefishi i Gjermanisë, që nga vdekja e parë e raportuar në 14 Mars.
Çdo numër është një fytyrë, tha Cuomo, pa e fshehur dhimbjen për qytetarët e humbur të shtetit që ai drejton.Guvernatori, e ka quajtur virusin një “grabitqar” që kërkonte të rrëmbente të infektuarit. Duke bërë një paralele me targjedinë e 11 shtatorit, ai urdhëroi që të gjithë flamujt në shtet të uleshin në gjysmë shtizë në nderim të viktimave.
Në tragjedinë e 11 shtatorit 2001 ne humbëm 2,753 jetë njerëzore, ndërsa nga kjo krizë, ne kemi humbur deri tani 6.268 njujorkezë!Më shumë se 149,316 njujorkezë janë testuar pozitive për koronavirusin në të gjithë vendin, sipas Departamentit të Shëndetësisë, ndërkohë që vetëm gjatë ditës së Mërkurë u raportuan 6 mijë e 932 të infektuar të rinj pas testimeve të kryera.
Guvernatori kërkoi respektim të udhëzimeve parandaluse, qëndrimin në shtëpi, distancimin social.Ai imponoi rregulla të rrepta për qytetarët. Nëse ndalojmë atë që po bëjmë ju do të shihni se çfarë ndryshimi do të pësojë kurba e goditjes së COVID-19, paralajmëroi ai.
Spitalet e mbingarkuara të Nju Jork-ut patën një mesatare afërsisht prej 533 pacientë të rinj COVID-19, në ditë ,nga e shtuna deri të martën,ç’ka ishte një rënie e ndjeshme nga pika e nxehtë e një jave më parë, ku mesatarisht shifra e shtrimeve ishte 1,294 në ditë.
Cuomo, ndërkohë, tha që shteti po merr disa masa të tjera për të trajtuar krizën dhe për t’i mbajtur banorët të sigurt.Shteti do të zgjasë pagesën e papunësisë në 39 javë për Njujorkezët e prekur nga epidemia dhe do të bëjë një pagesë shtesë $ 600 për të gjithë ata që kanë bërë kërkesë për papunësi, të cilat do të rimbursohen nga qeveria federale.
Cuomo tha se shteti do të bëjë më shumë testime në bashkësitë e pakicave dhe hulumtimi do të bëhet për të kuptuar pse infeksioni dhe shkalla e vdekjes janë më të larta në mesin e popullatës së zezë dhe asaj latine.
Cuomo gjithashtu ofroi një shpresë gjatë ditës së mërkurën, duke thënë se shpërthimi i koronavirusit mund të “stabilizohej” brenda disa javësh nëse njujorkezët vazhdojnë të respektojnë rregullat e forta shtetërore të distancimit shoqëror.
Nëse shteti do të vazhdojë kursin e tij aktual, shtoi ai, ka arsye për të besuar se sistemi shëndetësor “duhet të stabilizohet gjatë këtyre dy javëve të ardhshme.”
***
New Jersey, shteti i dytë më i goditur pas New York-ut shënoi 272 vdekje gjatë ditës së mërkurë duke e çuar shifrën e viktimave në total në 1 mijë e 504, ndërkohë që regjsitroi edhe 3 mijë e 21 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm i të infektuarëve 47 mijë e 437. Michigani ishte i treti për numrin e viktimave me me 114 të vdekur, me 1 mijë e 376 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm 20 mijë e 347). California raportoi 51 të vdekur të rinj, Louisiana 70, Illynoisi 82, Pennsylvania 60 etj…
BOTA NË 24 ORË
Bota në 24 orë në betejën me COVID-19 raportoi se kishte pësuar 6 mijë e 287 vdekje të reja gjatë ditës së mërkurë, duke e çuar shifrën totale të vdekjeve në 88 mijë e 502, ndërkohë që u regjistruan 77 mijë e 984 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 1 milion, 518 mijë e 719.
Prijnë Shtete e Bashkuara të Amerikës me 435 mijë e 128 të infektuar(+ 26 mijë e 744 për 24 orë), me 1 mijë e 828 të vdekur(në tërësi 14 mijë e 795) dhe më shumë se 9 mijë në gjendje kritike.
Britania e Madhe për numrin e viktimave u rendit e dyta, pas SHBA-së, me 938 të vdekur, pas saj Spanja me 747 vdekje, Italia me 542 viktima, Franca me 541 të vdekur etj.