

Në hulumtimet e mia në një libërth të vogël hasa një shkrim të intelektualit, kritikut dhe mikut të Nolit, Nexhat Peshkëpisë, botuar për herë të parë në vitin 1966 nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”. Ky tekst përbën një nga analizat më serioze dhe më të thelluara mbi figurën poetike të Fan Nolit. Autori e trajton Nolin jo vetëm si poet origjinal, por edhe si poet–përkthyes, duke e vendosur veprën e tij në një kontekst të gjerë letrar, historik dhe kulturor.
Nexhat Peshkopia bën pjesë në brezin e studiuesve shqiptarë të diasporës – krahas Ernest Koliqit, Martin Camajt dhe Arshi Pipës – që zhvilluan një kritikë letrare të pavarur nga doktrina e realizmit socialist, duke ruajtur një qasje akademike, evropiane dhe jo-ideologjike ndaj kulturës shqiptare.
Ky brez veproi kryesisht në Itali, SHBA dhe Evropën Perëndimore, duke krijuar një traditë alternative të mendimit kulturor shqiptar, e cila sot mbetet burim i rëndësishëm për rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe. Në këtë kontekst, Peshkopia shquhet për qasjen e tij analitike, të përmbajtur dhe filologjike, larg retorikës politike. Studimi i tij “Noli si poet e si poet–përkthyes” (Vatra, 1966) synon të vlerësojë veprën e Nolit në dimensionin estetik, kulturor dhe përkthimor, duke e vendosur autorin në një kontekst evropian, jo thjesht kombëtar. Sot po sjellim pjesën që flet për “Nolin si Poet Shqiptar”. Në njё shkrim tjetër do sjellim Nolin si përkthyes.
Në pak fjalë në hyrje me titull një kuvëndim me Fan Nolin ai thotë se e kishte detyrim nolit pasi ia pati premtuar nje vit më pasrë se ai të shuhej “për të dhën paraqitjen e Nolit si letra ashtu sikundër e njoha unë
“Këtë suzim të shkurtë dhe të kufizuar ia kam hua Fan Nolit . I premtova se do ta shkruaja e do t’ia tregoja për të pasur pëlqimin e tij, para se ta botoja . Mallkoj përtacinë time që më bën të ndiej sot një dëshpërim të thellë që se shkrova kur ishte gjallë.”
Nexhat Peshkopia: Noli si poet shqiptar
“Figura e Fan Nolit në letërsinë shqipe zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm. Ai nuk është vetëm poet i frymëzuar, por personalitet i gjithanshëm kulturor, ku poezia lidhet ngushtë me mendimin, historinë dhe përgjegjësinë morale. Në këtë kuptim, Noli shfaqet si poet që nuk i shërben vetëm estetikës, por edhe ndërgjegjes kombëtare.
Në një shkrim përkujtimor mbi Nolin, Ernest Koliqi e radhit atë krah figurave themelore të poezisë shqiptare, si Jeronim De Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta. Sipas tij, Noli zotëron frymëzim të fuqishëm, përgatitje të gjerë kulturore, shije të sigurt letrare dhe një prirje të veçantë për shprehje të mprehta e të prera – tipar që e bën vargun nolian të përmbledhur dhe goditës.
Një tjetër tipar thelbësor i kësaj poezie është gjuha. Noli, me gjithë kulturën e tij të gjerë klasike dhe perëndimore, nuk shkëputet nga burimi popullor i shqipes. Ai e pasuron vargun me ritme dhe intonacione që burojnë nga ligjërimi i gjallë, duke i dhënë poezisë një forcë komunikimi të drejtpërdrejtë dhe një autenticitet të veçantë.
Nuk është epike në kuptimin e plotë të fjalës poezia e Nolit; ajo është sulmuese, e vrullshme dhe e ashpër, edhe atje ku shfaqet (apo duhet të shfaqet) butësia e domosdoshme e elegjisë. Këtë e ndihmon të kuptohet edhe vetë Koliqi, kur vëren se Noli i dhuroi poezisë shqipe tri lirika të larta – “Hymnin e Flamurit” dhe “Syrgjyn-vdekur” dhe Shpellën e Dragobisë” – që ngjiten në qiellin e poezisë, si edhe elegjitë për Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin, ku “çdo fjalë kumbon e shpërthen” me peshë ndjesish dhe mendimesh.”
Pikërisht në këto dy elegji, ndjehet një përmbysje e pritshme e tonit: ato nuk rrinë vetëm në mallëngjim, por marrin frymën e invokimit dhe të mallkimit kundër mizorisë, duke ruajtur brenda vetes një energji morale dhe një tension të fortë shpirtëror.
Në të njëjtën vijë, Mitrush Kuteli vë në dukje se vargu nolian nuk është “vizual”, por “auditiv”: ai i drejtohet veshit, jo syrit. Dhe veshit nuk i drejtohet me ondulacione lirike e shushërima të ëmbla, por me një “arsenal bubullimash e vrungullimash”, me një shtrëngatë fjalësh shqipe “ku buçet ashpërsia teftiane, krutane dhe vlonjate. Këto kulme heroike të racës shqiptare ”. Kjo është një mënyrë për të thënë se Noli e ndërton poezinë si forcë vepruese: fjalë që trondit, zgjon dhe kërkon reagim.
Sidoqoftë, poezinë e Nolit mund ta gjykojmë edhe nga vëllimi i prodhimit. Megjithëse nuk është i madh, ai mbetet poet antologjik: vjersha e tij është e zgjedhur dhe tërheq vëmendjen si nga cilësia e brendshme, si nga argumenti fisnik (shpirtëror e intelektual), ashtu edhe nga mjeshtëria e rimës dhe e ritmit. Me pak fjalë, poezia e Nolit mbetet shembullore në shkallë të poezisë antologjike shqipe. Po citoj përsëri Koliqin, i cili, në “romanin” e tij Shija e bukës së mbrame, i vë në gojë Jorgjit, një intelektual shqiptar i mërguar këtu në Amerikë, këto fjalë: “Kur shfleton Albumin e reciton disa vjersha: ‘Kurrgjâ tjetër mos më i pasë dhurue letrave shqipe Fan Noli veç këtyne dy kryeveprave (dy elegjitë për Currin dhe Gurakuqin), pasi janë të paçmueshme, ai ka tagër me pasun mirënjohjen e përjetshme të shqiptarëve.’”
Studim nga Rafael Floqi