Foto arkiv, maj 2010: Nexhmije Pagarusha e Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu – dorëzimi i Dekoratës Presidenciale/
-Zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare/
PRISHTINË, 7 Maj 2016-B.Jashari/ Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, ka sot ditëlindjen e 83-të. Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar ditëlindjen e këngëtares së madhe shqiptare. “‘Bilbili i Kosovës’, ‘Mbretëresha e muzikës shqiptare’, ‘Këngëtarja e Shekullit’, ‘Artiste e Merituar’ , ‘Nderi i Kombit’, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të këndimit”, ka shkruar sot Mustafa.
“Sot, Nexhmije Pagarusha feston ditëlindjen e 83-të, duke qenë idhull i të gjithë brezave të Kosovës nga viti 1948 e deri më sot. Me zërin e saj mbresëlënës, Nexhmija u shndërrua në institucion kulturor të Kosovës. Urime, edhe shumë vite të tjera.
Kosova krenohet me ty!”, është shprehur kreu i qeverisë së Kosovës.
Poashtu, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka uruar këngëtaren e shquar shqiptare. Ai u shpreh se Pagarusha me zërin e saj të mrekullueshëm, i ka dhënë kulturës së Kosovës vlera të përhershme, duke u bërë njëherësh burim frymëzimi për breza të tërë. “Zëri i saj ka kumbuar fuqishëm përgjatë dekadave të tëra, duke na mbajtur gjallë dashurinë për kulturën, të bukurën dhe shpresën për një të ardhme ma të ndritshme”, u shpreh Shala, dhe shtoi se popujt që kanë këngëtare si Pagarusha janë të bekuar.
Ai më tej u shpreh se arti i Pagarushës, është dëshmi e fuqishme e identitetit të Kosovës dhe një vlerë e jashtëzakonshme me të cilën krenohet vendi ynë. Po ashtu, Shala u shpreh se Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përkrahin dhe ndihmojnë kulturën e pasur të Kosovës, duke e promovuar, nxitur dhe ruajtur atë si vlerë për brezat e ardhshëm.
Shala u shpreh se artistet si Nexhmije Pagarusha na nxisin që të punojmë edhe më shumë dhe më me përkushtim për Kosovën tonë.Nexhmije Pagarusha, e njohur edhe si Bilbili i Kosovës, në maj 2010, është dekoruar nga atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.
Dekorata është dorëzuar solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës. Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksonte se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.
“E përkushtuar gjithë jetën për të ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohej në arsyetim.
Po ashtu vlerësohej se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”.Presidenti Sejdiu ka dekoruar znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre.