RAMIZ KELMENDI PËR NEXHMIJE PAGARUSHËN*
“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.” (Ramiz Kelmendi: Nexhmija)/
NEXHMIJA NË “GALERI LAFAJET”/
Parisi është plot me shtëpi të mëdha mallrash. I ka të thuash, në çdo hap: “Prentan”, “Bazar d’Otel dë Vil”…Por, shtëpi mallrash mbi shtëpi mallrash është pa mëdyshje “Galeri Lafajet”, një nga më të mëdhatë kësodore jo vetëm në Paris, po ndoshta edhe në mbarë botën. Pa tepri: po të duash të vizitosh çdo stand të kësaj galerie, të shikosh vetëm vitrinat e tyre e tërë ata artikuj të ndryshëm të ekspozuar me shije, si të ishte vërtet ndonjë ekspozitë e jo magazine, shtëpi mallrash, njeriut i nevojitet të paktë një javë. Për “Galeri Lafajet” mund të thuhet me plot të drejtë se në të mund të gjejë njeriu çdo gjë – nga gjilpëra deri te lokomotiva.
Kisha dëgjuar e lexuar edhe unë për “Galeri Lafajet”.
Dëshirova, prandaj, ta vizitoja sa më parë, të bindesha edhe vetë.
Fillova njëherë të vështroja standet me radhë, por kur pashë se koha po kalonte shumë shpejt e unë s’do të arrija deri në mbrëmje të shikoja as dy kate të saj, vendosa: po shikoj vetëm çfarë më intereson posaçërisht.
Me një prirje diskofili në kohën e fundit, zura të kërkoja atë pjesë të “Lafajetit”, që mirret me shitjen e disqeve.
Pasi kalova një varg labirintesh të katit të parë, kur iu afrova pjesës ku ishin ekzpozuar televizorët, radiot, tanzistorët, magnetofonët e prodhimet tjera kësodore të çdo lloji, e dita: aty afër duhet të jenë disqet.
I gjeta më në fund.
Diskofilit, tek e sheh tërë atë mori disqesh në një vend, si të ishte shtëpi disqesh, i bëhet sikur ka arritur në parajsë dhe mahnitet fare.
Kahdo të sillesh: disqe. Kahdo të shikosh: disqe. Të gjitha me kopertina të ilustruara me shije. Me fotografi këngëtaresh më të njohur botërorë.
Megjithatë: myshteriu mund të orientohet menjëherë. Madje edhe shumë lehtë. Më një vend shiten disqet e muzikës serioze, me një tjetër ato të muzikës argëtuese, mandej ato të muzikës popullore e të tjera. Në “Galeri Lafajet” ka stande të posaçme edhe të disqeve të këngëtarëve më të popullarizuar, sidomos të muzikës argëtuese.
Kështu bie fjala, pashë standin e pagëzuar “Festivali i Sharl Azvanurit”. Aty afër: Zhilber Beko. Mandej: Edit Piaf.
Në atë të soditur të asaj begatie, thashë: pa le të shikoj vallë mos është ndonjë disk në gjuhën shqipe.
Pasi flitet aq shumë për të, e thonë se s’ka gjë që lypet e s nuk mund të blihet në “Galeri Lafajet”, thashë: ja, pra, unë dua të blej një disk shqip. Dhe – vendosa ta lyp në mjedis të Parisit, mu në shtëpinë famëmadhe të mallrave.
-Ju lutem, keni ndonjë pllakë të Nexhmije Pagarushës?
Po, mu kështu i thashë. Pa kurrfarë shpjegimi tjetër. Pa i treguar cila është Nexhmije Pagarusha, çfarë këngësh këndon, a ia ka dëgjuar ndonjëherë zërin, se mos është e detyruar ajo në Paris të dijë për një Nexhmije që jeton atje diku, kushedi ku, në njëfarë qyteti të vogël të Ballkanit.
– Si urdhëroni, zotëri, – ma ktheu ajo me buzëgaz dhe, pa mëlënë të vi në vete, më vuri përpara një pllakë të Nexhmijes me katër këngë shqipe, titulluar “Shanson popyller dë Skipetar dë Jugosllavi”. Po, në ato mbështjellëse të bukura të këtij disku francez, lexova edhe emrin e Nexhmije Pagarushës.
Natyrisht s’e zgjata më tutje. Si mund të më bindte ndryshe “Galeri Lafajet” pos kështu?!
(“Rilindja”, 1965)
NEXHMIJA
Si lum e lum ata të rrallë, për ata, si thotë populli, që lindin me yll në ballë, e pse jo, madje dhe hiç më pak, lum e lum edhe për atë popull që i lind, që i ka, që i nderon (pse e nderuan) dhe mjafton t’u zësh n’goje vetëm emrin, a vetëm mbiemrin, e ta kesdh saora parasysh tërë figurën, personalitetin, veprën. Se me gjith çfarë bënë, bënë emër. U bënë emër. U bënë të merituar e të nderuar. Të çmuar.
Një emër i tillë në muzikën shqiptare, një emër i tillë në mbarë kulturën tone kombëtare, është edhe emri: Nexhmija.
Se jo në çdo popull dhe jo në çdo ditë lindin talentë nga më të rrallët, artistë nga më të mëdhenjtë, emra që nderojnë dhe krenojnë kombin, qytetërimin e tij, kulturën e tij.
Populli ynë, përkrah emrave të mëdhenj, prijatarë nga më të ndryshmit, pati edhe jo pak femra prijatare, duke nisur nga Teuta. Bënë emër dhe na bënë nderë Elena Gjika – Dora D’Istria, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, Motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia, e në këtë artin e Nexhmijes, më e para dhe më e madhja: Tefta Tashko Koço dhe, shoqja e saj Marie Kraja.
Nexhmija, falë pakujdesit dhe mospërfilljes së atyre që vendosin për rrugët e zhvillimit të mëtejmë të talentëve nga më të rrallët, nuk studioi kanton në Konservatorin e Parisit të Tefta Tashko Koço, as në Konservatorin e Romës si Jorgjia Filçe (Truja), as në Konzervatorin në Austri si Marije Paluca (Kraja).
Artisti, thonë, krijon me gjallje bazamentin e përmendores së vet, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin. Më e mira soprano – koloraturë shqiptare, Tefta Tashko, nga të 37 vjetët e jetës, 22 i kaloi jashtë vendit të vet, vendit i cili mezi ia siguroi asokohe – një piano. Shoqja më e denjë e Tefta Tashkos, mbase këngëtarja më e madhe dhe më e çmuara e këngës sonë popullore, e cila do të ketë ca më vonë një motër të vet më të re në Kosovë, të denjë t’i vihet përkrah, Nexhmijen, Marie Kraja, me Konservatorin e mbaruar në Austri, u emërua – mësuese e gjimnastikës në një shkollë të Shkodrës.
Edhe Nexhmija, e përgëzuar dhe e pagëzuar si “Bilbili i këngës shqipe”, “Zëri më i bukur dhe më i ëmbël i Kosovës”, “Ambasadorja jonë e kulturës”, “Artsitja jonë e madhe e këngës popullore shqipe”, që për shumë vjet me radhë shkriu veten, energjitë dhe trohët e fundit prej artisteje të madhe në bazamentin e përmendores së vet, zor të ketë qenë dhe zor të jetë e kënaqur. Jo pa ndjenjën e borxhit bukur të madh që i kemi dhe i mbetemi, u desh të mbushë të gjashtëdhjetat dhe Shkupi të gëzojë nderin (u qoftë aferim atyre që u kujtuan dhe e organnizuan!) për të mbajtur një akademi solemne.
Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.
Unë kam një kënaqësi të rrallë që të paktën me këto fjalë përurimi e përgëzimi, fjalë të përvujta e të vockëla për punën e madhe dhe artin e lartë të Nexhmijes, po e thyejmë me njëfarë dore atë ligjin tone të pashkruar që nuk na bën nderë: jo t’u ndërtojmë më të merituarve tanë, qoftëlarg, bustin, por as t’ua çmojmë e t’ua nderojmë, t’ua vëmë në spikamë e t’ua kujtojmë bile – bazamentet e busteve të tyre kurrë të ngritura nga pasardhësit, që pandehin se me ta nis bota. Lodhnie mendjen një çikë dhe pale a mund të ju kujtohet fare qoftë edhe një përmendore e vetme në të gjitha trojet tona etnike këtej kufirit me shtetin tonë amë, përmendore e ndonjë shkrimtari, artisti a shkencëtari shqiptar! Asnjë! Asnjë fare! Dhe, përse ta fshehim: jo gjithmonë qe i huaji ai që nuk na lejoi këtë! Jo gjithmonë. Mbushi dhe kaloi të treqind vjetët e vdekjes i linduri në Gur të Hasit skaj Prizrenit dhe i vdekuri në Prishtinë, 363 vjet i vjetri, po më lashti dhe më i merituari punëtor aq i mençur i këtyre trojeve, Pjetër Bogdani, po nuk mbahet mend, sot e treqind vjet, t’i jetë kujtuar ndonjërit nesh: o, burrani! T’ia ngrejmë bile Pjetër Bogdanit një përmendore, qoftë në Gur të Hasit, qoftë në Prizren, qoftë në Prishtinë!
Nuk e did he s’ma ha mendja gjithaq se ndoshta me këto ngushëllova sadopak Nexhmijen për pakujdesin dhe pamiradinë tone karshi meritave dhe artit të saj, që do të mbetet përgjithmonë një vlerë e shquar në kulturën shqiptare dhe një perlë, një yll, në panteonin e muzikës sonë, një rruzë smeraldi në gjerdanin e këngës popullore shqipe.
Për një popull, si ky yni, i vetmi a më i madhi përjashtim ndoshta në krejt rruzullin tokësor, NJË popull i ndarë në DY pjesë, në TRI fe, në PESË shtete, me SHTATË million banorë, po ama jo më pak se me NJËQIND E NJËZET E SHTATË parti, paraparti e pasparti, mbiaparti, mesparti e nënparti, me gjithëfarësoj shoqata e korporata, nuk është mençuri, është luks i madh, është në të mirë të së keqes sate, është dëm, është gabim, është e pafalshme, është kundërproduktive dhe kundërkombëtare, të harrosh, të mos çmosh dhe të mos nderosh njerëzit tu të mëdhenj, të mos vlerësosh vlerat e mirëfillta të tyre, të zvogëlosh madhështinë e tyre duke privuar kështu vetveten nga begatia e jashtëzakonshme e tyre.
Jo çdo ditë lindin Nexhmije.
Lindin shumë këngëtare në ndërkohë. Këngëtare të mira dhe shumë të mira.
Por një këngëtare mbetet e paharruar, mbetet atje lart, në majë të këngës shqiptare: Nexhmija. Prandaj, Nexhmije, të na rrosh edhe shumë vjet dhe – ta paçim borxh!
28. V. 1993
* Dy shkrimet me autor Ramiz Kelmendin, janë marrë nga libri i gazetarit Shaqir Foniqi: Nexhmije Pagarusha – Bilbili i Kosovës
*(Fragmente nga libri: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit)
Ju faleminderit per keto shkrime te mrekullueshme te shkrimtarit tone te shquar Ramiz Kelmendi!
Sa e bukur, e shkathet,risimtare dhe energjike eshte pena e tij. E rralle, e denje e kuptimplote! Po aq domethenes e i denje kujtimi e vleresimi i tij figurave tona te shquara – majave te spikatura te artisteve te kenges shqiptare,qe pasurojne trashegimine artistike, jo vetem shqiptare po dhe ate europiane e boterore.
Ato artiste te mrekullueshme,bashke me Vace Zelen, kujtoj, kane permendoret e tyre ne shpirtin dhe vetedijen e dashamiresve te kenges e artit shqiptar, kudoqofshin ne meridiane te botes.
Po, ka ardhur koha qe ato monumente-perla te trashegimise shqiptare te zbresin nga shpirti i adhuruesve te tyre ne
sheshet publike dhe te fisnikerojne hapesiren tone njerezore
jo vetem me heronje epik, po dhe me heroina lirike!
Keshtu do te krijonim nje mjedis ekologjik kulturor te plote e te drejtpeshuar-me vlera kombetare qe jane njekohesisht dhe vlera universale njerezore te denja per cdo epoke po sidomos per shekullin XXI!
Ja, ne fund, nje fragment poetik i frymezuar nga nje bashkebisedim me nje artiste kroate ne Zagreb,gati dyzet vjet me pare (ne v.1975):
“kurre s’kam njohur ndonje shqiptar
shqiptaret si jane me pyeti
si Andet i thashe
qe perfundi kane vullkane
ndersa ne maja
bore e akullnaja
I tregova pastaj per Tefta Tashkon
per Tefta Tashkon ajo asgje nuk dinte
natyrisht s’u cudita aspak
ne njihemi fare pak
…..
Me trego dicka tjeter me tha
i fola per Aleksander Moisiun
per Aleksander Moisiun nuk dinte asgje
me tha kam degjuar vetem per Bekim Fehmiun
dhe per nje N e xh m i j e
S’u cudita aspak
ne njihemi fare pak.
Ferhat Ymeri
(Nga poezia “D”, botuar, fillimisht, ne te perdyjavshmen “Bota e Re” ne Prishtine, dhe me pas ne vellimin me poezi
“Valsi” (f.22-23), Rlindja, Prishtine, 1983.