

Nga Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane
Sakrifica heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e 56 anëtarëve të familjes së tij nuk ishte vetëm një tragjedi e madhe kombëtare. Ajo ishte momenti kur historia mori drejtim tjetër. Në Prekaz shpërtheu vullkani i lirisë së Kosovës — një vullkan që nuk mund të shuhej më. Një vullkan, flakët e të cilit përpinë klikën vrasëse të Serbisë gjenocidale.
Flijimi i familjes Jashari tronditi ndërgjegjen e gjithë kombit shqiptar. Nga ai moment, liria nuk ishte më një ëndërr, por një betim. Shqiptarët nga të gjitha trojet u ngritën në këmbë. Vullnetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare në Evropë e Amerikë iu bashkuan luftës për çlirim.
Në mesin e tyre ishin edhe shumë shqiptaro-amerikanë, të cilët krijuan Brigadën legjendare “Atlantiku”. Ata lanë jetën e sigurt në Amerikë dhe u kthyen në vendlindje për të luftuar për lirinë e Kosovës. Ishte një dëshmi e jashtëzakonshme se lidhja e diasporës me atdheun nuk është vetëm emocionale, por edhe sakrificë reale.
Në të njëjtën kohë, në Shtetet e Bashkuara zhvillohej një betejë tjetër – beteja diplomatike për të vërtetën e Kosovës. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nën udhëheqjen e ish-kongresmenit me prejardhje arbëreshe Joseph DioGuardi dhe këshilltares për çështje ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, punoi pa pushim për ta bërë të dëgjohej zëri i shqiptarëve në Washington.
Falë përpjekjeve të tyre të palodhshme, dyert e institucioneve amerikane u hapën për Kosovën, ndërsa propaganda e regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit filloi të shembej përballë fakteve.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ishte ndër organizatat e para që doli publikisht në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillim të vitit 1998. Në Washington u organizuan protesta të mëdha para Shtëpisë së Bardhë dhe në Capitol Hill, ku morën pjesë senatorë dhe kongresmenë të njohur amerikanë.
Në mars të vitit 1998, vetëm pak ditë pas masakrës së familjes Jashari, në Kongresin Amerikan u zhvillua një dëgjim i rëndësishëm për Kosovën. Aty u përball dhe u hodh poshtë përpjekja për ta shpallur UÇK-në organizatë terroriste. Argumentet ishin të qarta: terroristë nuk janë ata që mbrojnë shtëpitë dhe familjet e tyre nga një ushtri pushtuese.
Adem Jashari – simbol i përjetshëm i lirisë
Historia e popullit shqiptar është histori rezistence. Për shekuj me radhë, shqiptarët janë përballur me pushtime dhe padrejtësi, por kurrë nuk e kanë humbur shpirtin e lirisë.
Figura e Adem Jasharit përfaqëson kulmin e kësaj tradite. Ai i tregoi botës se liria nuk negociohet dhe nuk blihet – ajo fitohet me sakrificë.
Të rrethuar nga një ushtri e armatosur deri në dhëmbë, Adem Jashari dhe familja e tij nuk u dorëzuan. Ata luftuan deri në frymën e fundit. Burra, gra dhe fëmijë qëndruan së bashku përballë një makinerie të egër ushtarake.
Në atë qëndresë heroike u shkrua një nga kapitujt më të ndritur të historisë shqiptare. Prekazi u bë simbol i sakrificës dhe i guximit. Nga ai moment, lufta për lirinë e Kosovës mori një dimension të pakthyeshëm.
Flijimi i familjes Jashari u bë thirrje për mijëra shqiptarë që të bashkoheshin në luftën çlirimtare.
Amerika – aleati vendimtar i Kosovës
Historia moderne e Kosovës nuk mund të kuptohet pa rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një kohë kur Evropa shpesh hezitonte të përballej me agresionin dhe hegjemonizmin ruso-serb në Ballkan, Amerika u bë zëri më i fuqishëm në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve.
Mbështetja amerikane nuk ishte rastësi. Ajo ishte rezultat i përpjekjeve të diasporës shqiptare, i punës së palodhshme lobuese dhe i të vërtetës që nuk mund të fshihej më nga propaganda serbe.
Edhe sot, është e qartë se pa rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në Ballkan dhe as zgjidhje të drejtë për Kosovën.
Prandaj marrëdhënia strategjike me Amerikën mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të politikës dhe të së ardhmes së Kosovës.
Amaneti i të rënëve për liri
Adem Jashari, familja e tij, anëtarët e familjes legjendare Haradinaj dhe mijëra dëshmorë të tjerë të luftës për liri nuk ranë vetëm për të çliruar një territor. Ata ranë për dinjitetin dhe të ardhmen e një kombi.
Ata e paguan lirinë me jetën e tyre.
Amaneti i tyre është i qartë: liria duhet ruajtur, shteti duhet forcuar dhe interesat kombëtare nuk duhet të tradhtohen kurrë.
Amaneti i tyre i fundit ishte BASHKIMI KOMBËTAR.
Prekazi nuk është vetëm një vend në hartë. Prekazi është një betim.
Një betim se liria e Kosovës nuk do të dorëzohet kurrë.