


Prof. Dr. Fejzulla Berisha/
Në kuadër të qëndrimit tim zyrtar dhe akademik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, realizova një vizitë dyditore në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në Neë York dhe Vatrën e varrin e Fan Nolit e Memorialin e Faik Konicës në Boston. Në selinë historike të “Vatrës” në Boston, më priti me ngrohtësi dhe respekt të lartë nga Kryetari i Degës së Bostonit, z. Mentor Maksutaj, dhe anëtarë të kryesisë, të cilët vlerësuan kontributin tim akademik dhe kombëtar në forcimin e identitetit shqiptar dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike shqiptare dhe diasporës intelektuale në SHBA. Diskutimet u fokusuan mbi rëndësinë historike të “Vatrës” si institucion i mbrojtjes së interesave kombëtare, si dhe mbi nevojën për të thelluar bashkëpunimin midis universiteteve shqiptare dhe komunitetit vatran. U theksua se “Vatra” është një vatrë shpirtërore që ka ruajtur gjallë idealin e bashkimit dhe të dinjitetit kombëtar për më shumë se një shekull.
Fan S. Noli dhe trashëgimia e tij në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane
Në vizitë, u përkujtua veçanërisht imazhi i Imzot Fan S. Nolit – themelues i “Vatrës” dhe i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, personalitet i shquar i dijes, politikës dhe kulturës shqiptare. Noli mbajti lidhje të drejtpërdrejta me qarqet më të larta politike amerikane, përfshirë Presidentin John F. Kennedy, duke forcuar rolin e tij si urë lidhëse midis idealit të lirisë shqiptare dhe filozofisë së demokracisë amerikane. “Ideali nolian për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të bashkuar është në përputhje të plotë me filozofinë amerikane të të drejtave të njeriut dhe të lirisë universale, të cilën Presidenti Kennedy e mishëroi si frymë të qytetërimit modern.”
Vizita kulturore, akademike dhe përkujtimore në Boston
Gjatë qëndrimit në Boston zhvillova vizita me karakter kulturor dhe përkujtimor, duke theksuar lidhjet e ngushta me rrënjët e identitetit shqiptar dhe trashëgiminë shqiptaro-amerikane:
-Vizitë në Kishën Shqiptare “Shën Gjergji”, themeluar nga Fan Noli, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar;
-Homazh pranë varrit të Fan S. Nolit, duke nderuar figurën e tij si simbol të dijes, shpirtërisë dhe lirisë kombëtare;
-Vizitë në Universitetin e Harvardit, ku Noli mbrojti doktoraturën dhe hartoi veprën monumentale për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun;
-Takime me qendra dhe institucione historike amerikano-shqiptare, që shërbejnë si ura bashkëpunimi ndërmjet diasporës dhe institucioneve akademike shqiptare.
Simbolika kombëtare e “Vatrës” dhe mesazhi i bashkimit
“Vatra” mbetet institucioni më i rëndësishëm i unitetit dhe ndërgjegjes kombëtare në diasporë. Që nga themelimi i saj më 1912, ajo ka qenë një zë i fuqishëm për shqiptarinë, duke luajtur rol kyç në shpalljen e pavarësisë, në mbështetjen e shtetformimit dhe në ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo. “Vatra është akademia e parë e kombit shqiptar në mërgatë, ku u përbashkuan dija, kultura dhe patriotizmi. Pa Vatrën, historia shqiptare e shekullit XX do të kishte humbur boshtin e saj moral dhe shpirtëror.”
Laurimi në “Vatër” – vazhdimësia e trashëgimisë intelektuale
“Vatra”, përfaqëson lidhjen mes brezave të mëparshëm vatranë dhe elitës intelektuale shqiptare të sotme. Kryetari i Degës së Bostonit, z. Mentor Maksutaj, theksoi: “Ky laurim dhe kjo vizitë forcojnë urën e bashkëpunimit ndërmjet vatranëve të Amerikës dhe elitës akademike shqiptare, duke dëshmuar se ideali i Nolit dhe Konicës për unitetin kombëtar mbetet më i gjallë se kurrë.”
Kujtimet dhe ndjesitë e një vizite shpirtërore në “Vatrën” e Bostonit
Vizita në selinë historike të “Vatrës” nuk ishte thjesht një takim zyrtar; ishte një përjetim shpirtëror, një kthim në rrënjët e kombit dhe ndërgjegjen historike. Në ato mure ku ndihen ende zërat e Fan Nolit dhe Faik Konicës, ndjeva se koha ndaloi për të dëgjuar frymën e kombit shqiptar – frymë që ka mbajtur gjallë “Vatrën” për më shumë se një shekull.
Noli dhe Konica përfaqësojnë dy shtylla morale dhe intelektuale të shqiptarisë moderne. Noli, prifti i dijes dhe i lirisë, ndërtoi ura mes fesë, shkencës dhe artit; Konica, mendja kritike dhe estetike, i dha gjuhës shqiptare elegancën dhe forcën e kulturës evropiane. Ata janë yje polarë të një ideali të përbashkët: kombin e lirë, të ditur dhe të qytetëruar.
Fryma e tyre është një thirrje e përhershme: të mbajmë gjallë kujtesën, të ruajmë dinjitetin, të mos harrojmë sakrificën dhe të ndërtojmë unitet shpirtëror dhe intelektual. Në heshtjen solemne të “Vatrës”, dëgjova jehonën e një amaneti të pavdekshëm: Të mbrojmë idealin e kombit, të ruajmë identitetin dhe të ndërtojmë një Shqipëri dhe Kosovë që ecin bashkë – në frymën e “Vatrës”, në dritën e dijes dhe në besën e lirisë.