
Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Dërgoi: Besnik Fishta/
Një nga figurat më të njohura dhe tërheqëse në Panteonin e Rilindjes Evropiane është edhe poeti Mikel Maruli. Ai nuk ishte vetëm poet, por si të gjithë përfaqësuesit e humanizmit ishte edhe studiues, filozof dhe pedagog i njohur. Mikel Maruli rridhte nga një familje shqiptare që jetonte në More. Në shekullin XV Moreja ishte e banuar nga shumë etni. Shqiptarët përbënin 2/3 e popullsisë dhe qenë vendosur aty të larguar nga dhuna serbe. Shumë shqiptarë, ndër to edhe familja e Marulëve të detyruar nga vërshimi osman u vendosën në Kostandinopojë që në atë kohë ende nuk kishte rënë në duart të turqve. Në fillim të vitit 1453 lindi Mikel Maruli. Por me rënien e qytetit të Kostandinopojës nën pushtimin osman familja Maruli vazhdon eksodin e saj, tashmë në Raguzë, në kërkim të një vendbanimi sa më larg Perandorisë Osmane. Me sa duket edhe dëshmohet nga poezitë e Marulit, që ai shkroi më vonë, i ardhur foshnjë në Republikën e Raguzës, ai do të kalojë aty vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së parë. Por mbresat që i la ky qytet i lashtë, i ndodhur midis Perëndimit dhe Lindjes evropiane, nuk kalojnë pa lënë gjurmë në shpirtin dhe mendjen e tij. Falë këtyre kujtimeve ai në moshë të pjekur do të këndojë hiret dhe madhështinë historike të këtij qyteti në poezinë “Lavdi Raguzës”. Por Marulët nuk e ndjenjë veten të qetë as në Raguzë dhe pas disa vite qëndrimi aty, ato vazhdojnë migrimin tashmë në brigjet e Gadishullit Apenin, për t’u vendosur përfundimisht në Ankona. Gjithë ky shtegtim i gjatë jetësor do të lërë gjurmë në formimin dhe veprën e Mikel Marulit. Në Gadishullin Apenin fillon arsimin dhe edukimin humanist duke ndjekur mësimet në Venedik e më pas në Universitetin Boa në Padova, ku ishin shkolluar dhe do të bënin emër shumë humanistë shqiptarë si Gazulli, Tomeo, Beçikemi. Por ai nuk qëndron indiferent edhe ndaj ngjarjeve politike të kohës. E gjejmë, si na dëshmon edhe vepra e tij poetike, përkrah shqiptarëve që luftojnë si stratiotë deri në brigjet e Detit të Zi, e Besarabi. Teksa lufton kundër turqve merr vesh se ka humbur vëllain, Gjonin dhe nënën, Efrosinën, çfarë e detyron të kthehet përkohësisht në gjirin e familjes. Më pas e gjejmë përkrah stratiotëve të tjerë duke luftuar në Otranto kundër turqve, në kampin e Aleancës së shteteve Evropiane. Mikel Maruli u bë i njohur si poet. Poezitë e tij u botuan në Firence, Romë, Breshia, Padova dhe Venedik, si dhe në Gjermani, Francë e Zvicër. Me emrin që fitoi ai u zgjodh anëtar i Akademisë së Napolit. Në 1497 poeti arriti të botonte në Firence dy vepra si “Himnet e Natyrës” dhe “Epigrame”. Po në këtë vit u martua me Aleksandra Skalën, të bijën e shkrimtarit Bartolomeo Skala, një admirues i flaktë i Dantes. Ai vazhdon të shkruajë një vëllim të ri “Epigrame” dhe një poemë pedagogjike “Mbi edukatën e princërve” që nuk arriti t’i botonte. Ai vdiq aksidentalisht në prill të vitit 1500 duke kaluar me kalë lumin Çeçino në Toskanë. Siç thuhet, mbi valët e lumit doli libri “Mbi natyrën e sendeve” i Lukrecit që Mikel Marubi e adhuronte dhe për të cilin ai kishte kryer disa komente model. Megjithë ndërprerjen tragjike të jetës, vepra e mbetur dorëshkrim e Marulit, u botua pas vdekjes së poetit në sajë të kujdesit të së shoqes Aleksandres. Veprat e tij janë ribotuar në Bolonjë më 1504 dhe 1509, në Paris më 1529, 1561 dhe 1582 dhe në Berlin më 1595 etj., si dhe kanë njohur ribotime në shekullin XX. Poeti dhe filozofi i shquar Mikel Maruli la gjithashtu edhe një dorëshkrim tjetër me komente të zgjedhura për veprën e Lukrecit “Mbi natyrën e sendeve”, dorëshkrim i cili u shërbeu ribotuesve të veprave të klasikut latin, Lukrecit, për ta vënë si parathënie. Jetën dhe veprimtarinë e këtij humanisti e kemi të pasqyruar në krijimtarinë e tij poetike. Në asnjë nga poezitë e tij Maruli nuk shprehet se ka origjinë greke, bizantine apo italiane. Gjithë krijimtaria e tij është në gjuhën latine, sidoqë ka adhuruar si për klasikët e antikitetit grek dhe romak. Ai nuk ka shkruar asnjë radhë në gjuhën greke. Po kështu refreni i një kënge që pason vargjet e Marulit fillon me këto radhë: “Ne jemi nga Shqipëria / Stratiotë luftëtarë…” I njohur si poet dhe filozof i shkëlqyer, ai shkroi edhe një vepër me karakter pedagogjik që i kushtonte rëndësi, në frymën e humanizmit të Rilindjes, zgimit, zhvillimit dhe afirmimit të personalitetit të njeriut. Më pas veprën e tij pedagogjike do ta çonin më tej Erazmi nga Roterdami (1467–1536), Rabelë (1483–1553), Mishel de Montaigne (1533–1592) duke krijuar kështu një kontribut të veçantë në këtë fushë të trashëgimisë së Rilindjes Evropiane. Kur vdiq Mikel Maruli, poeti i Rilindjes, Ludvik Ariosti i kushtoi një poezi plot konsideratë dhe stimë. Në poezi është ndikuar nga poetët grekë dhe në veçanti nga Homeri, Epikuri dhe nga poetët latinë, nga Katuli, Horaci dhe Lukreci. Ai njihte shumë mirë dhe ishte studiues i letërsisë antike greke e romake, por çmonte edhe bashkëkohësit e tij, Danten etj. Nga Katuli u ndikua të lëvronte lirikën e pastër plot bukuri dhe ndjenjë ndërsa nga Lukreci u frymëzua t’i këndonte natyrës. Në veprën “Himnet e natyrës”, si vërejnë studiuesit, ai i këndon gjithësisë, tokës, diellit, hënës si dhe bukurive të natyrës dhe të botës së gjallë. Ai nuk që poet imitues i poezisë klasike por një poet që shquhej për origjinalitetin e tij në brendi dhe formë. Shkroi në një formë poetike të lartë dhe në një latinishte të pasur dhe stil elegant. Në veprat e tij ai i këndoi bukurisë fizike e shpirtërore të njeriut, i këndoi dashurisë. Vepra poetike dhe shkencore e Mikel Marulit është relativisht e gjerë. Ajo e tëra është shkruar apo botuar në latinisht (një pjesë të poezisë së tij e ka përkthyer latinisti i njohur Engjëll Sedaj dhe i ka botuar në “Jeta e re”, nr.6, Prishtinë, 1984, fq.1077–1091). Duke reflektuar mbi poezinë e Mikel Marulit, s’është e vështirë të ndjesh dhe të perceptosh një poet të talentuar plot ndjenja dhe dashuri për njeriun dhe atë që e lidh atë me jetën, me botën e gjithësinë. Është tepër kuptimplotë fakti se në poezinë e tij, edhe pse nuk shfaqet me emër Arbëria, malli për të është i madh. Është aq i madh patosi për Atdheun sa edhe pse i takon një panteoni poetik panevropian, ai të kujton dendur e natyrshëm një variant të mallit të arbëreshëve të Italisë të shënuar edhe në letrat arbëreshe të shekujve 16–17, dhe rigjetur e rishprehur në dimensione të reja në shekullin 19, shekullin e zgjimit kombëtar evropian por edhe të zgjimit kombëtar shqiptar. Është tema e madhe e atdheut të munguar që i jep poezive të Mikel Marulit, atë dimension të ndjenjës së thellë personale të përjetuar që vinte jo si një transplantim i lirikëve të lashtë si Katuli, Lukreci, etj., por si shprehje e gjallërisë së ndjenjave njerëzore të një kohe të re, siç ishte shekulli i humanizmit, në zemrën e të cilit shkroi poeti me origjinë arbërore, M. Maruli, por në një variant të përkryer gjuhësor evropian siç ishte latinishtja. I frymëzuar nga poetët e mëdhenj të antikitetit latin e grek, Maruli do të krijonte një poezi të larmishme që edhe pse nuk e tret plotësisht lëndën retorike, sjell freski dhe gjallëri të re poetike. Brenga e largimit të të parëve nga atdheu i kërcënuar nga dhuna osmane, vuajtja pothuajse në mënyrë të pandërprerë për atdheun e robëruar është lejtmotivi që përshkon poezinë e tij edhe kur ajo është me temë personale, si kur vajton vdekjen e vëllait, Gjon, ose me epitatet e lëvruara prej tij për nënën e babanë, gjyshin nga nëna dhe gjyshin nga babai. Në poezinë lirike elegjiake “Mbi vdekjen e vëllait Gjon” ai shpreh dhimbjen e pafund njerëzore për njeriun e afërt, por që prapë është më e pakët sesa brenga e atdheut të robëruar e të munguar. “Vetëm atdheu i robëruar më tepër / se ti mund ta pikëllojë shpirtin tim”. Ndërsa në epitafin kushtuar Mikel Tarkanjoit, gjyshit nga nëna, Maruli shkruan për “plagë të zvarisura nga lufta për atdhe”, duke nënkuptuar jo vetëm të parët e tij, por gjithë etninë arbërore ai shkruan: “… se për atdhe aq shumë u tret ai popull”, dhe amaneti i tij i fundit është porosia “… deri sa t’mos ngadhënjejë me atdheun, ani unë tok do të tretëm”. Ndërsa në Epitaf për Manilin, babanë e Marulit, poeti shkruan: “Se e mjerë ka qenë jeta në atdheun tonë të pushtuar, / Tani po vdes, duke qajtur dhe çdo gjë / po mbetet pikëlluese e mjerë / Ky është fati i gjinisë sonë”. Portretin e nënë Efrosinës i dhënë përmes një epitafi prekës shumë të bukur e njerëzor në një dialog poetik shprehës, Mikel Maruli e ka derdhur si në alabastër profilin e bukur, fisnik, bujar e mbi të gjitha atdhetar të nënës së vet. Në parafytyrë poetike ajo ndrit si një krijesë që ndjell gëzim, krenari, dhimbje të pafund dhe të thellë. Ajo është nënë, motër, bashkëshorte e denjë, e urtë dhe e ndershme, por që e kaloi jetën, siç thotë poeti, “në burg”, sepse vuajti pushtimin e atdheut dhe robërinë e rëndë, që ishte dhimbja e madhe e saj. Ajo fal gëzim, ajo shpërndan dritë sepse siç thotë poeti në fund të poezisë, duke nënvizuar edhe njëherë vlerat e saj si nënë, si njeri, si qytetare, ajo mbi të gjitha ishte “Gruaja që me shpirt donte atdhenë”. Temës së lidhjes së pazgjidhshme, pavarësisht nga rrethanat e vështira të njeriut me vendin e vet u takojnë edhe poezitë “Për atdheun”, “Të vdekurit për atdhe”, “Mbi mërgimin tim”, ku ndjehet depërtuese ideja e lidhjes së pashkëputur të njeriut me të vetët. Tema në vetvete ka një konotim të hapur. Ajo reflekton momentin personal, që në klimën e humanizmit merrte të drejtën e qytetarisë në poezinë e kohës, por ajo fitonte edhe një tingull universal njerëzor, për të gjithë ata njerëz që për një arsye apo një tjetër dhe aq më shumë për arsye madhore janë shkulur nga vendi i tyre i origjinës për ta gjetur e kërkuar lirinë, paqen dhe pse jo edhe lumturinë diku në një tjetër vend. Dhimbjet e Marulit nuk janë aspak më pak të vogla se ato që ndjen dhe shpreh pak më tutje në kohë, Barleti i shfaq jo vetëm në veprat e tij, por edhe në parathëniet e tyre, sidomos në parathënien e “Rrethimi të Shkodrës” (1504). Në lirikën “Për atdheun”, Maruli evokon atdheun e origjinës më tepër përmes konvencionit të dhimbjes që ngjall robëria “O fis i mjerë e fatzi, ku mbeti lavdia e më parshme”. Për të poeti ka shprehur afeksion përmes metaforës kuptimplote dhe të brishtë “Syçkë e gjithë botës, atdheu im, o syçkë e fiseve”. Poezia me tone atdhetare e M. Marulit pavarësisht përmasës evropiane apo universale njerëzore, ka edhe përmasën konkrete personale që lidhet me jetën e poetit. Ky plan gjen konkretizim sidomos në poezinë e gjatë por me vlera shumë të thella “Për mërgimin tim”. Ajo pothuajse e ka shfaqur hapur vetëdijen e kombësisë teksa thekson: “… S’dua të mbetem i vetmuar / nga gjaku i të parëve t’atdheut të përgjakshëm, pse shpirti i dritës që / nuk don dhe s’mund të pranojë mërgimin / tani është i përbuzur…” Poezia është shfrim i ndjenjave fisnike për tokën e munguar, për shtëpinë atërore, për atdheun, për të cilin edhe Maruli sikurse Barleti, mendon se kurrë nuk duhet menduar se është bërë shumë. Poeti shkruan me afsh dhe revoltë njerëzish, duke vënë para detyrimit moral të parët e vet që kapëtuan udhën e hidhur e të vështirë të mërgimit, me të cilin veprim, siç e dëshmon tërë poezia e tij, ai nuk u pajtua asnjëherë, nuk u ndje i qetë. “… Ah, atëbotë / duhej të vdiste i madh dhe i vogël / e t’mos lejonin këtë ‘keqe kaq të madhe / dhe nga plagët e bukura vdekja të / plandoset në fuqinë vetjake / për të mbrojtur lirinë, e shpëtimit / të dëshiruar, rruga e sigurtë ishte kjo..” Poeti që ka luftuar me armë në dorë ndaj armiqve osmanë barbarë si stratiot, në Otranto përkrah koalicionit evropian ka arritur në mendimin më sublim që e shpreh sa në këtë poezi edhe në poezinë “Të vdekurit për atdhe”, të cilën po e sjellim të plotë për mesazhin e saj atdhetar e human. “Ti, që i ke parë përleshjet mizore / t’egërsirave, pusho i admiruar / në fushën e gjerë! Kushedi se sa / mijëra heronjve luftëtarë! / Thirre vdekjen e ndershme e jo Sukën!/ Ky është zakon i të parëve” Poezia e Marulit është e vrullshme siç ishte vetë jeta dhe personaliteti i poetit humanist. Mesazhi dhe emocionaliteti që transmeton nuk e ka humbur freskinë edhe pse kanë kaluar aq shekuj që kur është shkruar. Ajo e tëra është fjalë shpirt për vendin e dashur të njeriut të çdo kohe e të çdo hapësire. Këtu qëndron dhe universaliteti dhe origjinaliteti i kësaj poezie që u çmua shumë në shekujt e Rilindjes Evropiane dhe që përbën një trashëgimi me vlerë sa evropiane dhe kombëtare. Për tiparet e saj humaniste, poezia e Mikel Marulit do t’i japë edhe në ato krijime me temë dashurinë dhe miqësinë, që, edhe pse kanë pikënisje çaste personale, kanë tingull përgjithësues. Në poezinë e tij për dashurinë vihet re ndikimi i Katulit, poetit latin që ai adhuronte. Por lirika intime e Marulit rrjedh spontane e vetvetishme plot ndjenjë dhe bukuri stili. Ajo është një poezi që arrin të piketojë variacione të ndjenjës që ndjenja e thellë e dashurisë pëson nga mospërgjigja të cilën Maruli e jep tek poezia Aksesinqerti ku poeti thotë se më vështirë se shpata, heshta apo mortaja, se shtrëngata e stuhia, për shpirtin e tij të ndjeshëm “e keqja më e madhe është ajo vajzë që mund të më mohojë, kur ta dua”. Maruli ka skalitur portrete aq të gjalla femrash që janë subjekt i lirikave të tij, si Leukota që është tipi i vajzës lozonjare, që e bën poetin më shumë të vuajë apo në Epitaf Albinës, që përfundon me vargjet: “… Spërkatnie tokën me gjethe / mos i kurseni lulet pranverore / sepse ajo që sot është pluhur e hi / dikur ishte lule pranverore!” Në një rrafsh real njerëzor është dhënë ndjenja e dashurisë në poezinë “Mbi dashurinë e vet”. Vargjet e poezisë japin një shpirt pafundësisht të trazuar nën tallazet e asaj gjendje emocionale që shkakton dashuria. “Vërtitem, shkatërohem kryqëzohem / Andej e këndej, bartem unë i gjori / S’di se kush jam dhe ku ndodhem un’ tani!” Në një plan tokësor ai vlerëson vese të tilla si mendjemadhësia (“Kundër mendjemadhësisë”) me të cilën jo vetëm që s’ pajtohet por rreh të vendosë një kod etik duke kujtuar se sado i plotfuqishëm dhe me pushtet të jesh, duhet të mendosh ata që kanë sakrifikuar e nuk janë më. “… kujtoji pa përtesë, ata që ranë në luftë të mjerët / duke menduar se / edhe mbretëria jote do të zvogëlohet.” Jo pak vend në poezinë e Marulit zënë edhe ndjenja të tilla njerëzore si miqësia që ai e poetizon në poezinë “Mbi veten dhe Kozmo Politin” dhe në poezinë “Francesk Skala”, të mbushura plot e përplot me ndjenja njerëzore. Adhurimin për antikën greke, latine që ai e kishte të shumfishtë ai e ka shprehur edhe në poezitë “Homerit”, “Për Dante Aligerin”, “Poetëve italianë”. Aq shumë e çmon Homerin sa e numëron jo në të vdekëtaret por “lindur prej eteri të ndritshëm që ta nderojë toka dhe Qielli”, duke u prononcuar për problemin e prejardhjes së tij në poezinë kushtuar poetimit. Ndërsa tek poezia “Mbi poetët italianë” ai afron poetët e lashtë me vetë perënditë duke hequr kufijtë midis tyre. Kaq i madh është adhurimi për këta poetë. E këto janë Tibuli, poeti i dashurisë, Vigjili, hyjnor, Terenci, Horaci, Lukreci i madhërueshëm duke e përfshirë me spektrin e tij poetik gjithë hapësirën e poezisë, dramës dhe poemave epike të antikitetit latin, me një pasuri dhe variacion ndjenjash që nga ato intime deri tek patosi satirik që kishte lulëzuar ndër poetët latinë që i dha aq freski por edhe madhështi veprës së tyre letrare. Ata për Marulin humanist nuk janë vetëm objekt adhurimi dhe afeksioni të thellë, por edhe model i krijuesve njerëzorë e qytetarë të ndershëm jo për t’u imituar por për t’i patur si udhëheqës shpirtërorë. Këtë e provon vepra letrare e Mikel Marulit. Në poezinë “Për Dante Aligerin”, Maruli e ngre lart “poetin me nam”, “pa emrin e autoritetin e tij nderohej gjithë atdheu i tij” dhe që për paradoks që ndëshkuar me mërgim, ky bir i Firences dhe gjithë Italisë, andaj poeti lirik shpërthen jo pa sarkazëm: “Heu, ju kohë ziliqare / që nga virtyti shartoni fatin e padenjë! / Cilit t’i takojë virtyti / i atij është atdheu” Mesazhi poetik i saj është i qartë. Njeriu me vlera dhe kontribute e fiton atdheun përjetësisht. Atdheu ka nevojë për emrin dhe veprën e tij sado paradoksal të jetë fati dhe vlerësimi i tij, siç ndodhi dhe me Danten që qe shpërblyer më shumë nga Firenca e tij, që gëzon sot e gjithë ditën famën e madhërishme të qytetarëve të saj të ndritur, në mes të të cilëve qëndron edhe Dante Aligeri. Sadoqë, e nisur nga motive personale, disi më vete qëndron poezia “Lavdi Raguzës”, qytetit-republikë ku Mikel Maruli kaloi fëmijërinë dhe rininë e parë, nga i cili mori mbresa dhe kujtime të një jete qytetare të gjallë, të lakmueshme e të paharrueshme. Poeti nga fillimi deri në fund të poezisë shpreh mirënjohjen duke i dhënë vend asaj ndjenje të thellë të njeriut që provon mirënjohjen pikërisht në një qytet të tillë që do të jetë gjithnjë dhe stolisja e qyteteve “mikpritëse e ngrohtë, në ty mjerimet e mërgimit i vajtova, i njomë, shtalb, nga zemra, dhimbjet si mik e vëlla te ti qesh gostitur”. Adhurimi për Raguzën nuk ka vetëm pikënisje personale, ajo përfaqëson një vend mikpritës për të mërguarit e të gjithë kohëve, ajo për të është një hapësirë jetike për idetë humaniste ku “vijnë e shkojnë njerëz të gëzuar” ku veprojnë “zakone, ligjet e shenjta të këtij qyteti” të cilin e çmon për krenarinë dhe pavarësinë. Ai qytet ishte vend banimi e veprimi për humanistë të Ballkanit, midis të cilëve edhe shqiptarë. Dhe këtë Maruli, vetë humanist, nuk ka si të mos e çmojë e ta ngrejë në poezinë “Lavdi Raguzës”. Poezia është derdhur në ndjenja njerëzore dhe në ideale humaniste që rrezaton jo vetëm kjo republikë, ky qytet, por gjithë bregdeti dalmatin me origjinë të hershme ilire. Poezia, studimet, komentet që do të botoheshin pas vdekjes së tij e kanë radhitur Mikel Marulin ndër poetët më të çmuar e më të mëdhenj të humanizmit. Njeriu që kish si lejtmotiv “Duke luftuar kërkoj një vdekje të ndershme për atdhe” me jetën dhe veprën e tij provoi se gjithë jeta e tij iu kushtua lirisë në kuptimin më të gjerë të fjalës. I mërguari që e vuajti shumë brengën e atdheut të munguar i dha shprehje ndjenjave të thella njerëzore në poezinë e tij, duke i blatuar panteoni humanist shumë krijime të realizuara poetike. Ai pati dhe manifestoi gjithë tiparet e lëvizjes së humanizmit, si adhurimin për trashëgiminë kulturore-letrare të antikitetit grek e latin, duke sjellë në poezi kultet e reja të epokës së Rilindjes Evropiane, si kultin për qenien njerëzore, për lirinë dhe të drejtat e natyrshme të saj, duke shpalosur në poezi plot hir e ndjesi gjendje reale njerëzore, duke i dhënë hapësirë e shprehje pafundësisë së ndjenjave dhe ëndrrave e mundësive të shpirtit të njeriut. Poezia i dha famë dhe nder emrit të tij. Studiuesit e kanë çmuar si poet dhe kanë njohur prejardhjen e tij shqiptare, por ka pasur nga ata që për motive të tjera e kanë vënë në dyshim atë. Idealet humaniste kanë depërtuar në tërë veprën e tij, ashtu siç është e pranishme edhe brenga e atdheut nga i cili qenë të detyruar të largohen të parët e tij, gjë të cilën Mikel Maruli e kujton përherë me një dhimbje të madhe.