-(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”-J. F. KENNEDY–
Shkruan:Eugjen MERLIKA-
Historia e shekullit të fundit, që nga krijimi i shtetit shqiptar të pavarur, na la si trshëgim një të keqe të madhe, copëtimin e trojeve tona e dorëzimin e tyre fqinjëve tanë tokësorë. Qe një vendim i pamoralshëm i Fuqive të Mëdha që vulosën një pushtim të tokave tona në pragun e shkërmoqjes së perandorisë Otomane. Ishte hera e dytë që ato Fuqi vendosnin për coptimin e trojeve shqiptare. Herën e parë vepruan në dobi të Rusisë, që kishte fituar luftën me Turqinë, e cila u detyrua të paguante tributin tokësor me krahinat tona veriore që i shkuan si dhuratë Malit të Zi. Ndërsa më 1878 – 1880 Berlini diplomatik e quajti pjesën më perëndimore të perandorisë Otomane, të banuar nga shqiptarët, si “një shprehje gjeografike”, për të cilën mund të merrej çfarëdo vendimi, më 1913 në Londër ambasadorët e Fuqive të tubimit të Berlinit bënë një hap përpara duke njohur shtetin e saposhpallur shqiptar, në kufijtë e rrudhura të tij, duke i besuar versioneve sllavo – greke të epërsisë fetare mbi popullin e mbarështuar deri pak muaj më parë nga sulltani i Turqisë, armiku shekullor i Evropës së krishterë.
Vite më vonë një veprimtar i shpalljes së Pavarësisë, që mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të ministrave me Ismail Qemalin, në një letër që i shkruante një miku të tij, priftit historian At Paulin Margjokaj, pohonte se “E keqja më e madhe që i kishte bërë Turqia Shqipërisë ishte ndërrimi i besimit fetar një populli të vogël mes Evropës së krishterë”. Qe një argument i shfrytëzuar përtej të gjitha normave të moralit e të logjikës, për të propaganduar mohimin e të drejtës së shqiptarëve për një shtet të pavarur e të vetëqeverisur.
Problemi kombëtar, ai i ruajtjes së kufinjve të njohur në Konferencën e Londrës dhe në protokollin e Firences, qe edhe boshti i gjithë përpjekjeve të përfaqësuesve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Problemi ishte koklavitur keqas edhe si pasojë e një marrëveshjeje të nënëshkruar nga Fuqitë perëndimore në vitin 1915 me Italinë, në prag të hyrjes së kësaj të fundit në luftë, duke braktisur Aleancën Tripalëshe, të nënëshkruar që në vitet nëntëdhjetë të shekullit XIX. Kjo marrëveshje , e nënëshkruar më 26 prill 1915, që njihet me emërtimin Traktati i Londrës, paracaktonte një copëtim të ri të Shqipërisë ndërmjet fqinjëve të saj dhe Italisë e cila, për t’u futur në luftë përkrah Aleancës Katërpalëshe, mori si shpërblim premtimin për të marrë Vlorën dhe protektoratin mbi Shqipërinë e cunguar deri në asht. Mbas luftës këtij synimi i u shtua edhe pakti Titoni – Venizellos që ishte një tjetër projekt copëtimi të tokave shqiptare mes italianëve dhe grekëve i nënëshkruar më 29 korrik 1919, edhe se qeveria italiane kishte shprehur hapur, nëpërmjet komandantit të trupave të saj në Gjirokastër, gjeneralit Ferrero “bashkësinë dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë, nën mbrojtjen e Mbretërisë s’Italisë. Në sajë të këtij akti, shqiptarë, do të keni të lira institucionet, organet e rendit, gjykatat, shkollat, të gjitha të drejtuara nga qytetarë shqiptarë….” më 3 qershor 1917. Ishte një shëmbull tipik i shfaqjes së prirjeve të ndryshme në politikën italiane të luhatëshme të demokracisë parafashiste.
Zhvillimi i luftës solli ndryshime edhe në synimet e të huajve kundrejt çështjes shqiptare, që nuk ishte e vetmi problem në tryezën e Konferencës. Duhet përshëndetur ndihma morale e politike e presidentit amerikan Wilson që solli n’atë kuvend botëror idenë e mbrojtjes së të drejtave të popujve të vegjël. Kështu mbas shumë mëdyshjesh, zhgënjimesh e përpjekjesh të përfaqësuesve shqiptarë në Paris që, edhe n’atë rast nuk qenë në gjëndje të flisnin gjuhën e përbashkët në një përfaqësi të mirorganizuar e të njësuar, Shqipëria mundi të ruajë kufijtë e caktuar në Londër me kënaqësinë e madhe t’atyre që kishin luftuar me të gjitha mundësitë për t’i a arritur atij synimi.
Më vonë, me stabilizimin e shtetit shqiptar, mbas vitit 1925, problemi kombëtar përbënte një nga pikat kryesore të Traktatit italo – shqiptar të vitit 1926, në të cilin Italia zotohej që, në rast të krijimit të rrethanave të favorshme, të jepte ndihmesën e saj në ribashkimin e trojeve shqiptare, jashtë kufirit të tij, me shtetin amë. Ky premtim do të gjente zbatim në të tjera rrethana, ato të luftës së Dytë botërore, nën pushtimin italian që u krye më 7 prill 1939. Në prill 1941, si pasojë e mësymjes së ushtrive gjermane në Ballkan ranë Jugosllavia dhe Greqia. Një pjesë e mirë e tokave shqiptare që ishin në zotërim të Jugosllavisë u bashkuan me shtetin shqiptar në bazë të një dekreti mbretëror të 12 gushtit 1941. Ai sendërtoi ëndrrën tridhjetëvjeçare të bashkimit. Edhe se Shqipëria ishte nën pushtim, si pothuaj e gjithë Evropa, bashkimi i trojeve të saj shkaktoi një ngazëllim të përgjithshëm në Kosovë, në Dibrën e madhe, në zonën e Liqejve e në Mal të Zi, natyrisht edhe në Shqipëri. Qeveria shqiptare veproi me shpejtësi në hapjen e shkollave shqipe në të gjithë këta troje, duke i dhënë një shtysë të fortë idesë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë, ide që ende sot mbetet e huaj për fqinjët tanë dhe, fatkeqësisht, edhe për diplomacinë ndërkombëtare.
Të gjitha forcat politike kombëtariste shqiptare, si ato që ishin në pushtet, si ato që luftonin pushtuesin, ishin shumë të kënaqura nga bashkimi. Bënin përjashtim vetëm komunistët të cilët, mbas disa muajsh, do të themelonin partinë e tyre nën drejtimin e të dërguarve të PKJ. Të tjerët e quanin si hapin e parë të madh në drejtim të shtetit të bashkuar shqiptar. Duhej punuar me një strategji të përbashkët kombëtare që, sido të vinin ngjarjet e fatet e luftës, cilido të ishte fituesi, ai bashkim të mos njhte kthim mbrapa, ato popullsi të mos riviheshin përsëri në zgjedhën sllave. Mjerisht nacionalizmi shqiptar, për mangësi të tij apo për hyrje në lojë të fuqive më të mëdha se mundësitë e tij, nuk e ruajti kompaktësinë e tij në fundin e luftës. Kjo, kryesisht, sepse komunistët, fituesit e luftës, të kushtëzuar nga drejtimi i tyre filosërb e filorus, nuk treguan asnjë farë interesimi për të ruajtur gjëndjen e krijuar në pranverën e vitit 1941.
Disa brigada partizane në muajt e fundit të vitit 1944 hynë në “tokat e lirueme”, ku kosovarët nën drejtimin e Lidhjes së dytë të Prizrenit e Komitetit të rinisë nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës, kishin rrëmbyer armët për të mbrojtur lirinë e fituar e nuk lejonin hyrjen e brigadave sërbe e bullgare në trojet e tyre. Demagogjia dhe mashtrimi i komunistëve shqiptarë i a dolën që një pjesë e forcave vullnetare të dorëzonin armët “vëllezërve” të tyre që vinin nga “toka amë”, ndërsa pjesa tjetër të çarmatosej me forcë e t’i dorëzohej brigadave jugosllave. Qëndresa heroike kosovare, e sulmuar nga të gjitha anët pa patur asnjë ndihmë, erdhi duke u shuar mbasi la në fushat e betejave qindra heronj të kombit. Emrat e tyre, të rënë në fushat e betejave të pabarabarta kundër ushtrive sërbe, bullgare e malazeze e tradhëtisë së komunistëve shqiptarë, janë skalitur me shkronja t’arta në kujtesën e Shqipërisë fisnike e të traditës. Masakra e gati katërmijë djemsh të parritur mirë në Tivar e rrugës për të shkuar atje dëshmon, me të gjithë fuqinë e së vërtetës historike, rolin mizor të brigadave partizane shqiptare në Kosovë.
“Fatkeqësisht edhe sot ka historianë shqiptarë që, duke operuar me sllogane dhe duke injoruar faktet, nuk duan të kuptojnë realitetin e hidhur, politikën antishqiptare të PKJ-së, si dhe rolin antikombëtar të PKSh-së karshi çështjes kombëtare edhe në këto treva etnike shqiptare.”
Kështu shprehet prof dot. Muhamet Shatri, një nga historianët më të njohur e më të ndershëm të botës akademike shqiptare. Kjo është e vërteta e hidhur edhe sot, mbas tre të katërtave të qindvjetorit që na ndajnë nga ato ngjarje sa heroike aq edhe të turpëshme në kujtesën tonë. Demokratura e vendosur në Shqipëri ende nuk shprehet për këto krime kundër kombit, por vazhdon të hymnizojë veprën e brigadave partizane në Kosovën shqiptare. Nga vera e vitit 1945 e deri në ditët e sotme problemi i ndarjes së shqiptarëve nga shteti i tyre mbeti gozhda e ngulur në zemrën e trurin e Shqipërisë. Shteti komunist mori me vete turpin e tradhëtisë kombëtare. Fjala “tradhëti” aq shumë e përdorur në të folmen e shqiptarëve vënd e pa vënd, në ngjarjet e fundit të luftës së Dytë botërore në trojet e tyre, gjen me të vërtetë kuptimin e saj të mirëfilltë, i barabartë ky me veprimin e zi të Hamza Kastriotit gati pesë shekuj më parë. Nëse në rastin e nipit të Skënderbeut, mund të ketë patur arsye vetiake që një zemër ambicioze dhe e paformuar mirë, e shtynë në humnerë, në rastin e komunistëve shqiptarë veprimi tradhëtar buronte nga ideologjia e mbrapshtë e shpirti prej skllavi të drejtuesve të tyre.
Kanë kaluar 75 vite nga ato ngjarje rrënqethëse e ajo klasë politike e la hijen e saj të zezë në gjithë politikën shqiptare, për të cilën fjala “komb” u hoq nga fjalori. 75 vite dhe përsëri ajo fjalë nuk hyn në vetëdijen e shqiptarëve, të ndarë në katër shtete, përfshirë edhe një thjesht shqiptar, në sajë të luftës së tij por edhe të marrëzive kriminale të një populli tjetër e drejtuesit të tij mizor i tejskajshëm. Them në katër shtete, edhe se në Kosovë dikush ka shpikur nga fantazia e tij “kombin kosovar” dhe e ka futur atë koncept në fjalor, për të vendosur rekorde kundër idesë së shqiptarizmit duke pohuar një absurditet historik. 75 vite në të cilët askush, me përjashtim të atdhetarëve të nëmur nga klasa politike zyrtare shqiptare, nuk mori kurrë guximin t’i thotë botës se ndarja e shqiptarëve nuk mund të jetë një çështje e mbyllur në katakombat e historisë, por një problem, i shtruar për zgjidhje në fushën e politikës ballkanike apo të diplomacisë ndërkombëtare. Fakti që këtë të vërtetë nuk ka guximin t’a shtrojë asnjë nga politikëbërësit e Shqipërisë apo të Kosovës së pavarur, me përjashtim deri diku të Albin Kurtit, mbasi më duket e papërshtatëshme të merret si nismë nga shqiptarët në Maqedoni apo në Mal të Zi, tregon se kësaj klase politike mbas komuniste ende vazhdon t’i jehojë në vesh e në mëndje kushtrimi i të parëve e se kanë nevojë për doza të fuqishme shqiptarizmi në idetë e tyre.
Këto duhet t’i a japin shqiptarët e thjeshtë, kryesisht intelektualët atdhetarë, në të gjitha format e veprimtarisë së tyre, në shkrime, rrahje mendimesh politike, veprimtari artistike e kulturore, në takime ndërkombëtare, ku të parashtrohen me kompetencë shkencore arsyet e shumëllojëshme që mbështesin argumentin e domosdoshmërisë së mos varrosjes, së paku nga ana e jonë, të problemit tonë kombëtar. Fatkeqësisht shënjat në këtë drejtim nuk janë aspak ndjellamira. Jemi të ndërgjegjshëm se në politikën ndërkombëtare është krijuar një farë tabuje rreth këtij problemi, një mburojë e trashë akulli që e mban të ngrirë. Kjo shtresë akulli ka mbuluar edhe shoqërinë civile shqiptare në të gjitha trevat e Ballkanit, që nuk e ngrenë zërin fuqishëm asnjëherë në dobi të projektit të pasendërtuar të bashkimit kombëtar e nuk e detyrojnë në forma të ndryshme politikën të zotohet n’atë drejtim, sado vështirësish të dalin në rrugën tonë. Edhe në këtë drejtim demokratura ka ushtruar ndikimin e saj të mbrapshtë.
Kjo gjëndje e vështirë në të cilën jemi zhytur për paaftësinë tonë e për interesat e ngushtë të individëve, klaneve e partive, tashmë të përforcuara nga një përvojë e gjatë në pushtet, duhet përballuar me ndryshimet cilësore nëpërmjet votimeve, mbasi mbetet kjo e vetmja rrugë për t’u përshkuar në botën e sotme. Shpresojmë që deri në pranverën e ardhëshme do të lindin forca të reja politike, që mos të jenë kopja e keqe e atyre që janë tani, por të afta të sjellin risi politike, me programe të qarta e të mirëmenduara kombëtare e, mbi të gjitha, me njerëz me shtat moral, intelektual e profesional të lëvdueshëm, që të ndajnë politikën nga interesi i ngushtë vetiak, e t’i japin besimin e duhur masës së zgjedhësve që, tani për tani nuk shohin asnjë dritare të hapur nga të mund të hyjë ajri i pastër i politikës së ndershme e pse jo, edhe sado pak idealiste.
Do të jetë një sipërmarrje e vështirë dhe përvoja e këtyre tre dhjetëvjeçarëve, që filluan me idealet e studentëve të dhjetorit 1990, për Shqipërinë si Evropa, për shoqërinë e hapur, për shtetin e së Drejtës, për barazinë e të gjithë shqiptarëve në startin e nisjes, për ndreqjen e të gjitha padrejtësive e mizorive të sistemit komunist, e përfunduam në një shtet e shoqëri me të gjitha problemet e sipërpërmendura, nuk na frymëzon optimizëm. Megjithatë duhet të shpresojmë me bindjen se në këtë botë asgjë nuk është e përjetëshme, madje edhe një regjim politik e mendësia e tij mund të pësojnë ndryshimet e duhura. Rënia e komunizmit mbetet dukuria më shpresëndjellëse, pavarësisht ruajtjes së shumë fosileve të tij në jetën tonë. Është koha për t’i pastruar ato fosile dhe rastin do t’a kemi mbas disa muajsh nëpërmjet një kryqi mbi një listë njerëzish, kandidatë për të drejtuar, nëse do të dijmë të bëjmë zgjedhjen e duhur.
Shtator 2020 FUND