
Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/
1. Shqipëria – nga izolimi i hekurt drejt integrimeve euroatlantike
Historia e Shqipërisë është një shembull unik në Evropë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në vendin më të izoluar të kontinentit. Regjimi totalitar komunist ngriti një mur më të fortë se ai i Berlinit, duke shkëputur vendin nga çdo kontakt i lirë me botën. Ky izolim solli pasoja të thella: stagnim ekonomik, shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe mbyllje të çdo perspektive zhvillimi.
Por me shembjen e sistemit komunist në fillim të viteve ’90, Shqipëria nisi një rrugëtim të ri. Tranzicioni nuk ishte i lehtë – shoqëria u përball me kriza të thella ekonomike, politike dhe sociale. Megjithatë, përmes reformave graduale dhe mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare, vendi arriti të bëjë hapa të rëndësishëm:
-Anëtarësimi në Këshillin e Evropës (1995);
-Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në (2006);
-Anëtarësimi në NATO (2009);
-Marrja e statusit kandidat për BE (2014);
-Hapja e negociatave të anëtarësimit në BE (2022).
Sot, Shqipëria po negocion kapitujt e fundit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, duke dëshmuar se nga izolimi më i thellë mund të ngrihesh në standardet më të larta ndërkombëtare.
2. Kosova – shtet i ri në kërkim të konsolidimit ndërkombëtar
Kosova, e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, është shteti më i ri në Evropë. Ndryshe nga Shqipëria, ajo nuk trashëgoi një shtet të konsoliduar, por doli nga një luftë çlirimtare dhe një administrim ndërkombëtar nën UNMIK-un. Ky fakt e bën procesin e ndërtimit të shtetit të saj edhe më sfidues.
Kosova ka arritur shumë në 17 vitet e saj të pavarësisë: ka ndërtuar institucione demokratike, ka fituar njohje nga mbi 100 shtete, është anëtarësuar në organizata të rëndësishme si FMN, Banka Botërore, BERZH, ka fituar liberalizimin e vizave me BE (2024) dhe është përfshirë në partneritete strategjike me SHBA, NATO dhe BE.
Megjithatë, Kosova përballet ende me sfida të mëdha: mungesa e njohjes universale, mosanëtarësimi në OKB dhe organizata kyçe ndërkombëtare, sfidat e sundimit të ligjit dhe nevoja për reforma të thella ekonomike. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e modelit të Shqipërisë.
3. Shqipëria si model për Kosovën
Rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimeve është një shembull që Kosova duhet ta shohë si udhërrëfyes:
-Reformat institucionale dhe sundimi i ligjit – Shqipëria, përmes reformës në drejtësi, ka treguar se pa një sistem gjyqësor të pavarur, rruga drejt BE-së është e pamundur. Kosova duhet të zbatojë një reformë të ngjashme për të fituar besimin ndërkombëtar.
-Orientimi euroatlantik – Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s, duke garantuar sigurinë e saj kombëtare dhe duke forcuar pozitën ndërkombëtare. Kosova, edhe pse ende jashtë NATO-s, duhet të synojë me prioritet këtë integrim, duke shfrytëzuar përkrahjen e Shqipërisë dhe partnerëve strategjikë.
-Diplomacia aktive – Shqipëria ka përdorur çdo mekanizëm diplomatik për të përshpejtuar procesin e integrimit. Kosova shpeshherë ka treguar diplomaci pasive ose të vonuar. Një diplomaci e përbashkët Kosovë–Shqipëri do të kishte fuqi më të madhe lobuese.
4. Shembuj historikë dhe aktualë të bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri
Historia e shqiptarëve ka treguar se vetëm në momentet e bashkimit, kombi ynë ka arritur suksese të mëdha:
-Konferenca e Londrës (1913) na ndau territorin kombëtar për mungesë uniteti dhe fuqie ndërkombëtare;
-Çlirimi i Kosovës (1999) u bë i mundur vetëm falë bashkimit të shqiptarëve dhe mbështetjes ndërkombëtare;
-Pavarësia e Kosovës (2008) u përshëndet e përkra nga Shqipëria si shteti i parë që e njohu.
Sot, kur Shqipëria po hyn në BE dhe Kosova po kërkon të bëhet pjesë e saj, është momenti historik që të dy shtetet të veprojnë në mënyrë të koordinuar, duke ndërtuar një strategji të përbashkët integrimi.
5. Perspektiva e përbashkët shqiptare në Evropë
Nëse Kosova ndjek rrugën e Shqipërisë dhe e përdor atë si model, atëherë procesi i saj i integrimit ndërkombëtar do të jetë më i shpejtë dhe më i sigurt. Shqipëria mund të shërbejë si avokat i fuqishëm i Kosovës në Bruksel, NATO dhe OKB, ndërsa Kosova mund të kontribuojë në forcimin e pozitës së përbashkët shqiptare në Ballkan.
Kombin shqiptar nuk e ndan më izolimi dhe kufijtë e imponuar, por e bashkon vizioni i përbashkët: të bëhet pjesë integrale e rendit të ri botëror euroatlantik.
Rruga e Shqipërisë nga izolimi totalitar në dyert e Bashkimit Evropian është një histori suksesi që duhet të shërbejë si model për Kosovën. Integrimi nuk është vetëm një proces teknik, por mbi të gjitha një projekt kombëtar dhe historik. Vetëm përmes unitetit, reformave dhe diplomacisë aktive, Shqipëria dhe Kosova do të sigurojnë vendin që u takon – në familjen e kombeve të barabarta të Evropës së Bashkuar.