† THEOFAN/
Peshkop i Filomilisë dhe i Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave
LETER BARITORE – LINDJA E KRISHTIT 2024
Klerikëve të nderuar dhe besimtarëve të krishterë ortodoksë, bij dhe bija anëtarë, mbështetës, dashamirës dhe miq të Perëndi-Mbrojturës
Peshkopatë Ortodokse Shqiptare të Amerikave
Hir, Mëshirë, Paqe dhe Gëzim nga Zoti ynë Jesu Krisht dhe nga ne, bekime hierarkike!
“Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur në botë, që ne të rrojmë nëpërmjet Tij” (1 Joanit 4:9).
Lindja e Zotit tonë Jesu Krisht nga Virgjëresha e Shenjtë Mari u premtua nga Perëndia, pasi paraardhësit tanë Adami dhe Eva mëkatuan duke mos iu bindur urdhrit të Perëndisë për të mos ngrënë nga pema e ndaluar (Zanafilla 3:15).
Mishërimi i Zotit i’u kujtua vazhdimisht njerëzve nga Perëndia përmes gojës së profetëve dhe u bë i njohur indirekt për njerëzit jashtë kufijve të Tokës së Shenjtë; ne e kuptojmë këtë edhe nga tre burrat e mençur, të cilët, duke parë “yllin e Tij” (Mateu 2:2), u nisën në udhëtimin e tyre të gjatë me një dëshirë të zjarrtë për të adhuruar të Porsalindurin, “Mbretin e Judenjve” (Mateu 2:2), “Mbretin e qiellit”.
Lindja e Zotit përjetohet dhe ndihet nga çdo besimtar, si një akt i dashurisë së Perëndisë për njeriun e larguar prej Tij, por me një dëshirë të zjarrtë për ta njohur Atë dhe për të bërë vullnetin e Tij shpëtues.
Të dashur besimtarë në Krishtin e Porsalindur,
Shenja udhërrëfyese qiellore, e cila udhëhoqi hapat dhe zemrat e Magëve tek Ai i lindur nga Virgjëresha e Shenjtë në shpellën e Betlehemit, ishte, siç e dimë, ylli; ata vunë re se rrjedha e atij ylli ishte e ndryshme nga ajo e yjeve të tjerë; me këtë ata kuptuan se ishte një yll që lajmëronte diçka jashtë rendit të ngjarjeve të zakonshme.
Magët, njerëz të ditur, e konsideruan yllin si një shenjë hyjnore dhe e ndoqën atë me besim për të adhuruar Krijuesin e qiellit dhe të dheut.
Kultura dhe shkenca e tyre nuk i largoi nga Perëndia; për më tepër, ata u nisën në një udhëtim shumë të gjatë dhe të rrezikshëm për ta kërkuar dhe gjetur Atë.
Ata e gjetën Atë si një njeri, një foshnjë si çdo foshnjë tjetër, por ishin të bindur se Ai i Cili u lind në shpellën e Betlehemit ishte gjithashtu Perëndi i vërtetë, jo vetëm njeri i vërtetë; prandaj “… duke rënë përtokë, e adhuruan Atë; dhe duke hapur thesaret e tyre, ata i ofruan Atij dhurata: ar, temjan dhe miro” (Mateu 2:11). Sa i madh ishte besimi i Magëve! Përpara se ta shihnin Atë me sytë e tyre fizikë “me Marinë, nënën e Tij” (Mateu 2:11), ata besuan se ylli lajmëroi lindjen e Fëmijës, Shpëtimtarit të botës; me sytë e shpirtit, pra me sytë e besimit, ata e kuptuan Misterin e Mishërimit të Birit të Perëndisë.
Fëmijë të dashur shpirtërorë në Foshnjën Hyjnore,
Ne shohim gjithashtu me sytë e besimit se buka dhe vera në kupën e shenjtë, pas transformimit të tyre nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, janë vetë Trupi i pacënuar dhe Gjaku i çmuar i Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht, dhe ne besojmë se ndajmë dhe bashkohemi me Zotin tonë Jesu Krisht. Për këtë fakt dhe të vërtetë hyjnore, siç lexojmë në jetën e shenjtorëve, edhe ata të cilët, nga frika se mos bënin ndonjë gabim, dyshuan, u besuan.
Prandaj, ne e shohim Perëndinë vetëm nëse zemra jonë është e pastër (Mateu 5:8); vetëm nëse mbajmë besimin e vërtetë, vetëm nëse e shohim fqinjin tonë si shëmbëlltyrën e Perëndisë; vetëm nëse ndihmojmë të varfërit, “vëllain më të vogël të Krishtit” (Mateu 25:40).
Ky shikim me sytë e besimit nuk mashtron kurrë. Abrahami e pranoi Perëndinë, Një në Qenie dhe Triadik në Persona, nën formën e tre engjëjve në Lisin e Mamres. Prandaj në besimin tonë stërgjyshor thuhet: “të presësh mysafirë do të thotë të presësh Perëndinë” (Zbulesa 3:20).
Prandaj, ndër veprat kryesore të Kishës është puna e filantropisë, pra puna e dashurisë për njerëzit në vuajtje dhe nevoja të ndryshme.
Lusim Perëndinë e mirë dhe njeridashës, që në Festën e Lindjes së Zotit, ta mirëprisni Atë që vjen në formën e një Foshnjeje Hyjnore dhe ta kremtoni Atë me gëzimin e Shpëtimit, që do t’ju shoqërojë përgjatë gjithë ditëve të Vitit të Ri 2025.
Krishti u Lind, Lavdërojeni! Krishti është në tokë, Lartësojeni!
I juaji me lutje në Zotin dhe Perëndinë e porsalindur Jesu Krisht, Shpëtimtarin tonë,
+THEOFANI
i Filomilisë dhe Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave