Prend Ndoja/
Duke ndjekur dokumentarin “The Bajraktari Journej”
Në një ambient të zgjedhur në Yonkesrs të New York-ut, ishin bashkuar shumë personalitete të larta të sferës politike, si dhe të artit e të kulturës shqiptare në Amerikë, gazetarë, fotoreporterë, kineastë etj. Ishim të bashkuar jo si dikur në të kaluarën tonë në tubime dhe organizime për lirinë e atdheut, por për të shikuar nëpërmjet dokumentarit “The Bajraktari Journej” jetën e të kaluarën e një familjeje me famë të madhe, familjes së Hajdar Bajraktarit. Dokumentari, që është prodhim i shtëpisë kinematografike “Dyrrachium Produktion” na sjell të realizuar ëndrrën amerikane të familjes Bajraktari. Kjo familje, brez pas brezi, me pushkë dhe penë ka dalë në mbrojtje të Atdheut. Të njëjtën gjë vazhdoi edhe Hajdari në SHBA. Por, për të siguruar një ndihmë sa më të efektshme ndaj Kosovës, ai veproi jo vetëm si biznesmen i suksesshëm, por edhe si një diplomat i mençur e aktiv, duke sensibilizuar jo vetëm shtypin e mediet në Amerikë, por edhe personalitetet më me influencë në jetën politike amerikane, që nga kongresmenët e senatorët e deri tek Presidentët e Shtëpisë së Bardhë. Në kontakte të përhershme me ta, duke i ftuar edhe në shtëpinë e tij, ai e vuri çështjen e lirisë së Kosovës në tavolinat më me shumë influencë, për çuarjen e kësaj çështjeje drejt zgjidhjes.
Tek shikoja filmimet, fotot, dokumentet e dëshmitë e shumta që na sjellin në ekran skenaristi e regjisori Dhimitër Ismailaj-Valona e drejtori i fotografisë Ben Wolf, në mendje më erdhi novela “Rrugët e fatit” e autorit të mirënjohur O’Henry. Në këtë novelë, në një moment të zhvillimit të subjektit të saj, autori e vë protagonistin në një kryqëzim prej tri rrugësh. Në dilemën se cilin drejtim të merrte, heroi i novelës zgjedh njërën prej tyre, e cila e çonte në një zgjidhje të jetës së tij. Por autori me mjeshtëri kthehet e na jap variantet se ç’drejtim do kishte marrë jeta e personazhit nëse do të kishte zgjedhur rrugët e tjera. Vetvetiu më lindi pyetja: “Ç’drejtim do të kishte marrë jeta e familjes Bajraktari, pas arratisjes nga Shqipëria, nëse nuk do kishte zgjedhur rrugën nga Italia në Amerikë me ndihmën e priftit Prek Ndrevashaj? Përsëri, përgjigjen do ma jepte dokumentari me dëshmitë e faktet e sjella përpara shikuesit, se familja Bajraktari kishte bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, atë të realizimit të ëndrrës amerikane.
Hajdari, me kontributin e tij ndaj Atdheut, për disa dekada ishte shndërruar në një armë të fuqishme kundër Serbisë. Burimet e tij, si valë Drini në mullirin e kombit, nuk shterruan kurrë.
Të bashkuar, shokë e miq, të gjithë sëbashku, me një nostalgji e shikonim dokumentarin kushtuar familjes Bajraktari. Nëpërmjet sekuencave e filmimeve që shpaloseshin në ekran, silleshin fakte e pamje që për shumë vetë nga diaspora ishin kujtime nga jeta reale e së kalurarës sonë. Dihet që Noli, Konica, Bajraktari dhe Joseph DioGuardi, janë ata që mbollën farën e lirisë në tokat shqiptare
Në dokumentarin “The Bajraktari Journey”, krahas qëndresës së një gjeneze prej shumë brezave ndaj pushtuasve, sillen edhe skena të rënda vuajtjesh. Krijonin mbresa e emocione të forta dëshmitë për largimin nga vendlindja të babait të tij me 6 anëtarë të familje përmes shteteve të Europës e deri në arritjen në Amerikë. Jeta e tyre ishte plot vuajtje në fillimet e para. Por për një kohë të shkurtër, sëbashku me dajën e ti, Rrustem Geci, arritën nivele shumë të larta të prosperitetit ekonomik. E kjo, falë vullnetit, inteligjencies e aftësive të Hajdarit, që u bë një biznesmen i suksesshëm e me ndikim të madh jo vetëm tek bashkëkombasit e tij në mërgatë, por edhe në jetën politike e ekonomike amerikane.
Kur populli i Kosovës luftonte për jetë a vdekje kundër pushtuesit serb, Hajdari e bëri të pamundurën të mundur, duke ndihmuar për lirinë e atdheut. Dokumentari sillte përmes pamjesh e dokumentesh një varg ngjarjesh, vuajtjesh, shqetësimesh, shpenzimesh e sakrificash të mëdha. Ndër to ishin edhe ato ndihma të pakursyeshme, të cilat e forcuan qëndresën e Dukagjinit, duke bërë që ai të mos dorëzohej kurrë.
Një fakt i bukur dhe i rëndësishëm, i cili flet shumë për këtë familje, ishte ai kur, në vitet ’80-90, nëpër tubime mblidheshin të holla për t’i dërguar si ndihma në vendlindje. Atëherë tregohej se si Hajdar Bajraktari,e kishte shitur pasurinë e tij me vlera qindra miliona dollarësh, duke i vënë ato në shërbim të atdheut. Ky fakt e nxiste edhe më shumë sedrën e krenarinë kombëtare bashkë me ndienjën e partiotizmit tek secili mërgimtar shqiptar. Dhe ata kërkonin të jepnin deri në dollarin e fundit për të ndihmuar çështjen e lirisë në Kosovë. Për rolin e kontributin e Hajdarit, flasin në dokumentar edhe kongresmenë amerikanë si Eliot Engel, mik i shqiptarëve e i dekoruar me çmime nderi në Shqipëri e në Kosovë.
Përjetimin e kronikës së jetës së kësaj familjeje në dokumentar e bëjnë më të këndshëm e mbresëlënës edhe zërat e folësve Jul Nënshati e Samantha Light dhe kolona zanore e kompozitorit Klodian Qafoku. Vlerë të veçantë dokumentare marrin edhe fragmentet nga librat e Muhamet Mjekut kushtuar familjes Bajraktari dhe fotot e fotoreporterit Dritan Haxhia. Të gjithë këta komponentë e bëjnë dokumentarin një realizim kinematografik me cilësi të lartë, që përçon mesazhe të bukura e njerëzore tek të gjithë shikuesit.
Pas shikimit të dokumentarit ishte organizuar një koktej për të pranishmit. Në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore pjesëmarrësit në këtë aktivitet dhanë mendimet e tyre për vlerat e këtij dokumentari, nëpërmjet intervistave për disa televizione që ishin prezentë.