
Kjo përmbajtje (artikull) është prodhuar nga K2.0, ku edhe është botuar fillimisht. Ribotimi këtu është bërë me lejen e K2.0. (https://kosovotwopointzero.com/sq//nga-nje-koloni-de-facto-ne-nje-koloni-de-jure)
Rikonfirmimi i të drejtës së Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi
Fatmir Zajmi|15.12.2025
Pas aneksimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1912 dhe përfshirjes të mëvonshme pa vullnetin e saj në shtetet pasuese të Jugosllavisë, shumica shqiptare e Kosovës përjetoi shtypje sistematike politike, shkelje në masë të madhe të të drejtave të njeriut, politika aparteidi, praktika të kolonizimit dhe shfrytëzim ekonomik. Megjithëse Kosova funksionoi gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar si koloni de facto e Serbisë, ajo kurrë nuk u njoh si e tillë për shkak të interesave gjeopolitike dhe koncepteve të vjetruara të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht doktrinës “Blue Water” të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1952, që i përkufizonte kolonitë si territore detare të ndara me ujëra detare nga administruesit e tyre.
Kjo kornizë ligjore u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, kur u themelua OKB me qëllim parandalimin e konflikteve botërore dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. E ratifikuar më 24 tetor 1945, karta e OKB garanton vetëvendosjen, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për të gjithë. Që nga themelimi, kjo kartë ka mundësuar pavarësinë e 80 vendeve që më herët kanë qenë koloni. Kjo arriti kulmin në mesin e shekullit XX, kur një valë dekolonizimi përshkoi Jugun Global, duke rezultuar në krijimin e shteteve të reja anëtare të OKB.
Në historinë e dekolonizimit të organizatës, doktrina “Blue Water” ishte një përcaktim i hershëm i miratuar me Rezolutën 637 të OKB. Korniza ligjore e kufizuar e kësaj rezolute nuk arriti t’i adresonte rastet e kolonializmit të brendshëm, në situata ku grupet etnike ose kombëtare dominuese brenda vendeve imponojnë sundim të huaj mbi komunitetet e tjera brenda kufijve shtetërorë, duke i nënshtruar dhe shfrytëzuar tokat e pushtuara si prona koloniale.
Si rezultat, komuniteti ndërkombëtar shpërfilli statusin kolonial të Kosovës, madje edhe gjatë valës së dekolonizimit në mesin e shekullit XX. Këtë qëndrim vazhdon ta mbajë edhe sot, tetë dekada më vonë, pavarësisht avancimeve në të drejtën ndërkombëtare që e përkufizojnë kolonializmin jo vetëm për nga aspekti gjeografik, por edhe nga dominimi, nënshtrimi dhe mohim i parimit të vetëvendosjes.
Ndërkohë, Serbia vazhdon të shpërfaq pretendime mbi Kosovën, pavarësisht mizorive të fundit që kreu në vitet 1998-1999, të cilat rezultuan në vrasje masive, shtypje sistematike dhe shpërnguljen e afërsisht një milion shqiptarëve të Kosovës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 konfirmoi të drejtën e saj për vetëvendosje. Megjithatë, pas pothuajse 16 vitesh, Kosova dhe Serbia ende priten t’i “normalizojnë” marrëdhëniet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), një proces i karakterizuar me mangësi, që për momentin ka ngecur dhe shmang adresimin e shkakut rrënjësor të konfliktit: të kaluarën koloniale të Serbisë dhe refuzimin e saj të vazhdueshëm për ta njohur sovranitetin e Kosovës.
Të kuptuarit e rastit të Kosovës përmes prizmit të çlirimit anti-kolonial dhe zhvillimeve në të drejtën ndërkombëtare mund të lejojë që e drejta e saj për vetëvendosje të marrë peshë ndryshe juridike dhe normative. Nëse Kosova do të njihej si koloni e mëparshme, pretendimet e vazhdueshme të Serbisë për të drejta historike dhe territoriale, veçanërisht miti kombëtar serb se Kosova përfaqëson “djepin e identitetit serb”, do të dobësoheshin.
Ky rivlerësim do ta fuqizonte pozicionin ligjor dhe moral të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe do të ofronte një bazë më të fortë për të kërkuar njohje më të zgjeruar ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në OKB. Për më tepër, ky ndryshim mund të ushtrojë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare që të merret me kundërthëniet në zbatimin e parimeve të dekolonizimit.
Doktrina “Blue Water”: Një standard kolonial i mangët
Sundimi i Serbisë mbi Kosovën kishte të gjitha shenjat dalluese të dominimit kolonial: shtypje të dhunshme, sundim i huaj, shfrytëzim ekonomik, kolonializëm i vendasve dhe inxhinieri demografike. Por, për shkak se Kosova nuk ishte territor ujor, ajo nuk u njoh kurrë si e tillë sipas kornizës së hershme të dekolonizimit të OKB, të formësuar nga doktrina “Blue Water”. Sipas kësaj pikëpamje të ngushtë, Kosova nuk mund t’i shtohej listës së Territoreve Jo-Vetëqeverisëse sipas Rezolutës 1541 të OKB dhe, si pasojë, ajo mbeti jashtë procesit të dekolonizimit të OKB.
Territori Jo-Vetëqeverisës
Rezoluta 1541 e OKB, e miratuar më 15 dhjetor 1960, e përkufizon një Territor Jo-Vetëqeverisës si territor popullsia e të cilit ende nuk ka arritur vetëqeverisjen e plotë dhe mbetet nën administrimin e një pushteti të jashtëm. Rezoluta identifikon format e kontrollit që kufizojnë autonominë politike ose ekonomike, duke rikonfirmuar të drejtën e patjetërsueshme të të gjithë popujve për vetëvendosje. Më e rëndësishmja, ajo ofron bazën ligjore për përpjekjet e dekolonizimit. Aktualisht, 17 territore mbeten në listën e Territoreve Jo-Vetëqeverisëse të OKB, përfshirë: Samoa Amerikane, Anguilla, Bermuda, Ishujt e Virgjër Britanikë, Ishujt Cayman, Ishujt Falkland (Malvinas), Gjibraltari, Guam, Montserrat, Kaledonia e Re, Pitcairn, Shën Helena, Tokelau, Ishujt Turks dhe Caicos, Ishujt e Virgjër të Shteteve të Bashkuara, Polinezia Franceze dhe Sahara Perëndimore.
Debatet që paraprinin doktrinën “Blue Water” ishin qenësore për përcaktimin e kufijve gjeografikë të dekolonizimit. Para miratimit të saj në vitin 1952, një pikë kyçe e kontestimit kishte lindur nga propozimi i Belgjikës për ta zgjatur të drejtën për vetëvendosje edhe për “popujt e kolonizuar brenda vendit” dhe grupet etnike brenda shteteve sovrane fqinje. Shtetet anëtare të fuqishme, me popullsi të konsiderueshme indigjene ose minoritare, e kundërshtuan këtë zgjerim, nga frika se kjo do ta legjitimonte ndarjen dhe do të kërcënonte integritetin e tyre territorial.
Si përgjigje, doktrina “Blue Water,” e njohur edhe si “Salt Water Thesis,” u shfaq si instrument strategjik ligjor dhe politik brenda OKB, duke pohuar në terme të ngushta se vetëm territoret e ndara nga shteti administrator me “ujë të kaltër”, (p.sh. një oqean), mund t’i plotësoni kushtet si Territore Jo-Vetëqeverisëse, të cilat kishin të drejtë për dekolonizim. Ky kriter bregdetar, që mbizotëroi në vitet ‘50-a dhe ‘60-a, bëri që format e dominimit kolonial të vazhdueshëm ose të brendshëm të shpëfilleshin në mënyrë efektive nga kontrolli ndërkombëtar, duke siguruar që nënshtrimi i grupeve kombëtare dhe minoriteteve racore brenda shteteve sovrane të mbetej jashtë kornizës formale të dekolonizimit të OKB.
Që nga miratimi i doktrinës “Blue Water”, koncepti i vetëvendosjes dhe dekolonizimit në të drejtën ndërkombëtare ka pësuar zhvillime të rëndësishme. Në vitin 1970, Rezoluta 2625 e OKB bëri një hap të konsiderueshëm përtej këtij përkufizimi të ngushtë, duke rikonfirmuar të drejtën dhe parimin e vetëvendosjes në kontekstin e dekolonizimit. Ndryshe nga kriteri bregdetar që i parapriu, Rezoluta 2625 i jep përparësi nënshtrimit para gjeografisë, duke e karakterizuar kolonizimin bazuar në mungesën e vetëqeverisjes, rrjedhimisht duke njohur forma dominimi që nuk përshtateshin me modelin “detar”.
Pak pas kalimit të kësaj rezolute, përvoja e Namibisë me administrimin nga Afrika e Jugut e rrënoi më tej doktrinën “Blue Water”. Në vitin 1969, pas refuzimit të Afrikës së Jugut për të hequr dorë nga mandati i saj i Lidhjes së Kombeve mbi atë që atëherë njihej si Afrika Jugperëndimore (Namibia), OKB deklaroi se okupimi i saj i vazhdueshëm ishte i paligjshëm. Opinioni Këshillues historik për Namibinë i vitit 1971 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) konfirmoi se prania e Afrikës së Jugut në Namibinë fqinje shkelte të drejtën ndërkombëtare, duke mundësuar parimin e vetëvendosjes edhe në situata të dominimit kolonial të brendshëm ose fqinj. Në thelb, Afrika e Jugut kishte argumentuar se Namibia nuk ishte koloni, por një territor i brendshëm i integruar në rendin e saj ligjor, një argument që historikisht ishte shtyrë para nga Serbia lidhur me Kosovën.
Thomas Grant, ekspert britanik në fushën e njohjes së shtetësisë dhe të drejtën e territoreve ka argumentuar se në mungesë të doktrinës “Blue Water”, Kosova do të ishte kualifikuar si Territor Jo-Vetëqeverisës.
Rastet e Timorit Lindor dhe Saharës Perëndimore dëshmojnë më tej avancimin e të drejtës ndërkombëtare përtej doktrinës “Blue Water”, e cila tradicionalisht barazonte kontrollin efektiv me sovranitetin. Për shembull, okupimi i Timorit Lindor nga Indonezia pas tërheqjes së Portugalisë në vitin 1975 nuk u njoh kurrë nga OKB, e cila konfirmoi statusin e territorit si Territor Jo-Vetëqeverisës dhe theksoi të drejtën e popullit timorez për vetëvendosje sipas Rezolutës 2625 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Pavarësia e mëvonshme e Timorit Lindor në vitin 2002 ilustron përparësinë juridike të vetëvendosjes para kontrollit thjesht administrativ ose të detyruar. Ngjashëm, Sahara Perëndimore mbetet nën administrimin e Marokut fqinj pa pëlqimin e popullit saharian. Si OKB, ashtu edhe GJND kanë rikonfirmuar se në këtë rast sovraniteti nuk mund të pretendohen vetëm përmes okupimit, duke renditur Saharan Perëndimore si Territor Jo-Vetëqeverisës.
Vendimet e mëvonshme të GJND gjithashtu kanë zgjeruar konceptin e vetëvendosjes përtej doktrinës “Blue Water”. Një shembull është Opinioni Këshillues lidhur me Murin në territorin e okupuar palestinez, i cili konstatoi se ndërtimi i murit ndarës nga Izraeli në territorin e okupuar palestinez shkelte të drejtën ndërkombëtare, të drejtën e vetëvendosjes së popullit palestinez, të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, dhe shtetet ishin të detyruara të mos e njohin apo ta mbështesin këtë situatë të paligjshme.
Këto zhvillime konfirmojnë se kolonializmi nuk përcaktohet më nga distanca gjeografike, por nga dominimi politik, shfrytëzimi ekonomik dhe mohimi i vetëvendosjes. Juristët bashkëkohorë, si Thomas Grant, ekspert britanik që trajton fushën e njohjes të drejtes dhe statusit ligjor të territoreve sipas Kartës së OKB, kornizën e dekolonizimit dhe mënyrën se si territoret jo detare mund të kualifikohen si Territore Jo-Vetëqeverisëse – kanë argumentuar se në mungesë të doktrinës “Blue Water”, Kosova do të ishte kualifikuar si Territor Jo-Vetëqeverisës (një koloni) sipas Rezolutës 1541 të OKB, duke forcuar më tej argumentin se pavarësia e Kosovës bazohet në të drejtën për vetëvendosje si mjet riparues (remedial self-determination).
Praktika e OKB që ndjek doktrinën “Blue Water”, argumentet juridike rreth kolonializmit të brendshëm dhe ndryshimet globale në diskursin e dekolonizimit e pozicionojnë Kosovën si pjesë e një argumenti më të gjerë juridiko-historik, duke sugjeruar se përpjekja e Kosovës për pavarësi është në përputhje me kornizën në zhvillim të dekolonizimit të OKB.
Realpolitika dhe e drejta ndërkombëtare: një standard i dyfishtë
Gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912–1913), aneksimi i njëanshëm i Kosovës nga Serbia u përcoll me dhunë në shkallë të gjerë. Forcat serbe zhvilluan sulme sistematike kundër popullsisë shqiptare dhe myslimane në përgjithësi, në përpjekje për ta ndryshuar përbërjen demografike të rajonit, siç u dokumentua në atë kohë nga Leon Trotsky dhe më pas nga Raporti i Fondacionit “Carnegie” në vitin 1914. Kosta Novaković, një politikan socialist serb, dëshmoi gjithashtu për kolonizimin e dhunshëm dhe serbizimin e Kosovës, pasi e kishte parë vetë sa kishte qenë ushtar i korpusit serb gjatë një ekspedite ushtarake në Luftën e Parë Ballkanike. Sipas raporteve të tij, 120.000 shqiptarë u vranë në vitet 1912–1913, ndërsa qindra fshatra u bombarduan dhe u dogjën.
Pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912–1913, të cilat i dhanë fund sundimit osman në Ballkan, doli në pah njohja selektive nga bashkësia ndërkombëtare e historive koloniale. Nën petkun e të ashtuquajturit “mision qytetërues”, Kosova u aneksua nga Serbia pa pëlqimin e shumicës së saj shqiptare. Fuqitë e Mëdha – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia – e konfirmuan pretendimin e Serbisë në Konferencën e Londrës të viteve 1912–1913 pas këtyre ngjarjeve.

REFUGJATË MYSLIMANË SHQIPTARË NGA AFËRSIA E GJAKOVËS NË SHKODËR, VITI 1913. FOTOGRAFIA: FRANZ NOPCSA

LUFTËTARË TË ROBËRUAR SHQIPTARË DUKE PARAKALUAR RRUGËVE TË BEOGRADIT GJATË LUFTËRAVE BALLKANIKE NË MARS TË VITIT 1913

KONFERENCA E LONDRËS 1912-13
1 / 3
Konferenca njohu një shtet shqiptar më të vogël (brenda kufijve të tij të sotëm), duke i dhënë vendeve fqinje gati gjysmën e territorit që pretendonte, përfshirë edhe Kosovën. Kjo marrëveshje pasqyroi realpolitikën e fuqive të mëdha, duke vendosur sundim kolonial mbi 40 për qind të popullsisë shqiptare, e cila mbeti jashtë shtetit të Shqipërisë. Ajo vendosi nën kontrollin e Serbisë edhe Vilajetin e Kosovës me shumicë shqiptare, që më parë ishte rajon i administruar nga Perandoria Osmane.
Në vitet që çuan në Luftën e Parë Botërore, filluan masat për të krijuar vendbanime koloniale serbe në Kosovë. “Dekreti mbi vendbanimet e zonave të sapoçliruara” u miratua në shkurt të vitit 1914, duke nxitur shpërnguljen e familjeve serbe në rajonet e sapo aneksuara, përmes premtimeve për ndarjen e konsiderueshme të tokës, përjashtimeve nga tatimet dhe transportit hekurudhor falas. Qeveria madje u përpoq të tërhiqte emigrantë serbë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të ktheheshin dhe të merrnin pjesë në kolonizimin e Kosovës.
Gjatë viteve 1920 dhe 1930, Serbia vazhdoi të miratonte politika koloniale të sekuestrimit të tokës dhe inxhinierisë demografike në Kosovë. Në vitin 1937, Vaso Čubrilović, studiues serb që më vonë do të bëhej ministër i qeverisë në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, paraqiti një memorandum zyrtar, “Dëbimi i shqiptarëve“, i cili argumentonte se dëbimi sistematik etnik dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga Kosova ishte masë strategjike e interesit kombëtar serb. Kosova mbeti nën regjimet e njëpasnjëshme jugosllave gjatë gjithë epokës së pas Luftës së Dytë Botërore, duke ilustruar se si prioritetet diplomatike dhe gjeopolitike e lanë në hije nënshtrimin kolonial që po ndodhte brenda Evropës.
Në mesin e shekullit XX, teksa vala e dekolonizimit në të gjithë Azinë dhe Afrikën çoi në pavarësinë e 50 territoreve, statusi kolonial i Kosovës u shpërfill në mënyrë të vazhdueshme nën pretekstin se territoret pranë shtetit kolonizues ishin pjesë integrale e shtetit kolonizues. Bashkësia ndërkombëtare në masë të madhe e njohu përfshirjen e Kosovës në Serbi dhe më vonë në Jugosllavi, por kjo njohje nuk i jepte legjitimitet demokratik, sepse regjimet e njëpasnjëshme e mbajtën kontrollin përmes mjeteve autoritare. Siç vëren Robert Elsie, një studiues i njohur i historisë së Shqipërisë, “Pretendimet e zhurmshme që buronin nga Beogradi se Kosova ishte ‘pjesë e Serbisë’ nuk dallonin nga protestat në Francë në vitet e ‘50-a se Algjeria nuk ishte koloni, por ‘pjesë e Francës’. Në asnjë rast dhe asnjëherë nuk u konsultua populli i territorit në fjalë“.
Përjashtimi i Kosovës nga përpjekjet globale të dekolonizimit nuk nënkuptonte se nënshtrimi i saj nuk ekzistonte; thjesht u përshtat me strukturat e reja politike. Pas Luftës së Dytë Botërore, Mbretëria e Jugosllavisë u shndërrua në Republikën Popullore Federative dhe më vonë, në vitin 1964, në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kjo periudhë shënoi promovimin e një sistemi më të hapur dhe federal, që përkonte me miratimin e Rezolutës 2625 të OKB, si dhe me momentumin më të gjerë gjeopolitik dhe ideologjik të dekolonizimit të nxitur nga Lëvizja e të Paangazhuarve (NAM), ku Jugosllavia, nën udhëheqjen e Presidentit Tito, ishte anëtare themeluese.
Lëvizja e Paangazhuarve
Lëvizja e Paangazhuarve (NAM), e themeluar nga shtetet që dilnin nga dominimi kolonial, luajti rol vendimtar në formësimin e agjendës së dekolonizimit të Kombeve të Bashkuara gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Ky angazhim u përkthye në një bllok votues të fuqishëm dhe të bashkuar brenda Asamblesë së Përgjithshme të OKB që dënoi pa hezitim kolonializmin, imperializmin dhe neokolonializmin në të gjitha manifestimet e tyre, si dhe dha mbështetje të vazhdueshme për lëvizjet kombëtare për pavarësi. Avokimi kolektiv i NAM përshpejtoi zbatimin e Rezolutës 1514 (XV), Deklaratës mbi Dhënien e Pavarësisë Vendeve dhe Popujve Kolonialë, duke e përkufizuar vetëvendosjen si normë jus cogens (ligj detyrues), duke krijuar kështu mjedisin gjeopolitik dhe ligjor për t’i fuqizuar entitetet territoriale, madje edhe ato brenda strukturave të ndërlikuara federale, si shtetet themeluese të Jugosllavisë së Titos, për të kërkuar sovranitet dhe autonomi më të madhe.
Këto zhvillime globale i dhanë Kosovës tërthorazi një formë të kufizuar autonomie, e cila deri në vitin 1974 në Kushtetutën Jugosllave u njoh si krahinë autonome. Por ky status i ri nuk arriti ta njohë Kosovën si republikë të barabartë brenda federatës. E marginalizuar politikisht, Kosova mbeti në praktikë një Territor Jo-Vetëqeverisës brenda një rendi federal të dominuar nga serbët, e nënshtruar ndaj kontrollit të rreptë.
Ky status i pazgjidhur e la Kosovën në një pozitë të përhershme nënshtrimi, ku autonomia e saj varej tërësisht nga vullneti politik në ndryshim i Beogradit. Ndërsa Jugosllavia filloi të shpërbëhej në fund të viteve të ‘80-a, Serbia veproi shpejt për ta shfuqizuar autonominë e kufizuar të Kosovës, duke rivendosur kontroll të drejtpërdrejtë mbi burimet natyrore të Kosovës dhe duke shtypur jetën politike dhe kulturore. Gjatë viteve të ‘90-a, administrata serbe e Kosovës shfaqte shenja të qarta koloniale, të karakterizuara nga dëbimet masive nga puna të punëtorëve shqiptarë, shfrytëzim ekonomik, mbyllje të shkollave dhe mediave në gjuhën shqipe dhe një fushatë shtypjeje sistematike. Dhuna e mbështetur nga shteti u përshkallëzua në mizori të përhapura në masë të madhe – vrasje, shpërngulje me forcë dhe shkatërrim të fshatrave – duke kulmuar në luftën e viteve 1998-99, gjatë së cilës forcat serbe dëbuan pothuajse gjysmën e popullsisë së Kosovës dhe kryen vrasje masive që më vonë u dokumentuan në gjyqet për krime lufte. Gjatë kësaj lufte, mbi 13 mijë persona mbetën të vrarë apo të zhdukur.
Në këtë kontekst, rezistenca paqësore e viteve të ‘90-a, lufta e armatosur e shqiptarëve të Kosovës e viteve 1998-99 kundër shtypjes sistematike dhe e drejta e Kosovës për vetëvendosje përmes secesionit riparues (remedial secession) nga Federata Serbo-Jugosllave, ishin akte legjitime kundër një regjimi të paligjshëm dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ashtu siç ishte edhe shpallja e mëvonshme e pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, pavarësia e Kosovës nuk u arrit përmes një procesi formal dekolonizimi. Në vend të kësaj, ishte fushata ushtarake e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 1999, e nisur për ta ndalur spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë, që i dha fund sundimit serb dhe hapi rrugën për popullin e Kosovës që të vendoste për të ardhmen e vet.
Pavarësisht kësaj, lufta e Kosovës për çlirim kombëtar nga sundimi serbo-jugosllav ishte një përpjekje për t’u çliruar nga sundimi kolonial brenda strukturave të pabarabarta politike. Qoftë e interpretuar si secesion riparues jashtë kontekstit kolonial, si koloni që shkëputet e përbërë nga popuj nën sundim dhe pushtim të huaj, ose si hap drejt vetëvendosjes së jashtme brenda situatës koloniale, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet asnjë kërcënim për stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Përkundrazi, është minimi dhe mohimi i vazhdueshëm i sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe përpjekjet e përhershme serbe për të diskredituar dhe delegjitimuar shtetësinë e Kosovës që në të vërtetë minojnë sigurinë rajonale.
Sfidimi i refuzimit të pavarësisë së Kosovës në GJND
Pas nëntë vitesh, si protektorat ndërkombëtar në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një rundi negociatash të udhëhequra nga OKB, të kryesuara nga ish-Presidenti finlandez Martti Ahtisaari dhe koordinimit me anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare. Brenda dy vitesh, 69 shtete e njohën Kosovën, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë duke lobuar kundër shtetësisë së saj.
Më 15 gusht 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga GJND mbi ligjshmërinë e kësaj deklarate. Në këtë kontekst, doktrina “Blue Water” – historikisht e përdorur për ta kufizuar shkëputjen – u shfaq sërish si pikë juridike referimi. Pavarësisht përkufizimeve në zgjerim të OKB për kolonializmin, disa shtete në seancat dëgjimore të GJND argumentuan se e drejta për vetëvendosje vlen vetëm për kolonitë detare.
Në mungesë të narrativës koloniale, Serbia, e mbështetur nga Rusia, e paraqiti pavarësinë e Kosovës si shkëputje që shkelte integritetin territorial të Serbisë dhe si precedent të rrezikshëm që minon sovranitetin shtetëror dhe rendin ndërkombëtar. Ata gjetën terren të favorshëm tek vendet me qëndrime të ngjashme në GJND, të cilat u thirrën në mungesën e një narrative koloniale për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i rrezikonte interesat e tyre të brendshme.
Spanja ishte një nga kundërshtaret më të zëshme të pavarësisë së Kosovës në GJND, duke këmbëngulur se e drejta ndërkombëtare nuk njeh të drejtën e shkëputjes së njëanshme për rajonet brenda shteteve të konsoliduara, përveç rasteve të sundimit kolonial ose pushtimit të huaj. Ajo argumentoi se situata e Kosovës nuk hynte në asnjërën nga këto kategori të kufizuara. Edhe Rusia mbajti qëndrimin se e drejta ndërkombëtare e ndalon shkëputjen jashtë kornizës koloniale, duke paralajmëruar se një precedent i tillë mund të ishte destabilizues. Venezuela dhe Burundi përsëritën argumente të ngjashme, duke e kufizuar qartë të drejtën për vetëvendosje vetëm te kolonitë e kaluara dhe aktuale. Bjellorusia propozoi një interpretim më të ngushtë, sipas të cilit shkëputja është e mundur vetëm në kushte kolonizimi ose nën një shtypje të ashpër.

Shtetet që mbështetën deklaratën e pavarësisë së Kosovës në GJND i përqendruan argumentet e tyre rreth tri arsyetimeve kryesore ligjore. Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Estonia dhe Polonia u bazuan shprehimisht në argumentin e vetëvendosjes riparues, duke pretenduar se shtypja e tejzgjatur dhe mohimi i vetëqeverisjes së brendshme në kuptim të mirëfilltë e bënë pavarësinë e njëanshme një mjet të domosdoshëm të fundit. Irlanda dhe Holanda patën qëndrime të përafërta me këtë, duke theksuar deficitet e jashtëzakonshme humanitare dhe qeverisëse në Kosovë. Mbështetësit e mbetur, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Danimarka, Austria, Sllovenia, Zvicra, Japonia, Republika Çeke, Finlanda, Luksemburgu, Letonia, Maldivet dhe Sierra Leone theksuan argumente alternative: disa e vunë theksin te fakti se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim për shpalljet e pavarësisë, të tjerë e karakterizuan Kosovën si rast sui generis që rrjedh nga administrimi i gjatë i OKB sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Në vitin 2010, GJND dha opinionin këshillues, duke deklaruar se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila themeloi Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, pas vitit 1999, pasi kjo rezolutë nuk e kishte përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës; dhe Këshilli i Sigurimit nuk e kishte rezervuar për vete marrjen e një vendimi të tillë. Në kohën e seancave dëgjimore të GJND në dhjetor 2009, rreth 69 shtete e kishin njohur pavarësinë e Kosovës; dhe ky numër vazhdoi të rritet pas mbajtjes së seancave.
Edhe pse mbështetësit e pavarësisë së Kosovës e kanë përshkruar rastin e saj si sui generis, veçantia e saj e vërtetë rrjedh nga e kaluara e saj koloniale, një aspekt që shpesh shpërfillet në diskursin ligjor dhe politik ndërkombëtar, siç ilustrohet në GJND, ku shtetet kundërshtuese u thirrën në përjashtimin e kontekstit kolonial kur refuzuan pavarësinë e Kosovës.
Pavarësisht këtij vendimi, vende si Spanja dhe Rusia ende vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, duke u mbështetur në të njëjtat argumente. Shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe pas njohjes nga 120 vende, Kosova vazhdon të përballet me legjitimitet të kontestuar dhe një proces të ngecur të normalizimit në dialogun e saj me Serbinë, ndërsa rruga e saj drejt anëtarësimit në OKB vazhdon të hasë në pengesa.
Ndërkohë, pretendimet koloniale të Serbisë kanë vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe pas konfirmimit të ligjshmërisë së saj nga GJND në vitin 2010. Beogradi vazhdon të mbajë struktura paralele në veriun me shumicë serbe, duke udhëhequr shkolla, spitale, administrata komunale, koordinim sigurie dhe financime të drejtpërdrejta, duke krijuar kështu një sistem alternativ që minon institucionet e Kosovës dhe njëkohësisht ushtron kontroll mbi jetën politike lokale përmes zgjedhjes, financimit dhe drejtimit të përfaqësuesve serbë. Përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të ndarë veriun e Kosovës, ku jo rastësisht gjenden burime natyrore kyçe, përfshijnë krijimin e një asociacioni vetëqeverisës të komunave serbe dhe orkestrimin ose mundësimin e sulmeve të dhunshme terroriste – të tilla si ato në Banjskë në vitin 2023 dhe në kanalin Ibër-Lepencit në vitin 2024.
Pozicionimi i Kosovës brenda kësaj paradigme koloniale sugjeron që përpjekja e saj nuk është thjesht përpjekje për njohjen e shtetësisë së saj, por për njohjen e së kaluarës së saj koloniale dhe vendin e saj me të drejtë brenda procesit të papërfunduar global të dekolonizimit.
Marrë parasysh këtë, Kosova duhet të kthejë vëmendjen ndaj të kaluarës së saj koloniale, duke informuar Spanjën dhe shtetet që mbajnë qëndrime të njëjta se interpretimet e vjetruara të kolonializmit e shtrembëruan debatin në GJND. Shpallja e pavarësisë në vitin 2008 nuk ishte thjesht një shkëputje e njëanshme, por një veprim riparues i parimit të vetëvendosjes kundër dominimit kolonial, i ngjashëm me rastin e Namibisë nën sundimin e Afrikës së Jugut. Po të mos ishte zbatuar doktrina e “Blue Water”, Kosova do të ishte kualifikuar si Territor Jo-Vetëqeverisës, në praktikë një koloni sipas Rezolutës 1541 të OKB. Një klasifikim i tillë do ta vendoste Kosovën brenda kornizës së dekolonizimit të OKB, duke i njohur të drejtën për vetëvendosje të jashtme.
Pozicionimi i Kosovës brenda kësaj paradigme koloniale sugjeron që përpjekja e saj nuk është thjesht përpjekje për njohjen e shtetësisë së saj në përputhje me opinionin këshillues të GJND, por për njohjen e së kaluarës së saj koloniale dhe vendin e saj me të drejtë brenda procesit të papërfunduar global të dekolonizimit.
Kjo qasje nënvizon detyrimin moral për dekolonizim, duke forcuar pretendimet e Kosovës për sovranitet dhe duke hapur mundësi diplomatike përmes ndërtimit të solidaritetit me vendet postkoloniale. Një qasje e tillë do t’i mundësonte Kosovës të ndërtojë aleanca dhe të sigurojë mbështetje nga ish-koloni në Afrikë, Azi, Paqësor, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Ajo po ashtu ofron bazë për të sfiduar qëndrimet e atyre shteteve që, në parim, historikisht kanë mbështetur procesin e dekolonizimit të OKB dhe pavarësinë e territoreve ish-koloniale, por janë bazuar në mungesën e një konteksti kolonial për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës në GJND.
Ndërsa është pranuar ndër vite nga studiues, intelektualë, politikanë dhe diplomatë shqiptarë, serbë dhe ndërkombëtarë, e kaluara koloniale e Kosovës mori rëndësi të re pas raportimit në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 8 shkurt 2024. Delegacioni i Kosovës e ngriti zyrtarisht çështjen e së kaluarës së saj koloniale gjatë seancës për Misionin e UNMIK, duke shënuar një moment të rëndësishëm në diskursin e politikës së jashtme dhe duke ofruar shpresë për një narrativë të re që më në fund do ta adresonte këtë trashëgimi.
Shteti i Kosovës aktualisht po mbledh prova dhe po përgatit një padi që këto ngjarje të njihen zyrtarisht si gjenocid përmes mekanizmave të përcaktuar të së drejtës ndërkombëtare. Në qershor të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi një projekt-rezolutë që kërkon drejtësi për 186 masakrat e kryera nga ushtria jugosllave, policia serbe dhe forcat paramilitare gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë. Aty gjithashtu bëhet thirrje për themelimin e një tribunali të ri për të ndjekur penalisht krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve etnikë gjatë luftës.
Brenda këtij konteksti, përvoja e Kosovës me kolonializmin serb nuk është vetëm çështje e drejtësisë dhe vërtetësisë historike, por edhe një faktor kritik në formësimin e statusit të saj politik aktual dhe të trajektores së saj të ardhshme diplomatike. Njohja e së kaluarës koloniale të Kosovës është qenësore për diplomacinë strategjike. Ajo sfidon narrativat dominuese që mjegullojnë marrëdhëniet asimetrike të pushtetit mes Serbisë dhe Kosovës dhe argumenton për rëndësinë qendrore të kornizës koloniale në ripërcaktimin e termave të angazhimit në rajon.
Këto narrativa prej kohësh kanë shërbyer si mjete ideologjike për të legjitimuar kontrollin politik. Njohja e kësaj historie e nxjerr në pah se pretendimi i Serbisë mbi Kosovën është i motivuar nga logjika koloniale dhe jo i mbështetur në baza juridike apo morale. Përtej saktësisë historike, korniza koloniale ka pasoja të prekshme për negociatat në vijim dhe diplomacinë ndërkombëtare.
Një proces i qëndrueshëm dhe i njëmendtë i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë pa e pranuar Serbia natyrën koloniale të udhëheqjes së saj të kaluar mbi Kosovën. Mohimi i vazhdueshëm shërben vetëm për t’i forcuar narrativat nacionaliste dhe klerike brenda shoqërisë serbe, të cilat, shpesh të përforcuara nga interesat gjeopolitike ruse, cenojnë stabilitetin rajonal dhe pengojnë pajtimin e vërtetë. Si rezultat, Serbisë duhet t’i kujtohet vazhdimisht amnezia e saj kolektive dhe trajtimin kolonial njëqindvjeçar ndaj Kosovës.
Çrrënjosja e mendësisë së thellë koloniale në Serbi është e domosdoshme jo vetëm për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës, por edhe për ta parandaluar vazhdimin e padrejtësive historike. Ky kontekst kolonial duhet të ngrihet nga thirrjet retorike në një element qendror të përpjekjeve politike, juridike dhe diplomatike që synojnë ta zgjidhin këtë bllokadë. Trajtimi i këtij dimensioni në mënyrë të hapur dhe sistematike mund të kontribuojë në drejtimin e dialogut Kosovë–Serbi drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, të bazuar në barazi, llogaridhënie dhe njohje të ndërsjellë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla
Qëndrimet dhe pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë ose pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.
Ky artikull botohet në bashkëpunim me Pro Peace. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0.