
Sokol Paja/
Zgjedhjet lokale të 14 majit prodhuan prej “partisë-shtet” që keqqeveris Shqipërinë prej gati 10 vitesh, një superskemë politike survejimi të ashtuquajtur “aktivisti”, skemë tipike e regjimeve diktatoriale. Regjimet autoritare dhe totalitare, skemat dhe strukturat e survejimit, përndjekjes, shantazhit e presionit i përdorin me çdo mjet e çdo kusht për të survejuar, nënshtruar, frikësuar, e mposhtur kundërshtarët politikë e qytetarët e thjeshtë. Qeveria që keqqeverisë Shqipërinë, vepron në mënyrë tipike komuniste në ideologji, marrëdhënie ndërinstitucionale, qasje ndaj pushteteve të varësisë, ndërvarësisë e qytetarëve të thjeshtë. Regjimet totalitare veprojnë masivisht; në emër të partisë dhe të popullit.
Përfshirja me detyrim dhe presion në skemën “aktivisti” të punonjësve të administratës publike me status civil, të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura kushtetuese, të institucioneve të sigurisë kombëtare, përbëjnë një skandal të paprecedentë për të cilin duhet të reagojnë fort ambasadat e vendeve perëndimore në Shqipëri, shoqëria civile e çdo institucion kombëtar e ndërkombëtar i akredituar në Shqipëri. Në diktaturë, populli, pushteti, partia konsiderohen e njëjta gjë. Çdo veprim organizohet, dirigjohet, orkestrohet dhe realizohet me qëllimin madhor komunist: “për çelikosjen e unitetit popull-parti”. E njëjta gjë po shfaqet dhe sot 3 dekada pas rënies së komunizmit. Fatkeqësisht në Shqipëri qeveris një diktaturë moderne: Kryeministri=partia-shtet, pasi ka shpartalluar opozitën duke lobuar deri në FBI kundër saj, pasi mban peng opozitën me vendim gjykatash, ka shkatërruar demokracinë duke pushtuar çdo institucion të pavarur kushtetues. Gjithçka dhe çdo gjë në Shqipëri është vënë nën shërbim të partisë-shtet.
Me qëllim mbajtjen me çdo kusht të pushtetit, eleminimin, përndjekjen e kundërshtarëve dhe mbajtjen nën survejim, përndjekje, panik, frikë, e shantazh të qytetarëve të zakonshëm, qeveria me armatën “aktivisti” po vë në rrezik sigurinë kombëtare, paqen, ligjshmërinë dhe kohezionin social. “Aktivisti” është skemë fatale e shkeljeve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Është shkelje flagrante e ligjit zgjedhor shqiptar. Skema politike survejuese “Aktivisti” është e njëjtë si skema “patronazhisti” një skandal i paprecedentë në historinë e shtetit modern shqiptar. Asnjë strukturë politike, partiake dhe e jashtëligjshme nuk guxon të intimidojë njerëz të lirë, të posedojë të dhëna personale, sensitive, të mbrojtura me ligj prej institucioneve shtetërore e ti vërë në shërbim të partisë-shtet. Asnjë prej strukturave në shërbim të qeverisë nuk guxon në një shtet demokratik që të ndërsejë çdo individ të lirë e ta vendosë në shërbim të qeverisë. Çdo skemë tipike komuniste në një shoqëri të lirë dhe demokratike duhet të refuzohet prej të gjithëve. Nesër do jetë vonë. Liria mbi gjithçka.
Photo by: Getty Images “iStock”