
Prof. dr. Skënder ASANI/
Mbajtja e Ditëve të Shën Nënës Terezë në Tiranë përbën një ngjarje të rëndësishme shpirtërore dhe kombëtare, ku kryeqyteti shqiptar kthehet në një qendër reflektimi e nderimi për figurën e Gonxhe Bojaxhiut. Përmes aktiviteteve kulturore, akademike dhe përkujtimore, Tirana nuk kujton vetëm lidhjen shpirtërore të saj me jetën e Nënës Terezë, por e shndërron këtë përvjetor në një platformë të bashkimit shpirtëror të shqiptarëve kudo që ndodhen. Këto nuk janë thjesht ditë të kalendarit, por një ftesë për të rishikuar rrënjët, kujtesën dhe mesazhin e dashurisë së pakushtëzuar, të cilin ajo e projektoi mbi mbarë njerëzimin.
Historia e Nënës Terezë lidhet ngushtë me Tiranën dhe me Shqipërinë, ku që prej viteve ’30 jetonin nëna dhe motra e saj. Kjo afërsi familjare bëri që ajo të shprehte vazhdimisht dëshirën për të vizituar atdheun, por rrethanat e kohës nuk ia mundësuan. Gjatë periudhës së regjimit komunist, ajo u drejtohej shqiptarëve me letra të mbushura me dhimbje e dashuri, duke i siguruar se i kishte gjithnjë në lutjet e saj. Vetëm në fund të viteve ’80 iu dha mundësia të vinte në Shqipëri, ku u përkul pranë varrit të nënës dhe dëshmoi madhështinë e faljes, duke tejkaluar pengesat e së kaluarës. Ky gjest i qetësisë dhe i përulësisë e ka bërë figurën e saj edhe më të ndritshme në kujtesën kombëtare dhe më të pranueshme në përmasat universale të paqes dhe dashurisë.
Manifestimet kushtuar Ditëve të Nënës Terezë, që shtrihen nga 26 gushti, dita e lindjes së saj, deri më 5 shtator, përvjetori i ndarjes nga jeta, janë një udhëtim shpirtëror e kombëtar. Në këto ditë, e gjithë gjeografia shqiptare bëhet një e tërë: nga Shkupi ku ajo lindi, te Tirana ku prehen nëna dhe motra e saj, nga Prishtina te Prizreni i trungut familjar, e deri te Struga e poezisë dhe solidaritetit. Në këtë hapësirë të gjerë kujtese, drita e Gonxhës shndërrohet në urë bashkimi e frymëzimi, duke na kujtuar se ajo nuk është vetëm shenjtore e botës, por edhe bija jonë, që me veprën e saj e ka bërë kombin shqiptar pjesë të historisë universale të humanizmit.
Në këtë kuadër, promovohen dy botime të reja që plotësojnë njëri-tjetrin. “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” e paraqet figurën e saj si një simbol të madh kombëtar dhe kulturor. Ky libër na mëson se nga një qytet i lashtë, me rrënjë ilire dhe arbërore, mund të lindë një personalitet që bëhet pishtar i dashurisë për mbarë botën. Përmes analizës së jetës së saj, nxirret në pah se Nënë Tereza është pjesë e identitetit tonë kombëtar, ashtu si edhe e kujtesës njerëzore globale.
Ndërsa libri i dytë, “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri”, është një mozaik rrëfimesh, dëshmish dhe kujtimesh nga ata që e njohën, e shoqëruan dhe punuan pranë saj. Libri e zhvesh figurën e saj nga idealizimi i tepruar dhe na e paraqet si një njeri të zakonshëm, por me një besim dhe dashuri të jashtëzakonshme. Nëpërmjet tij kuptojmë se madhështia e saj qëndronte jo në fjalë të mëdha, por në gjeste të vogla dashurie e sakrifice, në praninë pranë më të varfërve dhe në përkushtimin ndaj secilit njeri pa dallim.
Dy librat, në dialog me njëri-tjetrin, ndërtojnë një portret të plotë të Nënës Terezë: njëherësh Gonxhe e Shkupit, bija e kombit; Nënë e të varfërve, misionare e dashurisë; dhe Shenjtore që i dha botës një mesazh të përjetshëm. Përmes tyre, lexuesi jo vetëm kujton, por edhe mëson, frymëzohet dhe ndjehet i thirrur të jetojë sipas shembullit të saj. Manifestimi i Ditëve të saj në Tiranë është më shumë se një përkujtim: është një amanet. Është thirrja që ajo dërgoi dikur nëpërmjet letrave të saj, por që sot tingëllon edhe më fort: të duam njëri-tjetrin, të falim, të shërbejmë. Në një botë që shpesh dominohet nga egoizmi, ndarjet dhe urrejtja, kujtimi i Gonxhës na rikthen te vlerat e thjeshta, por të përjetshme të dashurisë dhe shërbimit.
Rrezatimi i Ditëve të Shën Nënës Terezë nga Tirana drejt gjithë hapësirës shqiptare përçon një mesazh të qartë: Gonxhja Bojaxhiu nuk është thjesht një figurë historike, por një frymë që bashkon shqiptarët në identitetin e tyre kulturor, shpirtëror dhe kombëtar. Manifestime të tilla shndërrohen në pika orientimi për një të ardhme më të ndritur, duke na kujtuar se kujtesa e saj nuk është vetëm një trashëgimi, por një thirrje e përhershme për të qenë më njerëzorë, më të bashkuar dhe më të hapur ndaj botës. Ky është mesazhi që ngulitet jo vetëm në zemrat tona, por edhe në horizontin e përbashkët të shqiptarëve kudo që janë.