
Cafo Boga – 11 Prill 2026
Ka momente kur një krizë politike nuk është thjesht një përplasje mes palëve, por një moment zbulimi — një çast kur bie maska dhe shfaqet realiteti i vërtetë i një sistemi.
Kosova sot ndodhet pikërisht në një moment të tillë.
Ajo që po shohim nuk është vetëm dështim i politikës për të gjetur zgjidhje, por pasqyrimi i një mënyre të menduari që vazhdon të mbajë peng shtetin. Një përplasje ku e kaluara kërkon të mbajë pushtetin, ndërsa e ardhmja ende nuk ka marrë formën që meriton.
Kosova do të bëhet një shtet i vërtetë vetëm atëherë kur qytetari i saj ta kuptojë se vota nuk është një luftë midis klaneve, por një e drejtë dhe një detyrim për të zgjedhur ata që kanë aftësi, karakter dhe meritojnë të udhëheqin shtetin.
Dhe do të bëhet një shtet i vërtetë vetëm atëherë kur ish pjesëtarët e UÇK-së të heqin dorë nga perceptimi se sakrifica e tyre u jep jo vetëm vend në histori, por edhe një pjesë të përhershme të pushtetit.
Ajo që po ndodh me zgjedhjen e Presidentit nuk është thjesht një krizë politike — është një pasqyrë e pamëshirshme e realitetit tonë politik.
Bllokimi nga opozita për arsye të ngushta politike, manovrat për shpërndarjen e Kuvendit nga Presidentja dhe ndërhyrjet që vetëm e zvarrisin zgjidhjen tregojnë se politika në Kosovë vazhdon të funksionojë më shumë si një betejë për pushtet sesa si një mekanizëm për ndërtimin e shtetit.
Shpërndarja e Kuvendit u pa nga shumëkush si një bluff politik, ose si një kalkulim i nxituar për interesa momentale. Por në vend që të zgjidhte krizën, ajo e thelloi atë, duke krijuar një përplasje institucionale dhe një pasiguri të re për vendin.
Ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese e stabilizoi përkohësisht situatën duke rikthyer Parlamentin dhe duke dhënë një afat për zgjedhjen e Presidentit, por pa garantuar zgjidhje.
Dhe këtu qëndron një tjetër dimension i kësaj krize:
ajo ka nxjerrë në pah edhe një boshllëk në funksionimin praktik të mekanizmit kushtetues — një çështje që kërkon adresim serioz për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen, iç e kam trajtuar më gjerësisht në shkrimin tim të mëparshëm “Kosova në tranzicion: Nga lufta te pushteti”, ku kam argumentuar nevojën për mekanizma që të parandalojnë pikërisht kriza të tilla.
Por problemi nuk fillon as nuk mbaron këtu.
Ai buron nga një mentalitet që vazhdon të dominojë jetën politike dhe mënyrën se si qytetarët votojnë. Një pjesë e shoqërisë kosovare ende operon me logjikën e besnikërisë klanore, ku individi ndjen detyrim të mbështesë “të vetët”, pavarësisht aftësisë apo performancës.
Kjo duhet thënë qartë:
Në një demokraci, vota nuk është detyrim për të mbrojtur askënd — as individë, as parti, as figura historike.
Ajo është përgjegjësi për të zgjedhur më të mirët.
Një pjesë e klasës politike vazhdon të sillet sikur e kaluara e saj — veçanërisht roli në luftë si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — përbën një kapital të përjetshëm politik. Si të ishte një kredencial që nuk skadon. Si të ishte një e drejtë e fituar për të qeverisur pa u sfiduar.
Kjo është pika ku duhet të ndalemi dhe të jemi të sinqertë:
Kontributi në luftë është nder — por nuk është mandat për pushtet të përhershëm.
Në momentin që kjo e kaluar përdoret për të shmangur llogaridhënien, ajo humb vlerën morale dhe kthehet në pengesë për zhvillimin e shtetit.
Liria nuk u fitua që të krijohej një elitë e paprekshme, por që të ndërtohej një rend ku pushteti fitohet me meritë dhe mbahet me përgjegjësi.
Por një elitë e tillë nuk do të mbijetonte pa një bazë që e mbështet.
Dhe kjo bazë është vota.
Kur qytetari voton i udhëhequr nga emocionet e së kaluarës, nga lidhjet apo interesat personale apo nga ndasitë politike, ai nuk zgjedh më të mirët — ai riciklon të njëjtët.
Dhe në këtë mënyrë, krizat nuk janë më përjashtim — ato bëhen rregull.
Kriza aktuale nuk është një devijim i përkohshëm.
Është një pasojë logjike.
Një sistem ku besnikëria shpërblehet më shumë se merita, ku historia përdoret më shumë se përgjegjësia, dhe ku vota nuk është më zgjedhje, por pozicionim — nuk mund të prodhojë stabilitet.
Në një realitet të tillë, rreziku nuk është vetëm kriza e radhës, por normalizimi i saj.
Dhe siç paralajmëronte Dwight D. Eisenhower:
“Një popull që vlerëson privilegjet mbi parimet e tij, së shpejti i humb të dyja.”
Sepse në momentin që një shoqëri fillon të mbrojë privilegjet në vend të parimeve, ajo nuk humbet vetëm drejtimin — ajo humbet edhe të ardhmen.
Prandaj, përgjegjësia nuk është vetëm e politikanëve.
Ajo është edhe e qytetarit.
Sepse politikanët nuk janë mbi shoqërinë — ata janë produkt i saj.
Nëse zgjedhim besnikërinë mbi meritën, do të kemi pushtet pa përgjegjësi.
Nëse zgjedhim historinë mbi aftësinë, do të kemi të kaluar pa të ardhme.
Nëse zgjedhim ndarjen mbi arsyen, do të kemi krizë si normalitet.
Dhe për sa kohë që kjo nuk ndryshon, çdo krizë e re do të jetë vetëm një kapitull i ri i së njëjtës histori.
Si Perfundim:
Sepse në fund të fundit, një komb nuk dështon nga politikanët që ka —
por nga standardet që pranon.