NJË PËRFAQËSI NGA HOSHTEVA E ZAGORISË NË SHBA, MYSAFIRË NË VATËR-/
Të Dielën, 17 Qershor 2018, një përfaqësi nga fshati Hoshtevë e Zagorisë, u takuan në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Përfaqësuesi i tyre Koço Sterjo i shkroi editorit të Diellit që më 1 qershor, ku i kërkonte që takimi i hoshtevjatëve të Zagorisë të fillonte në mënyrë simbolike në Shtëpinë e Vatrës në shenjë respekti për paraardhësit e tyre që emigruan në SHBA që në fillim të shekullit XX dhe shumë prej tyre ishin pjesë e Vatrës.
Edhe pse diela ishte një ditë pushimi dhe feste(Father’s Day), edhe pse ishin ndeshjet e Kampionatit Botëror, Kryesia e Vatrës u tregua e gatshme për t’i pritur mysafirët që udhëtonin nga shtete të ndryshme të Amerikës, ndërkohë që kishte dhe hoshtevjatë që ndodheshin në SHBA si vizitorë të përkohshëm tek fëmijët apo të afërmit e tyre.
Mysafirët u pritën nga Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, nënkryetari i Vatrës Agim Rexhaj, anëtari i Kryesisë Zef Balaj dhe Editori i Gazetës “Dielli”.
Kryetari i Vatrës u uroi mirëseardhjen në Shtëpinë e Vatrës dhe i përgëzoi për këtë vizitë, pikërisht në Ditën e baballarëve, në respekt të paraardhësve të tyre, që dikur ishin pjesë e Vatrës dhe punuan që këtu për Hoshtevën e tyre, Zagorinë, Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë. Ishin vatranët ata që i dolën për zot Shqipërisë dhe nuk lejuan humbjen e pavarësisë. Më pas Kryetari shprehu keqardhjen e tij për boshatisjen e fshatit Hoshtevë, boshatisjen e Zagorisë dhe të gjithë Shqipërisë për shkak të pamundësisë ekonomike për të jetuar në vendlindje.
Kryetari i Vatrës shprehu keqardhjen edhe për ksuhtet e vështira në Hoshtevë pas prishjes së Urës 200 vjeçare, Monument Kulture të Hoshtevës. Ai tha se Vatra mbanë qëndrime kritike për çdo qeveri shqiptare që nuk lufton për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, që nxit korrupsionin, që e kthen vendin në urë-kalim për trafikun dhe drogën, që cënon marrdhëniet miqësore me aleatët strategjik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdheu i adaptuar i shumë shqiptarëve etj.
Në emër të Hoshtevjatëve ka folur Koço Sterjo, i cili ka falenderuar kryetarin e Vatrës për mikpritjen dhe më pas ka shpalosur historinë e Hoshtevës, emigrimin nëpër botë dhe ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen. Ai tha se hoshtevjatët ndjehen krenarë që përfaqësuesit e fshatit kanë qenë pjesë aktive e Vatrës. Ata kishin krijuar dhe nëj degë të Vatrës në Biddeford, Maine, ku shoqëria hoshteviane që egzistonte atje, në qershor 1912 u bë pjesë e Vatrës.
Në një nga albumet e Vatrës, George Pouleshi-me banim në Montreal të Kanadasë, pjesë e degës së Vatrës atje, bashkfshatar i hoshtevjanëve të Biddeford-it , botoi forgrafinë grupore të 24 hoshteviatëve, që ishin bërë pjesë e vatrës. Në fotografi ishin këta hoshtevjanë: Janaq Mihali, Kristaq Mihali, Stathi Souli, Andon Pali, Stefan Kristani, Rako Kasapi, Gache Pufi, Pandeli Pouleshi, Kicho Andoni, Alex Hilla, Grigor Nine, Dhimitraq Gjika, Mihal Mihali, Kolio Kristani, Jano Qirolari, Lipe Kristani, Vangjel Saqillari, Qirjanko Nder, Lipe Kasapi, Sotir Nine, George Pouleshi, Dhimitraq Andoni, Vasil Saqillari dhe Anastas Konomi.
Hoshtevjatët ndjehen krenarë se njëri prej emigrantët e hershëm nga fshati i tyre,Stathi Suli, arriti që me kontributin e tij të ishte përfaqësues i tyre në Komisionin drejtues të Vatrës për vitet 1917-1918, Komision që përbëhej vetëm nga shtatë vetë- ku kryetar ishte At Fan S Noli, sekretar Loni Kristo, arkëtar Gori Katundi.
Mysafirët i përshëndetën dhe shfaqën qëndrimet e Vatrës për çështjen kombëtare edhe nënkryetari i Vatrës Agim Rexhaj, anëtari i kryesisë Zef Balaj dhe editori i Diellit.
Më pas diskutimet ishin të lira dhe secili shfaqi mendimin e tij se si mund t’i vihet në ndihmë vendlindjes.
Vellezerit Filip dhe Hektor Kristani, me banim në Nju Xhersi, në emër të të atit, Milo Kristani, që është bashkëautor i librit”Hoshteva dhe hoshtevjatët”, i dhuruan kryetari Mishto dy kopje të librit për bibliotekën e Vatrës.
Në fund një pjesë e mysafirëve plotësuan formularët e anëtarësimit në Vatër në respekt të punëve të mëdha Kombëtare që ka bërë Vatra dhe në respekt të paradhësve të tyre, që panë tek Vatra, mundësinë e shpëtimit të Kombit.
Pas dy orësh takim në Vatër, hoshtevjatët u zhvendosën në një restorant në Bronx, për ti vazhduar atje bisedat.(dg)