1 prill 2017-Ulqin, Mal i Zi/
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë në kremtimet e Ditës së Komunës së Ulqinit. Në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Ulqinit të mbajtur në Qendrën për Kulturën, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Kryetari i Komunës Nazif Cungu, Kryetari i Kuvendit Komunal Loro Ndrekiqi, ministra të qeverisë së Malit të Zi dhe nga Kosova, Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, autoritete vendore, drejtues të besimeve fetare, ulqinakas të ardhur nga Durrësi si dhe shumë qytetarë.
Presidenti Nishani zhvilloi paraprakisht një takim me Presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviç në selinë e Komunës, të cilit i shprehu mirënjohjen në emër të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë për kujdesin e vazhdueshëm që tregon ndaj pakicës shqiptare si dhe për kontributin e vyer të dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në drejtim të forcimit të miqësisë dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. “Edhe ne e provojmë bashkëjetesën dhe Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe mik i Shqipërisë.” – theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit shqiptar pasi vuri në dukje se Parlamenti shqiptar ishte i pari që ratifikoi marrëveshjen e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, theksoi se: “Anëtarësimi juaj në aleancën politiko-ushtarake të Atlantikut të Veriut jo vetëm u shërben dhe rrit sigurinë e qytetarëve tuaj, por është një kontribut në të mirë të sigurisë së mbarë rajonit tonë, sepse rrit sigurinë dhe zgjeron hapësirën e lirisë në Ballkan duke qenë se kemi nevojë të garantojmë sa më shumë paqen dhe stabilitetin për vendet dhe popujt tanë. Qytetarët malazezë do të kuptojnë rëndësinë e të qenit në një aleancë politiko-ushtarake që i siguron paqen dhe stabilitetin.”
Nga ana e tij Presidenti Vujanoviç, pasi uroi Ditën e Ulqinit dhe vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë një model i përkryer i marrëdhënieve të mira fqinjësore, shprehu besimin se ato do të forcohen edhe më tej, sidomos bashkëpunimi ekonomik në fushat e turizmit, të energjisë, transportit detar, etj.
Presidenti Vujanoviç falënderoi Presidentin Nishani për ndihmën e çmuar dhë mbështetjen për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, pasi ndihma e fqinjëve vlerësohet së tepërmi duke qenë se ata mund të dëshmojnë më së miri për zhvillimin e vendit të tij, duke shtuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut hap mundësi të reja bashkëpunimi, sidomos po të kihet parasysh fakti që i gjithë bregdeti i vendeve tona i përket totalisht hapësirës së Aleancës.
Të mikpritur nga Kryetari komunal Loro Ndrekiqi dhe Kryetari i Komunës Nazif Cungu, të dy Presidentët morën pjesë dhe përshëndetën veprimtarinë festive që u mbajt në Qendrën e Kulturës me rastin e Ditës së Ulqinit, gjatë së cilët kënduan dhe luajtën mjeshtërisht disa artistë të shquar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia.
Në përfundim, Presidenti Nishani dha edhe këtë mesazh para mediave të pranishme duke u shprehur: “Ishte kënaqësi, por edhe privilegj të isha sot i ftuar në Ditën e Ulqinit. I falënderoj autoritetet vendore, Kryetarin Cungu dhe të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit, të cilët më adresuan një ftesë për të qenë së bashku me ta në këtë ditë feste dhe gëzimi. Ishte një kënaqësi edhe më e veçantë pjesëmarrja në këtë festë e Presidentit Vujanoviç. Gjej rastin edhe njëherë të uroj të gjithë qytetarët: Gëzuar Ditën e Ulqinit! Gëzuar këtë festë! Ditë më të mbara e më të mira për të gjithë qytetarët e Ulqinit dhe të Malit të Zi! Njëkohësisht i shpreha Presidentit Vujanoviç vlerësimet e mia më të mira për respektin që autoritetet, shteti i Malit të Zi u adreson shqiptarëve në Malin e Zi. Jam i bindur gjithashtu se shqiptarët e Malit të Zi, si deri më tani, do të vazhdojnë të jenë kontribues të rëndësishëm të shtetit e vendit të tyre dhe duke e adresuar Malin e Zi në të gjitha proceset e integrimit euro-atlantik. Njëkohësisht gjej rastin të falënderoj shqiptarët në Mal të Zi për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme që vazhdojnë të bëjnë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë dhe identitetit të tyre kombëtar.”