Rafaela Prifti/
“Degët e Vatrës janë bashkim vullnetar i bazuar në interesimin e të gjithë anëtarëve si të atyre të ardhur me kohë edhe të të rinjve,” thotë anëtari i Këshillit të Vatrës dhe kryetari i Degës së Rigdewood, Bashkim Musabelliu. Nismëtarja Monda Hamitaj, anëtarët dhe kryesia e kësaj dege, e cila u formua në korrik, ishin në selinë e Vatrës të dielën për të nënshkruar marrëveshjen e pranimit me qendrën, sic përcaktohet në aktet nënkanunore të organizatës. Në një vështrim të shpejtë, aty kishte anëtarë dhe titullarë nga dega e Manhattan-it dhe Queens-it. Të ardhur nga qytete të Shqipërisë si Pogradeci, Korca, Shkodra, përpara shumë kohe ose pak viteve, ata gjeografikisht jetojnë në lagjet e një qyteti apo edhe në shtetet pranë Nju Jorkut, por në Vatër vijnë dhe mblidhen për të gjetur dicka tjetër, sepse këtu ata janë të gjithë Vatran.
Si avokat dhe si anëtar Këshilli për më shumë se një dekadë e gjysmë në Vatër, Musabelliu e sqaron dhe e vlerëson lidhjen e kontratës, ashtu sic është paraparë nga hartuesit e Kanunores për dy arsye. E para se shkeljet dhe anashkalimet statutore e dobësojnë subjekin dhe së dyti sepse vetë formalizimi është procedure që përforcon aktet nënkanunore. “Në baze të tyre, – thotë avokati Musabelliu, – “dega jonë është krijuar për llogati dhe në funksion të organizatës Vatra.”
Zyrtarimi i një dege është më shumë se një akt formal sepse konsolidon themelin ligjor të Federatës dhe nënkupton një pakt pranimi nga secili Vatran që anëtarësohet në të.
Hap pas hapi, ai e paraqet kodin procedurial të formimit të degës: “Kanunorja parashikon që komisioni nismëtar kur arrin në konkluzion se ka arritur numrin e nevojshëm dhe në përputhje me vullnetin e anëtarësisë vë në dijeni Kryetarin e Federatës dhe nëpërmjet tij gjithë kryesinë. Kur arrihet dakortësia caktohet data e formimit ku qendra dërgon përfaqësuesin e saj për të vëzhguar procesin e formimit. Kur mbledhja formuese del me sukses përfaqësuesi i qendrës raporton në qendër pra te kryetari i cili cakton datën e legalizimit të deges ku ftohen grupi nismëtar po të deshiroj dhe anëtarësia, të jenë të pranishëm në nënshkrimin e kontratës.”
Akti i nënshkrimit të pranimit në emër të Vatrës nga Kryetari Elmi Berisha shënoi njëherit edhe momentin e anëtaresimit në degën e Ridgewood të z. Bahri Borici, ish-bashkiaku i Shkodrës.
Ylli Dosku, Sekretar dhe koordinator i degës me qendrën dhe me gazetën Dielli si edhe anëtar i Këshillit të Vatrës, ndihet mirë midis atyre që ai i quan “miq vatranë”. Ai thotë se u ndje mirë të dielën për shkak të “atmosferës shumë vëllazërore” të pritjes “së degës sonë në Federatë.”
Sic parashikohet në Kanunore, dega do ketë zgjedhje cdo dy vjet dhe nuk do ketë kryetar të përhershëm. Meqë dega Ridgewood u formua në korrik por u formalizua në nëntor, Bashkimi tha se shtyrja u diktua nga rrethana jashtë kontrollit tonë; babai i tij ndërroi jetë atë muaj, në gusht shumica e anëtareve ishin me pushime, dhe kështu data e zyrtarizimit u caktua në 14 nentor,
Meqë Ridgewood është në Queens dhe ekziston dega Queens, atëhere, e pyeta se në cilën degë do duhej të drejtohej për shembull, një banor i zonës së Astoria-s. Musabelliu tha se cdo degë mbulon një territor të caktuar dhe se në fillimet e Vatrës degët emëroheshin me numra. “Dega duhet të plotësoj kriteret apo kushtet e parashtruara në Kanunore. Të tilla janë numri me 15 anëtarë dhe pranimi i programit të Vatrës,” sqaron ai. “Secili anëtar ka të drejtë të ketë dhe të shpreh lirisht mendimet e tij si dhe qëndrimin personal për cështje politike, këto janë personale. Por në fund, Dega i qëndron dhe është një me Qendrën, kur vjen fjala të mbrojtja e interesave kombëtare dhe platformën mbarëshqiptare.”
Për anëtarët e rinj por edhe ata ekzistues, kryetari i degës thotë se “emigrantët e ardhur këtu duan të shërbejnë dhe ndihen pjesë e komunitetit. Për më tepër, ata duan të kenë identitetin e tyre në diasporë. Ata bëhen pjesë e Vatrës sepse në platformën e saj gjejnë shprehjen e interesave mbarëkombëtare.”
Ridgewood është një lagje rezidenciale rreth pesë kilomentra katrore që shtrihet në territorin e Queens dhe Brooklyn, dy njësi administrative të qytetit Nju Jork, në verilindje të Amerikës.