Arbëreshja Elena Busciacco midis nxënësve në ditën e parë të shkollës Shkollës Shqipe “Alba Life”, New York/
Mesazhi: Mësojeni Gjuhën Shqipe, mos e harroni kurrë, sespe vetëm Gjuha dhe Flamuri na lidh së bashku si SKIPTARË./
Shkolla Shqipe “Alba Life”, New York priti krahëhapur nxënësit e saj në mjediset e shkollave publike si në Brooklyn në P.S. 205, në Staten Island, P.S. 9 dhe sëshpejti javën tjetër do të hapet dhe në Queens, 66-56 Forest Avenue.
Ishte një javë e bukur shqiptare mbushur me cicërima shqip nga fëmijët shqiptarë në Amerikë, që edhe pse janë lindur dhe po rriten jashtë Atdheut të të parëve të tyre ata me abetare në duar ulen plot kënaqësi dhe dashuri pranë bangave të shkollës për të mësuar Shqip…
Mundet që vetëm ky paragraf do të mjaftonte për të gjithë lexuesit dhe dashamirësit e shkollave shqipe që të bëhen akoma më shumë përpjekje dhe punë kualifikuese në diasporë për ta përhapur gati si lajm hyjnor se kudo ku frymojnë shqiptarë në çdo cep të globit të ketë shkolla shqipe.
Dita e premte në Brooklyn dhe e shtuna në Staten Island ishin ditë plot shkëlqim, ishin ditë diellore mëmëdheu me shkronja shqip si rreze plot dritë dhe ngrohtësi.
Nxënësit e të dy shkollave u mirëpritën nga mësueset e talentuara dhe të kualifikuara si Adelina Lacaj, Entela Muda, Vlera Thaqi dhe asistentet e tyre që ju falin aq shumëdashuri dhe përkushtim për mësimin e gjuhës shqipe.
Dita e parë e mësimit pë këdo që ka qenë në shkollë ngelet përgjithmonë në kujtesë të nxënësve. Është tejet prekëse për ne mësuesit, kur shikon nxënësit e vjetër si takohen me njeri tjetrin dhe si shkëmbejnë përvojat e tyre pas pushimeve të verës. Ndonëse disa prej tyre mund të flasin gjysma shqip dhe gjysma anglisht, por ajo që të ngelet në mendje është kur ndonjë nxënës që mund të jetë më i vjetri ju thotë plot dashamirësi: “Flisni Shqip se kjo këtu është Shkollë Shqipe!
Ata prezantohen me njeri tjetrin dhe ndërkohë kujdesen për më të rinjtë që zakonisht janë dhe më të vegjël. Prej të vegjëlve ka që mund të derdhin lot dhe i duan mamatë e tyre pranë bangave, por është befasuese se si ata miqësohen aq shpejt me njeri tjetrin dhe mezi presin që të vije dita e Shkollës Shqipe. Më lejoni qe t’ju sjelle vetëm një shembull nga përvoja ime e gjatë midis dy kontinenteve: Kur Jaedin Safet Doci erdhi para 3 vjetësh në shkollë, ditët e para ai vetëm qante, i skuqej lëkura e bardhë dhe sytë e bukur nga trishtimi qe ndahej me mamin, nuk donte të shkruante, nuk donte të fliste fare me njeri, por pas dy javësh ai u miqësua shpejt. Qysh prej atëhere ai nuk do të ndahet kurrë. Çdo të shtunë i kujton prindërit se duhet të vete në shkollën shqipe se më pret mësuese e dashur Entela si dhe shokët dhe shoqet e shkollës. Ai disa herë ka qenë Flamurtari i Shkollës në aktivetet e radhës. Ka dhe shumë shembuj të tjerë, që medoemos një ditë do të jenë në librin e Shkollës Shqipe në Diasporë…
Shumë prej tyre gëzohen kur sjellin nxënës të rinj në shkollë. Ja tha Rilindi i cili ka ardhur qysh 5 vjeç në shkollë, -Mësuese Kozeta ky nxënësi që kam në krah është vëllai im Dielloni dhe do mësojë Shqip. Shkova e përqafova plot dashuri dhe i thashë se ti do ta mësosh shumë shpejt shqipen se ke dhe vëllain që do të ndihmojë…
Arbëreshja Elena që emocionoi me fjalën e saj të gjithë të pranishmit në ditën e hapjes së Shkollës Shqipe
Kishte kohe që Arbëreshja Elena Busciacco kishte shprehur dëshirën e zjarrtë të vinte pranë nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life”. Lidhja midis arbëreshes dhe TV “Alba Life” ka qenë mjaft impresionuese. Arbëreshja me pasionin dhe dashurinë në gji ndër shekuj na gjeti nëpërmjet “Google” dhe ne me po atë zjarr dashurie iu përgjigjëm direkt duke udhëtuar disa orë për të shkuar në shtepinë e saj në Pennsylvannia dhe për ta sjellë pranë shqiptarëve portretin e saj aq të bukur.
Ç’udhetim i bukur ishte! Që ditën e parë të takimit tha se kur të fillojë shkolla shqipe dua të jem prezente për t’i takuar nxënësit dhe mësuesit. Ajo fliste dhe në kokë më endeshin fytyrat e bukura ëngjëllore të nxënësve se si do ta mirëpresnin arbëreshen ku dikush mund të recitonte si: Shkollën Shqipe e kam jetë, më jep krah më bën me fletë, për Atdheun më mëson, ta kem në zemër përgjithmonë!
Themeluesi dhe drejtori i shkollës “Shqipe “Alba Life” iu ka uruar mirëseardhjen të gjithë nxënësve, mësueseve dhe prindërve dhe një falënderim të veçantë iu ka dhënë nxënësve të rinj që u ulën për herë të parë në bangat e shkollës.
Pasi prezantoi shkurtimisht programin që do te ndiqet gjate vitit akademik mësimor 2017-2018 ai tha se sot në ditën e parë të shkollës kemi një surprizë të bukur për Ju të gjithë. Midis nesh ndodhet arbëreshja Elena Busciacco e cila do t’ju përshëndesë të gjithëve. Në klasë ra një heshtje kurioziteti dhe ndonjë prind shprehu Wow, ç’emocion!… Ndërkohë nxënësja e porsa regjistruar Vesa me mama amerikane dhe baba shqiptar si dhe Emma i dhuruan një buqetë me trëndafila të kuq në shenjë mirëseardhje dhe mirënjohje të pakufishme për ruajtjen e Gjuhës Shqipe.
Arbëreshja e bukur Busciacco e cila kishte ardhur me bashkëshortin e saj fisnik z.Hany Farah dhe vajzën e saj Sara i falënderoi pamasë të gjithë të pranishmit që ndodheshin në klasë dhe e filloi përshëndetjen shqip në dialektin arbëresh: “Mirë se keni ardhur motra dhe vëllezër Skiptarë! Unë jam shumë e gëzuar që ndodhem pranë jush se ju jeni gjaku im. Une vij nga katundet arbëreshe në Itali dhe sjellë zërin dhe përshëndetjet e të gjithë arbëreshëve të 50 katundeve në Kalabri që ju jeni ulur pranë bangave të shkollës Shqipe “Alba Life” shkollë e hapur nga vëllai im SKIPTAR, Qemal Zylo dhe familja e tij. Arbëreshët kanë më shumë se 500 vjet që nuk e kanë harruar Gjuhën Shqipe sepse ata u betuan me njeri tjetrin dhe vazhduan porosinë e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut: “Qëndroni gjithmonë të bashkuar, sepse kështu edhe pa mua do të fitoni. Arbërisë nuk i kanë munguar kurrë trimat”.
Ne gjithmonë në Arbëri në Itali kemi qëndruar të bashkuar dhe kështu do të jemi përgjithmonë. Mësojeni gjuhën Shqipe, mos e harroni kurrë, sespe vetëm Gjuha dhe Flamuri na lidh sëbashku si SKIPTARË.
Fjala e saj u mirëprit me duartrokitje dhe emocione të fuqishme, fjala e saj ishte jehonë e largët e shqiptarëve të ikur nga luftërat, regjimet, varfëia, por edhe pse të larguar nga trojet e tyre, ata nuk e kanë harruar kurrë Arbërinë… Dëshmi e gjallë është arbëreshja Elena me rrënjë shumëshekullore shqiptare me rrënjë që s’do të shkulen kurrë sa të ketë frymë shqiptari mbi dhe…
Disa nxënës më të vjetër përshëndetën me recitime të ndryshme si Arsi Muda, Lisa Pilku etj si dhe demonsturan ushtrime gjimnastikore për të krijuar një atmospherë festive në ditën e parë të hapjes së shkollës shqipe.
Arbëreshja pas perfundimit te mësimit u takua me të gjithë me plot dashuri. Fjala e saj impresionoi të gjithë të pranishmit, pasi ardhja e saj ishte burim frymëzimi, ishte palcë dashurie për Gjuhën Shqipe.
Prindi i shkollës shqipe, një burrë atdhetar Safet Doci që ka djalë Jaedin kur e pyeti se si e ka emrin vajza, Elena iu përgjigj se ne vajzës në Arbëri i themi “Vasha”, dhe vasha ime e ka emrin Sara. Të gjithë duartrokitën, ishte nje shenjë respekti dhe dashurie për motrën e tyre arbëreshe Elena.
Dita e parë e shkollës Shqipe kaloi ne një atmospherë festive të bukur dhe me plot mbresa nga takimi me arbëreshen Elena, nga takimi me rrënjët e thella shqiptare mbi 500 vjeçare në Arbëri të Italisë.
30 shtator, 2017
Staten Island, New York