
Aleksandër Çipa/
Krejt perandorët e Romës së lashtë ishin sundonjës dhe gjakatarë. Ata bënë dhe lanë historinë që trashëgohet në mijëra e qindra vjet si qytetërim.
Italianët e sotëm, si pasardhës të tyre, e kanë materializuar këtë trashëgimi në çdo hapësirë të atdheut të tyre. Kanë ngritur statuja e kanë gdhendur fjalët e tyre. Kanë ditur si të përcjellin skriptualisht imazhin e një antikiteti aq shterrues për nga mendimtaria. Qytetërimi romak është aureoluar si qytetërim mendimi dhe jo gjakimi….A ka diçka nga më themeloret që nuk e kemi sulmuar, përçmuar, nënvlerësuar, vënë nën kritika, lehtësisht edhe mohuar, ne shqiptarët?
E shajmë dhe përdhosim emrin dhe lavdinë e Skënderbeut. E bëjmë aq të atakueshëm edhe urbanistikisht,(!) monumentin e tij në qendër të Tiranës….! E nëpërflasim Nënë Terezën- Gonxhen Shqiptare, të shenjtëruar dhe nuk kemi as din e as iman për të dëshmuar kulturë dhe sjellje respekti për rastin unik të saj si imazh dhe reklamim kombëtar…!
Mohuam dhe injorojmë kontributin tonë në disa luftra dhe sherrnohemi për Pavarësinë kombëtare…! Baltosim aktin lavdiplotë të luftës çlironjëse të UÇK-së për Kosovë e shqiptari dhe së fundi, po flemë dhe përçmojmë aftësitë vetiake kombëtare për administrim të lirisë dhe të shtetbërjes, si njerëz të përkohshëm të një atdheu që dëshmohemi sikur na i kanë dhënë me qira apo në përdorim.!!
A ka diçka nga më themelore që nuk e kemi sulmuar?
Ditëzisht kemi sulmuar dhe vazhdojmë të urrejmë edhe gjuhën kombëtare! Shpesh e bëjmë këtë si hileqarë provincialë. Shajmë e satanizojmë gjuhën tonë shqipe sikur na kanë dhënë misionin të rivendikojmë mbi të e matanë saj, dialektet..!
Nuk dhamë një provë përkujdestarie për trupin duke mbitreguar fanatizëm gjasme mbrojtës, për gjymtyrët e gjuhës sonë të dlirë! Ne i kemi arritur të gjitha trofetë e mohimit dhe urrejtjes së themelores dhe trashëgimisë autoktonike tonën…Jemi shoqëri që “po ha dhe mpak” Atdheun. Në një kohë mallkimi kemi mbërritur, por bëjmë kolektivisht të pavëmendshmin.
Në këtë vend, raporti mes vdekjes, ikjes, plakjes, fatkeqësisht dhe ogurkeqësisht është shumë herë më dominant, në raport me dasmat dhe lindjet. !!! Në Atdheun që “po haet nga të vetët dhe banorët” dhe përçmohet si nga kjo shoqëri e sotme, nuk mbillet dhe nuk shtohet ekzistenca e mëtejshme, por shenjohet shuarja dhe zëvendësimi i afërt. Një atdhe, sidomos të vogël si ky i yni, e rilind mendimi dhe bashkimi, jo urrejtja dhe përçmimi.
Dhe meqenëse e nisëm nga romakët e lashtë le ta mbyllim me Ciceronin: “Patria est communis omnium parens.”. (Atdheu është nëna e përbashkët e të gjithëve). Të tillë, nuk mjafton vetëm ta trashëgosh, por më së shumti ta trajtosh dhe për ta arritur apo materializosh si ideal të mishërueshëm, problem i madh është qeverisja, por dalëzotëse e vetme mbetet shoqëria. A jemi dhe a po sillemi ne si shoqëri?!?!
Mes nesh ka dhe shumëshfaqet shpesh: Parashoqëria. Kjo është arsyeja që ndër ne është përherë e më pak i dukur mendimi dhe aq shpesh e më shpesh sheshzënëse: urrejtja dhe mohimi!